 |
| Sarë Gjergji |
Sarë GJERGJI
DASHURI E PAMBARIM
Redaktor:
Avni Halimi
Recensent:
Fehmi Ajvazi
Design dhe ballina:
Arbëresh Dalipi
Boton:
Sarë GJERGJI
DASHURI E PAMBARIM
Boton:T-KOM
Shkup, 2008
ISBN:978-9989-2793-1-7
Botimin e ndihmoi Ministria e Kulturës e RM.
Gruas – Dashurisë sime të pambarim, e cila me aq përkushtim më mësoi se si dashurohet.
Thjesht, unë: s.gj…
Stubëll, 08.05.2007, h 11:10
ASKUSH SI GRUAJA
1 - Prolog
Gruaja është pema e jetës,
pema e dijes të së mirës e të së keqes.
2 - Gjithçka imja
Gjuhë e shpirtit është
agu i parë
përjetësia është gruaja
3 - Gjuhë shpirti
Sytë e saj kanë kohën:
ankthin lakuriq
në shtratin tim
një botë e tërë
si një yll i trishtë
ije brishtë
e prek e puth
butësisht…
4 – Përjetësisht
Po kaq të desha dhe dje
si nesër
iluzioni tretet
do mbetemi ne:
dashuria
5 - Imazh zjarri
Ikonë para së cilës gjunjëzohem
lutja ime e vetme
zjarr që digjesh me ngadalë
sa shira derdh mbi ty
trëndafili im valë
me agun e parë
6 - Shpirti im
Të zgjoj,
çdo mëngjes
flokun duke t’shprishur
ç’shenjtërim i ditës është ky
7 - Çast
Gotat tona përndizen
si buzët
të prita
ti erdhe plot me puthje
e zhveshur
pa sekrete
8 - Mall...
Desha të të puthnja një ditë
për të mësuar mrekullinë e buzëve të qershinjta
dhe qumështin të të thithnja amshueshëm
thjesht, t’mos mbeteshe në botën e numrave
9 – Univers
As toka as qielli
as deti as dielli
si floku i saj
10 - Torturë
Kush të torturon si gruaja
as retë e zeza
as përcëllimë e diellit...
11 - Të falenderoj zot
Gruaja
nuk është e pabesë
hirplote është
e krijuar për t’i dhënë shije botës
që burri
t’mos vdes kurrë
12. Gjuhëmira
Gruaja
nuk është heshtja
as reja e zezë
është qielli blu
dielli i përndezur
e shëmtuar do ishte jeta
pa të
13 - Dolli për gruan
Zëri më i ëmbël
thirrja me joshëse
është gruaja
e lindur prej zemre
zemrës jetë i jep
14 - Meditim
Libri i librave
gruaja
kurrë s’përfundohet së lexuari
dënesja më e preferuar e botës
gruaja
ëndërr e të gjitha ëndrrave
15 - Më fal dashuria ime
Flokëshprishur
të mbërthen
lëkurëbuta
zjarr
të pushton
gruan
kurrë mos e tradhëto
se lëkurë e saj ndezje merr
16 - Vuajtja
Gruaja
drithërimë trupi
mall
zjarr që djeg zemrën
gruaja
vuajtja në heshtje
17 - Kërko gruan
Kur ditë e re nuk vjen
kërko gruan
trëndafilat do çelin
akulli lot dashurie do bëhet
18 - Askush si gruaja
Kur errëson
kërko sytë e gruas
dritën ta gjesh
kur buzët tua thahen
kërko puthjen e saj
trishtimi kur të zë
ngushëllim gruan do kesh
dorë e saj tek të përkëdhel
kur të humbësh rrugën
ndiq hapin e gruas
ritmi i zemrës është
akull shpirti yt
kërko ngrohtësinë e saj
flakë do përndizesh
po humbe gruan
ngre dollinë për vdekjen
19 - Liria e shpirtit
Kujdesu për gruan
(si) për zemrën tënde
ajo është liria e shpirtit tënd
nuk është profit për konsum
ndjenja më sublime është
20 - Përsiatje
Gangrenë
është mungesë e gruas
çasti më hyjnor prania e saj
21 - Përjetim
Gjelbërim në shkretëtirë është
gruaja
fllad në më të madhën vapë
diell në dimrin acar
22 - E përndritura
Gjithë dashuri jehon
syve të mekur
shkëlqimin iu rikthen
23 - Lot i gruas
Ndjesia më e thellë
dielli më i përndritur
yllësia
semantika e përgjithshme është
lot i gruas
24 - Betimi i gruas
Për burrin
në të zeza do vishej
heshtur…
gruaja
e Zoti,
përpak të mos krijonte gruan!
PRANDAJ GRUAJA
25 - Të pres
Askush s’do arrijë te buzët tua
e dashur
as në thellësinë e shpirtit
as në dritën e syve tu
as në drithmët e trupit tënd
nga thellësia e tokës
e pafundësia e qiellit
më vjen ti…
26 - Kudo me afshin tënd
Gjithandej nëpër Kosovë
Romë
Berlin
kudo me afshin tënd
në Belo Horizonte
malli im ishe
floku yt pasion
e di,
zjarri yt
në jetë më mban
27 – Zjarrëmbël
Gruaja
është e butë
zjarrëmbël
prej frutash është gruaja
kripë
dritë
28 - E përsosura
Bukë e jonë e përditshme
kënga e këngëve
gruaja
më e përsosura trajtë e botës
29 - Mikja ime
Një mal me fjalë
është
ku humbësh ëmbëlsisht
me shikim të trëndafiltë
të harlisë
30 - Shpirtmira
Gruaja të degdisë
dekonspirim i tokës është
çka nëse ke diellin
e s’ke gruan?!
31 -Engjëllusha ime
Kopsht i vrulltë
e vetmja stinë e dëshiruar
symira
që jep jetë
gruaja
të bën engjëllor
32 - Prandaj gruaja
Pa gruan
kaos do ishte
bota
ters
mungesë lumturie
33 - Sot e nesër
Imazhin tënd ka drita
dhe ëndrra ime prore
tek t’pushtoja unë
dhe botën ëmbëltoje
34 - Dashuri e pambarim
Eja, moj, eja
flakë e pashuar e agut tim
poet rrugësh tash nuk jam
as mbrëmjesh të shfrenuara
veç dëshirë e vargut të vetmuar
që sytë i gjakojnë për ty