| Zemra Shqiptare | ||||
|
Albert Verria E diel, 26-02-2006, 07:31pm (GMT1)
Intervistë me aktorin e njohur, Albert Verria Kapedani, në një film filozofik për ekzistencën Oliverta Lila E takojmë në Vlorë. Është një takim i trupave të varietesë shqiptare. Dhe ai nuk mungon asnjë mbrëmje në teatrin ?Petro Marko?. I veshur me një pardesy të errët, kapele dhe syzat elegante, ai na befason me energjinë që përcjell gjatë një bisede. Po ta shihte dikush në rrugë, do ta thërriste me emrin e një personazhi që e identifikoi që në rininë e tij. Është aktor shumë i dashur për adhuruesit e skenës dhe ekranit. Gjatë karrierës së tij artistike, iu ka dhënë jetë shumë roleve. Megjithatë, të gjithë do ta thërrisnin ?kapedani?. Aktori i njohur, Albert Verria, ka hyrë tashmë në moshën e pensionit, por nuk e quan veten pensionist. Akoma nuk pajtohet me urdhëresën e moshës për të pushuar. Madje është në fazën e reflektimit dhe autokritikës artistike. Ai tregon se përveç angazhimeve në teatrin e Vlorës, ka shkruar vet dy-tre skenarë. Dhe një prej tyre pak kohë me parë, e ka realizuar si film ku protagonisti kryesor është uni i tij. Duke folur qetë na tregon më tej për të gjitha këto detaje. Keni shumë vite që jetoni mes personazhesh të ndryshëm. Si kanë qenë vitet e fundit për ju? Unë tani jam në pension, por asnjëherë nuk e kam konsideruar veten pensionist. Gjithmonë kam qenë në aktivitet. Përveçse kam punuar në teatrin e Vlorës dhe kam qenë i angazhuar në disa filma, mbi të gjitha po punoj edhe vetë. Kam shkruar dy-tre skenarë, disa prej të cilëve i kam realizuar. Së fundi kam bërë një skenar që e kam realizuar edhe si film të titulluar, ?Me vetveten?. Kur e keni xhiruar këtë film dhe cili është boshti i tij? Këtë film e kam xhiruar vitin e shkuar dhe është më tepër një skicë vizuale. Është një monolog me vetveten, ku unë flas për problemin e pavdekshmërisë së njeriut. Dhe merret me një gjë abstrakte e cila shkëputet nga trupi i njeriut në momentin që humbet fizikisht. Kjo subkoshiencë e cila jeton nëpërmjet fuqisë penetruese të saj, futet në celulat e trurit të njeriut dhe e bën atë ose një gjeni për të ardhmen, ose një njeri që e komandon djalli që ndodhet brenda vetvetes. Jemi mësuar t'ju shohim në role ?të buta?. Pse pikërisht një film me një temë që hyn në hulumtime filozofike? Që të jetosh në pafundësi, duhet t'i japësh shoqërisë vlera që të jetojnë me shekuj. Shumë figura të shquara që nga bota e antikitetit si, Sofokliu, Eskili, Aristofani, që nga koha e Mesjetës si, Sheksipi, Da Vinçi etj janë njerëz që kanë vdekur, por janë gjallë me veprat e tyre që arrijnë deri sot. Me të drejtë Da Vinçi shprehet ?Ç'është gjumi? Gjumi i përngjan vdekjes, atëherë përse nuk bën vepra që t'i përngjash të gjallëve?! Ndërsa ti je i gjallë dhe i përngjan të vdekurve të trishtuar...? Me anë të tij, dua t'i uroj njerëzve që të mbeten sa më të virtytshëm për shoqërinë dhe në kujtesën e brezave që do të vijnë. Duke qenë i ndërtuar në formë monologu, do të thotë që personazhi i vetëm i filmit jeni ju? Diku unë shprehem: ?Unë do të vras, do të vras pikërisht këtë djallin që është futur brenda shpirtit tim, i cili nganjëherë paraqitet tepër i fuqishëm?. Duke personifikuar një shoqëri të tërë njerëzore unë lë shumë personazhe aty brenda. Të gjithë kanë vdekur, dhe njerëzit dialogojnë me njëri-tjetrin me subkoshiencën. Vet ekzistenca e mosekzistencës, vet arsyeja e mosarsyes, vet djalli që ekziston brenda shpirtit tonë, na frenon dhe na bën njerëz që merremi me anët më të këqija të jetës. Është i karakterit filozofik, por mendoj se mesazhi është shumë i qartë. Duke përfshirë edhe këtë film të fundit, keni provuar në disa natyra rolesh. Keni qenë edhe pjesë e estradës... Një nga arsyet që unë kam marrë pjesë në estradë, ka qenë për faktin se aktori duhet të provojë shumë momente. Estrada është një gjini e vështirë dhe të bësh humor gjithashtu është e vështirë. Jo të gjithë bëjnë humor dhe aq më tepër në skenë. Aktori i estradës, ka një veçori specifike. Jo vetëm që duhet të jetë tepër organik, por duhet të jetë edhe këngëtar, duhet të ketë një plastikë tepër të zhvilluar, një mimikë që lind spontanisht nga materiali dramaturgjik duke qenë sa më ekspresiv. Aktori vihet para një përgjegjësie shumë të madhe. Fakti që kam luajtur në estradë më ka dhënë mundësi që t'i perfeksionoj këto cilësi të mjeshtërisë aktoriale. Ju keni qenë i ftuar në ?Ditët e humorit shqiptar 2005? në Vlorë. Si e shihni të ardhmen e kësaj gjinie? Në Shqipëri ka një aktivitet të mekur për vet kushtet financiare, dhe nuk kanë dhënë ndihmesën e tyre që këto trupa të mos mbeten inerte. Ky takim për mua ka vlera të jashtëzakonshme, sepse bëhet në një periudhë ndërprerje prej gati 10 vjetësh dhe të gjitha trupat që morën pjesë në këtë takim erdhën me një përgatitje tepër të shpejtuar dhe gjetën me aq sa kishin mundësi një spektator të mrekullueshëm. Në të ardhmen, ky duhet të jetë një takim i denjë. Mund të ftohen edhe trupat e humorit shqiptar të Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi si edhe trupa të huaja. Humori është një gjini që populli e do shumë dhe në të gjitha premierat e të gjitha rretheve, i ndjek me një interes të madh. Estradat e Shqipërisë kanë aktorë të nivelit të lartë, dhe besoj se në të ardhmen do të jenë shumë më të përgatitur.
“Tani që jam 70 vjeç, nuk i ngjaj xha Sulos” Aurora Damini E quajnë tashmë me shumë emra, sipas roleve, por nga shumica e spektatorëve, ai do të mbahet mend si kapedani. Aktor i mbi 30 roleve në kinematografi dhe i mbi 90 roleve në dramaturgji, Albert Vërria ishte vetëm 30 vjeç, atëherë kur mori përsipër dhe i habiti të gjithë me interpretimin e tij të natyrshëm dhe të bukur të plakut 70-vjeçar plot me teka. “Më tërhoqi aq shumë sa i përpirë prej rolit thosha frazat e filmit në mes të rrugës. Iu dhashë me mish e me shpirt atij roli”, thotë aktori Vërria, tani kur kanë kaluar 40 vjet nga ajo kohë. Por si dhe në ç’mënyrë arriti ky djalë i ri të sillte në ekran një figurë në moshë të thyer? Pse zgjodhi rolin e kapedanit dhe cili është aktori Albert Vërria. Në një intervistë për “Tirana Observer”, ai jep përgjigjet e këtyre pyetjeve. Pasaporta Emri: Albert Role Teatër: “Fytyra e Dytë”, “Revizori”, “Fundi i një komedie”, “Lidhur si fishek gjerdani”, “Vite të vështira”, “Pallati 176”, “Sakrifica”. Filma: “Përse bie kjo daulle”, “Kapedani”, “Brazdat”, “Operacion Zjarri”, “Shpërthimi”, “Shtigje lufte”, “Në fillim të verës”, “Thirrja”, “I treti”, “Nga mesi i errësirës”, “Koncert në vitin 1936”, “Përtej mureve të gurta”, Dëshmorët e monumenteve”, “Goditja”, “Agimet e stinës së madhe” etj. Vërria: Si dola jashtë vetes sime Ka qenë një takim spontan dhe i rastësishëm në stacionin e trenit në Tiranë ku as/regjisori i mëvonshëm i komedisë së suksesshme “Kapedani”, Ismail Xhabjaku, mes turmës së madhe të punonjësve të Teatrit të Vlorës, spikati Albert Vërrinë, i tërhequr nga mimika e veçantë e të riut 30-vjeçar. “Më tha të bëja kinoprovën dhe unë isha që në fillim i gatshëm për këtë. Mora veprën dhe e përpiva menjëherë. Më tërhoqi aq shumë sa i përpirë prej rolit thosha frazat e filmit në mes të rrugës. Iu dhashë me mish e me shpirt atij roli”, thotë Vërria, duke kujtuar ballafaqimin e parë me rolin e xha Sulos. “Mbaj mend se para hotel “Dajtit” njerëzit kthenin kokën dhe më shikonin sikur të isha ndonjë UFO. Mbledh veten dhe e kuptova se flisja me zë, ose më saktë luaja me vetveten. Sigurisht që njerëzit mendonin se kam qenë i çmendur, por shumë pak kohë më vonë, ata që ndoshta e mbanin mend fytyrën time, më kanë parë tek filmi “Kapedani” dhe e kanë vlerësuar “lajthitjen” time”, thotë duke qeshur Vërria. Ishte vetëm 30 vjeç dhe duhej të bënte të pamundurën për të realizuar sa më të plotë dhe të natyrshëm një plak 70-vjeçar. “Duhej të dilja jashtë karakterit dhe vetes sime. Të bëhesha plak, konservator, me një apati ndaj grave, i mykur dhe prapa dynjasë, vetëm për hir të atij roli që unë e doja aq shumë. Të gjitha këto nuk ishin në karakterin tim”, kujton tani aktori Vërria. “Bëra kinoprovën në prani të mbi 200 vetëve dhe iu dhashë me mish e shpirt atij roli. Iki në qytetin tim në Vlorë dhe pas pak ditësh më erdhi telegrami nga Kinostudioja se e kisha fituar kinoprovën dhe se unë, përkrah të madhit Nikolin Xhoja, do të xhiroja filmin”, kujton Vërria, duke pohuar se është habitur edhe vetë pas grimit në studio. “Mbaj mend se kur shkova në studio dhe më bënë grimin, dola një kapedan i vërtetë, kapedan 30-vjeçar, por që dukesha si 70 e kusur vjeç”. Vërria tek “Trapi i vjetër” Së fundmi, është rishfaqur në ekranin e “Vizion +” në një telekomedi, të quajtur “Trapi i vjetër”. Aktori 70-vjeçar, Albert Vërria, këtë radhë është “më bashkëkohor”, se te “Kapedani” dhe jo xha Suloja “i prapambetur” dhe jashtë mode. Në telekomedinë me regji të Spartak Pecanit e Naum Shundit, Vërria interpreton përkrah aktorëve të tillë si: Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Malkaj, Naum Shundi, Valentina Kita etj., apo emrave të rinj si: Çiljeta Xhilaga. Telekomedia me skenar të Vangjel Kozmajt ka në qendër të saj një hotel të quajtur “Trapi i vjetër”. Si pronë e një ish-trafikanti, ky hotel do të bëhet vendi ku mbretërojnë thashethemet, aferat, vendi ku merr udhë kontrabanda, vendi ku takohen politikanët, zyrtarë të lartë shtetërorë, nëpunës apo dhe njerëz të thjeshtë, atje ku të tjerë argëtohen dhe kalojnë momente intime. “Trapi i vjetër” është një pjesë e tranzicionit shqiptar, dhe nëpërmjet komikes synon të godasë anët e errëta të këtij realiteti. VLERËSIME për ... Pëllumb Kullën Nikolin Xhojën Naim Frashërin TO - Maj 2005
Flet aktori 70-vjeçar, Albert Vërria Fjorela Katroshi Jetëshkrimi: Emri: Albert Vërria Karriera tij numëron mbi 80 role teatrale dhe 30 role në filma Arsimimi: Pasi mbaroi shkollën e mesme bujqësore, punoi si zooteknik në vitet 1956 - 1959 Përfundon shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959 -1963) Në vitin 1979, Albert Vërrisë i është dhënë titulli “Artist i Popullit”. Teatër: “Fytyra e Dytë”, “Revizori”, “Fundi i një komedie”, “Lidhur si fishek gjerdani”, “Vite të vështira”, “Sakrifica”. Filma: “Përse bie kjo daulle”, “Kapedani”, “Brazdat”, “Operacion Zjarri”, “Shpërthimi”, “Shtigje lufte”, “Në fillim të verës”, “Thirrja”, “I treti”, “Nga mesi i errësirës”, “Koncert në vitin 1936”, “Përtej mureve të gurta”, Dëshmorët e monumenteve”, “Goditja”, “Agimet e stinës së madhe” etj. Ai sapo ka mbushur të 70-at dhe ka ende vullnetin e mirë për të realizuar dhe sjellë pranë publikut krijimet e tij. Para 40 vjetësh, ai u bë një ndër personazhet më të dashura për publikun dhe vazhdon të jetë edhe sot. Mjafton të përmendim filmin “Kapedani” dhe imazhi i parë që mund të krijohet, është ai që kishte zët gratë, xha Sulo, personazhi i interpretuar nga aktori Albert Vërria. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Vërria rrëfen për projektet e tij që kanë mbetur ende në copa skenarësh dhe nuk janë realizuar ende. Ai tregon me pasion duke kaluar nga një krijimtari në tjetrën dhe duke rrëfyer për subjektin e secilës. TO - Shtator 2005 |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||