Hysen Këqiku: Shtegëtar i shtegut të shtegëtimeve
E merkure, 03-09-2008, 05:00pm (GMT)
Hysen KËQIKU:
SHTEGËTAR
I SHTEGUT TË SHTEGËTIMEVE
1.
O lumth
asnjëherë nuk bëre
udhëtim të shlirshëm
prore nëpër përplasje
me stërkala shkapërderdhur
i mbshtjellë
me freskinë
e mjegullës
së strukur
në perëndim të yjeve
nga vrojtimi
i përditshmërisë
do të ta fal
o lumth
me stërkala loti
2.
Rrugës
për në kalvar
tok me ofshamën
e renkimeve
të sofërzbraztëve
pëshpëritë pareshtur
për ngarkesën që bartë
me kërcëllimat e dhëmbëve
nga acari
dimërgjatë
bart
dhe vetëm bart
rënkimin e dhembjeve
eunë të kundroj
po e di
domosdonë e dhembjeve
3.
Ti o lumth
udhëtimin mos e ndal
se më nuk do të jesh lumë
e unë do të ta këndoj
apokalipsën
mua më ke bashkëudhëtar
me rënkime e stërkala
e di
vetëm ti
e kupton dhe e flet
gjuhën time
me përcëllimat
e acarit veror
në ty
shuajta etjen
në valëzat
e pushimeve
të rrafshta
të përkëdhela
dhe tok me ty
në fushë të bardhë
derdha stërkala
4.
Rënkimet të mbesin
prapa meje
prapa meje
o lumth
i rënkimeve të largimit
ti nuk lodhesh
për këtë po të lus
ec
dhe mos ke drojë
nga mundimet
për në golgotë
ti çan brigje
e unë i çalë
nuk mund të të ndjek
ti çanë brigje
e unë memec
nuk më del përshëndetja
ti çel rrugë
e unë kërkoj shtegun
të të ndjek
5.
Ti o lumth
]çel rrugë
i lagur fare
nga loti yt
ec deri në cakun
e pafundësisë
unë bashkëudhëtari yt
t’i dëgjoj
rënkimet
për idilën
lumthi
i kujtimeve
të bulëzuara
pranverave
6.
Thatësia
mos rëntë në ty
o lumth
në ty
Ylberat e njomin ngjyrën
pas shiut
në ty
e shuan etjen e dashurisë
shtegëtari i etur
në ty
bilbili miklon
me sqepin
pendë
për pentagram
në ty
dreri me drenushën
spërkatin
kurorën
deri në fund
të këngës
7.
E di dhe të ankoj
lagesh me lotin tënd
se nuk mund të kthehesh
për t’iu shtrirë
shtratit
me trupin tënd
e bëre
aq të përshtatshëm
të të mos dëgjohet
rënkima
e ndarjes
nga rrapët
pjekur e djegur
ti o lumth
ec
dhe pas
lë pastërti
bredh
edhe nëpër bukuri
të akullta
me vërshima
trotuareve pastron
gjurmë
8.
Këndellje
fushës
e sëmurë nga thatësia
ke kokëdhembje
prandaj
në ecje
trupi të avullon
ec o lumth
ec pash burimin
që nuk t’shterron
ec
dhe në ecje
bëhu një
me degët
që të ndjekin
futi thellë
mu në zemër
le t’i fshijnë
djersët e largimit
9.
T’i dëgjoj
pëshpëritjet
me dënesje
nga vaji i djeshëm
nën hijen e rëndë
të zezëresë
ec dhe pastroji
me kthjelltësinë tënde
mos i harro
grafitet ogure
të katër esistëve
bredharakë
as llavërimat
as skërmitjet
e dhembëve
brejtës
të brejtësve
që në brerje
brejtën
ditët tona
10.
Bëmirës
i bëmirësive
ec pash ofshamat
e baladave
të ruajtura
nga thellësia e mbamendjes
njomi
me freskinë
tënde
ngarendjet pas dritës
të humbur kaherë
mos e ndal atë hap
se m’ndalet ora në dorë
e rrapave të tretur
baladave
do t’u shuhet
romanca
e unë
o lumth
mbetem pa pasqyrë
se shoh dot veten
|