PASKAJORJA DHE STANDARDIZIMI I GJUHËS SHQIPE
Dr. Nuhi Veselaj
Përmbajtja
Paskajorja, në fokus rrugëzgjidhjeje apo? (në vend të parathënies)
Hyrje
I. A shihet ndonjë ndryshim qëndrimi rreth integrimit të paskajores me+ pjesore në shqipen standarde?
II. A ka fakte që e vënë në dyshim zëvendësimin e plotë të nocionit të paskajores së shqipes me lidhore dhe me paskajoren e dytë?
1) Raporti lidhore / paskajore e mirëfilltë
2) Raporti paskajore e dytë xdytë / paskajore e mirëfilltë
3) Disa meditime rreth këtyre raporteve
III. A ka kundërthënie serioze me realitetin në raportin e propozim-zëvendësimit të paskajores së mirëfilltë me paskajoren e dytë?
1) Raporti lidhore / paskajore e mirëfilltë
2) Raporti paskajore e dytë / paskajore e mirëfilltë
IV. A është e drejtë që shprehjet me vlerë me paskajoren me me të jenë të rekomandueshme vetëm për gegërishten, por jo edhe për shqipen standarde?
V. A ka arsye të heshtet edhe më funksioni përfaqësues i formës së paskajores me + pjesore e shkurtër?
VI. Në cilët tipa të foljeve pjesorja e shkurtër (edhe si gjymtyrë e paskajores) dhe në cilët ajo e letrarëzuara kanë më tepër përparësi për formimin e emrave të vepruesit?
1)Pjesorja e shkurtër n[ë funmksion fjalëformues 2) Pjesorja e zgjeruar në funksion fjalëformues
a) Skema e raportit pjesore e paskajores me + pjesore si temë prodhuese dhe emri i vepruesit sipas tipave të foljeve.
b) Paskajorja dhe rregullat përmbledhëse të formimit të emrave të vepruesit në shqipen e sotme letrare.
VII. sa priret evolutivisht shkurtimi i pjesores së letrarishtes në raport me shtytësit përkatës të një veprimi të tillë?
1. Raporti pjesore e letrarishtes ndaj pjesoreve të gegërishtes
2. Involvimi i pjesores në sistemin fjalëndërtues
2.1. Involvimi i pjesores në fjalëformim
2.2. Involvimi i pjesores në kohëformim
2.3. Involvimi i pjesores në formëformim
3. Format infinitivale dhe paskajorja
3.1. Format siinfinitivale dhe paskajorja e mirëfilltë
VIII. Cilat janë disa nga veçoritë specifike të paskajores së mirëfilltë në gjuhën shqipe?
IX. A është pjesorja e shkurtër një siçelës magjik potencial, veç tjerash, edhe për zgjidhjen e paskajores me me në shqipen standarde?
A) Cilat janë faktet kryesore për ekzistimin e pjesores së shkurtër në shqipen letrare dhe ligjërimore?
B) Disa fakte dëshmuese që pjesorja e shkurtër del e stimuluar nga kujtesa dhe nga dukuria e evoluimit gjuhësor
C) Prirja e theksuar evolutive mbetet të ndiqet
Ç) Një lajthitje tipike në interpretim e shkaktuar nga mënjanimi arbitrar i pjesores së shkurtër nga norma letrare
D) Si kontatim përfundimtar
X. del, apo jo, i pakuptimshëm injorimi dhe sakrifikimi i mëtejshëm paskajores nga ndonjë vetëmohues gegërishtfolës?
Përmbyllje
1. Rreth qëndrimit të gjuhëtarëve
2. Përgjigjet shkurt në pyetjet e shtruara në krerët përkatës
3. Përsiatje rreth dobisë së inkuadrimit të paskajores me + pjesore në standard
4. Përfundim
Literatura
paskajorja në fokus rrugëzgjidhjeje apo? (në vend të parathënies)
Në kumtesën e publikuar me rastin e themelimit të Komisionit për çështje të shqipes standarde të ASHAK- ut, më 26.06.=04 (Prishtinë), ndër të tjera në një pikë të veçantë të saj, thuhet se “në procesin e evoluimit të gjuhës standarde është reale të pritet që ndonjë element i varietetit gegë të sillet gradualisht në nivel të normës, nëpërmjet përdorimit në funksion të një varianti të lirë“, dhe për t’u kuptuar që kemi të bëjmë, në radhë të parë ose ekskluzivisht, me paskajoren me + pjesore të gjuhës shqipe mbi bazë të gegërishtes letrare, që ka mbetur ende si dallimi më i madh ndërmjet shqipes standarde, në njërën anë dhe të gegërishtes, në anën tjetër, del e nevojshme domosdo të njihen lexuesit e të interesuarit me referimet dhe diskutimet që iu bënë kësaj forme në Konferencën shkencore A Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot, mbajtur në Tiranë, më 11-12 nëntor >02, me rastin e 30 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Mbasi nuk dihet se kjo sekuencë teksti, e nënkuptuar si “tezë pune” ose si një pikë e programit orientues e synues e Komisionit të Prishtinës, siç pritej, u bë, apo jo, pjesë integrale e programit të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, themeluar në Tiranë, më 27.10.=04, apo ende do të vazhdohet me debate të stërzgjatura pa zgjidhje konkrete të çështjes në fjalë, duke mos lejuar “me u prekë” në normën e tashme të shqipes letrare as “eksperimenti laboratorik” lidhur me “përjashtimin e infinitivit(!)”, siç thuhet në revistën ARS (maj ‘05, botimi i Tiranës), sepse në kumtesën e atij Këshilli nuk jepet qartë një konstrukt i tillë, ne, në këtë vështrim, meqenëse jemi, si me thënë, sadokudo, në rrjedhë të kësaj teme të hapur problemore, po gjejmë shkas, që në një farë mënyre, të njohim masën e gjerë intelektuale e në veçanti të interesuarit rreth kësaj çështjeje, e cila ka kohë që ndodhet në proces diskutimi, por që doli në fokus, sidomos në atë Konferencë.
Ç’është e vërteta, ne, duke mos qenë vëzhgues pasiv rreth problemit në fjalë, i përkasim atij grupi të gjuhëtarëve dhe intelektualëve, të cilët ndjejnë ose në një farë dore e kanë të perceptuar mungesën e paskajores si një mangësi strukturore të standardit të sotëm, siç e thekson me vend studiuesi A. Vehbiu (Shih: Java, 1.07.’05, f. 18), ngase me shkrimet a me reagimet tona të mëparshme, kemi kërkuar inkuadrimin sa më parë të paskajores me + pjesore, si një rast të veçantë, në normën standarde, me bindjen që e kishim atëherë, që e kemi edhe sot, se kjo alternativë është më e urtë dhe më frytdhënëse se çdo zgjidhje tjetër. Një veprim i tillë, pra, do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë për mbarëvajtjen e shqipes standarde, tash dhe në të ardhmen. Qëndrimin rreth kësaj çështjeje e patëm cekur së pari në Konferencën shkencore Shqipja standarde dhe bota shqiptare sot (Tiranë, nëntor 1992), pastaj, lidhur me të, mendimin tonë e patëm shprehur në një pikë të veçantë në kuadër të punimit Përsosja e shqipes standarde faktor integrues në jetën tonë kombëtare, të botuar së pari në revistën AKoha@ të Prishtinës (1996), por që e pa dritën e shtypit edhe gjetkë si në një përmbledhje të ASHAK-ut (Letërsia shqipe dhe gjuha letrare (1998 f. 277 - 286), por edhe në librin tonë Çështje të shqipes standarde në fushë të leksikut dhe të fjalëformimit I (1997), ku përfundonim se “me përsosjen e normës së shqipes letrare dhe me përplotësimin e formave të caktuara të bazës së saj, të të gjitha niveleve, siç është edhe paskajorja me+ pjesore, njëzimi i shqipes standarde do të jetë ndëgjegjësisht edhe më i pranueshëm, politikisht më i përqafueshëm e kombëtarisht edhe më i integrueshëm, shprehje kjo, e cila, me qëllim, do të përsëritet, nga fundi, në dy-tri raste edhe në këtë punim. Ndërkohë arsyetim më të gjerë pikërisht rreth nevojës për rehabilitimin e kësaj forme e patëm dhënë në punimin tonë: Paskajorja - çështje e shqipes standarde (2000), ku përfundonim me bindjen se me një veprim të tillë, d.m.th., me integrimin e paskajores me + pjesore, gjuha standarde kombëtare e njësuar do të pasurohej, do të përsosej, do të fitonte shumë ... , kërkesë kjo, që nuk mbeti pa jehonë pozitive në qarqe të caktuara. Veç kësaj, këtë temë e patëm ricekur edhe në paraqitje të tjera, ndër të cilat po e dallojmë këtu pikën 7 të trajtesës “Përpunimi i normës letrare kusht për kristalizimin e mëtejshëm të shqipes standarde kombëtare@, të cilën do ta riprodhojmë në Hyrje të këtij punimi. Edhe punimi në fjalë qe botuar në disa burime, si me thënë, me një frymë, si: te gazeta Rilindja (>01), Dardania sacra >01, Seminari..20/ >01, Studime (ASHAK 2002), dhe si rrjedhojë e krejt kësaj paraqitjeje, siç është thënë nga njerëz kompetentë, doli se edhe faktet e paraqitura prej nesh, e themi jo me prepotencë, kanë ndikuar, në masë të ndjeshme, që çështja e paskajores me + pjesore të risillej domosdo në tryezën e diskutimeve serioze, siç ishte edhe Konferenca shkencore e sipërcekur. Ne, në atë pikë të punimit, si dhe në punimet e tjera nga standardologët kompetentë normëvënës të gjuhës shqipe shprehimisht, veç tjerash, patëm kërkuar që t’i mundësohej përdorimi a konkurrimi i lirë kësaj forme, brenda normës së shqipes letrare. Mirëpo, meqenëse çështja e paskajores ende nuk është hequr nga tryeza e diskutimit ose ende nuk është rekomanduar zgjidhja e plotë e saj me shkrim, ne, edhe në këtë punim tonin që e titulluam Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe i rikthehemi po kësaj teme. Edhe ky punim është, në të vërtetë, vazhdim i mendimeve dhe i kërkesave tona të shprehura në punimet e mëparshme, sidomos në ato të sipërcekurat, Të vihet re se këtu, në këtë paraqitje tonën, me qëllim për të arritur efekt më të madh, jo vetëm nëntitullin Në vend të parathënies: Paskajorja në fokus rrugëzgjidhjeje apo?, që e vumë me pikëpyetje, por me pikëpyetje i kemi vënë edhe 10 titujt e krerëve gjegjës që përmban ky punim:
1. A shihet ndonjë ndryshim qëndrimi rreth integrimit të paskajores me + pjesore në shqipen standarde?
2. A ka fakte që e vënë në dyshim zëvendësimin e plotë të nocionit të paskajores së shqipes me lidhore dhe me paskajoren e dytë?
3. A ka kundërthënie serioze ndaj realitetit në raportin e propozim-zëvendësimit të paskajores së mirëfilltë me paskajoren e dytë?
4. A është e drejtë që shprehjet me vlerë me paskajoren me me të jenë të rekomandueshme vetëm për gegërishten, por jo edhe për shqipen standarde?
5. A ka arsye të heshtet edhe më funksioni përfaqësues i formës së paskajores me + pjesore të shkurtër?
6. Në cilët tipa të foljeve pjesorja e shkurtër (edhe si gjymtyrë e paskajores) dhe në cilët ajo e letrarëzuara kanë më tepër përparësi për formimin e emrave të vepruesit?
7. A priret evolutivisht shkurtimi i pjesores së letrarishtes në raport me shtytësit përkatës të një veprimi të tillë?
8. Cilat janë disa nga veçoritë karakteristike të paskajores së mirëfilltë në gjuhën shqipe?
9. A është pjesorja e shkurtër një siçelës magjik potencial, veç tjerash, edhe për zgjidhjen e paskajores me me?
10. Del, apo jo, i pakuptimshëm injorimi dhe sakrifikimi i mëtejshëm i paskajores nga ndonjë vetëmohues gegërishtfolës?
Siç po shihet, nga formulimi i temës si dhe i titujve të krerëve përkatës, nënkuptohet, se çështja e paskajores me + pjesore mund të thuhet se është edhe afër edhe paksa larg zgjidhjes përfundimtare institucionalisht. Si duket, ende ka pengesa, jo nga pikëpamja teorike e praktike, sa nga mendimet, mbase taktike ose vërtet mbeturinore (!) të ndonjë gjuhëtari a politikani në vende kyçe. Sidoqoftë, kjo çështje nuk e ka gjetur ende përligjjen e duhur institucionalisht, ndonëse nuk duket se ka të ngecur në rrugë pa krye, prandaj në këtë kontekst, siç e cekëm, del edhe synimi i punimit tonë, që me anë të përgjigjeve në pyetjet e sipërshtruara, t’i jepet shtysë e duhur zgjidhjes përfundimtare kësaj çështjeje madhore për gjuhën letrare shqipe, zgjidhje e nevojshme kjo për mbarëvajtjen e mëtejshme të normës së shqipes standarde të njësuar.
Sido që të jetë, shpresojmë se edhe ky reagim yni do të mirëkuptohet edhe nga standardologët e gjuhës sonë, të cilët në shqyrtimet e tyre temën rreth përfshirjes së paskajores me + pjesore në normën e shqipes standarde s’po mund ta heqin ende nga rendi i ditës. Ky punim yni, kurrsesi s’bën të cilësohet si një pamflet a si brinim qëllimkeq ndaj standardit të sotëm të selitur mbi bazë të vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit 1972, por duhet kuptuar si një vërejtje-kërkesë e ligjshme për konsolidimin dhe përsosjen e asaj norme edhe me lëndë të re ose të lënë nën hije atëherë, siç është paskajorja e mirëfilltë e gjuhës sonë. Në këtë mënyrë, ne kemi bindjen se norma e standardit të sotëm dhe të nesërm do të jetë edhe më e kompletuar, ngase duke përfshirë në gjirin e vet të gjitha vlerat relevante të dialekteve kryesore kjo normë, vërtet, do ta meritonte emërtimin: Drejtshkrimi i shqipes standarde.
Duke kërkuar ndjesë e mirëkuptim, qoftë për ndonjë lëshim, qoftë për ndonjë qëndrim të guximshëm ose për ndonjë përsëritje jo të domosdoshme, ngase për hir të aktualitetit dorëshkrimin nuk e kemi lënë me fjetë sa duhet, kemi një lutje-porosi për lexuesit e nderuar, që, nëse duan me pasë një pasqyrim më të plotë rreth çështjes që po trajtohet këtu, patjetër, paraprakisht, ndërkohë ose më pastaj, ta lexojnë (konsultojnë) librin Paskajorja çështje e shqipe standarde (Prishtinë 2000) si edhe punimet e tjera tona që rrahin këtë temë, ngase ky punim që paraqitet para lexuesve tani, në të vërtetë, mund të konsiderohet si vazhdim a përforcim i argumenteve që janë trajtuar më përpara në ato punime prej nesh, por edhe nga të tjerët. Do të dëshironim, siç kemi bindjen, që, në të ardhmen e afërt, përpjekja jonë rreth kësaj teme, të mbetet në hije të kontributeve që presim t’i japin specialistët e fushave të caktuara të gjuhësisë sonë, ngase do ta kenë këtë rrugëzgjidhje më të rrahur dhe më të trasuar për ta ndriçuar dhe shpënë më tej dhe së këtejmi edhe më të lehtë se që e kishim ne edhe për ta shprehur. Nuk është fjala, tanimë, vetëm për ta riinkuadruar në normën standarde paskajoren me + pjesore, por edhe për ta përcjellë e vëzhguar më tej jetën e saj normale në kuadër të shqipes standarde, ku me meritë besojmë se do ta ketë vendin që i përket.
Fundi i fundit, nëse me paraqitjet e mëparshme kemi arritur ta japim ndihmesën tonë që paskajorja të fitojë të drejtën me u përdorë si variant i lirë, siç u theksua në Konferencën në fjalë, me këtë vështrim-kërkesë tonën synojmë që ai status i së drejtës së përdorimit të lirë, së paku, të sforcohet me një konkluzion me shkrim institucional, i cili ende mungon., andaj përkrahim mendimin e prof. Emil Lafes dhe prof. Enver Hysës, të cilët janë shprehur që paskajores është e udhës t’i kushtohet një simpozium a tubim i veçantë shkencor dhe kështu ky problem të zgjidhet, njëherë e përgjithmonë, si duhet.
Për botimin e këtij libri dhe cilësinë e tij përmbajtjesore falënderoj në mënyrë të veçantë prof. dr. Abdullah Zymberin, ortologun veteran të njohur Mehmet Gjevorin dhe prof. dr. Fadil Rakën, të cilët më dhanë kurajo për ta përfunduar dhe botuar këtë punim.
.
Prishtinë, shkurt 2006
H y r j e
Ka kohë që po flitet e po shkruhet, diku-diku, në mënyrë alarmante, se pas demokratizimit të shoqërisë shqiptare përgjithësisht në dhjetëvjetëshat e fundit, gjuha shqipe është në krizë. Ne, do të thoshim se gjuha në përgjithësi nuk është aq në krizë sa kanë rënë në krizë disa gjuhëtarë të caktuar me ndikim, të cilët, vërtet, gjuhën letrare e konsiderojnë në krizë, edhe për gjëra që nuk duhet, ngase normën e saj ende po e shohin si një dogmë dhe po vonohem a nuk po përpiqen, mjaftueshëm, për përmirësimin, këndelljen e përsosjen e saj, në përputhje me kushtet e rrethanat e reja të krijuara në këtë periudhë në hapësirën mbarëkombëtare dhe përgjithësisht edhe në atë ndërkombëtare. Nuk po përpiqen, pra, sa duhet, për t’ia rinuar cilësisht tri shtyllat themelore standardit të saj, siç janë: drejtshkrimi, gramatika dhe fjalori normativ. Kur themi kështu, kemi parasysh jo trysninë që po i bëhet shqipes nga gjuhët e huaja, madje as nga mosgjeturia a lajthitjet e shkaktuara nga kuadrot e caktuar me kulturë gjuhësore jo të dëshirueshme, të punësuar, qoftë në masmedia e vende të kyçe të administratës publike, qoftë në institucione të caktuara profesionale, por për kritikat që po i bëhen shqipes letrare pse në këtë fazë ecjeje, duke u shfrytëzuar një klimë paksa më të lirë, më liberale, në krahasim me disa dhjetëvjetësha të kaluar, në raste të caktuara, po i rikthehen në përdorim disa trajta të gegërishtes, të cilësuara ende pa arsye madhore, si shkelje të normës letrare. Me fjalë të tjera, po thuhet nga ndonjë gjuhëtar se norma e sotme gjuhës letrare shqipe është zhytur në krizë të thellë shqetësuese, vetëm pse kanë filluar të ridalin në përdorim, veç tjerash, edhe shkrime e forma të caktuara të dialektit të gegërishtes, siç është konkretisht edhe paskajorja e mirëfilltë me + pjesore(!?).
Është e vërtetë se tani, në kuadër të kodit të gjuhës shqipe mbarëkombëtare, në tërësi, po del më sheshazi në sprovë norma në fuqi e gjuhës së sotme letrare shqipe e kanalizuar me dhjeta vjet më përpara, por e kodifikuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Gjithsesi të mirat që ka sjellë ai njësim norme s’mund të mohohen, por në këtë kontekst nuk mund të mohohet a të mos vihet në dukje edhe ndonjë lëshim që, tani, gjithsesi, del gjithnjë e më i tejdukshëm dhe kërkon rishikim. Këtu kemi parasysh, pra, edhe mungesën e paskajores shqipe me + pjesore, e cila ende ka mbetur jashtë standardit, jo për fajin se i munguaka gjuhës shqipe, por për mospërfilljen e saj nga disa qarqe politiko-gjuhësore normëvënëse, me ndikim të asaj periudhe, me gjuhëtarët në krye, por që ende gjallojnë me koncepte, se kinse një formë e tillë nuk iu dashka letrarishtes së sotme(!), me arsyetimin jo bindës, vetëm pse, sipas tyre, kjo formë i munguaka një dialekti, toskërishtes(!). Aq më me për habi del fakti, kur ndonjëri prej tyre edhe tani mekanikisht e mbron një qëndrim të tillë jo me argumente, po me hiperformalitete se gjoja nuk bëka assesi të preken temat tabu, siç është edhe norma e shqipes së sotme letrare kombëtare e sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Si duket, personat e tillë nuk janë bindur ende plotësisht në koncept-parim, se shqipe standarde mbarëkombëtare me normë të qëndrueshme, nuk ka as nuk mund të ketë, pa u marrë parasysh ose pa u bë inkuadrimi në standard i të gjitha vlerave kryesore të dialekteve të shqipes, siç është edhe paskajorja me + pjesore, e cila i plotëson, madje edhe i tejkalon kriteret për t’u futur në normë. Nuk është fjala vetëm për kriterin e përfaqësimit të dialektit më të përhapur gegë, por edhe për vlera të tjera shumëdimensionale si përfaqësuese e denjë me mandat realisht të fituar sinkronikisht e diakronikisht në kuadër të sistemit foljor të gjuhës shqipe.
Gëzon fakti se kjo formë, është fjala për paskajoren me + pjesore, e cila, edhe pse ende nën hije, qëndronte paksa si çështje e hapur edhe më përpara, tani, doli në fokus a në qendër të vëmendjes, më mirë se asnjëherë më parë, në Konferencën shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” që u organizua në Tiranë, më 11-12 nëntor 2002, me rastin 30 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (1972), ngase, me të vërtetë, ky problem i pazgjidhur imponohet doemos sa herë që merret në shqyrtim mbarëvajtja e normës së shqipes standarde.
Në këtë kontekst, shikuar me tërë ndërlikueshmërinë që e shoqëron, paskajorja ka qenë objekt diskutimi nga gjuhëtarët e intelektualët tanë edhe më parë, siç u tha, por jo, me sa dimë, në përmasat e sotme, siç ndodhi, pra, në Konferencën shkencore të lartpërmendur, ku u prek, qoftë drejtpërdrejt qoftë tërthorazi nga afro 20 gjuhëtarë tanë më në zë dhe ku rrodhën edhe ide të reja rreth zgjidhjes së problemit në fjalë. Megjithatë rreth zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi gjuhëtarët tanë, si duket, ende nuk janë të një mendjeje. Pa vënë kufi të prerë, mund të dallohen aktualisht pesë opinione ose pesë grupe gjuhëtarësh dhe intelektualësh, të cilët, lidhur me zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, sot për sot, mund të thuhet se kanë pikëpamje të ndryshme, duke u nisur nga ato më të kundërtat deri tek ato më të përafërtat.
Grupin e parë e përbëjnë disa gjuhëtarë dikur uniformë, tash, gjithnjë më të paktë në numër, të cilët ende e mbrojnë qëndrimin se paskajorja me + pjesore, si formë e panevojshme dialektore (gege), duhet zhdukur nga përdorimi jo vetëm në shqipen letrare, por në gjuhën shqipe përgjithësisht, deri edhe në sferën letraro-artistike etj. Gjuhëtarët e këtij grupi kishin mendimin, siç mund ta kenë edhe sot, se nocionet e saj plotësohen tërësisht nga lidhorja(!), prandaj edhe nëse ndeshet ndonjë gjë me vlerë në shprehjet e caktuara me këtë element, ta quajmë, të fosilizuar(!), ajo shprehje me vlerë, sipas tyre, mund të konvertohet a të përshtatet, edhe dosido, në normën letrare në fuqi, por jo të përdoret si e tillë me paskajore në standard. Pra, kërkohej atëherë dhe dëshirohet edhe sot, sipas këtij grupi, që paskajorja gege të shpallet, si me thënë, e paqenë për standardin. Shtrohet pyetja, sa mund të themi se një qëndrim i tillë ishte veprim alla partizançe, le të vlerësohet. Por është e vërtetë se gjykimi i tillë dilte shumë i fuqizuar me dekada dhe shoqërohej me një propagandë mjaft të fortë, saqë, pasojat po ndihen deri edhe në ditët e sotme, ngase edhe sot disa gjuhëtarë, jo pa emër, paraqiten me qëndrime të ngulitura normëkomaduese “zhgraduese” lidhur me këtë pikë. Duke i dalë në mbrojtje të pambrojturës, kur është fjala te zëvendësimi i plotë i koncepteve të paskajores me lidhore, ata, gjuhëtarët e tillë, i bëjnë shërbim jo të mirë edhe reputacionit të vet.
Grupin e dytë e përbëjnë ata gjuhëtarë, të cilët nuk e mohojnë përdorimin e paskajores me + pjesore në dialektin e arealit verior, por mbesin në pozita mbrojtëse të normës në fuqi pa të. Gjuhëtarët e tillë edhe sot mendojnë se mënjanimi a mospërfshirja e saj në standard ishte e drejtë. Sipas tyre nocionet e paskajores, veç lidhores formalisht e realisht mbulohen edhe me të ashtuquajturën paskajore e dytë (tipi me për të...), andaj edhe tani nuk e shohin të nevojshme për ta përfshirë atë formë dialektore(!) në normën standarde, por nuk janë as kundër përdorimit të saj në gegërishte si nënstandard.
Grupi i tretë dallon nga i pari, si edhe nga i dyti, ngase përkrahësit e këtij grupi, pa e mohuar mundësinë e zëvendësimit të konceptit të kësaj forme me lidhore e me paskajoren e dytë, njohin edhe trajta e forma të tjera zëvendësuese. Këta, duke dalë më realistë në njohjen e vlerave faktike të paskajores së mirëfilltë, nuk janë kundër përdorimit të paskajores me + pjesore në nënfusha të caktuara semantike, pra, edhe në shkrime që ndjekin standardin, por mendojnë ende se një formë e tillë duhet të përdoret si variant i lirë, d.m.th., pa e përfshirë, hë për hë, në planëzimin gjuhësor, me arsyetimin, gjoja se, ajo nuk ka edhe përdorim të mjaftueshëm a shtrirje të gjerë në ligjërimin standard (! ) dhe ia lënë kohës që ajo ta bëjë punën e saj. Pra, nuk janë as për përjashtimin e saj nga përdorimi, por as për futjen e menjëhershme të saj në standard.
Grupi i katërt, dallon nga i treti, ngase ky grup që karakterizohet nga “guximi bashkuar me kompetencën shkencore”, siç do të thoshte prof. E. Çabej, zgjidhjen e paskajores me + pjesore e sheh në inkuadrimin e drejtpërdrejtë të saj në standard, madje, sipas tyre, sa më parë aq më mirë. Gjuhëtarët e intelektualët e këtij grupi kanë marrë guximin që praktikisht ta fusin në veprim përdorimin e formës së tillë në shkrimet e tyre që ndjekin standardin sa herë që lejon konteksti. Konkretisht, sipas tyre, paskajorja me + pjesore e shkurtër, duhet të përdoret pa ngurrim, kur tumir konteksti, në këto nënfusha semantike, siç janë: përfaqësimi, thëniet frazeologjike, sfera letraro-artistike dhe sinonimia, nënfusha semantike këto, të cilat, në të vërtetë janë të pakontestueshme, sipas kritereve pragmatike, logjike, stilistike e strukturore. Pra, veprimtarët e këtij grupi, janë për futjen e menjëhershme të paskajores në standard, si rast të veçantë, d.m.th., pa e ndërlidhur domosdo me paradigmat e sistemit foljor të ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes ose të gegërishtes së sotme ligjërimore. Ky grup, për nënfushat semantike të sipërcekura, këtë formë e cilëson si fakt-provë me elemente të domosdosë edhe për standardin, prandaj, sipas tyre, s’ka logjikë të quhet ende kjo formë si një element dialektor dhe të mbetet i anashkaluar edhe më tutje, sepse pikërisht kjo formë është shumë vepruese e prodhuese në fjalëndërtimin standard (fjalëformim, kohëformim e formëformim) dhe ndeshet e shtrirë faktikisht, në më se 3/4 a 80% e bashkësisë shqipfolëse, por që njihej dhe njihet, si me thënë, realisht, qind për qind, jo vetëm nga intelektualët, por nga të gjitha shtresat shoqërore në të gjitha trojet shqipfolëse, edhe në viset më të skajshme jugore.
Grupi i pestë i gjuhëtarëve dhe intelektualëve, zgjidhjen e çështjes së paskajores me + pjesore, duke e parë si fakt të domosdoshëm për standardin, e fusin në përdorim lirshëm, madje pa e ndarë nga sintagmat e paradigmat e sistemit foljor të gegërishtes dhe në këtë mënyrë, duke e marrë si shkas pikërisht mungesën e paskajores me + pjesore në normën e shqipes së sotme letrare, cytin, jo pa efekt, ringjalljen e normës standarde mbi bazë të ish-gegërishtes letrare, ku paskajorja, siç dihet, zinte vend kyç, madje konsiderohej, jo pa të drejtë, si një shtyllë kurrizore e asaj strukture.
Sidoqoftë, në vazhdë të kësaj që u tha, për të qenë paraqitja jonë më e përceptueshme dhe më në nivel shkencor, në këtë punim tonin, që e titulluam: Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, e shohim të arsyeshme që paraprakisht të riprodhojmë këtu vetëm pikën 7 nga punimi ynë i mëparshëm, me titull “Përpunimi i normës letrare kusht për kristalizimin e mëtejshëm të shqipes standarde kombëtare” (2001), që e cekëm në Parathënie të këtij punimi, ku nga faktorët kompetentë të shqipes standarde patëm kërkuar shprehimisht:
“Të shikohet edhe çështja e (ri)integrimit (rehabilitimit) të paskajores shqipe me + pjesore, në shqipen standarde si rast i veçantë, për nënfusha të caktuara semantike, në të cilat edhe është duke u përdorur, siç janë: a) përfaqësimi, b) shprehjet frazeologjike të një abstraksioni të lartë, c) sfera letraro-artistike dhe ç) sinonimia - duke shtuar se - ndonëse ka ende ndonjë paqartësi e keqkuptimtek individët e caktuar, mund të themi se gëzon fakti që kjo çështje ka rënë në dorë të qarqeve kompetente të shqipes standarde dhe ka filluar të vlerësohet gjithnjë e më drejt. Në të vërtetë, - theksonim aty - po të shikohet pragmatikisht e logjikisht përdorimi i saj për tri nënfushat e para semantike, as që del i diskutueshëm, ngase e para i takon stilit shkencor, e dyta dhe e treta stileve funksionale që lidhen edhe me tipizime, ndërsa nënpika e katërt mund të jetë e diskutueshme pjesërisht. Themi pjesërisht, sepse sipas gjuhësisë bashkëkohore konkurrenca në sinonimi nuk mund t’i mohohet asnjë realie të gjallë foljesore. Meqenëse forma e tillë është duke u përdorur dhe, siç është konstatuar, prirja e zgjerimit të saj vërehet aktualisht edhe në viset më të skajshme të arealit jugor, mbetet të jepet mendimi se cila nga trajtat e pjesores lypset parapëlqyer: trajta e ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes, e cila ka mbështetje në sistemin fjalëformues apo trajta e letrarishtes së sotme, e cila ka bazë të fortë në sistemin paradigmor të foljeve të shtjelluara dhe të pashtjelluara analitike. Ç’është e drejta, (sqaronim aty) te foljet e tipit me marrë, me vjelë; me dhënë, më lënë, me rastin e integrimit nuk paraqitet kurrfarë problemi, ndërsa te trajtat e tjera po,si p.sh.: me matë a me matur, me mbajtë a me mbajtur, me pasë a me pasur, me derdhë a me derdhur, me bë a me bërë, me la a me larë, me ble a me blerë, me fshi a me fshirë, me fry a me fryrë,, me shue a me shuar, me thye a me thyer, me pëlqye a me pëlqyer, me shkrue a me shkruar, me punue a me punuar. (Duke përfunduar me bindjen) Nëse u mundësohet një konkurrencë e lirë trajtave në fjalë, kjo çështje shpejt mund të kanalizohet si duhet pa krijuar farë problemi.”
Pra, sa kishim të drejtë dhe sa ishim realist në konstatimet dhe kërkesat tona, jo vetëm në shkrimin e fundit, të cilat i përkrahim forcimisht edhe tani, dhe sa mund të konsiderohen të realizuara e të zbatueshme ato, le ta vlerësojnë lexuesit dhe të interesuarit, pasi të njihen, veç tjerash, edhe me disa nga dëshmitë që i shkëputëm kryesisht nga referimet e diskutimet e caktuara të studiuesve tanë (akademikë) më në zë, të cilët e prekën këtë çështje në veçanti, në Konferencën shkencore të sipërcekur, material ky i botuar me të njëjtin titull në Tiranë (2003) që, ne, disa prej atyre fakteve, ndonëse fragmentarisht e diku-diku të shoqëruara me ndonjë parafrazim tonin, do t’i citojmë në vazhdim, në titujt përkatës (sipas krerëve të këtij punim), duke u përpjekur me dhënë përgjigje për këto çështje:
1) A shihet ndonjë ndryshim qëndrimi i faktorëve të caktuar normëvënës rreth integrimit të kësaj forme në shqipen standarde?
2) A ka fakte që e vënë në dyshim zëvendësimin e plotë të nocionit të paskajores së shqipes me lidhore dhe me paskajoren e dytë?
3) A ka kundërthënie serioze ndaj realitetit në raportin e propozim-zëvendësimit të paskajores së mirëfilltë me paskajoren e dytë?
4) A është e drejtë që shprehjet me vlerë me formën e paskajores me me, të jenë të rekomandueshme vetëm për gegërishten, por jo edhe për shqipen standarde?
5 A ka arsye të heshtet edhe më, pa të drejtë, funksioni përfaqësues i paskajores me + pjesore të shkurtë?
6) Në cilët tipa të foljeve paskajorja me + pjesore e shkurtër (edhe si gjymtyrë e paskajores) dhe në cilët ajo e letrarëzuara kanë më tepër përparësi për formimin e emrave të vepruesit?
7) A priret evolucionisht shkurtimi i pjesores së letrarishtes në raport me shtytësit përkatës të një veprimi të tillë?
8) Cilat janë disa nga veçoritë specifike të paskajores së mirëfilltë në gjuhën shqipe?
9) A është pjesorja e shkurtër një siçelës magjik potencial, veç tjerash, edhe për zgjidhjen e paskajores me me?
10) Del, apo jo, i pakuptimshëm injorimi dhe sakrifikimi i mëtejshëm i paskajores nga ndonjë vetëmohues gegërishtfolës?
Kemi bindjen se, pa dyshim, përpjekja a përqendrimi ynë në përgjigjen e çështjeve të lartpërmendura gjatë analizës së këtij punimi, do të ndihmojë jo vetëm në njohjen më të mirë e të plotë të problemit të diskutueshëm rreth paskajores me + pjesore, por do të shërbejë edhe një sishtysë e mirë për zgjidhjen përfundimtare me inkuadrim dhe pa zvarritje të kësaj forme në shqipen standarde.
I. a shihet ndonjë ndryshim qëndrimi rreth integrimit të paskajores me + pjesore në shqipen standarde?
Është krejt e pritshme dhe e logjikshme që në kohë dhe rrethana të caktuara, në bazë të fakteve të reja, njeriu të ndryshojë a të modifikojë qëndrimin e mëparshëm rreth një çështjeje të caktuar, mirëpo a ka ndodhur kështu, apo jo, te një pjesë e gjuhëtarëve tanë me influencë, lidhur me paskajoren me + pjesore, nuk është lehtë të konstatohet. Megjithatë ndryshime a modifikime qëndrimesh ka. Sidoqoftë, tema e paskajores si çështje problemore ishte e pranishme edhe më përpara, por disi doli më ballaballas se asnjëherë më parë në Konferencën shkencore në fjalë (2002), ngase tani, siç e thotë prof. Jorgo Bulo në fjalën e hapjes së Konferencës: “30 vjet (nga Kongresi i Drejtshkrimit) janë të mjaftueshme edhe për të vënë gishtin në problemet e normës që ka nxjerrë praktika e përdorimit të shqipes standarde në të gjitha pikat e veprimtarisë kulturore, zyrtare e shoqërore dhe për të bërë plotësimet e saktësimet që dikton realiteti i sotëm shoqëror”. Pa mëdyshje, edhe pse nuk ceket nga referuesi, në këtë realitet shoqëror, si çështje e pazgjidhur drejt, kuptohet se bën pjesë edhe paskajorja e gjuhës shqipe e mënjanuar nga norma letrare më përpara, por mbeti e pa përfillur edhe në atë Kongres dhe pas tij. Në të vërtetë, atëherë, në atë tubim, gjithsesi historik, në pyetjen e prof. J. Ferrarit (Shih: Kongresi i drejtshkrimit, f. 156):“Për mënyrën paskajore (...), pse nuk ruhen të dyja format me + (pjesore) e për të + (pjesore)? - nuk u dha kurrfarë përgjigjeje, por nga Ylli Resuli, vetëm sa u zu në gojë, kalimthi se paskajorja si njëra nga karakteristikat e përgjithshme të gegërishtes, siç thotë ai, “nuk do të përmendet” (Aty f. 579), gjë që jep për t’u kuptuar se kjo formë, si njëra nga karakteristikat e përgjithshme e gegërishtes dhe vetë gegërishtja letrare tashmë kishte kohë që ishte e injoruar, ndërsa Jorgji Gjinari, me njoftim-arsyetimin e tij, po në atë tubim, bën me dije, se “në sistemin morfologjik të gjuhës letrare nuk ka hyrë trajta e paskajores së dialektit verior, por dihet se lidhorja është një trajtë që ekziston në të dy dialektet - duke shtuar të vërtetën: “edhe pse jo me një masë të njëjtë përdorimi” (Aty, f. 151). Me fjalë të tjera, çështja e paskajores në atë Kongres nuk u trajtua si duhet, ndërsa tani pas 30 e sa vjetësh në këtë Konferencë (2002), paskajorja rikthehet në fokus të interesimit të afro 20 gjuhëtarëve, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi. Tani jo vetëm nuk përsëriten konstatimet si ai i A. Dodit se “në morfologji zhdukja e paskajores dhe zëvendësimi i saj me lidhoren nuk tregon varfërimin e gjuhës (Shih “Studime 4 ‘97 të ASHAK-ut, f. 72), por as gjykimi i Sh. Demirajt se “Shqipja standarde (kryesisht me anë të trajtave të lidhores) ka mundësi të shprehë fare natyrshëm të gjitha funksionet sintaksore karakteristike për paskajoren”, nuk del më i pranueshëm pa ndonjë rezervë, ngase tani aspekti gjithëpërfshirës në normë i të gjitha vlerave të të dy dialekteve që ka gjuha shqipe mbarëkombëtare si tërësi, me të gjitha nuancat kuptimore e stilistike, intuitivisht del në plan të parë si koncept jo i anashkaluar, jo i mbyllur, por del i hapur dhe rrah pak më me forcë sesa rrihte 30 e sa vjet përpara. Pikërisht kjo është arsyeja që ndoshta edhe prof. Sh. Demiraj të nënvizojë, me vend dhe mëlirshëm, se jo vetëm nuk është “që të ndalohet krejt përdorimi i paskajores së tipit me punue ...”, por është edhe për diçka më tepër, d.m.th., paskajorja duhet të jetë e lirë të përdoret, si në familje, ashtu edhe në letërsinë artistike etj., dhe njëherazi duhet t’i kushtohet më shumë vend edhe në gramatikat shkencore. Si duket, edhe ky tani pajtohet a shprehet më lirshëm që t’i kushtohet kësaj forme më shumë vëmendje dhe t’i jepet më shumë vend, jo vetëm në shkencë, por në ligjërim masiv etj., duke shtuar sisloganin: Pastaj vetë koha le ta tregojë nëse një formë e tillë do të jetë e nevojshme të përfshihet në shqipen standarde. Me fjalë të tjera, edhe ky, pasi e di se “i vetmi ndryshim i rëndësishëm midis dy dialekteve tona në rrafshin gramatikor është mungesa e paskajores perifrastike e tipit me punue në dialektin jugor”, duhet të zgjidhet, duke ia lënë fjalën kohës në të ardhmen, i bashkohet grupit tjetër, që mendon pak më ndryshe, të cilit, siç do të shohim, i prin prof. Emil Lafe.
Në të vërtetë, prof. E. Lafe, në referimin e vet nuk e mohon qëndrimin e tij të mëparshëm Aq në strukturën gramatikore të shqipes standarde të integrohet shkallë-shkallë paskajorja me + pjesore nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, as nga pikëpamja teorike, as nga pikëpamja praktike, subjektivisht do të përkrahja këtë dhe shfaqjet e një përdorimi të tillë nuk do t’i gjykoja të qortueshme (Seminari 19 2001 f. 296), por tani arsyetohet me shpjegimin për prolongim, si të themi, me një stil paksa diplomatiko-skofiaresk se Aintegrimi i tillë menjëherë nuk mund të bëhet, sepse paskajorja me + pjesore ende nuk ka përdorim të mjaftueshëm në strukturën e shqipes standarde, por, ndërkohë, mund të bëhet, nëse nga ligjërimi standard imponohet një formë e tillë, sepse siç qe shprehur edhe më përpara “gramatikanët nuk mund t’i imponojnë ose t’i shartojnë gjuhës elemente strukturore, edhe kur këto mendohet se janë të nevojshme(!). Ata vetëm e përshkruajnë dhe e mbarështojnë brumin gramatikor të gjuhës, por këtë brumë e mbrun përdorimi, jo gramatikanët (Shih Gjuha shqipe 1-2 2001 f. 23), megjithatë, ky ka mendimin se më e lehtëpranueshme për normën e sotme do të ishte trajta me + pjesore e toskëzuar. Po i këtij mendimi është edhe prof. E. Hysa, i cili, si të thuash, siguron se paskajoren do ta inkuadrojë përdorimi dhe gjuhëtarët do ta bëjnë pastaj kodifikimin. Prof. Seit Mansaku, në paraqitjen e tij është edhe më i qartë dhe i prerë. Ai, veç tjerash, konstaton: Sidoqoftë, mendoj se tani për tani çështja e paskajores nuk mund të jetë një problem i planifikimit gjuhësor, as për ta nxitur, as për ta penguar përdorimin e saj, Le t’ia lëmë kohës ta bëjë punën e saj. Ndërtimet me paskajore ushtrojnë ndikimin e tyre mbi ndërtimet analoge të standardit jo vetëm përmes kontaktesh me variantin verior brenda shqipes, por edhe përmes kontaktesh me gjuhë të tjera që e kanë formën e paskajores, si frëngjishtja, italishtja etj. Do të thoja se shtrirja e standardit dhe kufizimi në përdorim i varianteve të tjera jostandarde, mund të vijnë në mënyrë të natyrshme jo aq me politika të caktuara kufizuese ndaj këtyre të fundit, por me politika praktike që rrisin prestigjin kulturor të gjuhës standarde nëpërmjet zgjerimit e pasurimit të saj, duke u lëvruar nga mjeshtrit e fjalës, nëpërmjet forcimit të shkollës dhe të ngritjes së kulturës gjuhësore qytetare dhe të rritjes së kujdesit të shoqërisë për zbatimin e normave të gjuhës standarde (Aty f. 117).
Disi më gjerësisht dhe më realisht se tek të tjerët çështja e paskajores shtrohet në referimin e prof. R. Ismajlit. Ky, duke e pasur në koncept se “zgjidhja e paskajores përbën pikën më kontestuese”në raportin gegërishte / shqipe standard”, tani, veç tjerash sqaron: “Meqenëse kjo paskajore në letërsinë e shkruar gegërisht me sintaksën e saj komplekse, është përdorur shumë shpesh për të shprehur ndërtime abstrakte dhe meqenëse në gjuhët e tjera i përgjigjet një paskajoreje, ajo është bërë njëfarë dore simbol i lëvrimit dhe i plotnisë së variantit standard gegë”. Ky referues inkuadrimin e saj në standard, si tipar të rëndësishëm të shqipes, e sheh të mundshëm: ”në atë mënyrë, që në tipa të caktuar ndërtimesh sintaksore, të lejohet kombinimi infinitival i tipit me me:
a) duke ruajtur të plotë formën e pjesores gege vetëm në ato funksione, ndërsa te mbiemrat formën aktuale të standardit;
b) duke kërkuar rrugë të tjera përmes formave të ndërmjetme të pjesores së shkurtë (si ardhë), por prapë me forma aktuale të mbiemrave;
c) duke ruajtur trajtën me prejardhje toske të pjesores, për të krijuar kështu paralelizëm të plotë me privativin;
ç) është e mundshme edhe zgjidhja përmes lejimit të variacionit vetëm në tipe sintaksore infinitivale, për ata që e ndjejnë nevojën për të”.
Në vazhdim prof. R. Ismajli thekson se sado që tashmë kemi krijuar një shprehi dhe një imazh për format e shqipes standarde pa paskajoren me me (...), nuk është e pamundshme të kërkohen kombinime dhe zgjidhje të dobishme, qoftë edhe vetëm për t’i mbyllur burimet e pakënaqësive dhe të ankesave. Parimi i kompromisit dhe i kombinimit të elementeve të ndryshme strukturore me burim nga dy variantet e mëparshme letrare në shqipen standarde (...), tashmë ekzistojnë dhe kombinimet e tilla jo vetëm që nuk kanë shkaktuar vështirësi, po, përkundrazi, e kanë begatuar standardin - dhe përfundon-: Nëse kemi vullnet të mirë për këtë, mund të gjenden edhe rrugë. Mendoj se në këtë mënyrë shqipja standarde vetëm i zgjeron hapësirat dhe mundësitë sintaksore e stilistike”.
Në përkrahje të mendimeve të prof. R. Ismajlit shkon edhe diskutimi i prof. B. Bokshit, i cili shprehet se “A do të vendoset infinitivi i gegërishtes në standard, si çështje, nuk duhet konsideruar si kthim mbrapa. Ashtu, si edhe u tha, ajo duhet konsideruar si diçka që mund të vijë, si diçka që mund të imponohet nga varianti i folur, nga varianti gegë. Por mendoj se pengesa për t’u pranuar në normë e për t’u përgjithësuar përdorimi i infinitivit me me, është në planin e shenjave e jo të përmbajtjes, jo të funksioneve. Nuk pajtohem me mendimin që u tha këtu (mbase nga Demiraj, Çeliku N.V.) se e pengon sintaksa dhe na dalin përsëritje funksionesh. Ne e dimë sa funksional është infinitivi i gegërishtes. Është përmendur thënia: Me pasë me shkue me i thanë me ardhë me më pa. Kjo është një shprehje e pashkëputshme nga gegërishtja dhe këtë duhet ta marrim parasysh, prandaj varianti gegë i të folurit, varianti i folur, më duket se do të imponojë me kohë se nuk është në kundërshtim me sistemin e gjuhës, për arsye se edhe një pjesë e toskërishtes e ka të shkurtër pjesoren. Kujtoj se me shkurtimin e pjesores së krijuar me temë në bashkëtingëllore (kam hapë, pritë etj.), pra, duke shkurtuar pjesoren, hapet rruga edhe për depërtimin e paskajores me me”.
Njëri nga ata që e cek indirekt këtë çështje është studiuesi i mirënjohur hungarez, albanologu, Ishtvan Shyc, i cili shprehet mjaft qartë se thesari mijëvjeçar (shqipja me të e kuptojmë edhe paskajoren si vlerë) duhet të ruhet si sytë e ballit dhe lidhur me zgjidhjen në fjalë tregon një shembull paksa analog. Në vitin 1958 A. Xhuvani i paska pasë folur për dukurinë e përftimit të emrave të tipit këpucëbërës, librarshitës, që sipas tij nuk i përgjigjeshin natyrës së shqipes ndaj trajtave: bërës këpucësh, shitës librash, që ai i parapëlqente.“Këto kujtime po i përmend - thekson studiuesi - vetëm sa për të treguar forcën organike, mund të them atavike të shqipes, me të cilën ajo, pa ndërhyrje nga jashtë, i ka zgjidhur problemet e tilla në rrugën e zhvillimit të saj”.
Sidoqoftë, nga këto referime e diskutime fitohet sadopak përshtypja, pse mbizotëroi mendimi që zgjidhja më e mirë për këtë formë është që ajo të jetë e lirë në përdorim, por hëpërhë mos të jetë objekt i planifikimit konkret, ngase, si duket, ende nuk ishte arritur mirëkuptimi i duhur nga të gjithë faktorët relevantë, sepse ende kishte probleme, jo vetën në përzgjedhjen e trajtës së pjesores së paskajores së mirëfilltë, por edhe në konceptimin e çështjes nga grupi i parë dhe i dytë, me ta del i përzier edhe ndonjë gegërishtfolës, si andej si këndej, të cilët, si me thënë, me qëndrimin e tyre konservues me ngjyrim poltrono-servilizmi, fanatikisht e ruajnë dhe militarisht e mbrojnë normën e praktikuar në fuqi pa këtë formë. Megjithatë, prof. Tomor Osmani, mbase edhe ky tue besue në forcën atavike të gjuhës shqipe, sheh një rreze depërtuese drejt zgjidhjes. Ky, veç tjerash, e vlerëson drejt qëndrimin e disa kolegëve të tij, kur thotë se “pozitiv është fakti se studiuesit kanë filluar të mendojnë për këtë formë. Sot ka forca të tilla shkencore që këtë problem ta zgjidhin, duke gjetur rrugët më të mundshme që edhe kjo të përfshihet në sistemin foljor të shqipes, si element i domosdoshëm dhe dobiprurës për vetë pasurimin e sistemit foljor të gjuhës sonë, për funksionet e shumta që mbulon ajo dhe për vetë nevojat e praktikës gjuhësore të shqipes”.
Si përfundim të këtij kreu, mund të thuhet se, edhe pse kohësisht pati vonesë të pajustifikueshme, çështja e paskajores në këtë Konferencë është shtruar drejt dhe, si me thënë, jep shpresë për ecje të mbarë drejt rrugëzgjidhjes, ngase nuk mungoi diskutimi në favor të përdorimt të paskajores njëherë si variant i lirë, e pastaj mund të jetë edhe si objekt i planëzimit normëzues. Por edhe këtu, në këtë tubim nuk u bë mjaftueshëm rreth kësaj çështjeje, sepse në fund mungoi konkluzioni instituicional me shkrim së paku, lidhur me këtë përdorim “të lirë”.
Prandaj rreth zgjidhjes përfundimtare të kësaj pike, për dikë, ende nevralgjike(!), të normës standarde, mund të thuhet se mbesin mjaft çështje të paqarta e ngurrime të panevojshme. Nuk është fjala, vetëm rreth konkurrencës së saj me forma të tjera sinonimike, që tash për tash, normativisht, ato janë të vetme të favorizuara, por edhe rreth nënfushave semantike që mbulon ajo, rreth funksionit përfaqësues të saj, rreth konceptimit të arsyeshmërisë lidhur me inkuadrimin e kësaj formë në standard si element i dëshirueshëm, i nevojshëm ose i domosdoshëm, si dhe rreth përparësisë së trajtave të caktuara, lidhur me inkuadrimin konkret në shqipen standarde, segmente këto që do të preken, vende-vende, mjaft hollësisht në krerët vijues.
II. a fakte që e vënë në dyshim zëvendësimin e plotë të nocionit të paskajores së gjuhës shqipe me lidhore dhe me paskajoren e dytë?
Si argumente kryesore refuzuese rreth mosinkuadrimit të paskajores me + pjesore në normën standarde, që datojnë nga fundi i viteve ’40-a të shekullit që lamë pas, por që përsëriten vazhdimisht deri tani, veçohen, pos konstatimit se një formë e tillë i mungon bazës së përzgjedhur si normë letrare (toskërishtes), edhe këto dy fakte: e para, është lidhorja (format e lidhores) dhe e dyta, është paskajorja e dytë ose togu: për + emri i nyjshëm foljor asnjanës (tipi për të + pjesore ose për + gerundi) dhe që të dyja këto fakte arsyetohen me përparësinë e dukshme se kanë shtrirje në të dy dialektet. Në të vërtetë, këto dy argumente, duke pasur përhapje në të dy dialektet: toskërishte e gegërishte, për çudi, ndonëse ishin sinonime të pjesshme, u konsideruan absolutisht të vetëmjaftueshme dhe fuqiplota për zëvendësimin e paskajores së mirëfilltë. Kështu, paskajorja me + pjesore, e cila pandehej se ishte karakteristikë vetëm e disa të folmeve të gegërishtes(!), sipas konstatimeve që mbizotëronin në këtë periudhë, 50-60 vjeçare, gjykohet mos me u marrë fare në konsideratë në të ashtuquajturën shqipe e sotme letrare (të njësuar). Mirëpo, pikërisht kjo vetëmjaftueshmëri, jo shtrirja, nga një lagje e mirë gjuhëtarësh e intelektualësh, del e diskutueshme, madje, sipas mendimit të disave, koha tregoi se gjykimi i tillë i vetëmjaftueshmërisë nuk ishte fort i bazuar, ishte jo i thelluar, ishte sipërfaqësor dhe joplotësisht i saktë, madje, mund të quhet edhe jo krejtësisht i pagabueshëm(!). Kjo bindje arsyetohet me faktin se përkundër euforisë rreth përqafimit dhe propagandimit të pandërprerë institucional 50-60 vjeçar, jo vetëm për ta zëvendësuar, por edhe për ta zhdukur atë, paskajorja e mirëfilltë e gjuhës shqipe, e ashtuquajtur “gege” mbeti se mbeti aktive në arenën e konkurrencës (drejtpërdrejt ose tërthorazi) dhe tani kjo formë, siç dëshmon edhe pika e shkëputur prej nesh nga teksti i kumtesës së lartcituar nga ASHA e Kosovës, realisht, po fiton dita-ditës terren drejt rehabilitimit të saj, njëherë për një herë, së paku si variant i lirë ose pjesërisht si element i nevojshëm për ndonjë nënfushë semantike, por pritet, që së shpejti, të bëhet edhe rehabilitimi i plotë i saj.
A dihet mjaftueshëm pse-ja e një qëndrueshmërie të tillë të paskajores apo jo?
Pa hyrë në shkaqe jashtëgjuhësore dhe pa i përjashtuar ato, do ta zbërthejmë, paksa, këtë çështje, duke e trajtuar:
së pari, raportin lidhore / paskajore e mirëfilltë,
së dyti, raportin paskajore e mirëfilltë / paskajore e dytë (për + gerund!) dhe
së treti, do t’i përmendim edhe disa meditime rreth këtyre raporteve.
1) Raporti lidhore / paskajore e mirëfilltë
Është e vërtetë se gegërishtja e kishte lidhoren e mirëfilltë si edhe toskërishtja, me kuptimet e caktuara modale, me të cilat tregohet një veprim a një gjendje që dëshirohet, që mund ose duhet të kryhet a të ndodhë, pasi lidhet me një tjetër (Shih FSHS f. 684), por gegërishtja e kishte të formësuar plus edhe paskajoren e mirëfilltë edhe për kuptime të tjera, jo ekskluzivisht modale, që këtë të fundit toskërishtja pandehej se nuk i kishte, prandaj edhe duhej ta mbulonte me sforcimin plotësues të zgjerimit të fushës kuptimore të lidhores ose edhe me ndonjë formë tjetër, duke pasur për gjedhe, me gjasë, greqishten e re. Kjo është arsyeja që toskërishtja konceptin e paskajores së gegërishtes, si me thënë, edhe jashtë kuptimit modal, ia ngarkonte lidhores me dyfishim kuptimi (Shih: Rrahim Përçuku, Konferenca shkencore, 2002 (2003), f. 448). Po kështu ndodhi edhe kur toskërishtja, më drejt, kur shqipja zyrtare mbi bazë të saj, me disa plotësime, jo të gjitha parësore, e cila qe pagëzuar si shqipe e sotme letrare e njësuar, pas vitit 1944, andaj qëllimi ishte që, duke ia zgjeruar kuptimin lidhores edhe me plus konceptin e paskajores, ose duke e paskajorezuar, ndonjë trajtë të caktuar të lidhores, si veta e dytë njëjës etj., ajo do të mund ta zëvendësonte plotësisht paskajoren edhe në ato vise ku ajo ishte mbizotëruese. Po, pikërisht, këtu, mendojmë ne, e ka vendin paralajmërimi i ndërkohshëm i doajenit të gjuhësisë sonë, prof. Selman Rizës, i cili, lidhur me procesin e tillë të zëvendësimit, theksonte: “Edhe me të vërtetë paskajorja është një mënyrë foljore, si të thuash kaq e rehatshme në krahasim me lidhoren saqë mënjanimi i saj me të mirë në trajtën e lidhores është i pabesueshëm pa ndonjë nevojë shumë serioze” (Shih. S. Riza, Vepra 4, f. 54). Prandaj, ç’është e vërteta, me gjithë rekomandimin zyrtar, madje edhe të pranimit dhe përpjekjeve të vetëdijshme vetëmohuese të rretheve të caktuara gegërishtfolëse, lidhorja e pajisur, pra, edhe me funksionin plotësues polisemik, ta quajmë, paksa, jo plotësisht modal të paskajores, nuk mundi me mbulue mjaftueshëm nocionin e paskajores së mirëfilltë te shumica absolute e gegërishtfolësve. Pra, jo pse nuk deshën ata (sidomos elita pjesëmarrëse në normëvënie e të tjerë), por për arsye se patën vështirësi, ngase koncepti i paskajores i shenjëzuar me formën e paskajores me me, si mjet i veçantë praktik ishte ravijëzuar “rehatshëm” aq thellë në shtratin e strukturës së vet sa që s’mund të dilte dot nga kutijat e asaj strukture të sistemit vetjak ligjërimor, të formësuar fort, për t’ua lëshuar vendin qelizave një forme tjetër me vlerë më të dobët për ta. Kjo ndodhi, jo vetëm për shkak se çdo polisemi, siç dihet, mban në vete njëfarë homonimie, por edhe për arsye se koncepti i paskajores ishte më i gjerë dhe njëherazi, po kjo formë a mënyrë e të shprehurit, fundi i fundit, i takonte kodit të përgjithshëm sinonimik morfosintaksor të së njëjtës gjuhë kombëtare dhe ai element nuk ishte pa traditë përdorimi dhe pa vlera të forta semantike, të cilat s’mund të mbuloheshin tërësisht me lidhoren, edhe pse kjo (lidhorja) kishte prani në atë sistem ligjërimor, por që, në të vërtetë, ishte e destinuar për nënfusha të tjera, si të thuash, anësore semantike, në krahasim me konceptet e paskajores. Në të vërtetë, këto dy forma, ndryshonin nga njëra- tjetra edhe nga përmbajtja, por sidomos edhe për nga forma e jashtme. Kur themi kështu, ndër të tjera, kemi parasysh kuptimin konkret modal të mundshmërisë etj. të lidhores e formave të saj, ndaj kuptimit të një abstraksioni të lartë dhe përfaqësimor të paskajores, si dhe anën formale të barasvlerësve, në njërën anë, paskajoren me + pjesore si trajtë statike, ndaj formave relativisht të shumta të lidhores, në anën tjetër, të cilat ndryshojnë sipas kohëve, numrit, vetave, por edhe modifikimit.
Pra, këtu qëndron, për mendimin tonë njëra prej arsyeve të forta pse planëzimi për heqjen a zhdukjen e paskajores me zëvendësimin e saj me lidhore, mund të thuhet se doli i pazbatueshëm, për mos me thënë, doli i dështuar, në masë të gjerë.
Sido që të jetë, paskajorja mbeti si një problem i pazgjidhur, në përgjithësi, deri sot e gjithë ditën. Ajo nuk e la keq toskërishten (në kuptim të ngushtë), por e la jo mirë ose e përjashtoi tërësinë e shqipes letrare (standarde) të njësuar mbarëkombëtare, ku e ka, domosdo, hisen e vet edhe gegërishtja me paskajoren e saj karakteristike.
2) Raporti paskajore e dytë / paskajore e mirëfilltë
Edhe rasti i raportit paskajore e dytë / paskajore e mirëfilltë mund të shpjegohet po në këtë mënyrë. Edhe paskajorja e dytë, siç e argumentojnë gjuhëtarët tanë më të njohur, deri tani nuk mundi ta zëvendësonte plotësisht paskajoren e mirëfilltë në asnjë nënfushë semantike karakteristike, me gjithë favorizimin e nënkuptuar që pati dhe ka në mënyrë institucionale në këtë periudhë 40-50 vjeçare. Është e vërtetë, se kjo formë (paskajorja e dytë) shtrihej në të dy dialektet dhe jo aq për koncepte a destinime të tjera sa për koncepte qëllimore që paraprin vetë treguesi parafjalor i saj, siç është: pjesëza për.
Dihet e vërteta se shtrirja e saj në gegërishte është penguar nga paskajorja normale karakteristike, por edhe në toskërishte, siç do të shpjegohet më poshtë, përveç lidhores e kanë penguar edhe disa forma të tjera. Kështu, forma e paskajores së dytë, të cilën disa gjuhëtarë nuk e quajnë fare paskajore, po formë e pashtjelluar e një tipi të veçantë, në asnjërin dialekt nuk pati zhvillim të pavarur normal, aq më tepër si një paskajore e mirëfilltë.
3 Disa meditime rreth këtyre raporteve
Ja edhe disa meditime rreth veçorive të kësaj forme (paskajorja e dytë), por edhe të lidhores, në ndonjë rast, në raport me paskajoren e mirëfilltë:
1. Kur kemi parasysh faktin se paskajorja e dytë supozohet se u përftua në viset jugore, me gjasë, si shkak-aksion ndaj ndikimit të greqishtes, e cila në atë periudhë të hershme, jo vetëm e kishte në proces e sipër zhdukjen e formës a të formave të paskajores së vet, por do të ketë ndikuar edhe në ato skaje të të folmeve të gjuhës fqinje në takim (në toskërishten si pjesë e shqipes). Andaj supozohet se sipaskajorja (paskajorja e dytë) e shpifur me për të..., tani e riorganizuar jo mbi bazë të një emri të paparanyjëzuar si paskajorja me me, por mbi bazë të një emri të paranyjëzuar të tipit me për të ..., sepse tashti në shqipe kishte ndodhur më fuqishëm procesi i paranyjëzimit, siç shpjegohet nga historianët e gjuhës (Besim Bokshi), edhe pse arriti të shtrihej, paksa, edhe në viset veriore, ajo tashmë atje e kishte fuqinë e rrëgjuar dhe, mund të thuhet, se u zmbraps, pikërisht, nga trajta e paskajores së mirëfilltë që tashmë ishte e ngulitur fort në strukturën e shtratit të vet. Në këto rrethana paskajorja e dytë mbeti jo zëvendësuese e paskajores së mirëfilltë, po, ta quajmë kështu me kushtëzim, mbeti si trajtë sinonimike ose mbeti si formë ndihmëse për koncepte të caktuara sinonimike infinitivale, sidomos në fjalitë qëllimore. Sidoqoftë, kjo formë, në përgjithësi, deri më sot, mbeti nën hijen e paskajores së mirëfilltë në trevat e Gegërisë dhe, njëherazi, nën hijen e lidhores në viset jugore.
2. Për të treguar se paskajorja e dytë në vitet e ‘50-a, të shekullit që lamë pas, nuk kishte aq hapësirë të gjerë përdorimi, por nuk ishte edhe pa nënfushë të caktuar specifike semantike, po paraqitim përkufizimin e përmbajtjes, siç është shënuar në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954), kur bëhet fjalë për funksionet e parafjalës PËR. Aty (pika 14) thuhet se kjo parafjalë, d.m.th. pjesëza për “- formon paskajoren e dytë në fjalitë qëllimore: do të vete në pazar për të blerë zarzavate. Pra, siç po shihet, fusha kuptimore që mbulonte paskajorja e dytë aspak nuk i afrohet fushës a nënfushave semantike që mbulon e mbulonte paskajorja e mirëfilltë, siç e theksonte prof. A. Xhuvani (Shih Vepra I, Tiranë 1980, f.326) dhe të tjerë, siç do të theksohet, paksa, më poshtë edhe në këtë punim.
3. Që paskajorja e dytë ende nuk mund ta zëvendësojë aktualisht në mënyrë normale paskajoren e mirëfilltë, e faktëzon, prof. M. Çeliku në një studim të tij (Shih: Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe, Tiranë, 2000), dhe për këtë meriton respekt, vërtet, të veçantë. Prof. Çeliku, lidhur me raportin paskajore e dytë/ paskajore e mirëfilltë, kur përmend nja 7 shembuj karakteristikë të fjalive me paskajoren e dytë, si:
1) Është vështirë për ta ngritur në art këtë realitet.
2) Është për t’u çuditur kjo punë.
3) I mbetej vetëm për ta rregulluar çatinë.
4) Është për t’u theksuar se në dy ndërmarrje treguesit finaciarë janë realizuar.
5) Janë vetëm për të prishur punë;
6) Ndihmonte për të fshehur çdo gjurmë.
7) Për të folur, foli.
jep këto tri konstatime me interes, për çka tërheqim vëmendjen edhe ne:
e para “këto pak raste(...),- thotë ai,- nuk na japim mundësi për të njohur togun e tipit për të bërë, në çdo rast, si paskajore në gjuhën e sotme letrare shqipe (Aty f.53),
e dyta, këto raste, - shton ai, edhe - “janë të dyshimta në vështrimin normativ”dhe
e treta, - gjithnjë sipas konstatimit të tij,- këto raste janë “larg së qeni si paskajore të pavarura në funksion fjalie” (Po aty edhe f. 91).
Po të bëhet krahasimi e kallëzuesve përkatës i shembujve të mësipërm me versionet barasvlerëse të kallëzuesve me paskajore të mirëfilltë, si:
1) Është vështirë me e ngritë në art këtë realitet.
2) Është (për) me u çuditë kjo punë.
3) I mbetej (për) me e rregullue çatinë.
4) Është (për) me u theksue se në dy ndërmarrje treguesit financiarë janë realizuar.
5) Janë vetëm për me prishë punë.
6) Ndihmonte për me fshehë çdo gjurmë.
7) Me folë, foli.
atëherë konstatimet e prof. Çelikut do të dilnin edhe më të përkapshme dhe më të kuptueshme për lexuesit e interesuar.
4. Po në këtë kontekst, pra, siç e thamë, kur kemi parasysh, edhe lidhoren edhe paskajoren e dytë, del e domosdoshme të ceket edhe një fakt tjetër me rëndësi. Dihet mirëfilli, siç e kanë vënë në pah A. Xhuvani, Sh Demiraj e të tjerë dhe sidomos prof. Çeliku, se të gjitha funksionet e paskajores ndër të cilat edhe funksioni kryefjalor, kallëzuesor, atë të kundrinorit të drejtë, madje të një kryegjymtyre të një fjalie të pavarur, si dhe në raste edhe funksioni i përcaktorit, i rrethanorit, e i segmenteve të tjera, duke kursyer kështu, po ashtu në raste, edhe trajtat gerundiale (në kallëzore më shumë se në rrjedhore), pjesoren e foljeve modale ose të paskajores së vjetër sintetike, të emrave prejfoljorë prapashtesorë, të përcjellores, kushtores, urdhërores etj., nuk mund të zëvendësoheshin as vetëm me lidhoren, as vetëm me paskajoren e dytë, madje as me të dyja bashkë, por me një sinonimi më të gjerë, me të cilën ajo, paskajorja e mirëfilltë, si atëherë edhe sot, bashkëjeton në mënyrë të harmonishme, duke pasur parasysh diversitetet me të cilat mund të ballafaqohet çdo dukuri.
5. Ndërsa paskajorja e tipit ”për të bërë”- shkruan sintaksologu ynë, Agim Spahiu - nuk përdoret në disa nga fjalitë e pavarura pyetëse e urdhërore, në disa nga fjalitë me nënrenditje si në kryefjalore, kundrinore, kushtore e lejore, paskajorja e gegërishtes (me + pjesore) del mjaft e dendur, jo vetëm në këto lloje të fjalisë, por edhe në konstrukte e fjali të tjera (edhe në fjalitë kallëzuesore, përcaktore, qëllimore, krahasore, mënyrore, rrjedhimore) dhe përfundon: Këto ndërtime sintaksore me trajta të pashtjelluara të gegërishtes assesi nuk mund të zëvendësohen me paskajoren e tipit ”për të bërë”. Përgjithësisht mund të zëvendësohen me trajtat e lidhores, por atëherë marrin nuanca të tjera modale (Shih: Letërsia shqipe dhe gjuha letrare, f. 264-265). Po shtojmë këtë rast se nuancat modale kanë si rrjedhojë gjithandej edhe nuanca semantike.
6. Edhe më i prerë e praktik ishte T. Kolgjini lidhur me raportin lidhore / paskajore, kur theksonte se “ndryshe përkthehet në një gjuhë të huej, b.f., fraza gegënisht: Asht ma mirë me vdekun me nderë se me jetue me turp, ndryshe përkthehet ajo në toskënisht: Është më mirë të vdesësh me nder se të jetosh me turp (Java, 2.02.’02 f.27).. Fjala është për barasvlerësit: me vdekun (vdekur) ndaj të vdesësh dhe me jetue (jetuar) ndaj të jetosh e jo për fjalë të tjera. Ndërsa paskajorja e dytë as që vjen fare në konsideratë si trajtë normale në konstrukte të tilla. Edhe profesoresha Shukrane Gërmizaj, e cek një ballafaqim të tillë të infinitivit (mbase edhe të gerundit) të anglishtes me lidhoren e shqipes (!), kur citon se “mbetet që nga përkthimi i fjalëve... përmes shqipes të gjendet infinitivi, që nuk është punë aspak e lehtë (Seminari 21/2, f. 366). Po kësaj natyre i përket edhe konstatimi i prof. K. Topallit, i cili kur flet për ndikimin e gjuhëve të huaja në sistemin foljor konstaton se “vihet re sidomos në përkthimin e trajtës së paskajores, që në shqipen standarde, për mungesë të kësaj trajte, zëvendësohet me lidhore… Po jo në të gjitha rastet trajta e paskajores (së gjuhës së huaj, e cila ka barasvlerësi relative a mjaft të plotë me paskajoren e mirëfilltë të shqipes N.V.) mund të përkthehet me lidhoren, pasi kjo varet nga kuptimi leksikor i foljes paraprise…” (Shih: Gjuha shqipe 1/2005, f. 14). Edhe më i prerë në gjykim del studiuesi Abdyl Sula , i cili pasi konstaton se “funksionet e paskajores së gegërishtes nuk përmbushen plotësisht nga lidhorja dhe paskajorja standarde e tipit për të punuar”- shton bindshëm se -“rëndësia e veçantë e paskajores së gegërishtes del në pah edhe gjatë pëkthimit të foljeve nga gjuhët e tjera, që kanë paskajore të ngjashme me të, mbasi asnjë mënyrë a trajtë tjetër foljore e shqipes nuk u përgjigjet barasvlershëm atyre”(Shih: Gjuha shqipe 1/2005, f. 76).
Me fjalë të tjera, është e vërtetë se paskajorja e mirëfilltë paraqitet në kohëhapësirë si një formë e konsoliduar brenda sistemit të shqipes mbarëkombëtare me identitet e prestigj të formuar që ndryshon jo pak nga trajta barsvlerëse e lidhores, sidomos lidhur me normën pragmatike dhe atë stilistike, prandaj edhe kërkesa për legalizimin e saj në normën standarde nuk është e pabazuar, ngase me një veprim të tillë do të lehtësohej edhe raporti brenda gjuhësor i shqipes, por edhe në marrëdhëniet shqipe/gjuhë e huaj.
7. Edhe Prof. S. Mansaku, lidhur me paskajoren e mirëfillt, e përmend një dukur të tillë, por nga një aspekt tjetër, por që zgjon shumë interes. Sipas tij paskajorja e mirëfilltë, edhe pse e përjashtuar nga norma e letrarishtes së sotme ose e mbetur jashtë shprehjes shkrimore, kryen, si me thënë, në qetësi, veprime funksionale të caktuara me rëndësi, të cilat s’mund të mohohen dot. Ja si e shpjegon autori këtë dukuri: ”Për shkak të sinonimisë funksionale sintaksore të formave të paskajores gege me format e lidhores dhe pjesërisht edhe me format e paskajores së tipit për të punuar nga ana sintaksore paskajorja gege vijon të jetë e pranishme me ndikim të saj në zgjerimin e përdorimit dhe të funksioneve sintaksore të lidhores e të paskajores së tipit për të punuar... ( Shih: Seminari 21/1 f. 324), dhe për këtë i jep disa shembuj që ne, e pamë të arsyeshm, pasi që e konsiderojmë këtë fakt me shumë interes për temën tonë dhe për shkencën, po ata shembuj a ndonjë tjetër të ngjashëm me ta, t’i riprekim paksa më vëmendshëm, duke i merenduar, sipas skemës së mëposhme, në këto katër rubrika:
1. lidhorja e shpifur me ndikim nga paskajorja (ndonëse e pashprehur me zë, por nga ravijëzimi strukturor),
2. lidhorja e normëzuar,
3. paskajorja e mirëfilltë dhe
4. paskajorja e dytë.
_______________________________________________________________
1 2 3 4
filloi të flasë filloi të fliste filloi me folë filloi për të folur?!
desha të shkoj desha të shkoja desh(t)a me shkue desha për të shkuar?!
kërkoi të punojë kërkoi të punonte kërkoi me punue kërkoi për të punuar?
shkoi të blejë shkoi të blinte shkoi me ble shkoi për të blerë
para se të niset para se të nisej para se me u nisë para se për t’u nisur!
donte të dijë donte të dinte donte me ditë donte për të ditur! etj.
dëshiroi të dalë dëshiroi të dilte dëshiroi me dalë dëshiroi për të dalë?
i takon të shkojë i takon të shkonte i takon me shkue i takon për të shkuar?!
(të shkon!)
Sido që të jetë, mjafton rasti i lejimit në përdorim, qoftë edhe si variant i lirë, i paskajores së mirëfilltë, në letërsi ose në sfera të tjera, si nënstandard, për me e frenue, jo pa efekt, prirjen e një dukurie të tillë si të lidhores së shpifur jo të qortueshme, por jo aq të lavdërueshme (rubrika 1), ashtu edhe të paskajores së dytë (rubrika 4, e cila në raste del fort e paqëndrueshme dhe e qortueshme).
Na merr mendja se për t’u kursyer standardi nga këto dy forma të diskutueshme, nga rubrika 1 dhe sidomos nga rubrika 4, gjithsesi të shpifura, edhe për shkak të ndalesës së paskajores së mirëfilltë që ishte bërë, si të thuash, në mënyrë institucionale, del pyetja: a s’është më e udhës që paskajorja, e cila realisht ekziston, ta rikthejë vendin e vet të merituar në standard? Një mungesë e tillë sa pati rrjedhojë të dëmshme, apo jo, dhe në çfarë përmasash, le të vlerësohet më me gjakftohtësi. Kemi bindjen se rikthimi i paskajores në këtë lojë standardi do ta sillte patjetër gjuhën tonë në binarë edhe më normalë.
8. Që as lidhorja dhe as paskajorja e dytë, madje as të dyja bashkë nuk mund ta zëvendësonin dhe as tani nuk mund ta zëvendësojnë nocionin e paskajores së gjuhës shqipe do të mjaftohemi, këtë rast, vetëm me theksimin e faktit se funksioni përfaqësimor i paskajores sinonimisht, siç dihet, mbulohet me vetën e parë të njëjësit të dëftores (jo të lidhores) dhe, gjithashtu, pothuajse, të gjitha idiomat a shprehjet frazeologjike me paskajore i kanë përgjegjësit e vet sinonimike në dëftore. Përveç kësaj të vërtete të padiskutueshme, dihet, madje, se nocioni i paskajores sinonimisht del i mbuluar edhe me forma e mënyra të tjera të sistemit foljor, por edhe me elemente edhe të sistemit emëror. Me fjalë të tjera, kuptimi leksikor i paskajores del shumë i gjerë dhe mund të cilësohet si një “aftësi e fituar historikisht në veprimtarinë gjuhësore e shoqërore”, siç e thotë në parim, fort me vend, për një rast tjetër, prof. Jani Thomai, por që përshtatet edhe për rastin tonë në shqyrtim. Sidoqoftë, edhe nga kjo pikëpamje lypsen hulumtime të mëtejshme, ndonëse edhe këto që u thanë janë fakte të pamohueshme në dobi të rehabilitimit të paskajores.
9. Ç’është e vërteta, edhe pse shqipja letrare, në njëfarë mënyre, e njeh si paskajore formën me për të... (Shih edhe te Gjuha letrare shqipe për të gjithë f. 152, madje siç del edhe në burime të tjera normëzuese, ashtu si edhe në tekstin: Gramatika praktike e gjuhës shqipe, Tiranë 1998, f. 210 se Gerundi i rasës kallëzore ka kaluar në disa ndërtime në paskajore të tipit me për të... (për + gerund: për të dëgjuar, për të vlerësuar, për të pasë a për të pasur), që ndërlidhet me konstatimet e dhëna në pikën 3. të këtij kreu etj, assesi nuk është mirë që trajta e paskajores së dytë të shënohet si barasvlerës i plotë ndaj paskajores së gjuhëve të huaja, sepse faktikisht nuk qëndron, ngase vetëm paskajorja me + pjesore ka barasvlerësi të plotë me trajtat përkatëse të gjuhëve të huaja. Pa paskajoren e mirëfilltë, nuk dimë shqipfolësi si mund ta mësojë gjuhën esperant, e cila ka vetëm paskajoren si fjalë bazë. Pra, në raste të tilla përfaqësimi a sqarimi është më mirë që krahas njëjësit të dëftores, të shënohet trajta e vërtetë me + pjesorja si p.sh.: dëgjoj me dëgjue = serb. slusham slushati; vlerësoj me vlerësue= serb. procenim proceniti; kam, me pasë = serb. imam imati etj. (edhe pse ende konsiderohet jashtë norme) se sa të shënohet barasvlerësi me për të .. (për të dëgjuar, për të vlerësuar, për të pasur), sepse këto raste “ndërtimi” nuk kanë bazë reale të qëndrojnë si barasvlerës të vërtetë për konceptet në fjalë (Shih lidhur me këtë edhe te Paskajorja… f. 63).
Meqenëse, qoftë për nocionin përfaqësimor, qoftë për nocione e finesa të tjera të paskajores së mirëfilltë në krahasim me forma e mënyra të tjera të shprehjes, siç u tha, ka vend të bëhen punime të veçanta dhe ç‘është e drejta, paksa ndonjë çështje të kësaj natyre do të përmendet a do të trajtohet e sqarohet, sadokudo, edhe në vazhdim të punimit tonë, kërkojmë me dashamirësi nga lexuesi i nderuar që pa e shkëputur interesimin për sa u tha më sipër të kalojë vëmendjen në krerët vijues të këtij punimi.
III. a ka kundërthënie serioze ndaj realitetit në raportin e propozim-zëvendësimit të paskajores së mirëfilltë me paskajoren e dytë?
Në kontekst të asaj që u shtrua në kreun e mëparshëm, është e natyrshme që gjuhëtarët e formuar dhe të informuar mirë gjuhësisht, duke u bindur se zëvendësimi i nocionit të paskajores me lidhore si dhe me formën e paskajores së dytë nuk ishte i mjaftueshëm dhe, në anën tjetër, të zënë ngushtë nga forca e propagandës urdhëruese institucionale e shndërruar në tabu, se paskajorja e gegërishtes assesi s’bën të rehabilitohet, ngase, prishka tërë harmoninë e ndërtesës së normës së përbashkët letrare mbi bazë të toskërishtes(!), mbetën disi të zhgënjyer, pa rrugë zgjidhjeje për këtë pikë dhe si me thënë, këtë brengë disa e mbyllnin a e ndrydhnin në vetvete e disa u detyruan me kërkue mënyra e rrugë se si të mbuloheshin ato zbrazëti, së paku për koncepte të caktuara. Në këso rrethanash dikush u mjaftua vetëm me ndonjë kritikë sa për të thënë, dikush tjetër u pajtua që si kompensim të përqafohet përpjekja për zgjerimin kuptimor të trajtave të caktuara të lidhores, gjegjësisht të paskajores së dytë ose ngarkimi polisemantik i formave të dëftores, kushtores, përcjellores etj. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të sapocekura, çështja e paskajores mbeti si një ndër çështjet më të ndjeshme të pazgjidhura në raportin gjuhë letrare e njësuar / gegërishte, që pohohej edhe nga shkencëtarët më eminent