EKSKLUZIVE
 |
| Akil Koci |
1
AKIL MARK KOCI
Vibracione të shpirtit shqiptar
Nga Kadri Mani
(vëllimi I)
Redaktimi dhe pasthënia:
KOPI KYÇYKU
LibrariumHaemus
Vibracione të shpirtit shqiptar
2
AKIL MARK KOCI
Vibracione të shpirtit shqiptar
Redaktimi dhe pasthënia: Kopi Kyçyku
Descrierea CIP a Bibliotecii Naţionale a României
KOCI, AKIL MARK
Vibracione të shpirtit shqiptar / Akil Mark Koci ;
red., postf.: Kopi Kyçyku. - Bucureşti : Librarium Haemus, 2008-
2 vol.
ISBN 978-973-88875-0-3
Vol. 1. - 2008. - Bibliogr. - ISBN 978-973-88875-4-1
I. Kyçyku, Kopi (red. ; postf.)
78(496.5)
Editura LibrariumHaemus
Ballina: KŰdesign
Bukuresht, 2008
Akil Mark Koci
3
Përmbajtja
Parathënie ..............................................................................5
Besim Sahatçiu, korife i skenës teatrore dhe filmike në
Kosovë ..................................................................................17
Bardi i muzikës, kompozitori Çesk Zadeja ..........................25
Engjëll Berisha: Studime dhe vështrime për muzikën .........37
Lament për kompozitorin Esat Rizvanolli ...........................58
Fahri Beqiri, kompozitori profesionist me afinitet ndaj
amatorizmit...........................................................................60
Lorenc Antoni, ky bard i muzikës shqiptare dhe misioni i
tij...........................................................................................70
Mark Kaçinari, korifeu i muzikës shqiptare ........................87
Homazh për kompozitorin Musa Piperku.............................92
Ramadan Sokoli, kolos i etnomuzikologjisë shqiptare.........97
Ramiz Kelmendi - energji që nuk shteron...........................108
Qeveria dhe akademikët muzikalë të Kosovës ...................113
Kompozitori i harruar Rexho Mulliqi..................................117
Sabriu...............................................................................124
Oksidentalizmi në muzikën e Zeqirja Ballatës ...............128
Pasthënie .........................................................................147
Bibliografi e zgjedhur......................................................158
Jetëshkrim i autorit ..........................................................161
Vibracione të shpirtit shqiptar
4
Akil Mark Koci
5
Parathënie1
Për një krijues apo studiues të artit nuk është aspak e lehtë, madje përbën një sfidë të vërtetë, me shumë të panjohura, guximi për të shkruar rreth veprimtarisë krijuese të kompozitorëve shqiptarë të një periudhe të caktuar.
Thënë ndryshe, të flasësh dhe të hulumtosh veprat e personaliteteve që kanë bërë histori në lëmin e artit muzikor, do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për faktin që ata mishërojnë alfën dhe omegën në njërin prej lëmenjve artistikë, shkencorë dhe kulturorë, përderisa veprat e tyre, qofshin muzikore, apo etno-muzikologjike, kanë lënë gjurmë të thella në krejt krijimtarinë muzikore shqiptare.
Në ndërmarrjen e kësaj nisme, më ka nxitur e më ka dhënë zemër fisnikja Xhejlane Broqi.
Edhepse ka vite që ka ndrruar jetë, ngrohtësia e fjalës e jehonat e këshillave të saj më kumbojnë ende në vesh e në zemër. Kjo interpretuese e mirënjohur e këngës popullore, më pat ndenjur oreçast pranë, në ditë të mira e të vështira, jo vetëm si bashkëshorte shembullore, por edhe si kolege, si shoqe jete e devotshme dhe si burim i pashtershëm frymëzimi.
1 Në fakt, libri që po botojmë, përbën në vetvete “parathënien” e një serie punimesh shkencore kushtuar muzikës dhe atyre që e kanë lëvruar muzikën gjatë kohërave, në trevat shqiptare dhe jashtë tyre: personalitete të kulturës
sonë mbarëkombëtare, por edhe të vendeve e popujve të tjerë. Kjo nismë e kompozitorit, muzikologut, eseistit Akil Koci, figurë e mirënjohur e kulturës sonë, pa dyshim do të ndihmojë ndjeshëm në lartësimin e nivelit intelektual
të lexuesve tanë. Në paraqitjen e autorëve, të cilët i ka objekt shqyrtimi dhe analize, profesor Akil Koci ka përdorur kriterin alfabetik. (Shënim i Shtëpisë Botuese Librarium Haemus).
Vibracione të shpirtit shqiptar
6
Me të pohuar këto, në një farë mënyre seria e librave që po nis sot, përbën homazh për këtë zonjë, që muzikën në përgjithësi, dhe atë kombëtare në mënyrë të veçantë, e
pati ushqim shpirtëror. E shijoi vetë, por edhe e ndau me bujari me të gjithë dashamirët e panumurt të artit.
* * *
Po të këqyren nga pozitat e kodeve të mirëfilltë të kritikës dhe të estetikës muzikologjike, subjektet e veprave artistike të personaliteteve që po analizojmë, mbartin jo vetëm karakterin informues, por edhe struktura komplekse, pra përgjithësisht faktorë të rëndësishëm në historinë e muzikës sonë.
Nga ana tjetër, shtrirja kohore e krijimeve të tilla paraqet një vështirësi tjetër, ngaqë kritiku a muzikologu ndeshet me probleme të llojllojshme gjatë shqyrtimit të
tyre, nga njëra anë të natyrës teknike, siç është, bie fjala, sigurimi i literaturës përkatëse dhe, nga ana tjetër, me kërkesat e mëdha e shumëplanëshe që lyp zbërthimi i
thellë profesional i krijimeve të lartpërmendura. Madje, një gjë e tillë mund të bëhet shkak për një paraqitje më të thukët, sidomos kur intervali kohor nëmes krijuesit dhe
analistit të veprës së tij, ka shtrirje të gjerë. Veç sa sipër, krijimtaria e autorit që bëhet objekt studimi, mund të jetë e gjithanshme, sepse pos veprave muzikore të mirëfillta,
mund të na ketë lënë edhe shkrime muzikologjike, të cilat përfaqësojnë njëherazi lëndë të parë fort të çmueshme, por edhe brengë nga këndvështrimi i vështirësisë së
pasqyrimit të shkallës së ndihmesës së akcilit krijues, që mishëron një epokë më vete, siç është rasti me disa nga autorët tanë më në zë në fushën e muzikës.
Përvojën time në hulumtimet kritike, eseistike dhe publicistike në përgjithësi e quaj modeste, edhe pse me këto gjini merrem prej një kohe të gjatë: që nga shkrimi
Akil Mark Koci
7
im i parë, që daton në vitin e largët 1958, në faqet e “Rilindjes”, e vetmja gazetë shqipe që dilte dy herë në javë, të enjten e të shtunën.
Qysh atëhere e deri më sot kam shkruar pandërprerje: mbi 250 artikuj, kritika muzikore, ese, trajtesa, analiza, studime, punime shkencore, si dhe dy libra: Portrete të kompozitorëve shqiptarë në Jugosllavi, botim i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës dhe Edukatë muzikore për klasën VII dhe VIII, botim i Entit për Botimin e Librit të Kosovës. Në këtë listë përfshihet edhe punimi i Magjistraturës, një studim më i gjatë me titull Elemente të folklorit popullor shqiptar në veprat e kompozitorëve tanë dhe
të huaj, Nëntë simfonitë e Ludvig van Beethovenit, sidhe disa të tjera (në dorëshkrim).
Në punimet e lartpërmendura jam përpjekur të parashtroj jo vetëm qasje të mirëfillta muzikore mbështetur në kode muzikologjike, por edhe mbresat vetjake, të shoqëruara me mendimin estetik për koncerte të caktuar e, pse jo, edhe vlerësime shkencore për ndonjë
vepër muzikore apo etnomuzikologjike.
Në gjithçka që hedh në letër, prirem e synoj të mos jap shkas për debate pa bukë dhe nuk i ve vetes qëllimin të “zbuloj të metat” e veprës, ku janë e ku s'janë, por të nxjerr në pah anët më pozitive dhe më të spikatura të saj.
Në këtë aspekt kam mbajtur mirë parasysh që, në çdo notë muzikore është shkrirë djersa dhe angazhimi profesional i autorit, sepse çdo vepër e krijuar, përveç vlerave artistike dhe estetike, paraqet përvojën dhe ecurinë e autorit e të krijimtarisë së tij në tërësi.
Gjithmonë kam qënë e vazhdoj të jem i mendimit se respekti i vërtetë për punën e madhe të çdo autori dhe Vibracione të shpirtit shqiptar
8
vlerësimi real i veprave artistike sipas bindjeve profesionale përkatëse, arrihet vetëm duke u mbështetur me besnikëri dhe pa ngurrim në kodet e vërteta artistike dhe estetike, në shkencën muzikologjike.
Gjithashtu jam i vetëdijshëm se kanë mbetur ende shumë gjëra për t’u ndriçuar në universin artistik-estetik të hapësirës mbarëshqiptare, ku krijuesit e panumurt e
përherë e më cilësorë, po përpiqen me sukses që parimet universale e të gjithëpranuara ontologjike t'i veshin me “kostum kombëtar”, si parakusht për pasurimin e pentagramit muzikor botëror me nota shqiptare burimore, të kumtuara nga un-i individual, me nivel
profesional të lakmueshëm e në pajtim me kërkesat e kohës.
Për kësi lloj shkrimesh është me interes të ceken mendimet e shkrimtarit të madh francez Honoré de Balzak e të dramaturgut pa aq të shquar gjerman Berthold Breht. Ky i fundit vëren: ”Kritika është një armë që mund të shpartallojë edhe regjime, të rregullojë edhe nivelin e lumit, të mbjellë drufrutorët dhe njëharazi është model i artit “.
Bertold Brehti, si njohës i mirë i kritikës botërore, pohon e njëkohësisht shfaq shqetësimin për ndonjë mohim të mundshëm të meritave të veprës, varësisht se nga cili
këndvështrim shkruhet, analizohet, vlerësohet ose denigrohet. Pra, kritika duhet të ketë synim objektivitetin shkencor dhe artistik.
Le të kthehemi sërish tek Balzaku, i cili njihet si shkrimtar, që gjithnjë ka pasur vërejtje për kritikën e kohës. Në përgjigjje të një sulmi, që nuk linte gur pa lëvizur për t'ia përdhosur veprën, Balzaku shprehet: ”Ai që mezi flet gjuhën e tij, thotë se qënkam purist dhe mohon stilin, kur një libër ka një stil të bukur; mohon planin, kur ka Akil Mark Koci
9
një plan; mohon gjithçka që ka të mirë një vepër dhe lavdëron gjithçka që ajo nuk ka: kjo është metoda e tij. Vëzhgon ato anë që krijuesi ia del mbanë dhe kur ia ka njohur cilësitë reale, mbështet akuzat e veta duke deklaruar: kjo nuk është kështu”.
Ideja për t’i përmbledhur në një libër, që e kam titulluar Vibracione të shpirtit shqiptar, disa nga shkrimet e mia ( të rishikuara), kushtuar jetës dhe veprës së katërmbëdhjetë prej kompozitorëve e lëvruesve më të njohur shqiptarë, të botuara në gazetën “The Albanian”
të Londrës, në “Illyria” të Nju Jorkut, në shumë gazeta të tjera, si: “Fokus”, ”Koha ditore”, ”Zëri”, “Fjala” e ”Iliria Post” të Prishtinës, më pas në mjaft organe dhe faqe
virtuale të Internetit, është e kahershme dhe pa pretendime të mëdha.
Por, shndrrimin në vendim të idesë së sapopërmendur, po e kryej disi me vonesë, bash tani, në moshën e tretë të jetës, përmes hedhjes në letër të gjithçkaje që kam lexuar, jo vetëm ”si prirje e specifikës narrative, si mjeshtëri artistike”, por edhe me dëshirën
për të ndriçuar anë të ndryshme, për shumë aspekte me përmasa artistike dhe estetike, pa u mjaftuar vetëm me caqet e këndvështrimit thjesht vetjak.
Shtysa vjen natyrshëm, ngaqë kam pasur rastin fatlum të shoh, të dëgjoj e, brenda mundësive të mia, të përcaktoj vlerat e vërteta të krijimeve të kompozitorëve
shqiptarë. Këtë detyrë e kam përmbushur sidomos përmes ligjëratave të shumta që kam mbajtur para nxënësve të shkollës së mesme muzikore, studentëve të Fakultetit të Arteve që nga viti 1975, në kuadër të lëndës “Njohuri e literaturës muzikore”; referateve dhe
kumtesave që kam paraqitur në konferenca, simpoziume, kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare e sidomos në Vibracione të shpirtit shqiptar
10
auditoret e Akademisë së Arteve në Tiranë. Pra, mund të them se vështrimet e opsionet më kanë shërbyer si “nxitje e brendshme... për veprim”.
Siç e zura në gojë më sipër, kam botuar shumë për veprimtarinë e kolegëve dhe të personaliteteve të tjera të fushës së muzikës, por një drejtim tjetër i vëmendjes sime
ka qënë t'ia bëj të njohura, me mënyra e mjete të ndryshme, arritjet tona artistike në përgjithësi, opinionit të gjerë, kryesisht me shkrime, së pari në gazetën “Rilindja”, si gazeta e vetme shqipe, që nga viti 1958; pastaj në ”Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit, “Jeta e Re”, revistë letrare, “Zëri i Rinisë”, ”Përparimi” – revistë shkencore; “Zvuk” e ”Pro musica” - revista muzikore të ish-Jugosllavisë. Informimin e qytetarëve e kam kryer
edhe me cilësinë e redaktorit e të bashkëpunëtorit të Enciklopedive të ish-Jugosllavisë: kroate, sllovene dhe shqiptare, sidhe të shumë revistave e gazetave, jo vetëm në shqip, por edhe në disa gjuhë të tjera. Këtu hyjnë gjithashtu emisionet e panumurta në Radio-Prishtina, që i kam përgatitur për rubrikën “Takimi në orën 14:02” (në periudhën 1962-1975), për rubrikën ”Fjala dhe muzika” (në vitet 1970-1982), krahas vështrimeve dhe kritikave që transmetoheshin në ditar si emisione informative e deri te ato muzikore të mirëfillta, me komente, kritika dhe ese.
Këtë traditë e vazhdoj edhe sot e kësaj dite: kam emisione në faqet e internetit, përmes Podcast-it të parë në gjuhën shqipe, të cilat teknikisht realizohen nga im bir, Arbëri, i diplomuar për Filozofi dhe Shkencë në Economic School të Londrës, një nga dhjetë universitetet më të njohur të botës. Akil Mark Koci
11
Sidoqoftë, më duhet të pohoj se nuk kam shkruar aq sa duhet, ngaqë më kanë revoltuar debatet e shpeshta, të ushqyera jo nga procedimet artistike normale, por nga
prapaskenat e intrigat misterioze, krejtësisht të papërcaktuara, që, me dykuptimësitë e pashpjegueshme, jo rrallë kanë krijuar situata të zymta. Për këtë “sëmundje”, në “Kritika e dialektikës”, Teodor Adorno thotë me dëshpërim: ”Përse të shkruaj kur gjithçka rreth
meje është sklerotike dhe e dyshimtë?”.
Sa për vete, megjithë pengesat objektive dhe më fort subjektive, që kanë nxjerrë krye kurdoherë dhe nga s'ta pret mendja, gjithmonë kam qënë optimist, kam besuar jo
vetëm në përvojën time pozitive, por edhe në mendimet e njohura se “Arti i vërtetë përkryhet edhe me përplasje; në luftë mund të ketë edhe të mundur”, por “kjo nuk na pengon, - vëren Pol Elyari në Ese dhe shkrime të tjera kritike, - të kuptojmë se, duke u nisur nga ata, mund të nisë shpresa dhe të fillojë përsëri lufta”.
Këtu më duket se është me interes të preket edhe një çështje. Tek ne shkruajnë artikuj kritikë edhe ata, të cilët jo vetëm s’e kanë profesion muzikën, por kurrë nuk na i
ka zënë syri në mjedise muzikore. Le pastaj të ashtuquajturit “muzikologë”, të cilët, megjithse me vite të tëra nuk shkojnë në koncerte e as në ngjarje të tjera muzikore, i japin të drejtën vetes që, jo vetëm të shkruajnë, por edhe të kritikojnë ex catedra. Këtu duhen
përfshirë edhe disa të tjerë, të cilët ngrenë në qiell vepra të dobta nga çdo pikëpamje.
Kam shtruar shpesh herë pyetjen: Ku është këtu funksioni i kritikës së vërtetë, që ka qenë dhe mbetet zëri i ndërgjegjes?
Vibracione të shpirtit shqiptar
12
Por, me sa po shohim, në përgjithësi fjala është zhvlerësuar deri në atë shkallë, saqë nuk ia vlen barra qiranë të shkruhet, edhepse kritika duhet të lidhet me kërkesat pragmatike, pavarësisht nga lavdia, pompoziteti apo trivialiteti. Rrezikshmërinë dhe dëmin që u sjellin
paçavuret e të ashtuquajturve kritikë, në radhë të parë vetë autorëve të veprave muzikore, Balzaku e ka përshkruar në faqe të tëra në Iluzione të humbura, duke folur për faktin që “në të shumtën e rasteve kritika shitet dhe blihet”, ngaqë “gazetat e botuesit e tyre janë të molepsur nga korrupsioni”.
”Kritika - ve në dukje Balzaku, - sot shërben vetëm për diçka: të mbajë gjallë kritikun”. Mllefin ndaj kësaj të ashtuquajture kritike, Balzaku e ka derdhur edhe në romanet Savarusi dhe Shkëlqimi e mjerimi i oborrtareve, duke i damkosur kritikët si të paaftë për të krijuar, njëlloj si “oborrtaret” (kurtizanet), të cilat kurrë nuk janë në gjendje
dashurojnë”.
Balzaku ka bërë shumë vërejtje për kritikët e dobët, për kritikët që nuk merren vesh se ç'thonë, që nuk kanë dinjitet, njohuri dhe as profesionalizëm. Ndërkohë tërheq
vëmendjen se kritikë duhet të shkruajë në radhë të parë krijuesi i mirëfilltë, i cili e njeh procesin krijues. Prandaj edhe shton: ”Një shkrimtar i zoti që është krijues dhe e njeh
procesin krijues, mund të shkruajë më së miri dhe të kritikojë, sepse e do artin”.
Mjerisht, tek ne, ashtu si në kohën kur ka jetuar e krijuar Balzaku, shkruajnë kritikë jo vetëm ata që s’e njohin dhe s'e dinë procesin krijues, por që s’e duan as artin. Ç'është më e keqja, këta palokritikë nuk e shohin të arsyeshme që, para se të shkruajnë për veprat e një Akil Mark Koci
13
autori, të zhvillojnë me këtë të fundit ose me ndokënd tjetër, qoftë edhe një bisedë të vetme dhe sidomos t’i kenë para vetes krijimet, për të cilat do të bëjnë fjalë.
Këtë e them nga përvoja ime e gjatë. Për shumë vepra muzikore të miat kanë shkruar “kritika” jo vetëm pa i dëgjuar e pa i parë veprat e mia, por edhe pa biseduar me mua.
Prandaj, në morinë e kritikave për krijimtarinë time, ka edhe të atilla që më bëjnë të skuqem sidoqë janë të mbushura me plot lavde. Ndër autorët e shkrimeve të kësaj kategorie, fatkeqësisht, prijnë “muzikologët e diplomuar”.
E, pra, kritika mund të jetë e shëndoshë, domethënëse, dobiprurëse dhe sidomos e paanshme, vetëm kur kritiku do të gjejë sa më shumë pika të përbashkëta me krijuesin e veprës muzikore, sepse është e domosdoshme që kritiku, para se ta zbërthejë e ta
analizojë veprën, të gjurmojë, të hulumtojë, të zhbirojë, sidhe të kërkojë e të dëgjojë me respekt mendimin e kompozitorit bash në valën e procesit krijues. Duhet të veprojë pikërisht kështu dhe jo ndryshe, sepse kjo është me përfitim jo vetëm për autorin e veprës, pra për kompozitorin, por, para së gjithash për vetë kritikun, sepse do të ketë rastin e mundësinë të hedhë në letër një shkrim apo ese të argumentuar, të besueshëm nga
lexuesit e të dobishëm për ecurinë e mëtejshme e për rritjen e autoritetit të kritikës artistike. Për fat të keq, një marrëdhënie e tillë, krijues-kritik, nuk ekziston. Këtu e
kanë burimin kritikat në hava, kritikat roma për toma, servile, denigruese, të cilave ka ardhur koha t'ua zenë vendin kritikat e pjekura, dashamirëse, nxitëse e Vibracione të shpirtit shqiptar
14
inkurajuese, të bazuara në kodet e shkencës muzikologjike dhe të estetikës. Vetëm kësisoj, e përsërisim, do të ngrihet rejtingu, jo vetëm i krijuesit, por edhe i kritikut.
Me këtë përmbledhje shkrimesh, të përfshira në librin Vibracione të shpirtit shqiptar, nuk pretendoj se opinionet që kam shprehur për katërmbëdhjetë nga krijuesit e lëvruesit e shquar të muzikës shqiptare dhe për veprat e tyre, janë fjala e fundit, të cilën nuk e luan as topi. Këto janë shkrime që pasqyrojnë mbresat e mia, ndjenjat vetjake, respektin ndaj krijuesit dhe punës së tij të madhe, pa kujtuar se po arrij majat e analizës shkencore. Ato kanë para së gjithash karakter njohës, informues për krijimtarinë dhe veprimtarinë dinjitoze të kolegëve të mi, që janë në mesin tonë ose në amshim. Nga ana tjetër nuk kam dashur që disa nga xhelozia e ulët profesionale të kryejnë eutanazinë mbi veprat e tyre.
Jam i vetëdijshëm për dobësitë e mundshme, për mangësitë dhe të metat e punës sime individuale. Por, në të njëjtën kohë, jam i bindur se këto që kam shkruar këtu do të ndikojnë sadopak që krijimtaria e kolegëve të mi të mos harrohet e të mos anashkalohet pa u vlerësuar, sepse ”arti - thonë filozofët - nuk është lojë, nuk është vetëm formë;
arti është ndjenjë dhe ide. Arti nuk ka qënë e nuk ka për të qenë kurrë mjet argëtimi për t'u harruar. Arti shtron probleme, nxitide, mendime. Mjet argëtimi i rëndomtë mund të jetë vetëm antiarti ”.
Duke u bazuar në thënien e filozofit të njohur Albert Rasell, i cili konstaton se ”krijuesit muzikorë janë të vetmuar në mes të botës, me gjuhën e tyre pak a shumë të
pakuptueshme”, u duhet dhënë krijuesve vendi i merituar, Akil Mark Koci
15
sepse me veprimtarinë që zhvillojnë e kanë pasuruar jo vetëm opusin e tyre, por edhe atë kombëtar e më tej.
Në këtë hulumtim, analizë dhe rrëfim në veten e parë për kolegët e mi, gjallon pa dyshim një arketip i diskursit komentues dhe i diskurseve muzikologjike.
Këtu mbështetet edhe koncepti themelor i shkrimeve të mia, të cilat synojnë të jenë shtjellime investiguese, me vlerësime artistike, pse jo edhe shkencore, dhe njëherazi
të kenë tiparet e studimeve kërkimore empirike të krijimtarisë artistike, në këtë rast të një periudhe me përmbajtje konsistente. Dihet se muzika nuk është art i heshtjes, siç është arti pamor, por është edhe “art, i cili sapo lind, menjëherë vdes, çka nuk ndodh me artin pamor”, na mëson Leonardo da Vinçi.
Besoj se mendimet e mia do t’u shërbejnë lexuesve të nderuar, madje edhe historianëve e muzikologëve, për të ofruar njohuri e informim më të gjithanshëm për këta krijues dhe për veprimtarinë e tyre si figura koherente që marrin kuptimin e një vlere kombëtare.
Duke i falenderuar paraprakisht lexuesit për shfletimin e librit tim modest, sërish shpreh besimin se këto faqe do të ngacmojnë sadopak kurreshtjen e lëvruesve dhe dashamirëve të muzikës dhe mbase do të shërbejnë si katalizator për ndërmarrje studimesh të tjera
në këtë fushë, sa të gjerë, aq edhe fisnike.
Në fund, u shpreh mirënjohjen shkrimtarit e drejtorit të gazetës “The Albanian”, Petrit Kuçana, në Londër, shkrimtarit Frrok Kristaj, redaktor në “Iliria Post” në Prishtinë, shkrimtarit Mehmet Kraja, redaktor në “Koha Ditore” në Prishtinë, shkrimtarit Ibrahim
Kadriu, redaktor në gazetën “Zëri,, në Prishtinë, Vibracione të shpirtit shqiptar
16
shkrimtarit Dalip Greca, redaktor i gazetës “Illyria” në Nju Jork dhe shumë të tjerëve, që m’i botuan këto punime, dhe në mënyrë të posaçme prozatorit, poetit, eseistit e kritikut Prend Buzhala, redaktor në të përjavshmën “Fokus” të Prishtinës, Shoqërisë Kulturore
Shqiptare Haemus të Bukureshtit, Shtëpisë së saj Botuese Librarium Haemus dhe drejtuesve të tyre, akademikut Kopi Kyçyku dhe shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku,
që mundësuan daljen e këtij libri dhe së bashku besoj se e pasuruam mendimin kritik për krijimtarinë muzikore shqipe në tërësi.
Profesor AKIL MARK KOCI
Londër, korrik 2008
Akil Mark Koci
17
Besim Sahatçiu, korife i skenës teatrore dhe filmike në Kosovë
Të jetosh do të thotë - fuqitë e errëta nga vetvetja t’ i dëbosh.
Të krijosh si poet - vetveten ta gjykosh.
Henrik Ibsen
Me qëllim e citova Ibsenin, sido që kjo sentencë nuk përkon aspak me vokacionin e personalitetit të shquar, por përputhet me artin, se poezia dhe filmi janë pjesë e
tij, kurse arti si njëmendësi vizionare e botës e futi nën “kthetrat” e veta edhe regjisorin, intelektualin e mirënjohur Besim Sahatçiu, prijësin e themelvënësin e kinematografisë në Kosovë, eruditin dhe, - çka është më qënësorja, - njeriun me virtyte të larta njerëzore, i
pakompromis në profesion kur ishte fjala për saktësinë e ideve dhe koncepteve të veta gjatë realizimeve të projekteve madhore të kinematografisë sonë.
Ndokush mund të bëjë pyetjen: Ku e gjen të drejtën Akil Koci të flasë me superlativa për një regjisor të shquar, të cilit arti i ka dhënë idetë estetike, mesazh e kulturë filozofike dhe, - më thelbësorja, - duke u nisur nga arti, Besim Sahatçiu ka zhvilluar mendimin teorik dhe estetik, duke e shprehur e duke e shoqëruar në veprat e veta artistike në një zhanër aktual, modern dhe pa dyshim më të vështirin nga të gjitha artet ekzistuese,
jo vetëm nga këndvështrimi i sotëm, por edhe i nesërm?”.
Vibracione të shpirtit shqiptar
18
Është e vërtetë se ka të drejtë të flasë ndër të parët ai që i ka përcjellë zhvillimet e kinematografisë kosovare dhe jo kush zotëron vetëm pak dijeni nga arti i shtatë,
sikurse quhet në gjuhën moderne kjo veprimtari artistike.
E, pra, kam besim të plotë se lexuesi do të pranojë të flas sapo të marrë vesh që unë, Akil Koci, megjithse jam kompozitor, jo kineast, kam qënë një nga kolegët më të afërt të Besim Sahatçiut, kam bashkëpunuar ngushtë me të në disa filma, duke kompozuar muzikë për ta, çka do ta cek më vonë.
Gjithashtu kemi punuar një kohë të gjatë së bashku në Radio Televizionin e Prishtinës, ku kam kompozuar, përzgjedhur, përshtatur muzikë për disa drama, të cilave
Besim Sahatçiu u ka bërë regjinë pranë Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës.
Fuqia e tij krijuese, un-i empirik i mirëdallueshëm, kanë krijuar antinominë e Orfeut me Prometeun si dy forca armiqësore, si synim për të shprehur në artin e vet, pra në film, unitetin e kundërthënieve në konceptet regjisoriale, gjë që nënkupton sferën e paarritur të idealit estetik, pse jo edhe artistik, edhe pse idealja në art është ngushtësisht e lidhur me këndin nga i cili vështrohet.
Diçka e ngjashme me atë që i ka ndodhur Besim Sahatçiut, pa dyshim nuk mund t'i ketë ndodhur asnjë regjisori në botën e qytetëruar.
Më shkoqur: Dihet se regjisori e ka për detyrë dhe të drejtë ekskluzive të bëjë zgjedhjen e aktorëve për rolet përkatës. Regjisori është ai “capo”, që vendos për të gjitha, duke filluar nga skenari, artistët, skenografi, autori i muzikës e shumë të tjera.
Akil Mark Koci
19
Por, thjesht për arsyen e rëndomtë që aksh person ishte autor i skenarit, financues apo drejtues i institucioneve kulturore dhe mediatike që siguronin bazën e nevojshme shumë modeste materiale për realizimin e filmave, guxonin t'i propozonin, madje edhe
ta detyronin Besim Sahatçiun që ndonjë pjesëtar nga familja apo nga rrethi i tyre shoqëror të luante aksh rol në dramë apo në film. Kjo, siç e theksuam pak më lart, përbën diçka krejtësisht të papranueshme për botën e qytetëruar.
Janë të panumurta takimet me Besimin, gjatë të cilave kemi biseduar dendur për artin dhe ecurinë e tij në Kosovë. Gjithmonë tregohej i pakënaqur nga niveli i arritur, gjithmonë gjente mungesa dhe vihej në kërkim të diçkaje më të mirë, me synim kapjen e së përkryerës.
Gjithmonë ishte i shqetësuar për të ardhmen e artit në Kosovë, i shtyrë jo thjesht nga kurreshtja, por nga thellësia spontane e mendimit artistik të tij, nga aftësia për të krijuar vizione të qarta. Jo rrallë përjetonte çaste zhgënjimi, ngaqë shumë nga planet që kish në kokë, nuk kishin shanse të zbatoheshin në praktikë, pasi në krye të institucioneve kulturore gjendeshin njerëz pa njohuritë e aftësitë e nevojshme për drejtimin e kulturës.
Mjerisht, edhe tani që e kemi fituar Pavarësinë, vazhdojmë të ndeshemi me të njëjtat probleme. Vetëm në dukje ka ndryshuar diçka, sidomos në emërtime: jo sekretar i BVI-së si dikur, por ministër i Kulturës e llojlloj salto morale të tjera. Në rast se nuk harrojmë që “kultura, si bazë e çdo doktrine - laike, fetare, filozofike, estetike, duhet të përbëjë një fushë të privilegjuar të pranisë dhe të angazhimit të saj në të gjitha sferat e jetës sonë si univers estetik”, nuk Vibracione të shpirtit shqiptar
20
duhet lejuar të krijojmë rrëmujë e amulli, për shkak të disa mbrapshtish që e kanë burimin në faktin se shpesh vritet mendja për t'i gjetur punë njeriut dhe jo punës njeriun e duhur. Në varësi të mënyrës se si procedojmë në kësi rastesh, kultura paraqet “Ferrin” ose “Parajsën” e Dantes.
Pra, artisti Besim Sahatçiu, që ishte i pakënaqur nga tërë ajo rrjedhë e ngjarjeve në kulturën e atëhershme kosovare, shkëlqente gjithmonë në veprimtarinë artistike.
Talenti i tij, shija e hollë, prirja për të shprehur vlerat e artit kinematografik, - pjesë e pandarë e universit të tij krijues, - ndonjëherë e bënin të ndihej në vështirësi, madje edhe në pozita qesharake, ngaqë nuk mund ta përballonte regresin, frenimin, mediokritetin. Prandaj e shprehte me zë të lartë e fuqishëm mllefin ndaj pengesave që i dilnin në rrugën e realizimit të ndonjë projekti, që ngërthente tërë imagjinatën e mjeshtërinë regjisoriale, si vlerat më të spikatura të artit të vërtetë.
Nga ky këndvështrim, nuk është për t'u habitur pse nuk ka bërë shumë regjisura filmash e dramash. Ai nuk i honepste ata që punonin sa për të kaluar radhën, siç ndodh ende në ditët tona, kur çdo javë dalin si kërpudhat pas shiut shtylysh seriale pa përmbajtje të shëndoshë d