Zemra Shqiptare

Ndrek Luca
E merkure, 30-05-2007, 11:36pm (GMT1)

Ndrek Luca - madhështia e thjeshtësisë

Nga Rikard Ljarja

"Ndreka nuk kishte bërë ndonjë shkollë të veçantë për aktor, por dhuntit e tij të pafundëme aktorjale që ia kishte falë Zoti me bollëk, bënë shumë shpejt që ti besoheshin role të dorës së parë"

Ndrek Luca (Majtas) dhe Sander Porsi (Djathtas)

Në një ditë të zakonëshme si gjithë ditët e tjera, u ngrit herët, bëri ritualin e mëngjesit mori biçikletën, një ''Bianchi'' femrash të zezë të paraluftës së Dytë Botërore që i sherbeu pothuajse gjithë jetën për të shkurtuar rrugët dhe për të kursyer kohën, futi nën sqetull një trastë dhe doli për të bërë pazarin...
U kthye rreth orës njëmbëdhjetë. Në njerën dorë trastën me ato që kishte blerë, në tjetrën biçikletën dhe ngjiti shkallët deri në aprtament.
Pas pak vdiq.
Thjeshtë.
Nga një goditje në zemer.

***

Në vitet '50, unë isha tepër i vogël dhe kisha vesin që të ndalohesha i hutuar me orë të tëra para dyqaneve të zanatçijve që ishin me shumicë në atë kohë, si teneqexhi, saraç, bakraxhi, nallban, samarxhi, mjeshtër qendistarë rrobash popullore që të ulur këmbëkryq çorronin sytë në imtësirat e filigramave të kostumeve që ishin vepra të verteta arti, aty në dyqanet e tyre me taraba të ulura, para syve të kalimtarëve, blerësve dhe para hutaqëve si puna e ime të habitur nga çuditë e krijimit dhe të punës.
Në vitet '50 kishte edhe vetrina të mëdha me xham që tregtonin stofra, argjendari, ëmbëlsira... por këto nuk më tërhiqnin.
Një ditë gjatë proçesioneve të mia të zbulimit, njohjes dhe kënaqësisë që ndjeja, i hutuar tërësisht nga xixat që lëshonte hekuri i skuqur kur e rrihte në kullë një farkëtarë që verë e dimër mbante veshur një kanatjere të trashë leshi, u kujtova që isha vonuar dhe si gjithmonë do të haja të bërtiturat e nanës sime për vonasat që bëja.
U nisa me vrap për në shtëpi.
Pa pritur u detyrova të ndaloj tek një vetrinë me xham të madh. Diçka e pazakontë më kishte detyruar të ndaloj aty pa vullnetin tim.
Nga përtej xhamit dikush po më shikonte me ngulm.
Vesi i im i të hutuarit para dyqaneve fitoj mbi frikën e të beriturave të nanës.
Ishte dyqani i fotografit Jakova.
Në vetrinë ishin tri fotografi të mëdha në kornizë. Tre portrete.
Njeri, ai që ishte në krahun e djathtë timin, këtë e mbaj mend mirë, më kishte ngulur sytë dhe diçka donte të më thoshte.
Pas pak hodha shikimin tek dy fotografitë e tjera: Ishin dy portrete të dy djemve me flokë të lëpirë, që u shkëlqenin nga brilantina dhe me nga një buzëqeshje të sforcuar ala Rudolfo Valentino ngjeshur mbi lëkurë të fytyrës.
Ndjeva neveri.
Ai portreti djathtas ishte me uniformë ushtarake.
Nuk e harroj atë shprehje fytyre. Në buzët e tija, në sytë e tij shkrepja e aparatit fotografik, kishte ngrirë atë që donte të më thoshte.
Kam ndej gjatë atë ditë (ishte mbasdreke) para asaj fotografije.
I ngurtësuar.
Kam kaluar prap disa ditë më vonë, dhe prap jam ndaluar gjatë.
Nuk e di pse! Nuk e di pse mu ngulit në mendje, sa edhe sot e kësaj dite, nuk e harroj atë burrë që më shikonte nga ajo fotografi, nuk e harroj atë shikim: Sy të fortë që të depertonin, sy të qeshur që shihnin larg, sy të mirë, sy të vendosur... Në atë portret oficeri kishte gjithshka: mirësi, zemer të madhe, zgjuarsi, vendosmëri, vullnet të paepur...
Shkova disa herë para asaj vetrine dhe u ngula para asaj fotografije me atë fizionomi që të mbërthente, që të knellte, që bënte një kontrast të jashtëzakonshëm me ato dy fotografitë e tjera me ata djemt me flokë që sapo ua kishte lëpirë lopa...
Më dukej se më shikonte përmes xhamit të vetrinës dhe se donte të më thoshte... Nuk e di, nuk e merrja vesh se ç'farë donte të më thoshte.. diçka... diçka si një premtim... Prandaj më tërhiqte ai portret në atë fotografi. Sa herë ndaloja para asaj vetrine, sepse fillova të shkoj më shpesh, filloj të më krijohej përshtypja se tanimë ai burri aty në fotografi (në fakt ai nuk ishte burrë, por një djalë i ri) dhe unë, ishim bërë miq të mirë. Mbushesha me energji dhe vrapoja si i çmendur drejtë shtëpisë. Ai portret kishte aftësinë të më trazmetonte energji të brëndëshme.
Për shumë kohë kam menduar se vetëm mua më ndodhte kështu me atë portret oficeri në vetrinën e fotografit Jakova.
Sot jam i bindur se ai portret me kapele oficeri në vetrinën e fotografit Jakova, kishte një forcë të jashtëza- konshme shprehse, jam i bindur se edhe të tjerëve ashtu si mua që rrija si guak para tij, do tu jetë dukur se diçka donte tu thoshte...
... Dhe vertetë vite më vonë, ai portret u tha të gjithëve gjithshka me një forcë të jashtëzakonshme. Gjithshka nga shpirti i tij i fortë, i papërkulur, nga shpirti i tij i mirë, nga shpirti i tij polemik, nga shpirti i tij i mbrujtur me legjendat e fisit të malit që e lindi, nga shpirti i tij i dlirë dhe pafundësisht i lirë.
Zoti i kishte falë me bollëk këtij njeriu dhunti që shumë kush ëndërron ti ketë.
Në një prej ditëve, kur unë fëmijë kundroja përtej xhamit të vetrinës së foto Jakovës atë portret që tashmë kisha krijuar një intimitet të fshehtë me te, mora guximin dhe pyeta dikë.
- Kush ësht ky oficeri?
Më thanë një emër: NDREK LUCA.
Pasi mora vesh emrin, shpejt mësova se ishte me origjinë nga Dukagjini, se ishte rritur në Shkoder në shtëpinë e Gjonajve (si qiraxhi) perkarshi Kishës së Ma- dhe, se kishte qenë e ëma që kishte ngulur këmbë që të gjenin një shtëpi perkarshi Kishës së Madhe kur kishin zbritur nga Dukagjini prej urisë që kishte pllakos atë krahinë të vorfën, të egër dhe krenare, se ëma dhe ati ishin rropatë ta rrisnin, ta shkollonin, se të zotët e shtëpisë perkarshi Kishës së Madhe ishin njerëz shumë të mirë, dhe se njëri prej tyre me mbiemrin Gjonaj ishte aktor në teatrin e Shkodrës...
Më thanë që Ndreka njihej mirë në rrethet e djemve të rinjë të asaj kohe që merreshin me lexime dhe dije, se kishte qenë në Beograd në Akademinë e Aviacionit, se mëqë ishim prishur me Jugosllavët, ishte kthyer në Shqipëri si gjithë studentët e tjerë, se tashti ishte në Tiranë dhe se nuk donte më të ishte oficer, por donte të bëhej aktor i Teatrit Popullor.
Në Shkoder, kur një njeri binte në sy për mirë, merrej vesh gjithshka përnjëherë. Peripecitë që hoqi për tu larguar nga ushtria dhe për tu bërë pjestar i Teatrit Popullor, nuk mi tha njeri. Me siguri nuk kanë qenë të vogla.

***

Ndreka nuk kishte bërë ndonjë shkollë të veçantë për aktor, por dhuntit e tij të pafundëme aktorjale që ia kishte falë Zoti me bollëk, zgjarsia, intuita, fantazia, kultura e përgjithshme dhe vullneti i paepur, bënë shumë shpejt që ti besoheshin role të dorës së parë dhe emri i tij të re- nditej në emrat e mëdhenj të Teatrit Popullor.
Këto kanë ndodhur heret.
Kur në vitin 1965 unë u ndodha për herë të parë përball tij si partner, u befasova edhe nga një karakteri- stikë tjetër e mrekullueshme e tij.
Unë sapo kisha dalë nga ''veza'', kurse ai ishte aktori i afirmuar plotësisht që kishte luajtur shumë e shumë role në teatër dhe në një film rolin e një heroit me sukses të jashtëzakonshëm. Pritsha - ashtu mendoja unë - njeriun e ftohtë që e di mirë se është personalitet (në faktë ishte), njeriun që mbanë distancë, që të sheh nga lart poshtë, artistin fodull etj. etj.
Përkundrazi, pashë njeriun që nga vetrina e foto Jakovës më kishte premtuar diçka, dhe se unë dhe ai ishim miq të lashtë e të mirë.
Ndrek Luca nuk vuante nga "kompleksi i duartro-kitjes" dhe kjo tregonte se ai ishte një njeri me sens më se të qartë në raportin e tij me punën dhe rolin, me partnerin, me regjisorin, me spektatorin, me dashamirësit që i kishte me shumicë në gjithë shqipërinë, kudo, në rrugë, në dyqan, në fshat, në kafene...
Ndrek Luca dinte të qeshte bukur.
Ndrek Luca dinte edhe të debatonte bukur.
Me temperamentin e tij të jashtëzakonshëm, dhe me ndershmërin e tij të kristaltë që buronte nga edukata dhe kultura familjare dhe e tokës që e lindi, ai nuk pranonte asnjë lloj hipokrizie, demagogjie a kompromisi. Dikujt, apo disave mund të mos u pëlqente ajo që thoshte Ndreka drejtë, pa dredha, pa mbaskuptime e nenkuptime. Por shpesh ata bëheshin shumë. Dhe kur ata bëheshin shumë, Ndrek Luca kthente kokën dhe i linte, nuk i përfillte, përpiqej ti harronte.
Ai kishte shumë punë, nuk kishte kohë të merrej me fjalë e fjalime.
Ndrek Luca dinte të dëgjonte dhe të bindej. Ishte një nder aktorët më korrekt.
Ndrek Luca dinte të transformohej mjeshtërisht dhe në mënyrë të jashtëzakonshme nga roli në rol. Ndrek Luca nuk harronte as imtësitë më të parëndësi- shme në dukje, deri tek një rekuizitë personale e vockël por që tipizon.
Ndrek Luca ishte i vertetë dhe i besueshëm në atë që bënte para spektatorit në sallën e teatrit dhe para kameras në sheshin e xhirimit.
Ai dinte të ndante interpretimin në teater nga ai në kinema.
Ndrek Luca kishte një zë që e përdorte në fungsion të ç'do figure që mishëronte dhe i jepte frymë. Ndrek Luca sakrifikoi disa herë shëndetin e tij në punë.
Ndrek Luca kishte një energji fizike të pashterrshme që s'dihet nga i buronte, me gjithë se hante shumë pak. Ndrek Luca njeriu-artist ishte madhështia e thjeshtë sisë.
Në gjithë këto sa thashë nuk teprova asgjë nga figura e njeriut-mjeshtër. Mund të kem lenë pa thënë shumë. Flas, jo si nxënës i tij, jo si partner i tij, jo si regjisor i tij, jo si mik i tij. Përpiqem të flas si profesionist, si i zanatit dua të them.
Per fat të keq kohët e fundit fjalët janë keqpërdorur shumë, kanë humbur vlerën kuptimore duke shkruar kot, për njerëz kotnasikoti që s'kanë bërë asgjë profesionale në jetë që ti shërbejë të gjithëve. Prandaj e kam të vështirë ti ve cilësorët që meriton vertetë Ndrek Luca. Të gjithë mbiemrat cilësorë, epitetet që mund ti vihen një artisti të kompletuar, ai ia ka dhënë vetes me vullnetin e jashtëzakonshëm, me dhuntit e tija të lindura, me talentin dhe hirin e tij.
Ai ishte në majë të majës së lavdisë artistike dhe (unë nuk çuditem aspak) ishte më i thjeshti në punë, në jetën përditshme.
Ndrek Luca ishte shqiptar i vertetë në të gjitha kuptimet. Rozafa dhe Gjergj, dy emrat e qellimshëm të fëmijve të tij janë kuptimplotë. Nuk po hy më thellë.

***

Rastësit me mua kan qenë të habitshme.
Dua të dëshmoj se Ndrek Luca, aktori i etur për punë, aktori që nuk ngopej me role, çuditërisht rolin që luan në filmin ku për herë të parë unë jam partner me të e refuzoj. Nuk i di arsyet. Nuk pata kurr guxim ta pyes për këtë refuzim.
Ishte ky refuzim, rastësia që unë hyra në kinemato-grafi.
Në atelje gjithshka ishte gati për ti bërë kinoprovë një kandidati, që ishte kryesori deri në atë çast, për të fituar rolin e heroit.
Ai ishte veshur, kishte bërë grim, dritat ishin vënë etj, etj.
Kinoprova nuk po fillonte. Njerzit filluan të merziten mbas disa orë pritje. Erdh një çast kur duke parë nervozizmin që ishte krijuar nga pritja e gjatë mora guxim dhe pyeta:
- Pse nuk fillojnë?
- Nuk vjen Ndrek Luca. Nuk e do rolin - më thanë.
- Po kjo kinoprovë,- pyeta.- bëhet për Ndrekën apo?...
- Jo, Ndreka e ka rolin pa kinoporvë, por dikush duhet të ndihmojë për tekstin, dhe Ndreka do të ishte mirë se është roli i tij.
- Po deshët po e ndhmoj unë me tekst që të mbaroni punë për sot...
Ranë dakord menjëherë. Vesha veladonin e priftit, i mora syzet grimjorit Llazar Kënutit, gjeta aty rrotull në rrekuizitë një libër lutjesh dhe me dy tri prova gjihshka ishte gati. Kinoprova u xhirua.
Të kishte ardhur Ndreka, nuk do ta kisha ndihmuar atë kolegun tim, sepse do të ishte Ndreka që do të bënte punën e tij.
Pra Ndreka nuk e donte atë rol.
Kur u panë kinoprovat, rolin ma besuan mua, sepse kisha bërë një provë për rolin e heroit, dhe kur zevendësova Ndrekën për të ndihmuar kolegun tim, kisha bërë edhe një ''kinoprovë'' për antagonistin. Siç dukej u kisha pëlqyer si aktor me gjithë difektet e mia, si kurrizi pak i kërrusur, nofulla pak shtrembër...
Ndreka u detyrua të vinte ta luante rolin që nuk e donte, me një shkresë nga Ministria e asaj kohe, që pak a shumë kishte si përmbajtje: Të mos i paguhet rroga në teater nëqoftëse nuk shkon në kinostudio të luaj... etj. etj.
Si? Rroga!? Hë!
Kështu Ndreka, atë premtim që donte të ma thoshte që nga vetrina e foto Jakovës kur unë isha ende fëmijë, më në fund e realizoj...
Kështu filloj jeta e jonë hoteleve, maleve e fushave, në diell e në shi, në ngricë e në vapë për shumë vite. Të kisha dhuntinë e skulptorit me gjithë shpirtë do të të bëja një monument o Ndrekë. Jo se punova gjatë me ty, jo se isha kolegu i yt, jo se ziheshim nganjëherë, jo se isha miku i yt.
Por sepse ti i dhe kaqë shumë artit skenik e kinema-tografik, ti i dhe shikuesve anë e mbanë Shqipërisë aqë shumë vlera të verteta e të mirëfillta profesionale nga shpirti i yt i fortë, i lirë e i dlirë, dhe more shumë pak.
Ti ishe vertetë i madhërishm në thjeshtësinë tënde.
Makar një pllakë ku të shkruhet: Këtu lindi NDREK LUCA duhet të vihet. Kjo nuk të bën nderë ty. Kjo na bën nder ne të gjithëve dhe qytetit që të lindi...
... dhe në njerën dorë trastën me ato që kishe blerë dhe në tjetrën biçikletën e zezë ''Bianchi'' të paraluftës, ngjite shkallët e pallatit ku banoje rreth orës 11, dhe vdiqe thjeshtë nga një goditje në zemer. Vdiqe vertetë siç do të vdesim të gjithë. Kjo ishte thjeshtë vdekja e jote.
Hamendësoj se vdekja e Ndrek Lucës nuk ishte si e gjithë njerëzve të vdekshëm normal. Ajo ishte një plasje, një shpërthim. Një shpërthim i perplasjes së shpirtit të tij të paster, pa dredhi, i kulturës shpirtërore malësore të kultivuar në vlerat më të mira të moralit pozitiv dhe ashpërsisë, ndyrësisë, fukarallëkut e varfërisë që ishte kultivuar në fshehtësi për dekada me rradhë dhe që shpertheu me tërë vlerat e saja bizantine të pafytyrë, të paskrupull, të pa atdhe e fe. U përmbysën kanune e vlera morale. U morën jetë, e pasuri të gjithfarëllojshme ranë në duar të paskrupullta grykësish.
Kjo e gjitha ndodhi shumë shpejt. Dhe siç duket Ndreka nuk e përballoi.
Atij i plasi shpirti.
Vdekja e tij ishte një protestë (vazhdoj të hamendësoj) kunder gjithë helmit e handrakut që gufoj e rridhte gjithandej e gjithkund, grykësisë, pseu dokulturës, pseudo demokracësë, pseudoatdhetarisë e pseudofetarisë. Edhe këtë rradhë ai nuk kishte kohë, nuk kishte kohë dhe mundësi të merrej një i vetëm kunder gjithë asaj hipokrizije dhe shtirarakësh që e rrethonte, dhe iku. I la të gjithë. I përbuzi. Nuk i duronte, dhe i vetëm nuk mund ti përballonte.
Por Ndreka është gjallë, është gjallë në gjithë veprën e tij aktoriale, edhe atë të shkruar, është gjallë edhe në të gjithë vdekjet e pa numerta që ka interpretuar.
Fenomeni NDREK LUCA ishte madhështia e thjeshtësisë.
Duhet studiuar dhe duhet marrë shembull.

 

Nga Agim Doçi

Kam patur fatin e madh të jem mik, besa ma shumë sesa mik e shok me Ndrek Lucën. Asht i vetmi ndër aktorët shqyptarë që e njihte me themel poezinë e të Madhit At Gjergj Fishta. E recitonte kurdoherë dhe në momente të caktuara jepte edhe përgjigje me anë të vargjeve të kolosit kombëtar At Fishta.
Ndrek Luca gjatë jetës së vet, pati dallgë e ndeshje të përherëshme me vesin dhe me mbartësit e veseve. Në vitet 1974 - 1976, me atë biçikletën e vet "Bianchi", që e merrte përdore më shoqëronte deri tek stacioni i trenit në Tiranë, kur punoja askohe si inxhinier në Laç. Fliste gjithë pasion dhe dashamirësi për njerzit e aftë! O Zot sa vuante që të paaftët i kishim mbi kokë! Problemi ma i madh i Ndrekës ishte qëndrimi arrogant i komunistave dhe institucioneve partiake, që e shikonin si njeri negativ! "Tuj lujtë përherë rrole negative, më kanë marrë inatë dhe më shohin si anmik! Po këta janë të marrë! Këta janë denigrues!"
Rrolet aë ka luajtur Ndreka janë të paharrueshme, qofshin ato teatralet, qofshin ato kinematografiket! Askush nuk e harron Ndrekën tek "Detyra e Posaçme", apo tek "Zjarri i gjashtë". Ndërsa tek "Udha e shkronjave" shkëlqen me rrolin e Ndrios - duke stigmatizuar deri në përsosmëri antishqiptarizmën e grekofilisë që ushqehej nga kisha ortodokse asokohe! E adhuronte artin! Nuk dinte me shà kolegët, përkundrazi, i respektonte edhe kur ata apo ato nuk e meritonin!
Me batutat e të madhit Ndrek Luca kur aktron përsosmërisht rrolin e kapter Ramiut (duke u "arratisur" me motovedetë sëbashku me "armikun" tjetër Bujar Kapexhiu dhe Rikard Ljarja (Spiro Kote) i kapi dhe u shpall Hero) si p.sh. "...puna e komisarit ishte loja!." ne talleshim bukur fort me vanitetin dhe demagogjinë e asaj kohe! Megjithatë e pashlyeshme mbetet në kujtesën tonë rroli i fshatarit mirditas tek filmi "Plagë të vjetra" që me një bust në dorë, mbasi kalon peripecitë e shumta në spitalin ku mjeke ishte një tjetër aktore e madhe e teatrit kombëtar Roza Xhuxha, rrol ky që tregonte qartë sesi i mbante peng malcorët e ndershëm dhe trima ai rregjim i mallkuar!
Ndreka ishte mjeshtër humori dhe barcaletash! Në homazh të këtij gjigandi të teatrit tonë kombëtar, ai ishte i pari artist, që kur i vdiq nana e një shoku tonë artist dhe kishte lanë amanet që në rrasën e vorrit të shkruhej "LEU NË 1910 - VDIQ NË 1971. JETOI 1 VIT", të gjithë ne menduam se kishin harruar të shkruanin 6-tën! JO! Ajo grua e mençme shkodrane e kishte lanë amanet të shkruanin në pllakëne e vorrit "JETOI 1 VIT!" sepse të mbledhura bashkë gjitha moentet e lumtura të jetës së saj banin afërsisht 1 vit(!) Ndrek Luca i Madh i tha Zefit (vorraxhiut të Shkodrës):
- Zef, kurdo që të vdes, të lutem mos harro! T'a la amanet me shkrue: NDREK LUCA - KA LE DEKUN!"
Ky ishte humori i tij origjinal! Por unë e di se Ndrek Luca asht i pavdekshëm jo vetëm për Gjergjin dhe Rozafën por për të gjithë nè, që e deshtëm dhe na deshti aq shumë.
Faleminderit Rikard Ljarja që me fisnikërinë tande na e solle aq pranë NDREK LUCËN Birin e Dukagjinit, dhe Babën e Teatrit Kombëtar! NDREKËN QË KURRË NUK E HARROJ KUR THOSHTE: LUS ZOTIN TË MOS VDES PARA SE ME U SHLIRUE KOSOVA!
Në filmin e tij të fundit me regjisor Ekrem Kryeziun, nuk ka mbrritë me marrë as honoraret e mundit dhe të djersës së tij! Vërtetë ai plasi! Plasi, plasi, plasi.....
Shpirti i baftë dritë në pàrriz!

 

Flet Mimika, bashkëshortja e Ndrekë Lucës

“Ju tregoj letërkëmbimin e Ndrekës me Lorenc Oliverin”

Blerina GOCE - Tirana Observer - 3 shtator 2005

Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën

Ndreka dhe Mimika

Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndjerë një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot edhe djali, Gjergji thotë se është dukagjinas”.

Eshtë një letërkëmbim i rrallë. Në vitet ’70, atëherë kur në Shqipëri ndjehej një lloj fryme liberalizimi, Ndrek Luca shkëmben kartolina me aktorin e madh anglez, Lorenc Oliver. Janë shprehje modeste të një simpatie të ndërsjellë mes dy aktorëve, por që për shkak të përndjekjes së asaj kohe nuk mundën të zhvilloheshin më tej. Mimika Luca, bashkëshortja e aktorit Ndrek Luca flet për këtë pikërisht në 81-vjetorin e artistit të madh. Dëshirat dhe vështirësitë e aktorit që ëndërronte të kishte një rol Hollivud dhe të shihte të paktën një herë një opera në metropolitane rrëfehen në këtë intervistë për “Tirana Observer”. “Ka plot kujtime të bukura e të hidhura, se kohët s’kanë qenë të lehta. Madje nganjëherë shumë të hidhura. Nuk ka qenë absolutisht i dëshirueshëm, por s’kishin ç’i bënin talentit, punës së tij të ndershme”, thotë Mimika Luca, teksa shton se edhe sot asaj i duket se e ka pranë burrin, shokun dhe mikun e saj më të afërt.
Cila është gjëja e parë që sillni ndërmend kur flisni për bashkëshortin tuaj?
Shpesh thërras edhe djalin Ndreka. S’ndodh vetëm nga unë personalisht, por e çuditshme është se s’mund të bëj hap e të kalojë ditë pa ma përmendur dikush tjetër, jo vetëm si artist, por mbi të gjitha si njeri. Kjo ndodh çdo ditë. Figura e djalit ka shumë ngjashmëri me të, sidomos si karaktere. Unë shoh te djali ato që kam parë te Ndreka në fillim. Ka qenë shumë i pasionuar për punën, në kuptimin se në punën që bën kërkon jo interesin për të jetuar, sesa realizimin e punës. Edhe vajza, Rozafa ka marrë shumë nga i ati ashtu si i vëllai çka pasur më të përkryer Ndreka: dashurinë dhe pasionin për punën, humanizmin, duke sakrifikuar nga vetja për të ndihmuar të tjerët, aq sa kur erdhi puna për të ndihmuar djalin i kishte djegur të gjitha urat. Nëse tjetrin do ta emërtosh njeri ky është thelbi.
Si e keni njohur Ndrekën dhe çfarë sillni ndërmend nga ajo kohë?
Kam qenë balerinë, kemi punuar në një oborr. Isha 13 vjeç kur kam filluar si balerinë dhe kam njohur Ndrekën, por krijova relacione me të kur isha 16-17 vjeç. Kjo më bën që të mos shkel më në teatër që nga humbja e tij, se gjithë jeta ime është në atë oborr. Ka qenë jashtëzakonisht familjar, i përsosur në një kohë që i duhej të mbante dy familje: tonën dhe prindërit dhe vëllain me familjen në Shkodër. Nëse ka një fëmijë model besoj se një nga ata është Ndreka. Ka qenë shumë i përkushtuar ndaj meje. Kujdesej të mos bëhesha me djersë, të lahesha në pishinë, kërkonte të zgjidhja shoqet e mia. Ka pasur një periudhë kur Ndreka kishte të gjithë kryerolet e teatrit. Atëherë ne shihnim të gjithë shfaqjet. Ndreka ishte në kulminacionin e tij.
Cilët janë ata role të interpretuara prej tij që ju pëlqejnë më shumë?
Ishin një seri rolesh dhe mua më dukej i mrekullueshëm. Nuk di të bëj përjashtime. Në të gjithë rolet e tij sigurisht kanë spikatur shumë karakteret nacionale, por edhe klasikët i ka interpretuar përsosur. Ka pasur rolin e një shefi të spiunazhit në një dramë japoneze dhe Ndreka me atë temperament të jashtëzakonshëm krijoi një figurë hije, në mënyrën se si fliste, se si ecte, me atë ecjen e pa ndjerë. Një figurë e jashtëzakonshme, një shfaqje e përsosur.
Një grua dhe një burrë të të njëjtit profesion. Sa e vështirë ishte për ju të interpretonit përkrah njëri-tjetrit?
Ishte e vështirë. Te “Heronjtë e heshtur” isha e shoqja. U përgatit një skenë, që kur Ndreka të kthehej nga puna dhe ta prisja në derë e të më merrte hopa shkonim në dhomën e gjumit. Por para kësaj putheshim. Por për ne ishte e pamundur të realizonim një skenë të tillë dhe ajo pjesë u anulua. Ndoshta njeriu nuk do ta zbulojë intimitetin e tij personal. Kur e pyetën Ndrekën nëse do ta kishte realizuar pjesën po të mos ishte Mimi ai tha: Patjetër. Në një pjesë kineze ai qe vëllai im. Atëherë isha tetë muaj shtatzënë me Gjergjin. Ndreka nuk donte që ta pranoja rolin, por unë u ngjita në skenë. Kisha një rol ku rrëzohesha dhe në momentin kur më shtyjnë unë padashur shoh Gjergjin të zbardhur krejt në fytyrë. Kurse te “Cuca e Maleve” e kishim shumë të lehtë të ziheshim me njëri-tjetrin. Megjithatë nuk kishim shumë role bashkë. Në përgjithësi kemi qenë natyra të kundërta si temperament. Sipas Ndrekës e meje bie poshtë teoria e natyrave të njëllojta për të shkuar mirë. Në kardinale ishim të barabartë, në kuptimin e gjykimit për probleme të ndryshme shprehur secili në formën e vet.
Si ka qenë Ndreka si baba dhe si bashkëshort?
Fëmijët janë rritur me dashuri të madhe, jo si fëmijë por si shokë. Kur hanim bukë bisedonim me ta si të kishim përpara dy të barabartë me ne, kishte një lloj demokracie në familje. Ndreka edhe pse ishte nga Malësia ishte shumë modern dhe i zhveshur nga mentalitetet. Në një kohë kur askush nuk vishte pantallona ai më thoshte vishi. Natyrisht nuk i pëlqente ekstravaganca. Ndoshta pasioni i madh për artin e bënte të superonte kohën në mendim, mentalitet. Edhe pse kishte edhe gjëra të vogla: për shembull cigaren nuk ma linte ta pija, pavarësisht se unë e pija, por jo në sy të tij. Duke qenë njeri bruto nuk kishte format delikate të një burri që i bën komplimente gruas dhe mua kështu më pëlqente.
Cili është momenti më i bukur që sillni ndërmend nga jeta e përbashkët?
Ka shumë momente të bukura. Një nga ata është kur lindi vajza. Prindërit e tij donin që të lindte djalë. Erdhi në maternitet me një tufë të madhe të bukur me trëndafila të kuq. Unë ndërkohë mendoja se do t’i ishte prishur një çikë qejfi që kisha lindur vajzë, por ai nuk ishte mërzitur absolutisht. Në tufën e trëndafilave kishte shkruar një letër: Të na rrojë Rozafa. Kështu ia vendosi edhe emrin vajzës.
Ju ka treguar Ndreka se si dhe kur vendosi t’i përkushtohet artit të teatrit? Cilat janë fillimet e tij si aktor?
Përnatë kur ishte student për pilot në Jugosllavi kapërcente murin dhe shkonte në opera. Më vonë, kur u kthye në Shqipëri kërkuan leje në Komitetin Qendror e thanë: Kemi një ushtar që do të kalojë në teatrin e Ushtrisë dhe e kaluan atje. Atje ishte regjisore rusja Zina Andro. Sapo e pa ajo tha: Ky është talent. Pas dy-tre shfaqjesh kaloi në Teatrin Popullor. Edhe regjisori i njohur rus Kriçko e vlerësoi po ashtu Ndrekën. Në mes të punës ai ia hoqi tjetërkujt rolin e Jagos dhe ia dha Ndrekës dhe kishte të drejtë.
Cilët kanë qenë ata njerëz që e kanë përkrahur fillimisht në rrugën e tij artistike?
S’ka pasur njeri ta ketë përkrahur përveç djersës së ballit.
Në teatër je i detyruar të punosh me të gjithë. Te Ndreka nuk ekzistonte absolutisht ndjenja e hakmarrjes dhe kur dikush i bënte keq i thoshte drejt: po më bie në hak dhe të nesërmen nëse ai person bënte ndonjë faj të rrezikshëm te Ndreka ishte i vdekur ai faj. Ishte shumë zemërmadh e fisnik.
I ka shkuar ndonjëherë në mend të largohet nga Shqipëria?
Asnjëherë. Atë s’e mendon as im bir. Edhe largimi i vajzës në Amerikë qe rastësi, sepse u martua atje. Por Ndreka ka pasur një dëshirë të çmendur të kishte një rol në Hollivud dhe të shihte një opera në metropolitane. Më thoshte shpesh me një dëshirë të ethshme: Mos vdeksha pa parë një opera në metropolitane. Por nuk mundi të shohë.
Me çfarë i pëlqente të merrej tjetër përveç aktrimit?
Muzikën. Aq shumë mendonte. Pati një kënaqësi të jashtëzakonshme kur vuri në skenë operën “Toka jonë”, madje bëri dhe libretin e saj. Kaq shumë e donte muzikën klasike. Në shtëpinë tonë nuk dëgjohej muzikë e lehtë, vetëm arie dhe pjesë të Beethovenit, Moxartit e me radhë. Operat i njihte nëpër gishta. Në bibliotekën tonë janë gjithë libretet e operave, ndërsa ariet i këndonte. Edhe pse nuk kishte zë, kishte vesh për muzikë.
Kishte ndonjë artist punën e të cilit e adhuronte dhe donte t’i ngjante?
Kishte një afeksion të veçantë për aktorin anglez Lorenc Oliver, me të cilin shkëmbeu dy kartolina, por vetëm kaq se koha nuk të lejonte për më shumë.
Çfarë sendesh të përdoruara nga ai ruani edhe sot?
Ashtu si çdo familje ruajmë shumë gjëra. Biçikletën e tij donim ta ruanim, por nuk di se si u zhduk. Ishte një biçikletë karakteristike, pa pedale dhe e kohës së paraluftës, të cilën ia kishim blerë Marie Logorecit.
Si e kujtoni në vitet e fundit të jetës?
Ka folur ku ka mundur njëlloj si Sali Berisha dhe po aq monologje i thoshte me vete. Nuk mendonte se do zgjaste kaq e do ishte kaq i dhimbshëm ky tranzicion. Në të njëjtën kohë pati një zhgënjim të madh. Shumë njerëz që s’e meritonin hynin në parti. Lançoheshin shumë persona që mund t’i kishin bërë gjëmën personave të ndryshëm e tani shtireshin si demokratë. Këtë ai s’e pranonte kurrë. Ai mendonte dhe kishte dëshirë të bënte dhe njëherë jetën dhe punën po aq, pavarësisht se e ndjente që ishte i sëmurë. Ai kishte kaluar disa infarkte, por mendonte si anglezët: të gjithë do vdesim, mbase një ditë dhe unë e hipte majë biçikletës.
Po në momentet e fundit të jetës si e kujtoni?
Po ashtu. Ditën e fundit bleu bukë dhe e solli në shtëpi. Pse e bleve i thashë se kemi. Po ia çoj komshies tha, atëherë dhe u ngjit deri në katin e pestë. Futi brenda dhe biçikletën, u shtri dhe për 10 minuta vdiq. Në një rast kur ishte duke ecur me biçikletë pësoi një infarkt dhe kaloi në vdekje klinike.
Kur shkova në spital një orë pas vdekjes klinike e pashë majë krevatit të rrethuar me njerëz dhe duke mbajtur fjalime për demokracinë.

 

Flet bashkëshortja Mimika Luca
“Letërkëmbimi i Ndrekës me Lorenc Oliverin”

Blerina goce

PASAPORTA

Emri: Ndrekë
Mbiemri: Luca
Ditëlindja: 3 shtator 1924
Data e vdekjes: 16 janar 1993
Vendlindja: Dukagjin

Aktivitetin e tij skenik e filloi në vitin 1950 me Teatrin e Ushtrisë, ku bënin pjesë dhe aktorë të tjerë me emër. Nën drejtimin e regjisores Zina Andri, ai interpreton në dy pjesë teatrale dhe pas një viti kalon në Teatrin Kombëtar si aktor profesionist. Roli i tij i parë është ai i Shpen Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria”. Ishte ky rol, ku spikati talenti i tij dhe i hapi rrugë roleve të tjera për më se 30 vjet në skenë.
Nga viti 1951 e deri në vitin 1987, vit kur doli në pension, Ndrekë Luca realizoi mbi 100 role në skenë.
Role
Filma: “Detyrë e posaçme”, “Komisari i Dritës”, “Oshëtimë në bregdet”, “Dueli i heshtur”, “Prita”, “Njësiti gueril”, “Plagë të vjetra”, “Gjurma”, “Operacion zjarri”, “Shtigje lufte”, “Shpërthimi”, “Në fillim të verës”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Thirrja”, “Nga mesi i errësirës”, “Udha e shkronjave”, “Mysafiri”, “Nusja”, “Një natë pa dritë”, “Qortimet e vjeshtës”, “Balada e Kurbinit”, etj.
Teatër: “Halili dhe Hajria”, “Shtatë Shalianët” (aktor dhe autor), “Dragoi i Dragobisë”, “Familja e peshkatarit”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Toka jonë”, “Arturo Ui”, “Në anën tjetër”, “Otello”, “Orët e Kremlinit”, “Përmbysja”, “Baca i Gjetajve”, “Epoka para gjyqit”.
Çmime: 1976, Medaljon dhe çmim në Festivalin e I të filmit (“Rrugicat që kërkonin diell”, Gani Herri)
1983, Medaljonin e Festivalit të V të Filmit (“Flaka e maleve”, zejtari) 1990, Medaljon në Festivalin e IX të filmit (“Balada e Kurbinit”, pashai)


Është një letërkëmbim i rrallë. Në vitet ’70, atëherë kur në Shqipëri ndjehej një lloj fryme liberalizimi, Ndrek Luca shkëmben kartolina me aktorin e madh anglez, Lorenc Oliver. Janë shprehje modeste, të një simpatie të ndërsjellë mes dy aktorëve, por që për shkak të përndjekjes së asaj kohe nuk mundën të zhvilloheshin më tej. Mimika Luca, bashkëshortja e aktorit Ndrek Luca, flet për këtë pikërisht në 81-vjetorin e artistit të madh. Dëshirat dhe vështirësitë e aktorit që ëndërronte të kishte një rol në Hollivud dhe të shihte të paktën një herë një opera në metropolitane, rrëfehen në këtë intervistë për “Tirana Observer”. “Ka plot kujtime të bukura e të hidhura, se kohët s’kanë qenë të lehta. Madje, nganjëherë shumë të hidhura. Nuk ka qenë absolutisht i dëshirueshëm, por s’kishin ç’i bënin talentit, punës së tij të ndershme”, thotë Mimika Luca, teksa shton se edhe sot asaj i duket se e ka pranë burrin, shokun dhe mikun e saj më të afërt.
Cila është gjëja e parë që sillni ndërmend kur flisni për bashkëshortin tuaj?
Shpesh thërras edhe djalin Ndreka. S’ndodh vetëm nga unë personalisht, por e çuditshme është se s’mund të bëj hap e të kalojë ditë pa ma përmendur dikush tjetër, jo vetëm si artist, por mbi të gjitha si njeri. Kjo ndodh çdo ditë. Figura e djalit ka shumë ngjashmëri me të, sidomos si karaktere. Unë shoh te djali ato që kam parë te Ndreka në fillim. Ka qenë shumë i pasionuar për punën, në kuptimin se në punën që bën kërkon jo interesin për të jetuar, sesa realizimin e punës. Edhe vajza, Rozafa, ka marrë shumë nga i ati, ashtu si i vëllai çka pasur më të përkryer Ndreka: dashurinë dhe pasionin për punën, humanizmin, duke sakrifikuar nga vetja për të ndihmuar të tjerët, aq sa kur erdhi puna për të ndihmuar djalin i kishte djegur të gjitha urat. Nëse tjetrin do ta emërtosh njeri, ky është thelbi.
Si e keni njohur Ndrekën dhe çfarë sillni ndërmend nga ajo kohë?
Kam qenë balerinë, kemi punuar në një oborr. Isha 13 vjeç kur kam filluar si balerinë dhe kam njohur Ndrekën, por krijova relacione me të kur isha 16-17 vjeç. Kjo më bën që të mos shkel më në teatër, që nga humbja e tij, se gjithë jeta ime është në atë oborr. Ka qenë jashtëzakonisht familjar, i përsosur, në një kohë që i duhej të mbante dy familje: tonën, prindërit dhe vëllain me familjen në Shkodër. Nëse ka një fëmijë model, besoj se një nga ata është Ndreka. Ka qenë shumë i përkushtuar ndaj meje. Kujdesej të mos bëhesha me djersë, të lahesha në pishinë, kërkonte të zgjidhja shoqet e mia. Ka pasur një periudhë kur Ndreka kishte të gjithë kryerolet e teatrit. Atëherë ne shihnim të gjithë shfaqjet. Ndreka ishte në kulminacionin e tij.
Cilat janë ata role të interpretuara prej tij, që ju pëlqejnë më shumë?
Ishin një seri rolesh dhe mua më dukej i mrekullueshëm. Nuk di të bëj përjashtime. Në të gjithë rolet e tij, sigurisht kanë spikatur shumë karakteret nacionale, por edhe klasikët i ka interpretuar përsosur. Ka pasur rolin e një shefi të spiunazhit, në një dramë japoneze dhe Ndreka me atë temperament të jashtëzakonshëm krijoi një figurë hije, në mënyrën se si fliste, se si ecte, me atë ecjen e pa ndjerë. Një figurë e jashtëzakonshme, një shfaqje e përsosur.
Një grua dhe një burrë të të njëjtit profesion. Sa e vështirë ishte për ju të interpretonit përkrah njëri-tjetrit?
Ishte e vështirë. Te “Heronjtë e heshtur” isha e shoqja. U përgatit një skenë, që kur Ndreka të kthehej nga puna dhe ta prisja në derë e të më merrte hopa duke shkuar në dhomën e gjumit. Por, para kësaj putheshim. Për ne ishte e pamundur të realizonim një skenë të tillë dhe ajo pjesë u anulua. Ndoshta njeriu nuk do ta zbulojë intimitetin e tij personal. Kur e pyetën Ndrekën nëse do ta kishte realizuar pjesën po të mos ishte Mimi ai tha: Patjetër. Në një pjesë kineze ai qe vëllai im. Atëherë isha tetë muaj shtatzënë me Gjergjin. Ndreka nuk donte që ta pranoja rolin, por unë u ngjita në skenë. Kisha një rol ku rrëzohesha dhe në momentin kur më shtyjnë, unë padashur shoh Ndrekën të zbardhur krejt në fytyrë. Kurse te “Cuca e Maleve” e kishim shumë të lehtë të ziheshim me njëri-tjetrin. Megjithatë nuk kishim shumë role bashkë. Në përgjithësi kemi qenë natyra të kundërta si temperament. Sipas Ndrekës dhe meje bie poshtë teoria e natyrave të njëllojta për të shkuar mirë. Në kardinale ishim të barabartë, në kuptimin e gjykimit për probleme të ndryshme, shprehur secili në formën e vet.
Si ka qenë Ndreka si baba dhe si bashkëshort?
Fëmijët janë rritur me dashuri të madhe, jo si fëmijë, por si shokë. Kur hanim bukë bisedonim me ta si të kishim përpara dy të barabartë me ne, kishte një lloj demokracie në familje. Ndreka, edhe pse ishte nga Malësia, ishte shumë modern dhe i zhveshur nga mentalitetet. Në një kohë kur askush nuk vishte pantallona, ai më thoshte vishi. Natyrisht nuk i pëlqente ekstravaganca. Ndoshta pasioni i madh për artin e bënte të superonte kohën në mendim, mentalitet. Edhe pse kishte edhe gjëra të vogla, për shembull cigaren nuk ma linte ta pija, pavarësisht se unë e pija, por jo në sy të tij. Duke qenë njeri bruto nuk kishte format delikate të një burri që i bën komplimente gruas dhe mua kështu më pëlqente.
Cili është momenti më i bukur që sillni ndërmend nga jeta e përbashkët?
Ka shumë momente të bukura. Një nga ato është kur lindi vajza. Prindërit e tij donin që të lindte djalë. Erdhi në maternitet me një tufë të madhe, të bukur me trëndafila të kuq. Unë, ndërkohë mendoja se do t’i ishte prishur një çikë qejfi që kisha lindur vajzë, por ai nuk ishte mërzitur absolutisht. Në tufën e trëndafilave kishte shkruar një letër: Të na rrojë Rozafa. Kështu ia vendosi edhe emrin vajzës.
Ju ka treguar Ndreka se si dhe kur vendosi t’i përkushtohet artit të teatrit? Cilat janë fillimet e tij si aktor?
Përnatë, kur ishte student për pilot në Jugosllavi, kapërcente murin dhe shkonte në opera. Më vonë, kur u kthye në Shqipëri kërkuan leje në Komitetin Qendror e i thanë: Kemi një ushtar që do të kalojë në Teatrin e Ushtrisë dhe e kaluan atje. Atje ishte regjisore rusja Zina Andro. Sapo e pa, ajo tha: Ky është talent. Pas dy-tre shfaqjesh kaloi në Teatrin Popullor. Edhe regjisori i njohur rus Kriçko e vlerësoi po ashtu Ndrekën. Në mes të punës ai ia hoqi tjetërkujt rolin e Jagos e ia dha Ndrekës dhe kishte të drejtë.
Cilët kanë qenë ata njerëz që e kanë përkrahur fillimisht në rrugën e tij artistike?
S’ka pasur njeri ta ketë përkrahur, përveç djersës së ballit.
Në teatër je i detyruar të punosh me të gjithë. Te Ndreka nuk ekzistonte absolutisht ndjenja e hakmarrjes dhe kur dikush i bënte keq i thoshte drejt: po më bie në hak dhe të nesërmen, nëse ai person bënte ndonjë faj të rrezikshëm, te Ndreka ishte i vdekur ai faj. Ishte shumë zemërmadh e fisnik.
I ka shkuar ndonjëherë në mend të largohet nga Shqipëria?
Asnjëherë. Atë s’e mendon as im bir. Edhe largimi i vajzës në Amerikë qe rastësi, sepse u martua atje. Por Ndreka ka pasur një dëshirë të çmendur, të kishte një rol në Hollivud dhe të shihte një opera në metropolitane. Më thoshte shpesh, me një dëshirë të ethshme: Mos vdeksha pa parë një opera në metropolitane. Por nuk mundi të shohë.
Me çfarë i pëlqente të merrej tjetër, përveç aktrimit?
Me muzikën. Aq shumë mendonte. Pati një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur vuri në skenë operën “Toka jonë”, madje bëri dhe libretin e saj. Kaq shumë e donte muzikën klasike. Në shtëpinë tonë nuk dëgjohej muzikë e lehtë, vetëm arie dhe pjesë të Beethovenit, Moxartit e me radhë. Operat i njihte nëpër gishta. Në bibliotekën tonë janë gjithë libretet e operave, ndërsa ariet i këndonte. Edhe pse nuk kishte zë, kishte vesh për muzikë.
Kishte ndonjë artist, punën e të cilit e adhuronte dhe donte t’i ngjante?
Kishte një afeksion të veçantë për aktorin anglez, Lorenc Oliver, me të cilin shkëmbeu dy kartolina, por vetëm kaq, se koha nuk të lejonte për më shumë.
Çfarë sendesh të përdoruara nga ai ruani edhe sot?
Ashtu si çdo familje ruajmë shumë gjëra. Biçikletën e tij donim ta ruanim, por nuk di se si u zhduk. Ishte një biçikletë karakteristike, pa pedale dhe e kohës së paraluftës, të cilën ia kishim blerë Marie Logorecit.
Si e kujtoni në vitet e fundit të jetës?
Ka folur ku ka mundur njëlloj si Sali Berisha dhe po aq monologë i thoshte me vete. Nuk mendonte se do zgjaste kaq e do ishte kaq i dhimbshëm ky tranzicion. Në të njëjtën kohë pati një zhgënjim të madh. Shumë njerëz që s’e meritonin hynin në parti. Lancoheshin shumë persona që mund t’i kishin bërë gjëmën personave të ndryshëm, e tani shtireshin si demokratë. Këtë ai s’e pranonte kurrë. Ai mendonte dhe kishte dëshirë të bënte dhe njëherë jetën e punën po aq, pavarësisht se e ndjente që ishte i sëmurë. Ai kishte kaluar disa infarkte, por mendonte si anglezët: të gjithë do vdesim, mbase një ditë dhe unë e hipte në majë të biçikletës. Në një rast kur ishte duke ecur me biçikletë pësoi një infarkt dhe kaloi në vdekje klinike.
Kur shkova në spital, një orë pas vdekjes klinike e pashë majë krevatit të rrethuar me njerëz dhe duke mbajtur fjalime për demokracinë.
Po në momentet e fundit të jetës, si e kujtoni?
Po ashtu. Ditën e fundit bleu bukë dhe e solli në shtëpi. Pse e bleve i thashë se kemi. Po ia çoj komshies tha atëherë dhe u ngjit deri në katin e pestë. Futi brenda dhe biçikletën, u shtri dhe për 10 minuta u shua.

KARAKTERI / Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën
Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”.

NACIONALIZMI / Kur UDB-ja ndiqte Ndrek Lucën
Thotë se një nga vlerat më të mëdha të tij ishte nacionalizmi. “Ka qenë tmerrësisht nacionalist, në të njëjtën kohë edhe internacional. Do donte që gjithë bota të drejtohej nga një qeveri, pavarësisht se shtetet kishin traditat e tyre”, thotë Mimika, duke shtuar se pikërisht për këtë Ndreka gjithmonë ndiqej nga UDB-ja. “E quante padrejtësi të madhe që një popull të jetë i ndarë më dysh dhe këtë gjë e shprehte, prandaj kishte nënvizim dhe ndiqej në çdo hap që bënte. E ç’mund të bënte Ndreka, përveç fjalës?”

SHOQËRIA / Miqtë e paktë të Ndrekës
I pëlqente të bisedonte me shumë njerëz, por miqtë e vërtetë i kishte të paktë. “Në shtëpinë tonë hynin shumë pak njerëz. Qëndronte shumë me njerëzit, por miqtë e ngushtë ishin të paktë. Kishte një shok të ngushtë në Shkodër, një punëtor në Tiranë. Me Petro Markon ishte shumë i lidhur, si dhe kompozitorët shkodranë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj. Shumë mik kishte edhe Halim Gjakovën, me të cilin hanin çdo mëngjes bukë misri me djathë”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka nuk ishte natyrë që pinte dhe ishte tepër familjar.

TITULLI / Vlerësimi i vonuar i shtetit
Shteti vendosi ta nderonte, atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, edhe pse nuk ia kishin dhënë këtë titull. E ndjente këtë vlerësim ngado, te njerëzit që e përshëndesnin rrugës dhe tek ata qindra kartolina që i dërgonin, sidomos shqiptarët e Kosovës. “Vlerësimi shtetëror, megjithatë iu dha, edhe pse me vonesë. Por ka vuajtur shumë për të arritur deri atje. Ishte çdo moment i shqetësuar. Për një natyrë të drejtë, çdo padrejtësi ishte dhimbje. Këtu qe një popull i tërë që i qe bërë një padrejtësi e madhe, e llahtarshme”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka ishte titanik në forcën e tij.

RRETHI / Kur Luca interpretonte Makbethin
Pavarësisht nga shkollimi si pilot, ai ishte autodidakt në drejtim të artit. Në bibliotekën e tij i gjen të gjithë veprat filozofike të të gjitha rrymave. “Duke lexuar jashtëzakonisht shumë, ishte ai që ishte. Kur u kthye nga studimet në Jugosllavi kishte vetëm valixhe me libra dhe asnjë gjë tjetër”, kujton Mimika, duke shtuar se edhe më i madh ishte pasioni i tij për skenën. “Edhe kur ka qenë në reanimacion, pasi ka pësuar infarkt mbante “Makbethin” nën jastëk. Jam tmerruar kur e kam parë. Pas tri ditësh shkoi në Shkodër të luante”.

TO - Shtator 2005



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.