- Fehmi Ajvazi/ Letër – ese (3): PËR DY FYTYRAT E NJERIUT: Gjithmonë anticivilizimi dhe anarkia ideo-shkatrruese, ka qenë pjesë e egër e njeriut, përgjasimi më konstant me instiktet e kafshëve. “Bota jo civilizuese” e domenit individual dhe kolektiv, është errësira më stigmatizuese që njohim. Dobësitë e çmendura njerëzore, janë produkte të paqëndrueshme të vetëdijes dhe pjella të jo civilizimit të mbushura me atome errësire dhe mizori. Absolutisht, s’kishim të bënim asnjëherë vetëm me logjikën dhe veset individuale të së keqes përkundrazi, pati epoka kur shkalloi në thellësitë e detit famëkeq-kriminal një grup, një krahinë, një shoqëri, një regjim, një popull, një rend kulturo-politik etj. Kur për shembull Antikiteti lejoi të ndikohet dhe të pushtohet nga kulturat injorante dhe ideo-destruktiviteti, kur lejoi të ndikohet nga modeli i koncepteve degjeneruese dhe imorale, kur lejoi të ndikohet dhe të pushtohet nga klasat e mentalitetit të egër–barbar që dolën prej shpellave e kasolleve, ky (Antikiteti) u rrëzua në humnerë varri ! Ra, të mos ngrihej kurrë më. Nuk u rrëzua antikiteti si kohë dhe si histori, por si civilizim dhe si zhvillim kulturo–politik e më gjerë…(fq. 3)
- Fatime Kulli/ ARBEN DUKA, LIRIKU I PAPËRSËRITSHËM ( Recension): Arben Duka, poeti tashmë shumë i njohur, shumë i dashur i artit të fjalës poetike, ka ngritur një kult të tijin, të rëndësishëm në panteonin e letërsisë dhe këngës shqiptare. Arbeni, ka ekzaltuar qindra e mijëra dashamirës së këngës, ndër vite me lirikat e tij të ndjeshme e të prekshme. Arbeni është autor i shumë librave me poezi që janë lirika të mirëfillta të stilit klasik, duke të kujtuar me stilin e tij, korifenjtë e lirikës klasike si Gëte, Petrarka, e tjerë. Kur shfleton fletët e librave poetik të Arbenit, prek copëza jete, ndjen dihatje shpirtërore. Duke hulumtuar nëpër poezi, çelësi i i shijes portretizon lirikat lëndëzuese të dashurisë njerëzore…( fq. 4)
- Intevistë/ KY, QË DO TA ZËVENDËSOJË PAVAROTIN...! (Saimir Pirgu, një nga tenorët më të mirë botërorë ). Mbaj mend se fjalët e mia të fundit drejtuar prindërve të mi, përpara largimit nga Shqipëria ishin: “Mos prisni të kthehem. Fitova s’fitova do të rri atje”. Në Bolzano pata bërë kërkesë për t’u pranuar dhe ju nënshtrova konkursit. Komisioni i vlerësimit ishte i përbërë nga dhjetë persona. Në atë garë, dola i pari. Kursi i studimeve të larta për kanto në konservatorin e Bolzanos zgjatë pesë vjet. Unë arrita ta përfundoj, me rezultate të shkëlqyera, brenda 2 viteve të para. Gjatë asaj kohe më është dashur ta studjoj çdo lëndë veçmas, me profesorët e mi, pasi asnjë nga studentët e tjerë nuk ndiqte ritmin tim. Studioja shpejt edhe për arsye të faktit se, në atdhe, familja ime po përballej me probleme ekonomike. Mbështetja e tyre nuk më ka munguar kurrë. Ata më patën dhënë gjithçka që kishin mundësi të më jepnin, madje kishin shitur edhe shtëpinë për të financuar studimet e mia. Kjo ishte për mua një përgjegjësi e madhe, ndonëse prindërit e mi nuk ma kanë përmendur kurrë. Kështu, me paratë e para të fituara bleva një shtëpi në Tiranë për familjen time. Në vitin 2002 fitova dy çmime të rëndësishme, “Enrico Caruson” në Milano dhe “Tito Schippan” në Lecce. Secili çmim shoqërohej me nga 10 mijë euro. Me këto para si garanci mora huanë e parë bankare që më mundësoi financimin e blerjes së apartamentit. Suksesi profesional i kësaj periudhe, flasim për vitet 2003-2004, u shoqërua edhe me rritjen e të ardhurave ekonomike. Dhe këtu më lindi një problem i paparashikuar. Prindërit e mi nisën të shqetësoheshin për burimin e të ardhurave të ia. Im atë kishte dyshime serioze përsa i përket përfundimit të studimeve…( fq. 5-6)
- Sarë Gjergji/ PLATONI PËR ARTIN ( Studim): Platoni, në rini ka qenë poet, por ai nuk ka shkruar qoftë edhe një traktat të vetëm, ose një dialog, me një fjalë nuk ka shkruar një vepër në të cilën do të shprehte pikëpamjet e veta mbi poezinë dhe llojet tjera të artit. Pikëpamjet e tij ai i ka shprehur në një kontekst shumë më të gjerë dhe, në kuadër të çështjeve të tjera të rëndësishme për filozofinë e tij. Në këtë mënyrë, ato pikëpamje krijojnë përshtypjen e gjërave të shpërndara, mendimeve të shkëputura, mbi disa probleme të cilat në një moment të caktuar duke qenë pjesë e një veprimi më të gjerë, e kanë preokupuar vëmendjen e tij…(fq. 9-10)
- Naime Beqiraj/ E AKODRUAR SI PIANO E MIRË… ( Bisedë me pianisten Ardita Statovci): Pa dyshim se është njëra nga artistet e Kosovës që ka bërë emër të mirë në skenën ndërkombëtare. E lindur në Prishtinë më 2 mars 1982 është vajza e vogël e dy profesorëve të nderuar të Universitetit të Prishtinës Ejup dhe Drita Statovci. Sukseset e saj në lëmin muzikor, sot janë të pashembullta për një shqiptare. Që nga mosha tetë vjeçare ajo filloi të vijojë mësimet në piano te Hadije Gjinali në shkollën e ulët të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, duke kryer vitin e dytë dhe të tretë në një vit shkollor – gjë që e përsëriti edhe në klasën e shtatë dhe të tetë të shkollës fillore që e ndoqi paralel me shkollën e muzikës. Dy herë është shpërblyer me çmimin “Talenti Kosovar”. Në moshën 14 vjeçare ajo u paraqit në koncertin e saj të parë solistik, ndërsa në moshën 15 vjeçare u pranua në Akademinë e Arteve në Prishtinë të Universitetit të Prishtinës. Më 12 tetor 1997 u paraqit në koncertin e saj të parë në Austri nën patronazhin e Shoqatës për Teatër Muzikor në Vjenë. Në moshën 15 vjeçe pranohet në Universitetin me renome botërore „Mozarteum“ në Salzburg të Austrisë, ku në vitin 2004 ajo diplomohet në klasën e Christoph Lieske. Në gusht të vitit 1999 në Ëolfsegg, Austri, për një periudhë mjaft të shkurtë realizon pjesën solo në piano dhe udhëhoqi performimin e parë të Baletit “Come Una Danza” të Richard Adamas, të kompozuar nga Kurt Rapf me rastin e 25 vjetorit jubilar të Seminarit të Baletit të Shoqatës për Teatër Muzikor, duke shënuar një sukses senzacional, gjë që e përsërit në Gusht të vitit 2000 me Játékok nga G. Kurtág dhe me 2001 me “Humoreske” nga Schumann (gjithashtu në koreografi të Adamas…(fq. 13)
- Pro Art/ YLLKA SHEQIRI, SHPALLET AKTORJA MË E MIRË: Krijuesja e re Yllka Sheqiri, është autore e dy përmbledhjeve poetike në gjuhën suedeze ”Jag lyssnar inte alltid” ( Unë dëgjoj jo gjithmonë/ 2005 dhe ”Men” (Por/ 2008). Yllka, është e prezantuar në përmbledhjen antologjike Via Mystica (Përmes mistikës) nga autorët Jonas Eek, Stefan Klint, Beata Ahrman-Ekh në botim të SHB “Verbum” dhe në antologjinë ”Revansch 2008”, botim i SHB ”Skrivarsidan” dhe “Vullkan”. Me krijimet e veta, Yllka është prezantuar edhe në librin shkollor ”Urat tona” si dhe në disa antologji të tjera. Yllka Sheqiri, aktualisht është studente e dramës, filmit dhe skenarit dhe ka realizuar filmin e saj të shkurtër artistik “Në pus pa fund” (2008). Skenarin dhe regjin, Yllka i ka realizuar vetë, duke luajtur edhe rolin kryesor. Me këtë film, ajo konkurroi në Festivalin e dhjetë jubilar të filmit të shkurtër artistik “Alfredgalan 2009”, që u mbajt në Solvesborg të Suedisë. Juria e këtij festivali prej rreth tridhjetë filmave, zgjodhi 15 për konkurim duke marrë edhe filmin e Yllkës. Pas shfaqjes së filmave të zgjedhur, juria profesionale e festivalit ndau shpërblimet në shtatë kategori: për skenar, aktrimin, film junior, film senior, fotografi, videomuzikë dhe zgjedhjen e publikut. Yllka Sheqiri, u nderua nga juria me çmimin për rolin e Violes në filmin saj “Në pus pa fund”…(Fq. 20)
- Në këtë numër mund të lexoni shkrime të tjera: poezi, tregime, studime dhe informacione të rëndësishme kulturo – letrare…
• Redaksia e gazetës KALENDARI LETRAR, ju fton për bashkëpunim. Faqet e KL janë të hapura, pa censurë, në shërbim të artit, letërsisë dhe kulturës në përgjithësi.
Me respekt
Fehmi Ajvazi / kryeredaktor
etnik70@hotmail.com - kalendari.letrar@yahoo.com
Mob. 044. 159-023
Prishtinë /
8 qershor/ 2009