RROFTË SHQIPNIJA E VËRTETË ME KUFIJTË E SAJË ETNIKË!
Nga Kongresi i Dytë (IV) i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Shkup, me 1 qershor 1946 viti.
Gjithashtu nga ky Kongres duel edhe një REZOLUTË me të cilën kërkohej bashkimi i Kosovës dhe i viseve tjera shqiptare me Shqipërinë. Ky bashkim parashihej të arrihej me ndihmën e Fuqive të Mëdha, përkatësisht të Anglisë dhe SHBA. Ky Kongres i mori disa vendime me vlera historike, mirëpo rrethanat e imponuara politike e sidomos kapja e gjithë udhëheqësisë së KQ nga ana e OZN-ës, i bëri ato të pavlefshme, gjegjësisht të parealizueshme edhe pse dihej se nëpërmjet konsullatës angleze nga Qeveria Britanike u kërkua ndihmë ushtarake e materiale, si dhe mendimi nëse çetat e armatosura duhej të qëndronin në terrenin e Kosovës dhe Maqedonisë, apo të tërhiqeshin jashtë vendit. Gjithashtu, për mbajtjen e lidhjeve me konsullin turk dhe për sigurimin e pasaportave, u caktua Xhavit SELIMI.
Pas 55 ditësh që u mbajt ky Kongres, udhëheqësit e LpLTSH - LNDSH, thirrën Kongresin e ri që do të mbahej në Kosovë. Kongresi do të diskutonte për masat që duheshin marrë për ruajtjen e anëtarëve të LËVIZJES, për BASHKIMIN e të gjitha GRUPEVE që vepronin me emra të ndryshëm në një ORGANIZATË të vetme. Kongresi i tretë i LpLTSH apo Kongresi i V-të i LNDSH, u organizua në malet e Lipovicës, (Blinajës), afër Lipjanit, më 25 korrik 1946. Në këtë Kongres morën pjesë kryesisht veprimtarët e SEKTORIT TË DYTË, luftëtarë të grupeve të armatosura të Osman BUNJAKUT, Ukshin KOVAÇICËS nga Kovaçica dhe të Haradin VIDISHIQIT po nga Shala e Bajgores, Hilmi ZARIQIT nga BAICA e Helshanit (Drenicë), Arif SHALËS, hoxhë nga Sankofci i Drenicës. Përveç udhëheqësve të grupeve ishin të pranishëm edhe veprimtarë të dalluar të LNDSH, si Ibrahim GRAINCA - CERNILLA, Rrustem STATOVCI, Hasan BILALLI, Riza STRELLCI, Eshref SHEQA, Shemsi HAZIRI, Azem JASHANICA, Jetullah MUHARREMI, Ymer FAZLIJA, Bajram MUSLIU, Xhahit GAFURRI, Smajl SLLAMNIKU, Aziz ZHILIVODA, Isuf VISOKA, Ramadan BERISHA, etj. Kongresi i 3-të i LpLTSH apo i -V-ti i LNDSH, ishte më masivi për nga numri i pjesëmarrësve - (250 veta), por më i shkurtri për nga kohëzgjatja.
Kongresi i Lipovicës i zhvilloi punimet me këtë rend dite:
-
Hapja e Kongresit,
-
Raporti i K.Q. për Ushtrinë - UPNDSH-, Fjala e delegatit të K.Q. nga Shkupi i cili nuk arriti, sepse ndërkohë ishte arrestuar dhe kongresistët as që e dinin;
-
Ekspoze për punën e Organizatës “BESA KOMBËTARE” dhe të Sektorit të Dytë,
a. Fjala e z. Prof. Ymer BERISHËS dhe z. Ajet GERGURI.
b. Raporti i Sektorit të Parë, ...
-
Përgjigje e letrës së SEKTORIT të DYTË, të datës 5 korrik 1945, dërguar K.Q. nga Greqia ku kërkonin që forcat e armatosura të maleve tona të braktisin jetën e maleve e të emigrojnë në Greqi, ku Kongresi njëzëri e hodhi poshtë me motivacion se NUK LIHEN TROJET TONA dhe familjet nën këmbën e gjaksorëve sllavë. Të mbrojmë atdheun, nderin e familjes e vorret e të parëve deri në pikën e fundit të gjakut tonë - tha para kongresistëve, atdhetari Ukshin KOVAÇICA.
-
Zgjedhja e Komandës Supreme të Ushtrisë së Maleve – UPNDSH, të Kosovës dhe viseve shqiptare nën Jugosllavi (Komanda do të duhej të përfshinte organizatorët, përfaqësuesit e Komitetit Qendror të LNDSH në Shkup, të delegacionit dhe të komandantëve të ushtrisë).
-
Zgjedhja e Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar dhe e SHTABIT të PËRGJITHSHËM të FORCAVE të ARMATOSURA të MALEVE (në zgjedhje duhej të merrnin pjesë përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të të gjitha trevave të Kosovës, Maqedonisë Perëndimore, Kosovës Lindore dhe asaj Perëndimore: Sanxhak, Plavë e Guci deri në Ulqin e Tivar).
-
Zgjedhja e Komandantit dhe ndarja e ushtrisë kombëtare në 5 divizione të kompletuara me aradha, si dhe rregullimi disiplinor i ushtrisë - UPNDSH;
-
Përgjigje çështjeve përkitazi me rojën, furnizimin, ushtrimin dhe pajisjen e ushtrisë (pritej përgjigja e Komisionit Qendror të KQ të LNDSH, që kishte lidhje me Misionin Ushtarak anglo-amerikan),
-
Mbyllja e punimeve dhe redaktimi i rezolutave dhe konkluzioneve të Kongresit të Tretë të LpLTSH, gjegjësisht të -V-tit të LNDSH.
Kongresi i Lipovicës punimet i filloi me 25 korrik 1945, nga mezi i ditës me një vonesë të madhe për disa shkaqe: E PARA, gjatë ardhjes së delegatëve të LNDSH - LpLTSH dhe të grupeve të armatosura në vendin ku do të mbahej kongresi, u hetuan lëvizje të mëdha të forcave të KNOJ-it dhe të OZN-ës; E DYTA, nuk arritën delegatët as përfaqësuesit e gueriles shqiptare nga Dukagjini; E TRETA, nuk arriti përfaqësuesi i KQ të LNDSH të Shkupit, Kemajl SKENDERI; E KATËRTA, nuk arriti Prof. Ymer BERISHA, kurse një letër që i arriti Kongresit në emër të tij, përgatitur nga OZN-a, se nëse ai nuk “do të arrinte, në vend të tij të fliste Hilmi ZARIQI” - ishte e dyshimtë dhe E PESTA, njësiti gueril i Jetullah ZABELIT të Rezallës, dyshoi në besnikërinë e korrierit për lidhje midis Hilmi ZARIQIT dhe “Prof. Ymer BERISHËS”, dhe pikërisht në Rexhep ALUSHIN e Carrabregut të Deçanit, (Porf. Dr. Muhamed SHATRI thotë në shkrimin e tij se ky tradhtar quhet: Rexhep BEKA), të cilin e arrestoi dhe të lidhur e sollën në vendin e Kongresit. Në Kongres do të përfaqësohet edhe Komiteti QARKOR i Gjilanit prej kryetarit Rexhep Shemë DAJKOVCIT.
Kongresin e hapi Ajet GERGURI, i cili foli edhe për aktivitetin e SEKTORIT TË DYTË (Organizata Nr. 2 e LNDSH), kurse ekspozeja mbi aktivitetin e “Besës KOMBËTARE” nuk u mbajt meqë Prof. Ymer BERISHA i cili ishte paraparë të raportonte për veprimtarinë e saj, ishte vrarë nga forcat jugosllave të ndjekjes. Vrasja e tij më 11 korrik 1946, në HEREQ të Gjakovës, ku ndodhej së bashku me Ndue PËRLLESHIN dhe disa luftëtarë të çetave që vepronin atje, ishte goditje shumë e rëndë për Lëvizjen e Rezistencës Antikomuniste Shqiptare.
Në referatin e tij, Prof. Gjon SERREÇI, pasi analizoi gjendjen në viset e pushtuara shqiptare, vështirësitë e veprimtarisë së LpLTSH - propozoi që tani e tutje kjo Lëvizje të quhet vetëm ORGANIZATA NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE, çka u aprovua me shumicë votash (aklamacion), dhe përcaktoi detyrat e anëtarëve të saj. Kongresi u ndal në domosdoshmërinë e kontakteve ndërmjet RREZISTENCËS në Kosovë dhe demokracive perëndimore, zgjodhi KQ të Organizatës NKDSH dhe kryetar u zgjodh Ajet GERGURI, dhe sekretar Prof. Gjon SERREÇI si dhe ky Kongres zgjodhi KOMANDËN SUPREME të Ushtrisë popullore të NDSH, të kryesuar nga Ajet GERGURI. Kongresi vendosi që të gjithë ata që ishin dekonspiruar, të kalonin në mënyrë të organizuar në Greqi, ndërsa ata që do të mbeteshin në vend, të vazhdonin veprimtarinë e tyre. Mirëpo ky propozim, siç u theksua më lart u hodh poshtë dhe u vendos që të gjithë të QËNDROJNË E TË LUFTOJË PËR LIRINË E ATDHEUT DHE PËR RIBASHKIMIN KOMBËTAR SHQIPTAR.
OZN-a jugosllave ishte vënë në dijeni për mbajtjen e Kongresit, por fatmirësisht kishin marrë një dezinformatë se Kongresi do të mbahet në “Kosmaq” e jo ku u mbajt, pra në Lipovicë, nëpërmjet spiunit Rexhep ALUSHIT alias Rexhep BEKA nga Carrabregu i Deçanit. Ai pasi u kap, pohoi se kishte marrë pjesë në likuidimin e Prof. Ymer BERISHËS dhe dhokëve të tij dhe tregoi, pasi iu nxu një letër - Leje QARKULLIMI si i besuar i OZN-ës, të nënshkruar nga kryeudbashi i Kosovës, gjakësori Spasoje GJAKOVIQI, me të cilën letër ky far spiuni kishte të drejtë të kërkojë ndihmë nga organet e pushtetit okupator deri në 30 veta të armatosur që do të viheshin nën komandën e tij, se në tunelin në afërsi të fshatit Baicë gjendeshin dy kompani të ushtrisë jugosllave, të gatshme për të vepruar. Tradhtari u ekzekutua nga Roja besnike e Kongresit. Vdiq si vdesin qyqarët e tradhtarët me vaj e lutje për mëshirë. Në këtë mënyrë prita u shmang, ndërsa pas përfundimit të punimeve të kongresit, u shpërndanë delegatët për t’u kthyer në rajonet e tyre.
Nën kujdesin e Ajet GERGURIT dhe të Prof. Gjon SERREÇIT, rrjeti i Komiteteve të ONDSH u zgjerua në Llap dhe në rrethinën e Prishtinës, ndërsa Hamdi BERISHA formoi Komitetin QARKOR të Gjilanit me 9 anëtarë. Po ai formoi edhe komitetin e Kamenicës, me në krye Kadri MISININ. Në radhët e këtij Komiteti, dalloheshin edhe Xhemail KALLABA dhe Ali KABASHI, që ishin në të njëjtën kohë edhe anëtarë të Komitetit të Rinisë Komuniste Jugosllave. Ali KABASHI organizoi vrasjen e Shefki BEQIRIT, oficer i OZN-ës, kurse kryetari i këtij komiteti, Kadri MISINI e përfitoi për këtë organizatë edhe Isa DUJAKEN, komandant i postëkomandës së policisë por që të dy komitetet u dekonspiruan nga një nënshtetas i Shqipërisë që ishte bërë agjent i OZN-ës me sugjerimin e SIGURIMIT të Shqipërisë.
Edhe në Vushtrri vepronte Organizata e RINISË së LpLTSH - ONDSH e përbërë nga Hajdar MAXHUNI, Ramadan REXHA - (më 1992 - 93 ishte Kryetar i Komitetit Drejtues të BKDSH për Kosovë, ku dha vetë dorëheqje nga detyra për shkak të moshës së shtyrë dhe shëndetit të lig), Hamdi ABDURRAHMANI dhe Nazmi PRESHEVA.
Veprimtaria e LpLTSH – LNDSH, ndihej edhe në Mitrovicë dhe në Shalë të Bajgores, ku vepronin Ahmet SELACI, Ukshin KOVAÇICA, Bislim BAJGORA, Haredin VIDISHIQI, Sherif TËRSTENA, Isuf BOLETINI e shumë të tjerë.
Komiteti i RINISË së ONDSH në Skenderaj përbëhej nga: Jusuf KASTRATI, Ibrahim SPAHIU, Sali HOTI, Hamëz ISTOGU, Hajriz DEMAKU, Oruq ISTOGU dhe Bajram DOBRA.
Ishte mjaft aktiv edhe KOMITETI i RINISË së LNDSH së Pejës në përbërje të Skender RIZËS, Engjëll BERISHËS, Ramiz KELMENDIT, Osman BASHËS, Shefqet KELMENDIT, Viktor GASHIT, Kamer PAJAZITIT, etj. Ky Komitet i Rinisë nxirrte revistën ilegale “DRITA E LIRISË”.
Një ditë para se të fillonte Kongresi i Lipovicës, me 24 korrik 1946, OZN-a arrestoi Januz BALLEN, themelues i Komitetit të Tetovës, Mahmut DUMANIN dhe sekretarin organizativ të KQ të LNDSH - LpLTSH - Azem MORANEN. Në atë kohë, u burgosën edhe Mehmet BUSHI, kapiten, Hysni RUDI, Osman CAMI, Dr. Qerem ZLLATKU, Spiro Harilla THEODOSI, Nexhmedin BESIMI, Suad Sylejman MEHMETI, Xhevahit Vesel HOXHA, Gani Mehmet ABDULLAHU, Xhavit SELIMI etj. Ndërkaq, Halim ORANA u likuidua pa dalë në gjyq, ndërsa pas tij u arrestuan Qemail SKENDERI - “Berberi”, Hasan BILALLI, i cili arriti t’i shpëtojë arrestimit dhe u bashkua në mal me Ajet GERGURIN dhe Gjon SERREÇIN, ndërsa Mexhid ZYBERI, Sherif ALIU, Vedat TËRSTENA, Xhemajl FAZLIU, etj., edhe pse u arratisën u kapën nga OZN-a gjatë muajve gusht-shtator 1946. Po në këtë kohë, u burgosën edhe veprimtarë të tjerë të KOMITETIT të Tetovës, Abdylfari ADEMI, Sadik Qemail YMERI, Et’hem Ali TAHIRI dhe Fahri BEQIRI, si dhe drejtuesit e kësaj Organizate (NDSH) në Gostivar, Dibër, Strugë e në qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni. Ndërkaq arsimtari Jetish VISHI u arrestua pabesisht në Gjilan nga Sinan HASANI, në fakt ishte mik i të vëllait, kurse Hasan BILALLIN, që me shumë vështirësi kishte arritur të ikte në Shqipëri, autoritetet shqiptare të Enver HOXHËS ia rikthyen xhelatëve të OZN-ës jugosllave.
Në burgun famëkeq të Idrizovës së Shkupit, anëtarët dhe veprimtarët e tjerë të LNDSH iu nënshtruan torturave çnjerëzore. Azem MORANA, Mehmet BUSHI, kapiten Hysni RUDI, Jonuz BALLA e të tjerë, u akuzuan se “me ndihmën e imperializmit të jashtëm” u angazhuan për përmbysjen e rregullimit shtetëror të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe për formimin e “Shqipërisë së Madhe” - (sllavët kurrë nuk e cekin Shqipërinë Etnike, sepse u dhemb, prandaj shprehen me nocione shoviniste edhe pse dihet botërisht se shqiptarët nuk kërkojnë zgjerim në dëm të të tjerëve, por vetëm atë që u takon - çka ka qenë, është e do të jetë e tyre - Autori), nën udhëheqjen e “zogistëve”, kuislingëve dhe “ballistëve”. Në aktakuzën e tyre kishte edhe aso trillime marramendëse si: ONDSH-ja ishte në “kontakte” me organizatën e shovinistit bullgarofil Vanço MIHAJLOVIT jashtë vendit, me qëllim që të zhvillonte luftë të përbashkët kundër Republikës Federative të Jugosllavisë titiste; se me anë të Halim ORANËS, ish-konsull i Qeverisë “kuislinge” Shqiptare të “pogllavniku”, Dr. Ante PAVELIQI, u lidh me “mbeturina” ushtarake kroate por ajo më absurde në aktakuzën e tyre ishte se gjoja ONDSH paska pasur lidhje me çetnikët e tradhtarit e gjakpirësit Drazha MIHAJLLOVIQIT, etj. Më pas ONDSH u akuzua se në Kongresin e 2-të të LpLTSH, gjegjësisht në Kongresin e -IV- të LNDSH kishte marrë vendim për shpeshtimin e aksioneve “terroriste”, për likuidimin e përfaqësuesve të pushtetit “popullor” dhe të eprorëve ushtarakë. Në fund konkludohej se, sipas urdhrit të udhëheqjes së ONDSH, u likuidua “heroi” i popullit Milladin POPOVIQI me 13 mars 1945, Rexhep ZAJAZI, anëtar i Këshillit Qendror të “Frontit Popullor jugosllav”, Mehmet DAUTI, deputet i “popullit”, Remzi ADEMI, zëvendëskomandanti i batalionit dhe togeri Panta ÇESNOVSKI e të tjerë... “se në bashkëpunim me “bandat” balliste në Shqipëri kishin bërë gjithfarë veprimesh për përmbysjen e rregullimit shtetëror të RP të Shqipërisë, duke rrezikuar kështu sigurinë e “Qeverisë popullore”. Sipas aktakuzës, këto veprime u bënë në bashkëpunim me shërbëtorët e njohur të okupatorit dhe me “tradhtarët” shqiptarë Muharrem BAJRAKTARIN, Mit’hat Frashrin e të tjerë… “?!...
Aktakuza ishte fund e krye trillim.
LNDSH, me gjithë pretendimet e autorit shovinist maqedonas Tone BATKOVSKI, asnjëherë nuk kishte propaganduar dhe nuk ishte angazhuar për thellimin e urrejtjes ndërnacionale, ndërsa udhëheqësit e RREZISTENCËS KOMBËTARE ANTIKOMUNISTE SHQIPTARE nuk ishin tradhtarë e as agjentë të okupatorit. Shumica e tyre i takon rrymës irredentiste, mjaft të tjerë kishin marrë pjesë në LNÇ qoftë të Jugosllavisë apo të Shqipërisë, duke marrë pjesë në luftë me ta ose kishin ndihmuar atë dhe, duke shpresuar se përmes saj, do të realizonin aspiratën për çlirimin dhe për ribashkimin gjithëkombëtar. Likuidimi i kriminelit Milladin POPOVIÇI u bë si hakmarrje për krimet e tij të pafalshme ndaj kombit shqiptar. Edhe akuza për bashkëpunimin e LNDSH me VMRO-në, me çetnikët e Drazha MIHAJLLOVIQIT, nuk ishte aspak e vërtetë. VMRO si atëherë ashtu edhe sot, angazhohej për Maqedoninë e Madhe, kurse çetnikët synonin dhe gjithnjë ëndërrojnë për një Serbi të Madhe dhe në këto shtete (Maqedoni dhe Serbi e Madhe) nuk do të kishte vend për shqiptarët. Kjo më së miri po manifestohet sot, pas 50 vjetëve të ngjarjeve për të cilat po flasim. Po ashtu LNDSH nuk luftonte për kthimin e Ahmet ZOGUT në Shqipëri, madje Prof. Ymer BERISHA kishte refuzuar ofertën e Abaz KUPIT që të inkuadrohej në udhëheqjen e “Lëvizjes së Legalitetit”. Dënimet për anëtarët e KQ të LNDSH dhe veprimtarët më të dalluar të LNDSH në Shkup, ishin drakonike. Nga 17 veta që u gjykuan, e nga të cilët 13 ishin intelektualë, 1 tregtar, 1 oficer dhe 3 punëtorë; 9 prej tyre u dënuan me vdekje - pushkatim, 5 me 68 vet burg të rëndë, kurse 3 u liruan.
Në gjykimin publik, që u mbajt në ndërtesën e ish - Shtëpisë së Kulturës në Prizren për 13 ditë me rradhë, duke filluar nga 29 qershori 1946 e deri 11 korrik 1946, me prokuror publik Ali SHUKRIUN, (prokuror publik i Kosovës), me kryetar të trupit gjykues Dragutin JANJIQIN, Kryetar i Gjyqit të Qarkut në Prizren, me gjyqtarë – porotë, Ismet MULËN, drejtor i Spitalit Civil në Prizren dhe Selajdin AHMETIN, nëpunës i Këshillit Popullor të qytetit në Prizren, të dy nga Prizreni, si anëtarë të trupit gjykues, procesmbajtës Branisllav KIJARIQ, nëpunës i gjyqit, ndërsa mbrojtës të të akuzuarve: Bozhidar ZULEVIQ, ndihmës-sekretar dhe Husamedin EJUPI, anëtar i juridikaturës së Këshillit Popullor Krahinor për “Kosmet”, Jovo POZNANOVIQI, nëpunës i zyrës së financave dhe Urosh GOLLUBOVIQ, nëpunës i zyrës së punëve të brendshme të Këshillit Popullor Krahinor, bashkë me të vetmin avokat, rusin Vlladimir ZNAMENSKI nga Gjakova, u nxorën 27 të akuzuarit, anëtarë të organizatës NDSH – “BRSA KOMBËTARE“: 1. Marije SHLLAKU, 2. Atë Bernard LUPI, 3. Kolë PARUBI, 4. Gjergj MARTINI, 5. Marsel VUÇAJ, 6. Isa ÇAVOLLI, 7. Masar BEGOLLI, 8. Hamza BEGOLLI, 9. Muhamet VOKSHI, 10. Jusuf HAXHIYMERI, 11. Viktor GASHI, 12. Frano ÇIVLAKU, 13. Jak KRASNIQI, 14. Osman BASHA, 15. Skender RIZAJ, 16. Engjëll BERISHA, 17. Shefqet KELMENDI, 18. Ramiz KELMENDI, 19. Kamber PAJAZITI, 20. Sebë METEA, 21, Jak SHAHINI, 22. Gita MJEDA, 23. Luçije LEKA, 24. Sebë KOLA, 25. Miftar BALA, 26. Binak SEMA dhe 27. Gjergj DEDA.
Katër të parët nga kjo listë: Marije SHLLAKU, 24 vjeçare, Atë Bernard, LLUPI 60 vjeçar, Kolë PARUBI, 41 vjeçar dhe Gjergj MARTINI 29 vjeçar, më 15 korrik 1946, u dënuan me vdekje dhe më 25 nëntor 1946 u pushkatuan në Prizren dhe u varrosën fshehurazi nga ana e OZN-ës ku, edhe sot e atë ditë nuk dihen varret e këtyre martirëve të Shqipërisë Etnike. Fjalët e fundit të Marijes përpara skuadrës së pushkatimit ishin: “KOSOVË, SA SHPRESËMADHE TË GJETA, SA TË PIKËLLUAR PO TË LE. Po edhe në këtë çast të mbramë, po i lutem Zotit që GJAKU IM TË TË BËHET DRITË”!
Në gusht të vitit 1946, OZN - a burgosi Rexhep BUNJAKUN, që së bashku me Hilmi EJUPIN u përpoqën të organizonin “Shërbimin e Sigurimit Politik” të LpLTSH - ONDSH, në të cilin u inkuadruan 15 veprimtarë nga viset e ndryshme të Kosovës. Së shpejti arrestohen edhe Ibrahim SPAHIJA, Hilmi ZARIQI dhe disa veprimtarë të Skënderajt.
Në shkurt të vitit 1947, Gjygji i Jashtëzakonshëm Ushtarak i Divizionit të Prishtinës, pas torturave çnjerëzore, Rexhep BUNJAKUN, Ibrahim SPAHINË dhe Hilmi ZARIQIN i dënoi me vdekje, ndërsa me burgim shumëvjeçar u dënuan edhe Abdurrahman GERGURI, Jusuf VISOKA, Sabit QAZIMI, Ramadan Hoxhë GOVORI - “Mulla Ram GOVORI”, etj.
Shumë nga të arratisurit, që u dorëzuan për të shpëtuar familjet që i kishin strehuar, u vranë në pabesi nga repartet e OZN-ës si Azem JASHANICA, Musli DUMOSHI, Qazim BAJRAKTARI, Haradin VIDISHIQI, etj. Me vrasjen e tyre si dhe me arrestimin e veprimtarëve të shquar: Gjon SERREÇI, Ajet GERGURI, Ukë SADIKU, Osman BUNJAKU, etj., ONDSH pësoi një goditje të rëndë. Në verën e vitit 1947, Gjykata ushtarake e Prishtinës e dënoi me vdekje pushkatim: Ajet GERGURIN, Gjon SERREÇIN, Ukë SADIKUN dhe Osman BUNJAKUN. Ata u ekzekutuan më 31 gusht 1947, herët në mëngjes në Toukbashqe të Prishtinës dhe u varrosën në një vend të panjohur, ndërsa shumë të tjerë u dënuan me burgim shumëvjeçar.
Gjata kësaj periudhe të krimit e genocidit sllavokomunist mbi shqiptarët e trojeve dardane, u zbuluan 111 anëtarë të Komiteteve të Rretheve të LpLTSH - ONDSH, nga të cilët 14 ishin zejtarë, 45 intelektualë, 34 fshatarë të pasur e të mesëm, 2 punëtorë e 2 shtëpiake. Prej tyre, 16 u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, 58 veta me 581 vjet burg, 32 u liruan gjatë hetimeve, kurse mbi 850 u dënuan në mungesë sepse kishin ikur përtej kufirit jugosllav dhe kishin dalë në Greqi si dhe në shtete të tjera të Perëndimit: Itali, Austri, etj. Gjithashtu, u zbuluan 67 anëtarë të Komiteteve të Rinisë së KNDSH-së, prej të cilëve 40 ishin intelektualë dhe nxënës, 8 tregtarë, 11 zejtarë, 4 punëtorë dhe 4 amvisa. Prej tyre: 30 veta u dënuan me 154 vjet burgim. Sipas të dhënave zyrtare, nuk ishin zbuluar rreth 840 anëtarë të Komiteteve të Rinisë, kryesisht nga Gjakova, Rahoveci, Mitrovica, Shala e Bajgores, Vushtrria, Podujeva, Prishtina dhe Gjilani me rrethinë.
Në Komitetet Lokale të ONDSH u zbuluan 183 anëtarë, prej të cilëve 68 fshatarë të pasur, 76 të mesëm, 15 të varfër, 14 tregtarë dhe 10 intelektualë, prej tyre u dënuan me vdekje 12 veta (dhe u ekzekutuan), me burgim 33 veta me gjithsej 504 vjet burg, 1 u arratis, kurse 135 veta u liruan gjatë hetuesisë pasi kishin pësuar rrahje e keqtrajtime psikike dhe fizike. Nuk janë zbuluar 233 anëtarë të Komiteteve të Vendit.
Në mungesë të dokumentacionit është vështirë të përcaktohet me saktësi roli dhe ndikimi i Shërbimit Informativ Britanik në veprimtarinë e LNDSH, edhe pse dyshohet se Kominterni, nëpërmjet agjentëve të tij, pikërisht në qendrat kryesore britanike si dhe të SHBA, kishte informata të mjaftueshme për irredentën shqiptare të cilat ia servonte fillimisht Beogradit e ky Tiranës dhe anasjelltas, e pastaj direkt Tiranës. Dihet se, vetëm fillimisht anglezët inkurajonin udhëheqësit e kësaj Lëvizje për të vazhduar veprimtarinë e tyre, me premtime dhe në interes të përpjekjeve për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri, por ata nuk mbështetnin aspiratat e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera për bashkim me shtetin amë. Në këtë kohë, Britania e Madhe dhe aleatët perëndimorë shpresonin ta ndanin Jugosllavinë nga orbita e bllokut sovjetik, prandaj nuk ishin të interesuar që t’i shkaktonin Titos telashe duke përkrahur irredentën shqiptare. Aq më tepër kur dihet se Britania e Madhe ishte e interesuar të rimerrte koncesionet në Trepçë dhe në objekte të tjera në ish-Jugosllavi. Nga ana e tij “INTELIGJENT SERVISI”, britanik, bashkëpunonte me Shërbimin Informativ Jugosllav, madje mjaft kuadro të OZN-ës u specializuan në Angli. Për rrjedhojë, kërkesat e LNDSH për qeverinë britanike mund të jenë shfrytëzuar nga OZN-a, që në çdo rast ishte në dijeni për veprimtarinë, kontaktet dhe përmbajtjen e kërkesave të Lëvizjes së NDSH. Lidhjet ndërmjet Shërbimit Informativ shqiptar e atij jugosllav dhe të këtij të fundit me atë britanik, u bënë praktikë e zakonshme nga e cila e pësuan shumë veprimtarë shqiptarë këndej e andej kufirit të 1913-ës.
Veprimtaria politiko - ushtarake e LNDSH, ashtu siç kishte ndodhur më parë edhe me organizatat e tjera atdhetare, ka pasur rëndësi të veçantë për ruajtjen e frymës luftarake dhe liridashëse të popullit shqiptar. Ajo mbajti barrën e rezistencës së armatosur, ndërsa drejtuesit e saj: Prof. Ymer BERISHA, Gjon SERREÇI, Halim SPAHIU, Ajet GERGURI, kapiten Hysni RUDI, Marije SHLLAKU, Halim ORANA, Luan GASHI, Selman RIZA, Ukë SADIKU, Shaip MUSTAFA, Mehmet BUSHI, Mulla Idriz GJILANI, Ejup BINAKU, Hysen TËRPEZA, Haredin VIDISHIQI, Ukshin KOVAÇICA, Bislim BAJGORA, Ahmet SELACI, Azem JASHANICA, Sadik LUTANI, Ibrahim GRAINCA, Kolë PARUBI, Atë Bernard LLUPI, Adem GLLAVICA, Shyt MAREVCI, Bahtir DUMNICA, Gjergj MARTINI, Hilmi ZARIQI, Osman BUNJAKU e të tjerë, do të mbeten shembuj të shkëlqyer të patriotizmit shqiptar. Ndërmjet këtyre patriotëve e udhëheqësve të shquar, patjetër duhet të përmenden edhe dëshmorët e fundit: Ibrahim LUTFIU, Hasan Ali REMNIKU me shokë: Mustafë Hetë KOKËN dhe Agush MEHMETIN me gra: Qibrije MEHMETIN dhe Rabije KOKËN që u vranë pabesisht më 10 tetor 1951 - tridhjetë vjet para se të vritej dëshmori ynë, Vehbi IBRAHIMI, po në të njëjtën datë.
Qëndresa e organizuar e forcave patriotike - demokratike nën udhëheqjen e kësaj Lëvizje që tani e njohim vetëm me emrin: “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”, e jo siç ishte vendosur në Kongresin e Kopilakës: “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”, e bëri atë një udhërrëfyese të denjë edhe për forcat që po udhëheqin sot luftën e popullit shqiptar në trojet tona etnike për të jetuar të lirë, të pavarur e sovran në trojet e veta, me idealin madhor: RIBASHKIMIN GJITHËKOMBËTAR NË SHQIPËRINË ETNIKE. Këtë amanet të atyre dëshmorëve të flijuar në altarin e Atdheut për liri, demokraci e Bashkim kombëtar, që patjetër do ta realizojë, herët a vonë, por gjithsesi po, është: BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE.
Çka ndodhi në trojet Dardane pas plojës së OZN-ës jugosllave ndaj LNDSH dhe veprimtarëve të saj? A u shua vallë kjo Lëvizje mbarëkombëtare? Sigurisht që jo. Ajo nuk u shua kurrë, edhe pse pësoi trauma të vështira; humbi gati tërë udhëheqësit e K.Q., si dhe të shumë Komiteteve Qarkore, Komunale e të Vendit, prapë se prapë LNDSH, si zogu mitologjik, Feniksi, u ngjall nga shpuza dhe hiri i flakës e i zjarrit të shkaktuar nga okupatorët sllavokomunistë. Që nga viti 1948 e gjer në vitin 1972, vetëm në territorin e ish Krahinës së Kosovës, lindën 5 organizata politike me karakter e program kombëtar, pra të djathta, si dhe disa Grupe e 2 organizata majtiste nën ndikimin e ideologjisë së regjimit të Enver HOXHËS. Për këto të majtat deri sot u shkrua e u fol shumë në Kosovë si dhe në Shqipëri, ndërsa për partitë dhe organizatat nacionaliste janë heshtur fare, ose edhe nëse janë përmendur, është bërë në mënyrë nënçmuese dhe me plot ironi e shpesh herë edhe me akuza e shpifje difamuase duke u përpjekur që ato t’i paraqesë në shërbim të armikut, ndërsa veprat e tyre patriotike duke i përvetësuar si vepra të “tyre” (majtistëve). Në lidhje me këtë pohim, mjafton të shfletohen artikujt e të ndjerës “Rilindje” të viteve 1950 - 60, e posaçërisht të vitit 1961 si dhe nga viti 1987 e deri më 1990, kur u mbyll sepse “devijoi” rrugën e përcaktuar të okupatorit. Dhe aty kuptohet urrejtja e shfrenuar e pushtetarëve komunistë ndaj çdo ideje kombëtare që ata e quanin “nacionalizmi shqiptar”. Mirëpo këto le t’ia lemë historisë që t’i gjykojë por jo asaj “Historie” të hartuar dhe botuar me 1994 në Tiranë e cila qëllimisht i hesht të gjitha këto veprimtari të LNDSH që u përmendën deri tani dhe që do të pasojnë më tutje.
Kështu, me 6 gusht 1952, në rrethin e Mitrovicës lindi Organizata e Rinisë Kombëtare (nacionaliste) Shqiptare me një emër simbolik por tepër kuptimplotë: “VOTRA KOSOVARE NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE”. Kjo Organizatë, fillimisht lindi dhe u përhap në Gjimnazin e Mitrovicës, pastaj në Tetëvjeçaren e Staritërgut dhe brenda pak kohësh u zgjerua edhe në Shkollën Normale të Prishtinës, në Podujevë, Gjilan, Prizren, Shkup e Tetovë, Pejë, Istog e Rakosh, etj. Dega e Istogut u krijua më 22. 5. 1955 në fshatin Bellopojë ku merrnin pjesë disa të rinj nga këto treva, e një ndër ta ishte edhe aktivisti Ibrahim METAJ, i cili në momentin kur shkruhen këto rrëfime, gjendet si emigrant politik në Suedi dhe që ndërkohë, ka një kontribut shumë të çmueshëm ndaj kauzës shqiptare. Brenda 8 vjetëve të veprimtarisë së dendur të kësaj Organizate Rinore, ajo përfshiu në gjirin e vet një numër prej 387 anëtarësh besnikë e të gatshëm për çdo sakrificë. Me rastin e zbulimit të saj nga UDB - a jugosllave, në verën e vitit 1960, u arrestuan 47 veta. 4 prej tyre ishin në shërbim ushtarak në Zagreb, andaj këta të 4 edhe i dënoi Gjyqi ushtarak i Zagrebit, ndërsa 43 veta u dënuan në Kosovë. Prej tyre, 26 u liruan nga burgu gjatë hetimeve për mungesë argumenti, mirëpo kuptohej se torturat e rrahjet nuk u munguan, ndërsa të tjerët u dënuan me dënime prej 1 deri 5 vjet burg të rëndë. Të tjerët nuk u zbuluan fare sepse konspiracioni i tyre ishte më i fortë dhe ata, të burgosurit, nuk i zbuluan për kurrfarë çmimi. Autori i këtij shkrimi u dënua atëherë nga Gjyqi ushtarak i Zagrebit bashkë me tre shokë të tjerë: Baki DULLOVI me 2 vjet e gjysmë, Mehmet TREPÇA me 18 muaj, Hilmi AJVAZI me 9 muaj, ndërsa unë, Emin Fazlija, me 8 vjet burg të rëndë, ku edhe i kam mbajtur 6 vjet të plota, ndërsa 2 vjet “mu falën”, pas rënies së Rankoviqit në Plenumin e 4-të të Brionit më 1 korrik 1966.
Pas shpartallimit të KQ të LNDSH e gjer me 1970 - 72-ën në trojet shqiptare të okupuara nga ish federata jugosllave, u krijuan këto Organizata ilegale: Grupi Demokrat Shqiptar Kosovar, Grupi Shqiptar Revolucionar i Maqedonisë, Grupi Demokrat Indipendent Shqiptar i Kosovës, Grupi “Veteranët e Luftës Shqiptare” - Rezistenca malësore -, si dhe Shoqëria Demokratike Shqiptare “Ismail QEMAJLI” që e pat themeluar në Gjilan patrioti i mirënjohur, Vehbi IBRAHIMI me Metush DAJKOVCIN - KRASNIQI, ndërsa në Shqipërinë lindore që padrejtësisht u pagëzua “Maqedoni” qenë krijuar: “Lidhja e Vardarit - Besa Demokrate Shqiptare” dhe “Lidhja Shqiptare e Sharrit”. Kurse me 1964 doli në skenën politike të Kosovës Organizata e Adem DEMAÇIT me emër: “LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE”, si dhe një Organizatë tjetër me ish-anëtarë të LNDSH por që tani kishin ndryshuar bindjet e tyre ideologjike dhe kishin përvetësuar idenë e “Xhaxhit Enver”. Dhe tek, kah fundi i viteve ’80, lindën në Kosovë Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës - OMLK, Fronti i Kuq Popullor, që në të vërtetë u krijua në Gjermani e jo në Kosovë, si dhe PKMLSHJ, por ndër to luante një rrol të veçantë LNCKVSHJ, e cilat vetëm pas vrasjes së vëllezërve GËRVALLA, do të shkriheshin në një Lëvizje të përbashkët e cila fillimisht u quajt: “LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE TË KOSOVËS NË JUGOSLLAVI”, dhe vetëm pas 13 vjetësh do të dalë me emrin e ri: “LËVIZJA POPULLORE E KOSOVËS” - LPK.
VOTRA KOSOVARE, N.D.SH.-, trashëguese e denjë e LpLTSH – NDSH, nuk pushoi së vepruari as atëherë kur pësoi një goditje të tillë aq të rëndë kur u zbuluan, u kapën e u dënuan gati tërë udhëheqja e saj. Ajo vazhdoi aktivitetin e saj, kuptohet duke shtuar vigjilencën dhe konspiracionin dhe duke ndërruar taktikën e strategjinë e veprimit, duke përsosur metodat e konspiracionit dhe të komunikimit gati të përsosura dhe shumë efikase.
Me qëllim që të ruhet ideja e shëndoshë kombëtare për ribashkimin e trojeve etnike në një Shqipëri të lirë demokratike, “Votra Kosovare NDSH” mori idenë e bashkimit dhe njësimit të të gjitha rrymave dhe organizatave që kishin programe e platforma kombëtare që i kishin trashëguar sadopak diçka nga Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare, gjegjësisht Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare dhe kështu, pas shumë përpjekjeve dhe kontakteve me plot sakrifica, me përfaqësuesit e atyre Grupeve dhe Organizatave, më në fund, më 16 gusht 1972, në Vushtrri u mblodhën përfaqësuesit e Grupeve dhe Organizatave të lartpërmendura dhe aty morën një vendim historik, pasiqë me kohë ishin njoftuar me përmbajtjen e Programit të përbashkët, duke u BESATUAR njëri me tjetrin, krijuan një Lëvizje të përgjithshme mbarëkombëtare, të cilën nuk e quajtën as parti, as Organizatë e as Lëvizje, por thjesht dhe shqip: “BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE” - (BKDSH) ku edhe u nënshkrua AKT-THEMELIMI i kësaj BESËLIDHJE, i cili ka këtë përmbajtje:
P R O C E S V E R B A L I
I KUVENDIT THEMELUES TË BESËLIDHJES KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE
Mbajtur më 16 gusht 1972 në Vushtrri të Kosovës, (ilegalisht).
Sot, të mërkurën më 16 gusht 1972, në hapësirë, afër Vushtrrisë, në mënyrë ilegale u mbajt MBLEDHJA e fshehtë dhe shumë konspirative, e Përfaqësuesve të grupeve dhe Organizatave politike nacionaliste dhe demokratike të shqiptarëve që veprojnë në territorin e trojeve tona shqiptare të okupuara nga okupatorët sllavë. Pas bisedimeve në mes të disa eksponentëve të Grupeve dhe Organizatave të ndryshme shqiptare dhe me iniciativën e z. Zekë Kosova, u mblodhën sot në këtë Kuvend këta përfaqësues (në origjinal janë shënuar pseudonimet e pjesëmarrësve të këtij Kuvendi për shkaqe të mirënjohura të ilegalitetit si dhe BETIMIT të dhënë nga të pranishmit që të mos zbulohet identiteti i tyre deri sa të mos arrihet qëllimi përfundimtar i të gjithë neve), Çlirohet Atdheu ynë shqiptar në tërësinë e vet etnike.
Këtu shënojmë me qëllim që në këtë Kuvend të vihen bazat e shëndosha e të sinqerta të një MARRËVESHJE rrespektive që tash e tutje do të quhet Besëlidhje në mes Grupeve politike dhe dy Organizatave të mirënjohura kombëtare dhe ku u arrit marrëveshja mbi pikat që vijojnë:
Organizatat dhe Grupet Politike shqiptare përfaqësohen në Mbledhjen e sotme nga:
-
Për ORGANIZATËN NACIONAL - DEMOKRATIKE SHQIPTARE - ONDSH - (janë 4 përfaqësues);
-
Për Organizatën “VOTRA KOSOVARE NACIONAL DEMOKRATIKE SHQIPTARE” (3 përfaqësues);
-
Për “GRUPIN DEMOKRATIK SHQIPTAR TË KOSOVËS” - (4 përfaqësues);
-
Për “GRUPIN SHQIPTAR KOMBËTAR TË MAQEDONISË” - (3 përfaqësues);
-
Për “GRUPIN DEMOKRAT INDIPENDENT KOSOVAR” - GDIK - (2 përfaqësues);
-
Për “GRUPIN VETERANËT E LUFTËS SHQIPTARE dhe RREZISTENCËS MALËSORE” - (2 përfaqësues) dhe
-
Për SHOQNIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE “Ismail QEMAILI” - (2 përfaqësues).
Pra gjithsej ishin 20 Delegatë në këtë Kuvend historik.
- 1 -
Konstatohet nevoja e domosdoshme e një bashkëpunimi të thjeshtë e të sinqertë ndërmjet të gjitha forcave progresive kombëtare të shqiptarëve nga trojet e pushtuara, i cili mund dhe duhet të pagëzohet me emrin BESËLIDHJA e të gjitha grupeve politike shqiptare apo shkurtimisht: BESËLIDHJA NACIONALE (Kombëtare) DEMOKRATIKE SHQIPTARE - B.K.D.SH., me qëllim për të ndihmuar me çdo mjet e sakrificë personale, të çdo anëtari, ÇLIRIMIN e pjesëve të atdheut tonë Shqiptar nga pushtuesit aktualë dhe ribashkimin tokësor e të popullatës së Atdheut, që, padrejtësisht iu shkëputën Shqipërisë Amë nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën famëkeqe të ambasadorëve në Londër më 1913.
- 2 -
BESËLIDHJA e porsaformuar hyn në fuqi të plotë me 28 Nëntor 1972, për shkak se deri atëherë, udhëheqja e çdo Grupi dhe Organizate politike e përfshirë në këtë Marrëveshje është e OBLIGUAR t’i njohë të gjithë anëtarët e vet me këto KONKLUZIONE si dhe në shenjë të 60 VJETORIT të SHPALLJES së PAVARËSISË SHTETËRORE E KOMBËTARE, të shënohet ky BASHKIM I SHENJTË KOMBËTAR e ANTIKOMUNIST dhe të ngrihet bashkëpunimi i sinqertë ndërmjet palëve nënshkruese të kësaj Marrëveshje, që ka për qëllim luftën e pakompromis me çdo mjet ligjor e të përshtatshëm për shpëtimin e Atdheut nga robëria komuniste dhe nga okupimi sllavo – grek; nga terrori dhe shfarosja e racës sonë që dita ditës po i kanoset rreziku i shfarosjes dhe asimilimit total nga torturat e bolshevizmit të stepave karpatiane; dhe këta besëlidhës shqiptarë duan t’i sigurojnë këtij populli të përvuajtur dhe paqedashës, SOVRANITETIN dhe INTEGRITETIN tokësor e demografik të tërësisë etnike, si dhe të gjitha liritë demokratike që i gëzon bota e lirë dhe e qytetëruar, e sidomos ato të shprehjes së lirë të votës për caktimin e formës konstitucionale të shtetit të RIBASHKUAR SHQIPTAR.
Për tu përpjekur dhe duke përdorur çdo mjet të përshtatshëm, për ruajtjen dhe kultivimin e MORALIT, EDUKATËS KOMBËTARE të të gjithë anëtarëve të BESËLIDHJES sonë KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE - BKDSH, është duke ushqyer gjithmonë ATDHEDASHURINË e SINQERTË ndaj mbarë kombit dhe Atdheut si dhe mundësisht edhe bashkëpunim reciprok me ato forca politike të emigracionit shqiptar që kanë ide dhe Programe të ngjashme me tonat.
Çlirimin e trojeve të okupuara nuk guxon askush ta kushtëzojë me çfarëdo koncesioni që dëmton integritetin dhe sovranitetin e plotë të kombit shqiptar.
Bashkëpunimi duhet të zhvillohet përmes propagandës së shtypit si dhe kontakteve direket me forca të tilla. Kurse në trojet e okupuara do të botohet Organi ilegal i kësaj Besëlidhje, i cili do të quhet: “BESA SHQIPTARE”!
Përfaqësuesi ynë në botën e lirë ka për detyrë të veprojë që çështjen kombëtare shqiptare ta sensibilizojë pranë Qarqeve të ndryshme politike dhe diplomatike të botës, si dhe të angazhojë njerëz të racës sonë që janë të gatshëm t’i bashkëngjiten kësaj Besëlidhje dhe të veprojnë në kuadër të Statutit dhe Programit të BKDSH-së.
- 3 -
Ky vendim merr formën e prerë (Plotëfuqizohet) pasiqë të akordohet nga të gjithë Përfaqësuesit e pranishëm të këtij Kuvendi me nënshkrimet e tyre të plota në tekstin unikat të dorëshkrimit të kësaj MARRËVESHJE, e cila do të shumëzohet nga jashtë Atdheut dhe emrat e vërtetë të Përfaqësuesve të shndërrohen në pseudonime ose shifra përkatëse që i dinë vetëm të pranishmit dhe që BETOHEN se do të ruajnë sekretarin e konspiracionit. Procesmbajtësi është Përfaqësues fuqiplotë dhe ky i nënshtrohet BETIMIT dhe OBLIGIMIT për ruajtjen e fshehtësisë së identiteteve të personave pjesëmarrës në këtë Kuvend.
- 4 -
Nënshkruesit e këtij Procesverbali angazhohen se nuk do të zhvillojnë ndonjë veprimtari politike individuale jashtë BESËLIDHJES KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE, deri sa të çlirohet Atdheu ynë Shqiptar në tërësinë e vet Tokësore dhe kombëtare.
- 5 -
Për realizimin e kësaj Marrëveshje obligohen pjesëmarrësit e këtij Kuvendi, që secili prej tyre, të organizojë Mbledhje, takime dhe forma të tjera informimi të bazës po sa të kthehen në mjediset ku veprojnë dhe në ato Mbledhje e takime t’i informojnë gjerësisht anëtarët e tyre, për hollësirat dhe rëndësinë e këtij BASHKIMI dhe riemërtimin e mbarë Lëvizjes sonë kombëtare me emrin e ri dhe simbolik: “BESLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE” - B.K.D.SH. Duhet sqaruar për të gjithë të interesuarit se shkaqet që na shtynë të marrim këtë hap si dhe rrethanat politike e historike të motivuara me argumente të shëndosha e prirje kombëtare, na çuan në ndrrimin e emrit. Kjo punë duhet kryer para 28 Nëntorit të vitit 1972, ashtu që Ditën e Madhe, Ditën e FLAMURIT Besëlidhja jonë të ketë legjitimitetin fuqiplotë nga të gjithë anëtarët, për t’ia filluar aktivitetit intensiv për realizimin e detyrave të parashtjelluara në KANUNOREN e BKDSH.
- 6 -
KANUNORJA e Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, e parashtruar në këtë Kuvend si projekt, pasi u lexua me zë, pranohet në tërësi pa asnjë ndryshim. Dhe si e tillë, duhet përshkruar e shumëzuar (Botuar) që të mundemi t’ua shpërndajmë, së paku nga një kopje Kryesive të Grupeve dhe Organizatave në fjalë që sot u shkrinë në Besëlidhjen Kombëtare Demokratike Shqiptare. Po ashtu, duhet të sigurohen kopje (ekzemplarë) edhe për anëtarët e Grupeve dhe Degëve të reja që do të krijohen nga vetë BKDSH, sepse vetëm kështu, anëtarët tanë mund të dinë të veprojnë dhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre politike dhe kombëtare, konform Programit, Statutit dhe Parimeve Themelore të BKDSH.
Të gjithë anëtarët e BKDSH janë të obliguar moralisht dhe shpirtërisht që t’i respektojnë të gjitha normat ligjore të Statutit, Parimeve Themelore dhe Programit të BKDSH.
Çdo veprim i anëtarit/es që nuk përputhet me normat ligjore të këtyre dokumenteve, është kundër interesave të përgjithshme kombëtare dhe si i tillë nuk duhet zbatuar nga anëtarët tanë besnikë.
Çdo pikë, nyje, kryerresht apo kapitull i Statutit, Programit dhe i Parimeve Themelore të BKDSH është përpiluar në atë mënyrë që i mbron dhe duhet t’i mbrojë të DREJTAT KOMBËTARE dhe NJERËZORE mbarëshqiptare dhe të shtetasve të tjerë të Shqipërisë Etnike.
Kanunorja në fjalë, origjinali i së cilës është shkruar vetëm në një kopje në dorëshkrim, duhet të botohet mundësisht brenda një kohe sa më të shkurtër. Këtë detyrë do ta kryejë “Arben KOSOVA”.
- 7 -
Besëlidhjen tonë Kombëtare Demokratike Shqiptare në botën e lirë si dhe pranë Organizatave ekzistuese politike të mërgatës shqiptare si dhe ato të huaja, tani e tutje do ta përfaqësojë i autorizuari i këtij Kuvendi, “Arben KOSOVA”.
I sipërmenduri autorizohet nga ky kuvend që për nevoja zyrtare të BKDSH të porosisë një vulë modeste me mbishkrim: BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE dhe në mes të asaj vule të rrumbullakët, të jetë simboli i kësaj BESËLIDHJE: shqiponja dykrenore e mbi kokat e saja dy duar të lidhura BESA-BESË. Si dhe t’i krijojë të gjitha mjetet e tjera për funksionimin e përfaqësisë sonë në botën e lirë.
- 8 -
Ky Procesverbal u nënshkrua si PROTOKOLL i MARRËVESHJES së arritur për riemërimin e Lëvizjes Kombëtare për Lirimin e Tokave Shqiptare - LNDSH në: “BESËLIDHJA KOMBËTARE DEMOKRATIKE SHQIPTARE”, nga pjesëmarrësit e këtij Kuvendi të sotëm të bashkimit në një kopje të vetme unike - në dorëshkrim, me porosi që Procesmbajtësi ta kopjojë ose shumëzojë brenda një afati fare të shkurtër pasi të jetë kryer shumëzimi i tij, t’iu jepet secilit pjesëmarrës të këtij Kuvendi nga një kopje, ashtu që të gjithë të kenë dokumentin e arritjes së MARRËVESHJES historike të një BASHKIMI të shëndoshë dhe të ndërgjegjs