INSTITUTI ALB-SHKENCA
TAKIMI I TRETË VJETOR I INSTITUTIT ALB-SHKENCA
3RD ANNUAL MEETING OF INSTITUTE ALB-SHKENCA
Tiranë, 1-3 shtator 2008 / Tirana, 1-3 September 2008
Hotel Tirana International
DEKLARATË PËR SHTYP
Tiranë, 31 gusht 2008
Instituti Alb-Shkenca (IASH) – strukturë që bashkon shkencëtarë shqiptarë nga mbarë hapësira shqiptare dhe e gjithë bota - organizon në Tiranë, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2008 në Hotel Tirana International Takimin e tij të Tretë Vjetor Ndërkombëtar.
Në Takimin e Dytë të Institutit Alb-Shkenca, organizuar vitin e kaluar në Prishtinë, morën pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia si dhe nga SHBA, Belgjika, Gjermania, Austria, Hollanda, Spanja, Italia etj. Aty u paraqitën 123 kontribute shkencore nga fushat e albanologjisë, drejtësisë, ekonomisë, teknologjisë e inxhinierisë, bujqësisë e mjedisit, mjekësisë e shkencave të natyrës.
Në kuadër të Takimit të sivjetëm, tema-bosht e të cilit është “Shkenca në shërbim të shoqërisë shqiptare” do të mbahen dy seanca plenare, një cikël prej tetë konferencash shkencore ndërkombëtare (me gjithsej 29 simpoziume), një konferencë për projektet shkencore të programeve të financuara nga dhurues të ndryshëm si Komuniteti Evropian e agjenci të tjera ndërkombëtare dhe një simpozium i veçantë kushtuar jetës e veprës së akademikut Remzi Bakalli. Pjesë e këtij Takimi është edhe Konferenca “Mbi monitorimit e ndotjeve dhe të zhvillimeve energjetike në hapësirën mbarëshqiptare” e mbajtur në datat 28-29 gusht 2008 në Prishtinë.
Takimi III Vjetor Ndërkombëtar i Institutit Alb-Shkenca përbën pa dyshim aktivitetin më të madh shkencor të organizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Ky Takim do të bashkojë shkencëtarë shqiptarë e të huaj nga më shumë se 180 universitete, institute dhe qendra kërkimore të hapësirës mbarëshqiptare e asaj botërore. Marrin pjesë studiues nga pothuaj të gjitha universitetet publike e private dhe institucionet e strukturat kërkimore-shkencore të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, nga një numur i madh universitetesh të botës (nga universitetet e Oksfordit, Mynihut, Torinos, Braunshvaigut, Regensburgut, Darmshtadit, Vjenës, Goningenit, Rozenhaimit, Bolonjës, Drezdenit, Vitenbergut, Napolit, Ultrehtit, Kuvajtit, Karlsruhes, Kozencës, Jenës etj.), nga institute kërkimore të avangardës shkencore në nivel botëror (Laboratori Kombëtar Pacifik Northwest -ShBA, Instituti Katalan i Nanoteknologjisë -Spanjë, Qendra e Shkencave të Jetës dhe të Ushqimit -Gjermani) etj.
Në Takimin e Tretë Ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca pritet të paraqiten 472 kontribute shkencore nga fushat e shkencave albanologjike (60), të bujqësisë dhe mjedisit (108), të drejtësisë (13), të ekonomisë (52), të shoqërisë dhe politikës (24), të teknologjisë dhe inxhinierisë (70), të mjekësisë (41) dhe natyrës (59).
Do ta nderojnë Takimin III Vjetor Ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Republikës së Kosovës.
Instituti Alb-Shkenca është plotësisht i bindur se Takimi i tij i Tretë Vjetor Ndërkombëtar do t’i japë një shtysë të ndjeshme bashkëpunimit të shkencëtarëve shqiptarë kudo ata ndodhen. Ne gjithashtu kemi bindjen se qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës si dhe strukturat vendimmarrëse akademike, shkencore, politike e publike të të gjitha niveleve në tërë hapësirën shqiptare do të shfaqin interesimin e duhur për ta funksionalizuar në mënyrën më të frytshme potencialin e jashtëzakonshëm të masës së madhe të shkencëtarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë kudo në botë, një pjesë e mirë e të cilëve është e organizuar tashmë përreth Institutit Alb-Shkenca.
Instituti Alb-Shkenca falenderon dhuruesit e Takimit të tij të Tretë Ndërkombëtar: Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës nën drejtimin e ministrit (tani zv.kryeministër) z.Genc Pollo, Ministrinë e Mjedisit, Kryeministrinë, programin “Brain Gain” të UNDP-së, Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, Universitetin UFO, Kompaninë austriako-kosovare AUKOS Genetic LLC (Shtime, Kosovë) si dhe individët, pa mbështetjen financiare dhe infrastrukturore të të cilëve ky tubim i madh shkencor nuk do të bëhej i mundur.
Zyra e shtypit e Institutit Alb-Shkenca
Vizitoni: http://www.alb-shkenca.org/