| Zemra Shqiptare | ||||
|
Kur xhirohet një film E hene, 30-07-2007, 07:53pm (GMT1) Dyert e Kinostudios janë hapur sërish. Pas 15 vitesh aty është duke u xhiruar “Sekretet e një të çmenduri”, filmi më i fundit i Spartak Pecanit. Ne kemi shkuar në sheshin e xhirimeve dhe ja se ç’kemi zbuluar
Regjisori Spartak Pecani do të ishte i pari ai që do të hapte derën e madhe, ndërsa do të priste njëherazi sqarimet përkatëse. Brenda qetësi dhe freski të përziera të dyja me aromën e rëndë të mykut. Duket si një botë krejt tjetër kjo endje e frikshme në këto dhoma të harruara nga koha. Qetësia e ftohtë dhe muret thuajse ngjyrë grije si gëlqere e skaduar dhe vizatimet prej grafiti atje, të ngjallnin frikën e diçkaje. Përballë një avion grafiti, më tej një vajzë a djalë që mbante një qen të lidhur dhe më pas një çift i kapur prej dore. Ndoshta një histori e tërë. Në pavijonin e fundit në të majtë ndodhej mensa dhe përbri saj reparti i ekzaminimeve. Tinguj të thatë hapash sërish. Nga e djathta e tyre shihet dera e mbyllur ku ishte shkruar sipër: Pavijoni i grave dhe më tej me gërma të mëdha: “Qetësia shëron të sëmurin”, “Këtu ka pastërti”. Gjithçka të ndjell frikë këtu. Heshtjen e thyejnë vetëm disa tinguj kordash njerëzore, që dëgjoheshin si pa kuptim së largu, brenda pavijonit në një qoshe të tij. Përmes kangjellave të hekurta jeshile që i ndanin pavijonet, dalloje përmes hapësirave të tyre krevatet e rreshtuar njëri pas tjetrit, dikush me çarçafë të zverdhur dhe të tjerë vetëm mbi dyshekë. Të dukej si një burg kjo e djathta e kësaj hapësire të zbrazur dhe zbehjes së dritave të verdha pa abazhur. Por hyrja më tej në pavijonin kryesor dhe ngatërrimi i këmbëve në kabllot që ishin shtruar mbi pllakat e krisura, të jepnin idenë se diçka po ndodhte. Njerëz. Disa qenie që vuajnë pasojat e një realiteti kaotik. Kishin fituar edhe ata pas shumë vitesh lirinë që i dha demokracia, por kishin mbyllur veten në vetmi, me dëshirë apo jo. Një ish-oficer sigurimi, një psikiatër, një psikologe dhe disa të tjerë. Të gjithë, kush më pak apo më shumë kanë mbetur të paaftë për të marrë në dorë fatin e tyre. Të verbër, të sëmurë, të drobitur dhe njëkohësisht të humbur në hapësirat e vetmisë ndërsa kalojnë papritmas nga gjendja e terrorit në gjendjen e kaosit. Maniakë të persekutimit, paranojës apo fiksimeve. Mendja e tyre gati e tretur nga neuronet endet ashtu, sikur flet me dikë, të stisur me pizhamet me vija përqark shtratit të ndryshkur, që mbulohen nga batanijet e zgjebura dhe rrethimit të mbishkrimeve në mure. Kupton mjaft mirë ç’po ndodh me të gjithë ne, edhe pas shumë vitesh që pas ardhjes së demokracisë. Askush nuk ka më kuriozitet, si dikur që përpiqeshin të zbulonin shkaqet si edhe mjeku Ndriçim Xhepa. Madje edhe ajo femra e re që u përpoq të zbulonte pak e nga pak u ndalua pikërisht nga bluzat e bardha. Sërish krevate njëri pas tjetrit. Enver Petrovski, një ish-oficer sigurimi i shtrirë në krevat me pizhame me vija dhe fliste me veten për ato grada të marra dhe të hequra brenda ditës, përsëriste pa pushim: “Organet e sigurimit të bëjnë punën përkatëse”. Pranë tij Neritan Liçaj, dukur i punësuar për vidhosjen e bulonave të bustit të diktatorit Hoxha, pësoi ngritjen dhe rënien, dashurinë e humbur dhe mbijetesën i harruar nga të gjithë. Të dy gjenden të shtruar dhe si gjithë personazhet e tjerë brenda këtij pavijoni çdo një tregon historinë e tyre. Neritani apo Landi siç njihej në film, griste copa gazetash dhe i vinte në varg një e nga një për t’i përdorur më pas si letra higjienike, ndërsa leh pafundësisht ashtu si i shpëtoi policisë fillimisht, por jo edhe infermierëve të psikiatrisë së këtij institucioni. Ermela Teli, dikur mbante emrin Veronika, por përngjisja e saj me “Veronika kërkon të vdesë” ndoshta do të shtonte më shumë trishtimin dhe ngatërresën. Tashmë quhet Era. Realisht u ndje edhe ajo për pak çaste në brendësinë e tyre dhe që s’mund ta përballonte më studimin e këtyre qenieve njerëzore. Ishte shumë e re për të kjo botë tjetër, që nuk lejonte nxjerrjen e sekreteve. Personazhi tjetër, por jo i fundit, është qenushi i racës franceze, i stërvitur nga Tahir Baçova për shtatë muaj rresht. Me çakun në dorë dhe fletët e skriptit të lëna mbi një nga shtretërit, Ardita Mullai, vajza bionde kaçurrelse që dikur prezantonte programin e TVSH-së, rinis skenën reale 261 dhe roll 50: “Qetësi... Po xhirohet! Motor…dhe Aksion!”. Rikthimi në pavjonin e Kinostudios
Risitë e sekreteve të të çmendurve Gjithë teknika e këtij filmi, i cili ka filluar xhirimet më 11 maj me titullin e përkohshëm “Sekretet e një të çmenduri”, po realizohet për herë të parë në Shqipëri me anën e pajisjeve dixhitale. Një kalim direkt në hard-diskun e një kompjuteri dhe më pas thjeshtëzohet puna për hedhjen në fazën përfundimtare në një film negativ 35 mm për kinema. Kjo teknikë kompjuterike nuk do të krijonte humbje në imazhe. “Gjithsej janë realizuar pesë filma në botë dhe ky është i pari në Evropë me këtë metodë”, shpjegon Pecani. Kamera e lëvizshme nga Marc Andre Hupfeld do të jetë e pranishme e inkuadruar nga sytë e çdo personazhi, duke krijuar emocione të papërshkrueshme të skenave të trishta. Ajo do të japë ndjesinë e prekjes me dorë të personazhit, të futet thellë brenda grahmës së tyre, brenda syve dhe shpirtit, apo shprehisë së asaj çka ndjejnë ata realisht dhe përjetimit të vetmisë në pavijonet e rrethuara nga kangjellat. Stativi pritet të përdoret vetëm në planet e imëta apo detaje. Vetë kamera do të jetë në këtë mënyrë syri, që do të largojë ftohtësinë dhe klasiken për gjithë këta personazhe. Vetë aktorët kanë përjetuar çdo një prej roleve të tyre të ngjashme në film, në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, ku edhe do të zhvendosen së shpejti për disa ditë xhirimet. Vetë regjisori Pecani dëgjoi dhe pa atje një grua të sëmurë mendore, e cila lehte duke përdorur shtratin si një kolibe imagjinare. Të tjerat do t’i zbulojë vetë premiera e këtij filmi 40-ditorësh që ndodhet në pragun e një filmi artistik apo dokumentari. “Nga afër askush nuk është normal”, do të kujtohej një shprehje e lexuar në stendën e një muri të lyer me gëlqere. Ulërima, frikë, rënkime, fjali pa lidhje dhe histori pa auditor... Edmond Prifti - Jeta
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||