Në shkulmet e një shpirti që turret për nga liria
Nga Albert Vataj - Ekskluzive per Zemra Shqiptare
 |
| Gëzim Murajza |
Rrekja për të dëshmuar forcën e shpirtit krijues, mrekullinë dhe sqimin estetik, padurimi për të pranuar të digjesh në llavën përvëluese të shpirtit, e përfundur nga forca e imagjinatës së natyrës, ka yshtur poetin Gëzim Murajza për të pranuar se me poezi dhe vetëm me poezi është e mundur të sfidosh botën përreth dhe atë brenda teje.
Një buqetë me poezi të Murajzës, ishte dhurata më e fisme që një miku im më bëri për këtë vit të ri. Pa shumë salltanete dhe me një finesë të admirueshme, ai më ofroj bashkë me këto poezi dhe mirënjohjen e miqësisë.
Qasja për ta kumtuar këtë visar të fjalës së pshërëtimave të një shpirti të lirë, spariherë është orvatja për ta shpaluar para jush, ndoshta pak me vonesë, por kur thotë populli: “Më mirë vonë se kurrë”, atë që ai është përpjekur dhe ka mund me mbërrit si pakkush tjetër në sinorin e tij. Është fjala për dy librat me poezi të Gëzim Murajzës, respektivisht “Fishkëllima bordurash”, mars të vitit 2001 dhe “Rruga për kah dalja”, shtator 2006. I lindur në Shkodër, e ku mund të lindin tjetërkund ata qi i këndojnë zëshëm dhe me bekimin e perëndive, përveçse në Shkodër, i gatuar në lëmin universitar, e ku tjetër më denjësisht se ne Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Gëzimi provon të jetë një zë i spikatur në poezinë e tashme shqipe.
Rrallë pas rrallë, fjalë pas fjale, poezi pas poezie, ai kremton më së shumti promovimin e tij në këtë univers gjigant të fjalës artistike, të rrëfimtarëve të shpirtit të dlirë. Me një kumtim të shpenguar nga skolarizmi dhe rregullat, metrika dhe sugjerimet që fanatikët dhe kritizerët rekomandojnë për artin, si domosdo vlerash, ai ka guxuar, siç vetëm një shpirt poeti, për me rrëfye, për me qëmtua, për me u ba i tejpashëm deri në themelet e të qenit njeri. Metafora e poezisë së tij rrjedh gurgullueshëm si përroi në teposhtë, nëpër gjarpërimin e rrugës plot kaladredha, herë pazëshëm e herë potershëm. Kjartësia e përfytyrimit të orendisur me fijeza të arta pasioni, flatron nga shpirti i tij e zë vend në larushinë batërdisëse të poezisë së sotme shqipe, për me dëshmu shpirtin e tij të lirë, por edhe për më kushtru, siç vetëm një shpirt i lirë munet me e ba, me e çu peshë nga themelet tanë universin.
Në të dy vëllimet me poezi, ajo që të shtang është tematika dhe trajtesa, rrëfimtarja dhe predikimi, lirshmëria dhe tërbimi, ndjeshmëria dhe eleganca. Në një farë mënyre ai ka bërë me artin e fjalës dhe magjinë e artit, poezinë, atë që s’do të mund ta bënte një revolucion me armë, një politikan me gjëmimet nëpër foltore, një filozof me ngërthimet e çatrafilisuna të konkretizimeve dhe përcaktimeve për fenomenin jetë. Papajtueshmëria me shumë gjëra dhe gjendje në realitetin që e rrethqarkon është qartazi i perceptueshëm në poezitë “Kapërcim”, “Rruga për kah dalja”, “Fishkëllima bordurash”, “Në këtë qytet”, “Do të qëndroj”, etj.
Në të gjitha ai bëhet tregimtar i brezit të vet, i rropatjeve, i telendisjeve për dinjitet dhe mbijetesë. Barrën e rëndë të “të dëbuarit”, të emigrimit, ai e cek gjithandej, si një plagë të rëndë që ka molepsur shtatin e drobitur të Shqipërisë, të këtij vendi shpresëvrarë. Ai ka ikur nga vendlindja e tij, por pa ia kthyer kurrizin. Gjithçka atje atij i dhëmb. Edhe kujtimet e kafshojnë. Gëzim Murajza ka përzgjedhur poezinë, për të thënë dhe ai fjalën e tij, për të dëshmuar edhe ai atë që ka përjetuar, atë ferr që e ka përfytur. Kumti i tij është ligjërimi i një zemre që kah qielli ai sheh paanësinë e prehjes naltuese të shpirtit të trazuar.
Disa poezi nga Gëzim Murajza
Fishkëllima bordurash
Ti nuk e ke provuar, miku im
Peshën e valixhes
Tek mbetesh në stacion,
Se dyert nuk t’i hapin trenat,
Dhe pse vijnë e ikin
Qindra.
Ti nuk e ke provuar, miku im
Ta pish bashkë me cigaren, pluhurin,
Ulur bordurave
Ditëve që të vdesin ndër sy
Dhe netëve që të vijnë të vdekura
Tok me ëndërrat e ngrira.
Ti nuk e ke provuar, miku im,
Të mos ia dish tingëllimin qeshjes
E lotin ta kesh
Zgjidhjen tënde
Kur shtëllunga dhimbjesh
Ta shtrëngojne shpirtin.
Ti nga përtej gotës, miku im,
Tek më sheh
Vetëm pyet,
Ç’shije ka bordura?!
Rruga për kah dalja
Rruga për kah dalja
Këndej nuk është
Të paktën
Jo kështu.
Ikje prej këtij ferri
Me vrap,
Me vrap,
Jo vetëm sot.
Rrugën për kah dalja
Në ty shihe.
Vrapo nëpër shpirtra
Shiko sa bosh janë rrugët!
Rruga për kah dalja,
Andej mbase është
Por jo kështu.
Pa ty
Helmuar nga vreri i mungesës,
Në këmbanat e zemrës
Thellë.
Tinguj malli,
Që jehojnë flladeve të djegur
Kohe.
Largësi,
Segmentuar nga shpresa pritjesh,
Me fund të padukshëm.
Djersitur nga spazma verdallosjesh,
Me emrin tend grimcuar nëpër buzë,
E sytë e mi,
Me të tutë veshur.
I tharë nga plasaritje ndjenje,
Në ditë-netët e arnuara me copa durimi
Mallin e ndjeva
Të griste e griste,
Poret
E shpirtit të sfiluar.
Prill ‘97
Kapërcim
Ikim
Atje në pyll?!
Ku vdekja vdes
Nën tehun e jetës.
Atje,
Ku lulet kurrë nuk vyshken,
Veç dehesh
Aromës së tyre,
Ku zhurmat heshtin
Dhe erë njerëzish nuk vjen.
Atje
Ku përëndimi
Është gjithmonë
Po aq i bukur,
Sa lindja,
Ku erërat
Stuhi nuk sjellin
E shiu veç te përkëdhel.
Kur paraja nuk hyn
E bagëtia ulet
Tok me ty në sofër.
Ku mes kafshësh
Argëtohesh
Ashtu si kurrë
Mes njerëzish.
Atje,
Ku këndohet
Me muzikë gjethesh
E me puthje nuk ngopesh.
Ku dashuria
Të valon arteriesh
Pambarimisht.
Atje si në shtëpinë e pare,
Si thua
A ikim?!
Këmbët e zbathura
Asfaltit të ndryshkur pluhurit,
Rënkojnë çapet
Në ecje pa jetë
Pa start e finish.
Ecje të rënda
Të ndjekin,
Ecje përbuzëse
Të lënë pas
Të verbuarish.
Këmba jote
E zbathur,
Këpuca para saj
Gjeth i tharë.
E zbathur
Asfaltin e trondit,
Njerëzit jo.
Njerëzit krihen,
Lustrës së këpucëve,
Në këmbët e zbathura
Që asfaltin fshijnë,
Veç pështyjnë.
Ata që ikën
Rendje,
Pa përshendetje pas,
Besimtar
Te nje rikthimi
Vetëm me qiell
Qëruar nga retë.
Pritje a jo?!
Për ata
Që lamtumirë nuk thane
Me shpresën
Që ky shekull
Është i fundit
Diktator!
Në Këtë qytet
Veç ngricë
Në shpirtin e këtij qyteti
Ku njeriu
S’guxon të jetë i lumtur.
Veç dimër.
Dëshirat,
Baltosur
Skutave të këtij qyteti
Që dashuritë t’i quan
Kurvëri.
Dhimbjet,
Kurohen
Me të tjera dhimbje,
Në këtë qytet
Kur meskiniteti
Qelbet erë.
Fëlliqësirë
Dejeve të këtij qyteti,
Ku njeriu
S’guxon të jetë i lumtur.
Vizitë në atdhe
Gjithsaherë kthehem tek ti
Sjell me vete
Mendimin gozhdë
Se ikja e fundit
Ishte rrënoja e fundit
E apokalipsit
Të shekullit të zhuritur
Në mua.
Do të qëndroj
Është e ardhmja
E së tashmes së fikur
Në një dashuri të shpëlarë
Nga përrenj ndjesisht të reja.
Ështe e ardhmja
E së tashmës së fikur
Në një mall të pështyrë
Buzësh që nënqeshin ironisht.
Ështe e ardhmja
E së tashmës së fikur
Në nje ideal të pjerdhur
Bythësh që ulen
Kolltuqesh të lartë,
E mendimi im i madh,
Tërhiqet kokëposhtë,
Si një masturbim
Mbetur në tentative.
Shkodër – Torino
Tetor 2003
Nuk harroj të të dua
Unë bëhem i idhët
Kur mbulohem
Prej vargut të trishtimit,
Por nuk harroj të të dua
Dhe pse mbetemi pa fjalë
Para se të mbyllim kapakët e syve
Te ditës në fashitje.
Ti qan
Për heshtjen time
Kur thua se braktisja
Është kopili
Mbetur në derën
E zemrës së zhuritur ndjenjash,
Por jo gjithmonë kush hesht
Nuk ka cka të thotë.
Nuk harroj të të dua
Edhe pse shpesh dehem
Ndër kabare ëndërrash
Ku kërcehet gjtihnjë e më lodhshëm.
Mund të mos jem
Kur jam,
Mund të jem
Kur s’jam
Por të të dua
Nuk harroj kurrsesi.
Epokë moderne
Kënaqësi
Hipur kale
Mbi shpatullat e dhimbjes,
Dehur nder avuj përbuzje,
Pë gotën boshe
Të tryezës përballë,
Shtyrë në qoshe të moskokëcarjes
Qytetërim krenar,
Në të sotmen e lustruar
Në pasqyrën e ndritshme
Të moralit të pastër,
Vajzë të ciltër
Kurvërisht!
Përse-të s’na duhen
Mos kërko përse
Flaka e dashurisë
Na përpiu një ditë,
Dashuria nuk ka arsye
Është thjesht dashuri.
Nuk ka pse të rënkojmë
Për ndarjet, humbjet,
Nuk kemi kohë
Të lind ndër ne syth trishtimi,
Jemi bimë mbjellur në erë.
Në tempullin e dashurisë
Kemi kënduar dhe ne,
E tingujt mbase vdesin një ditë,
Mos harro vajzë,
Jam tingulli i mbramë
Që vdes në ty.
Asht momenti!!!
Asht momenti
T’ia vëmë emnin botës!
Diplomacies gjumi i asht prishun
Nga andrra klandestine
GLOBAL apo NOGLOBAL!
Linja komunikimi për të njohun
Humnerat më të errata të universit,
Ndërsa nana ime
Shpesh në telefon qan,
Deshirës së pamundun
Me u pa,
E unë nuk gjej arsye
Përse të mos shurrohem
Ngeshëm,
Mbi titullin e gazetës,
Ku një diplomat deklaron
‘’po ndërtojme të ardhmen!’’
A nuk asht momenti
Ta ç’pijmë botën?
Torino, Itali
Mars 2002