| Zemra Shqiptare | ||||
|
Kur aktoret e medhenj shqiptare flisnin kinezce E enjte, 15-02-2007, 06:14pm (GMT) Jehona e filmave të vjetër shqiptarë vazhdon të dëgjohet ende në Kinën e madhe. Dikur ata ishin dhuratë e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, e megjithatë të sukseshëm në një publik të gjerë. Madje aktorët e njohur, si Ndrek Luca, Englantina Kume apo Elida Cangonji, i sheh të flasin kinezçe. Në fakt janë zërat e dubluar të tyre. Ata janë figura të adhuruara, sidomos për më të vjetrit. Ndonëse sot Kina është një vend me një hov të madh zhvillimi, e cila me vendin tonë ka më shumë lidhje tregtare dhe pothuajse aspak artistike, kinezët vazhdojnë të ruajnë nostalgjinë e filmave shqiptarë. Së fundmi, me kërkesë të tyre, disa prej këtyre filmave janë nxjerrë nga arkivat për t'u shfaqur në televizionin më të madh kinez, CCTV 1. Kësaj i paraprin edhe një emision televiziv, i cili çdo të shtunë sjell "Nostalgjinë e filmave artistikë". Regjisori Ylli Pepo, i cili ka vetëm pak ditë që është kthyer nga Kina, tregon për këtë projekt. Vajtja e tij përkoi njëkohësisht me dy aktivitete. Pepo ishte i ftuar në emisionin "Nostalgjia e filmave artistikë", por njëkohësisht edhe për të realizuar një film dokumentar mbi Kinën e sotme, në vazhdim të filmit "Kina", të cilin ai e realizoi 33 vjet më parë. "Pas filmit "Kina", i pari film me ngjyra në Televizionin Shqiptar, 33 vjet më pas ne u ftuam të realizonim një film dokumentar për ndryshimet e Kinës së sotme. Gjithashtu, realizova edhe një intervistë të gjatë në Televizionin Qendror Kinez, në një emision të drejtuar nga gazetari i njohur, Jun Zhung Zhu për nostalgjinë e filmave shqiptarë. Publiku shfaqte një interes të madh ndaj tyre. Filma si "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Rrugë të bardha", "Toka Jonë", "Oshëtimë në bregdet", ishin nga filmat më të ndjekur në ato kohë në Kinë dhe kudo që të shkoje të kujtonin këto filma shqiptarë me të cilit ishin rritur e i kishin parë disa herë", - tregon Pepo. Të ftuara ishin edhe dy aktoret shqiptare, Elida Cangonji(për rolin e saj në filmin "Rrugë të bardha" me regji të Viktor Gjikës) dhe Eglantina Kume (në rolin kryesor në "Ngadhënjim mbi vdekjen", të regjisorëve Gëzim Erebara, i sapondarë nga jeta dhe Pirro Milkanit), për të folur për rolet e tyre. Për Pepon filmi shqiptar po përjeton një tjetër ringjallje në Kinën e sotme. Ndërsa suksesin që kanë këto filma te publiku kinez, Pepo e shpjegon jo vetëm me faktin se filmat shqiptarë dhe ata nga Koreja e Jugut ishin të vetmit filma të huaj që shfaqeshin në ato vite, por edhe për cilësinë e tyre artistike, "Filmi ynë i vjetër i bërë nga Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani etj, duke hequr mënjanë kufizimet ideore, nga pikëpamja artistike ishte një film i pëlqyeshëm për të huajt si dhe në Evropë. Mjafton të përmendim që "Lulëkuqet mbi mure" apo "Përralë nga e kaluara", kanë fituar çmime në festivale prestigjioze, siç është Salerno", - thekson Pepo. Kinemaja sot Dokumentari Oliverta Lila
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||