| Zemra Shqiptare | ||||
|
Muharrem Sfarqa: Merkel - Sarkozy një duet harmonik për Evropën e Bashkuar E enjte, 01-05-2008, 05:28pm (GMT)
Merkel - Sarkozy një duet harmonik për Evropën e Bashkuar Nga Muharrem Sfarqa Aachen, e enjte, 1 maj - Qyteti i Aachenit të Gjermanisë sot ishte mikpritës i një numri të madh burrështetasish të Evropës, të cilët morën pjesë në ceremoninë solemne të ndarjes së çmimit më prestigjioz të Evropës "Karli i Madh", i cili kësaj radhe iu dha kancelares gjermane, Angela Merkel. Në mesin e të pranishëmve ishin: Shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, Komisioneri evropian, José Manuel Barroso, Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, Mbreti i Spanjës, Juan Carlos, Kryeministrat e Belgjikës, Holandës dhe Luxemburgut, Ministrat e punëve të jashtme të Sllovenisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, ambasador e konsuj të shumtë, ish-kryetar shtetesh e ish- kryeministra, si : Roman Herzog i Gjermanisë, Wolfgang Schüssel i Austrisë, Campi i Italisë e Geremek i Polonisë dhe shpura të gjëra parlamentarësh e bashkëpunëtorësh evropian. Kryebashkiaku i Aachenit, Dr. Jürgen Linden pas fjalës përshëndetëse, në arsyetimin e dhënies së këtij çmimi për zonjën Merkel, përmendi kontributin e saj të jashtëzakonshëm në krijimin e vazhdueshëm të klimës evropiane dhe frymën integruese në të gjitha sferat, si dhe avancimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut në kontest të së cilës përmendi takimin e saj me liderin e Tibetit, Dalai Lama. Presidenti i Frances, Sarkozy, e cilësoi zonjën Angela Merkel si një grua të guximshme, e cila, edhe pse la pas vetes një sistem të vjetër në Gjermaninë Lindore, u bë shembull se si luftohet për vlerat njerëzore, për të mirën, modernen dhe universalen. Ajo për mua, - tha ai, është një sinonim përkushtimi dhe unë bashkohem me të për realizimin e këtyre synimeve të mëdha, duke marrë barrën e gjeneratës për të flakur të kaluarën historike të luftërave, meqë Evropa e Bashkuar është garancia më e mirë për arritjen e synimeve dhe mbrojtjen e vlerave njerëzore. Në falënderimin e saj, Znj. Merkel tha se pikësynim yni duhet të jetë që Kushtetuta Evropiane të votohet dhe të aprovohet nga popujt evropianë para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës, që mbahen në fund të vitit të ardhshëm. Në fund të ceremonisë, të pranishmit dolën para qytetarëve të tubuar në sheshin e qytetit , ku ishte organizuar transmetimi i manifestimit në televizion. Të përmendim se dhënia e këtij çmimi daton nga viti 1950, ndërsa midis laureatëve të tjerë ishin edhe presidenti amerikan, Klinton, Premieri anglez, Blair dhe Kryediplomati evropian, Havier Solana, të cilëve, ky çmim, u është ndarë për merita ekskluzive në ndaljen e luftës dhe vendosjen e paqes në Kosovë. Ky solemnitet u transmetua nga televizionet shtetërore gjermane dhe u përcoll nga një numër i madh gazetarësh të vendeve të ndryshme. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||