| Zemra Shqiptare | ||||
|
Lamtumira e një artisti të shquar/Lec Shllaku (1921-2007) E enjte, 09-08-2007, 08:56pm (GMT1) “Vdekja nuk më tremb, vuajtja po!”
Pak rreshta u shkruan për të, ekrani nuk gjeti kohë të shfaqte diçka që kishte mbetur nga pasuria e tij e vyer. Në një vuajtje të gjatë fizike e shpirtërore, Lec Shllaku i tha lamtumirë kësaj bote, në moshën 86-vjeçare dhe u përcoll për në banesën e fundit mes lotëve të familjarëve, miqve e dashamirëve të qytetit të tij të lindjes. Shkodra i dha lamtumirën në hollin e Teatrit Migjenit ku u bënë homazhe pranë trupit të Lec Shllakut, në atë teatër që ai i kushtoi jetën e tij. Lec Shllaku është i dyti artist shkodran që ndahet nga jeta këtë vit, pas Vitore Ninos dhe i pesti pas aktorëve Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi. *** Lamtumirë, Artist (Në vdekje të Lec Shllakut) Nga Ardian Ndreca Fisnikëria e shpirtit, ndryshe prej asaj të gjakut, ka nji të mirë të madhe, mund të fitohet me forcat tona. Të tillë e kishte konceptue jetën e vet Lec Shllaku, zemra e të cilit rrahu deri në fund simbas ritmeve të nji harmonie të pashoqe që vetëm Muzat munden me falë. Fjalët e tija, ligjërimi i rrjedhshëm, hiri në shprehje dhe mendimet e pazakonta që mbërrinte më shpreh për artin, botën, njerëzit – banin që figura e tij të hreflektonte diçka tërheqëse dhe manjetike. E kam takue sa herë në vetminë e tij të shenjtë, gjithnji në tryezën e punës, herë me klasikët në dorë (i lexonte të gjithë në origjinal), herë me shkrimet e tija; por sa herë e takoja më linte përshtypjen se ai ishte sa këtu mes nesh po aq edhe në nji botë tjetër, me mendimet dhe me hijet e veta, me andrrat e pashprehuna, me kangët e pakëndueme ende. Deri diku arti i tij (e kam fjalën për krijimtarinë letrare), i botuem dhe i pabotuem, më jepte idenë se ishte shprehje e mungesave të kohës në të cilën ai kishte jetue, por në të njejtën kohë ai art nuk ishte ba për asnji çast shprehje e kohës së vorfën në të cilën ai jetoi. Lec Shllaku ka lind me 3 nandor 1921 në Shkodër dhe âsht rritë në nji hapsinë kulturore që i jepte randësí të madhe teatrit, koncerteve të bandës qytetse, karnivaleve, bejteve. Deri në vitin e parafundit ai ndoqi liceun "Illyricum", i cili mbahej prej Françeskanëve, ndërsa vitin e fundit e kreu në gjimnazin "28 Nandori". Leci ka hypë në skenën e teatrit qysh në moshën 12-vjeçare e mandej ka vazhdue edhe tue këndue si kangëtar solo edhe tue debutue te ai që ishte tempulli i parë i teatrit tonë: Teatri saverjan i Etënve Jezuitë. Në Shkodër ai âsht njohtë dhe ka luejt me mâ të mëdhajt aktorë që ka pasë vendi ynë, si: Zef Jubani, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Ndrek Shkjezi, Gjon Karma, Ana Kçira. Menjiherë në vjetin 1945 ai vuni në skenë nji pjesë të titullueme "Djersë dhe gjak", mandej vijon me punue me filodramatikën e Shtëpisë së kulturës, kurse prej 1949-'50 punon në Teatrin qendror të ushtrisë. Në këto vjetë njeh dhe përfiton shumë prej përvojës së vërtetë artistike të disa regjisorave sovjetikë që kishin ardhë me punue në vendin tonë, ndër të cilët veçohet regjisorja baltike Zinaida Andri. Prej vjetit 1951 deri në 1960 punon pranë teatrit të Shkodrës, i cili deri m'at kohë udhëhiqej prej Andrea Skanjetit. Në Shkodër punon me aktorët e mirënjohun Zef Jubani, Tinka Kurti, Antonjeta Fishta, Lec Bushati, Vitore Nino, Preng Lëkunda, Adem Kastrati. Fryt i këtij bashkëpunimi gjenial ishte edhe vumja në skenë e "Kopracit" me aktorin Zef Jubani në rolin kryesor. Premiera e shfaqjes u dha me 17/2/1952 dhe âsht e tepërt me ia kujtue këtu lexuesit suksesin që pati kjo shfaqje si edhe vendin e nderit që ajo ka në historinë e teatrit tonë. Arti për Lec Shllakun ka qenë vetë jeta. Para pak vitesh më tregonte: "Edhe kur i lodhun dhe i zhgënjyem, i sulmuem dhe i përfolun kryesisht prej cmiret, kam dashtë me e braktisë artin, m'âsht dashtë me u pendue e me i shkue mbrapa si qeni tue qa e tue u përlotë. Gjithmonë jam ndie i kërcënuem, gjithmonë kam qenë në nji ekuilibër të paqindrueshëm, tue jetue pezull mbi nji botë që lëvizte pa prâ në vlerat dhe në drejtimet e saja. Por, kam preferue mâ mirë me jetue pezull tue luftue sesa i venduem e tue lëngue". Arti, skena, regjia, letërsia kanë qenë për të nji vokacion, nji thirrje e madhe shpirtnore përpara së cilës kanë hesht nevojat dhe zanet e tjera të imta të kohës së vështirë në të cilën ai jetoi. Vëlla i nji njeriu tjetër të shquem të letrave tona, Gjon Shllakut, atij që përktheu mjeshtërisht në gjuhën shqipe "Iliadën" dhe tragjediografët grekë, Virgjilin dhe "Kangën e Rolandit", Leci i ishte kushtue tansisht vitet e fundit botimit të krijimtarisë së tij shumëvëllimëshe, të shkrueme e të ruejtun me shumë kujdes gjatë viteve të komunizmit, shumë herë tue përdorë - për gjanat mâ të rrezikshme - edhe kode të mshehta shkrimi. Ndihej i lumtun pse kishte ribotue monografinë kushtue aktorit të madh Zef Jubani, mandej poemën "Norja e Nika", studimin "Maska shkodrane", monografinë kushtue aktorit Loro Kovaçi, librin "Shtegtimi i monumenteve", përshtypjet e udhtimit me titull "Dy hapa në Perëndim", studimin kushtue artistit Palok Kurti, romanin "Plaka e harkoçi Miki", romanin "Historia e nji plage" e këto dite kishte pritë me gëzim daljen nga shtypi të vëllimit me poezi "Ngatrrim stinësh". Kur e pyeta nji herë a e kishte frikë vdekjen m'u përgjegj: "A e kam frikë vdekjen? Kam frikë vuejtjen, të cilën s'e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s'e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh. Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t'i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue ka qenë hupja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi. Kam banue për 15 muej në Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës, pak hapa larg vilës së Zogut. Atje kam përtri forcat e mija, kam thithë erën e sherbelës e të trumzës, kam përkëdhel me sy mrizat e zajet e bardha e prej tryezës seme të punës kam vërejt shtërngatat mbi liqé e borën që mbulonte dimnit Maranajn e Cukalin. Natyra, për vetë faktin që lind e vdes në mënyrë ciklike, i jep artistit nji entuziazëm të pashoq". Me këtë gëzim të shtruem, me shikimin e thellë e me mendjen e mprehtë – ai iku prej nesh, deri diku i pakënaqun prej shumë gjanave që i kishte pritë dhe mendue ndryshe në jetë, por i rrethuem në çdo lëvizje prej shikimit dashunor të së shoqes, e cila me nji dhembshuni të përvujtë kishte qenë lexuesja e tij e vetme për gati nji gjysëm shekulli. Arti dhe qenia e tij, fjala e tij e zgjedhun dhe ligjërimi klasik – e pikzojshin para syve të atyne që patën fatin me gëzue miqsinë e tij në nji njeri të kohnave të shkueme, në nji gjysëm murg e gjysëm kalorës mesjetar që donte me çue në vend nji amanet, nji premtim, nji fjalë. E at' fjalë, at' premtim Lec Shllaku dijti me e mbajtë në shumë faqe të mrekullueshme të krijimtarisë së tij letrare. "Edhe kur i lodhun dhe i zhgënjyem, i sulmuem dhe i përfolun kryesisht prej cmiret, kam dashtë me e braktisë artin, m'âsht dashtë me u pendue e me i shkue mbrapa si qeni tue qa e tue u përlotë. Gjithmonë jam ndie i kërcënuem, gjithmonë kam qenë në nji ekuilibër të paqindrueshëm, tue jetue pezull mbi nji botë që lëvizte pa prâ në vlerat dhe në drejtimet e saja. Por, kam preferue mâ mirë me jetue pezull tue luftue sesa i venduem e tue lëngue". "A e kam frikë vdekjen? Kam frikë vuejtjen, të cilën s'e kuptoj veçse në fund, kurse vdekjen s'e kam frikë, mbasi ajo e ka nji kuptim, bile shumë të madh. Nakël a pishman nuk më ka mbetë kurrgja, mbasi nuk kam bâ kurrë projekte që për me u realizue t'i kenë kapërcye fuqitë e mija. Ajo çka më ka idhnue ka qenë hupja e disa dorëshkrimeve dhe punimeve kur jam bajtë me shtëpi. Shllaku: Aktori, kjo qenie e mbinatyrshme Anila Dushi Vepra e një prej regjisorë të parë dhe të talentuar të teatrit shqiptar që Shkodra e përcolli dje me përulje Shkodër
Regjisor i talentuar, aktor i spikatur. Lec Shllaku pati si të përbashkët të gjithë aktivitetit të tij pasionin për artin e kulturën, punën e palodhur. Kjo vërtetohet me faktin se as në vitet e pleqërisë ai nuk reshti së punuari. Me një përkushtim e pasion të madh. Lec Shllaku u muar me shkrimin e historisë së teatrit shkodran, është autor i monografive kushtuar figurave të tilla të kulturës e skenës si Zef Jubani, Loro Kovaçi, Palokë Kurti, etj., duke hulumtuar rrugën e zhvillimit të komedisë shkodrane, ndërsa ka lënë prapa dhe një trashëgimni me vlera në fushën e krijimtarisë artistike si autor i disa vëllmeve me proezi e prozë, madje duke lëvruar dhe lloje të gjata të këtyre gjinive si poema "Norja e Nika" apo romani i fundit "Historia e një plage". Lec Shllaku mbetet autor i disa dramave, ndërsa kontributi i tij kryesor për artin është në regjinë e teatrit, një ndër të parët regjisorë shqiptarë. Në 5 vitet e fundit botoi plot 7 libra, një ndër të cilët, libri me përshtypje udhëtimi "Dy hapa në Perëndim" është botuar në italisht dhe greqisht. U lind në Shkodër më 3 nëntor të vitit 1921. Mbeti jetim nga babai që 4 vjeç. Bashkë me nënën dhe dy vëllezërit u rrit në shtëpinë e dajës, i cili ndonëse me profesion rrobaqepës, kishte hobi skenën, bejtet, karnavalet e sportet. Aty Lec Shllaku do të ndiente për herë të parë, joshjen ndaj arteve të bukura. Aty do të takohej me një pjesë të lëvizjes së pasur artistike amatore të Shkodrës. Në kohë karnavalesh shtëpia kthehej në prapavijë teatri. Bëheshin prova recitimesh dhe 34 makina qepëse punonin kostumet. Daja nisi ta merrte në premierat e teatrove. Kureshtja e Lecit për skenën bëri që ai të merrte pjesë dhe vëzhgonte provat e shfaqjeve që bëheshin në kinemanë-teatër "Shkodra". Në një intervistë të para disa viteve dhënë gazetës "Shekulli", Lec Shllaku rrëfente: "Filluan provat dhe aktorët i shihja si qenie të mbinatyrshme. Unë e adhuroja teatrin dhe fillova që bashkë me shokët e mi të bëja shfaqje teatrore nën shkallët e shtëpisë me çarçafë, rrogoza etj. Shpejt, shumë fëmijë filluan të vinin për të parë teatrin. Jeta skenike filloi në moshën 12-vjeç, më 4 tetor 1933 në një dramë me një akt. Pas luftës, në shtëpinë e kulturës fillova si aktor, shkrova vetë dramën "Djersë e gjak" dhe e vura në skenë. Me këtë pjesë Shkodra fitoi çmimin e parë kombëtar". Pas studimeve të larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës e më pas në Universitetin e Tiranës për Gjuhë- Letësi, Shllaku shkroi dramat "E vërteta", "Punëtori", "Njeriu më i madh" etj. Shkruan e vë në skenë disa prej tyre, dhe për një vit, 1949-'50 punon në Teatrin Qendror të Ushtrisë. Nuk mund të lihet jashtë kontributeve të Lec Shllakut, themelimi në vitin 1962 i teatrit "Skampa" kur e larguan nga Shkodra në Elbasan. Dhjetë vjet në Skampa. Një punë intensive. (Po botojmë disa nga fotot e tij gjatë punës në Skampa). Një nga pjesët që vuri në këtë skenë ishte "Njeriu që pa vdekjen me sy". Autori i saj, Viktor Eftimiu, i shoqëruar nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Bukureshtit, pasi e panë punën e bërë nga Shllaku, u shpreh: "Që nga viti 1928 kur e shkrova këtë dramë ajo është luajtur nga 30 teatro të ndryshëm, por pa dyshim më e mira është kjo e juaja. Edhe ndryshimet që regjia i ka bërë finales janë një gjetje e përsosur që unë dua ta përdor si mbyllje zyrtare përfundimtare në botimin e veprave të mia të plota." Në suksesin e kësaj drame ndikuan aktorët Robert Ndrenika, Haxhi Sejko, Shpëtim Shmili etj. Ka ndodhur që Shllaku ka punuar paralelisht me 3 drama si "Angjelo, tirani i Padovës" i Hygosë, "Berberi i Seviljes" i Bomarshesë dhe "6 dashnorët" e Arbuzovit. Ka vënë në skenë dramaturgji shqiptare dhe të huaj, por autorët klasikë ishin ata që e grishnin më shumë. Lec Shllaku tregonte se ka patur ëndrra në sirtar, vepra që për efekt të kohës nuk realizoheshin dot. "Nuk ishin fuqitë e plota dhe moderne. Teatri që nuk bazohet në një dramaturgji të mirë është teatër i falimentuar. Këto pjesë nuk viheshin dot në skenë sepse mungonin forcat interpretative dhe ndërhynte politika. Ishin preferencat e saj në repertorin e teatrit. Ku hyn politika hyn vdekja, pushka, thika, sepse ne nuk dimë t'i kujtojmë. Jo çdo gjë komuniste është e keqe dhe jo çdo gjë demokratike është e mirë" thoshte Shllaku. Lec Shllaku është aktivizuar dhe në disa filma si tek "Skenderbeu" në rolin e GjonKastriotit, tek filmi "Plumba Perandorit" në rolin e gjykatësit, tek "Yjet e netëve të gjata" në rolin e oficierti gjerman , tek "Qortimet e Vjeshtës" në rolin e priftit etj. Në vitet '90 ai ka marrë pjesë edhe te filmi "Larg barbarëve" i regjisores franceze me origjinë shqiptare Liri Begeja, dhe këtu në rolin e përkthyesit Jusuf Vrioni. Pas vitit 1990 i kushtohet të shkruarit. Ka lënë mjaft vepra në dorëshkrim dhe siç thoshte dhe ai vetë "kam në dorëshkrim mjaftfaqe me punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime, përshtypje udhëtimesh", ka dhe poezi të shkruara në vitet '40, se më vonë nuk këndonte dot më zemra. Gjithçka lidhet me Shkodrën. Ai është i vetmi qytet për të cilin mund të shkruash pa frikë se vë këmbën në minë. Arti ka të bëjë me të bukurën, estetikën, të gudulis kënaqësinë", thoshte artisti. Lec Shllaku, është cilësuar një personalitet i skenës dhe letrave shqipe, i cili ka dhënë një kontribut të shquar në themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës, te atij të Ushtrise, dhe Teatrit "Skampa" në Elbasan. Për këto Lec Shllaku është vleresuar me titullin e lartë "Artist i Popullit". Gazeta 55
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||