Zemra Shqiptare

Kadri Rroshi
E merkure, 30-05-2007, 11:21pm (GMT1)

Nderi i Kombit, Kadri Rroshi: Po iki i braktisur

Kadri Roshi
Në spitalin grek më vinte kryeministri Nano dhe bashkëshortja e tij Xhoana, ndërsa në Tiranë miqtë më kanë braktisur

Ilir Bushi

Si ndjeheni pas operacionit?
Jam shumë keq. Kam dhimbje në trup dhe shpeshherë edhe ethe. Unë tani jam i paralizuar fare dhe mezi lëviz. Mirëpo, mjekët më kanë thënë se kjo periudhë do të vazhdojë edhe për pak kohë, pastaj do të përmirësohem.

Sa kohë kanë kaluar pas kurave që morët në Greqi?
Kanë kaluar gati dy muaj që jam bërë operacion. Atje, mjekët më shërbyen shumë mirë dhe më rrinin në dispozicion. Për këtë gjë unë i falenderoj nga zemra të gjithë personelin mjekësor. Mirëpo, në mënyrë të veçantë falenderoj kujdesin e shtetit shqiptar që nuk më la në mëshirë të fatit. Përkundrazi, më çoi për operacionin, në një nga spitalet më të mira të Greqisë. Dhe të gjitha shpenzimet ishin të shtetit tonë. Unë nuk shpenzova asgjë, sepse gjendja financiare e artistëve është e dobët. Megjithatë, falenderoj në mënyrë të veçantë kryeministrin shqiptar, që më ndenji te koka për disa ditë me radhë. Kishte raste që vinte e qëndronte deri vonë, duke i porositur drejtuesit e spitalit të bënin kujdes të veçantë për mua.

Çfarë bisedonit me kryeministrin Fatos Nano, kur ju vizitonte në spitalin e Athinës?
Ai rrinte me orë të tëra dhe më vlerësonte shumë punën time. Mirëpo, unë nuk isha në gjendje aq të mirë, saqë të bisedoja gjatë. Mjekët më kishin porositur të mos lëvizja dhe të flisja pak, që të mos lodhesha. Kryeministri Nano më kujtonte shpesh edhe pjesë nga rolet që kam luajtur gjatë karrierës time. Ky kujdes që u tregua për mua në Greqi ishte i madh dhe unë u jam mirënjohës të gjithëve.

Çfarë u thoshte Nano drejtuesve të spitalit grek?
Ai nuk merrej vetëm me drejtuesit e spitalit, se aty interesoheshin të mëdhenjtë e shëndetësisë greke. Nano u kishte kërkuar drejtuesve të shëndetësisë greke kujdes të veçantë për mua. Dhe unë isha shumë i kënaqur nga të gjitha shërbimet që më bënë.

Sa kushtoi operacioni juaj në Greqi?
As nuk pyeta dhe as më thanë ndonjëherë. Të gjitha shpenzimet i mbuloi shteti shqiptar. Operacioni ishte i vështirë, sepse u bë në zorrën e trashë. Mirëpo, mjekët punuan shumë mirë dhe e bënë të lehtë punën. Ata ishin mjeshtra të bisturisë, por edhe ne kemi mjekë shumë të mirë.

Përveç kryeministrit, a kishit njerëz të tjerë që kujdeseshin në spital?
Po. Ishte djali dhe njerëzit e shtëpisë. Ata më rrinin te koka natë e ditë dhe nuk m’u ndanë për asnjë minutë. Nuk më linin të mërzitesha dhe nuk më linin të ndjeja dhimbje për asgjë.

Çfarë u thanë mjekët grekë pas operacionit?
Më thanë se puna u shkoi mirë. Pastaj, kur gjithçka përfundoi, më sollën në shtëpinë time në Tiranë. Mirëpo, siç duket, unë nuk ndjehem mirë. Jam i paralizuar dhe nuk lëviz nga vendi. Tani jam 81 vjeç, por sëmundja ime tani është e rënduar shumë.

A mendoni se mund të jetë i nevojshëm një operacion i dytë?
Jo. Them se kaq ka qenë e mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje tjetër. Sepse, unë vazhdoj kurat e rregullta edhe në shtëpi. Mirëpo, një tjetër gjë ma ka helmuar zemrën dhe më ka futur në dëshpërim.
Çfarë gjëje iu ka dëshpëruar kaq shumë?
Vetmia. Unë jam vetëm dhe i braktisur nga të gjithë. Asnjeri nuk vjen për të më takuar dhe të gjithë më kanë bojkotuar. Nuk e kuptoj, përse ka ndodhur kështu. Unë para një viti kam qenë me plot miq e shokë dhe ata nuk më linin asnjë minutë vetëm. Para një viti unë festova edhe 80-vjetorin e lindjes dhe i kisha pranë të gjithë. Në mbrëmjen festive të 80-vjetorit nuk mungoi asnjë prej miqve të mi. Kurse tani, sa kam ardhur në Tiranë, nuk më ka trokitur njeri në derë.

Nuk ka ardhur askush t’ju takojë?
Shumë rrallë. Më besoni, dua njerëz dhe nuk dua të më lini vetëm.

Për kë keni më shumë nevojë, që të çmalleni e të takoheni?
Për të gjithë. Kam nevojë për kolegët e mi aktorë, të vjetër e të rinj. Kam nevojë për regjisorët e mi, të cilët i kisha të gjithë miq të afërt. Kam nevojë edhe për të gjithë miqtë e mi të dashur, të cilët nuk kishin lidhje me artin, por kishin shpirt artisti. Unë kam nevojë edhe për njerëzit e thjeshtë, që më kanë mdaluar në rrugë dikur, për të më uruar.

A do të keni mundësi t’i prisni gjithë këta njerëëz?
Porta e shtëpisë time do të jetë e hapur. Dikur, mbase kishin ata nevojë për mua. Tani kam unë shumë nevojë për ata. Shtëpia ime ka vend dhe i nxe të gjithë njerëzit e mirë.

A keni nevojë për ndihma financiare?
Jo, jo. Nuk e them këtë për hipokrizi, por vërtet nuk kam asnjë nevojë. Ju thashë edhe më parë se të gjitha shpenzimet e mia për kurimin i mbulon shteti. Unë nuk kam nevojë për para, por kam nevojë për njerëëz. Nuk e di, pse më kanë lënë vetëm.

Në gjendjen e vështirë ku ndodheni, a jeni në dijeni se çfarë ndodh jashtë shtëpisë tuaj?
Po, jam shumë i lidhur me të gjitha ngjarjet, sepse i shoh në televizor çdo ditë. Për këto ngjarje, ndonjëherë mërzitem, ndonjëherë qetësohem dhe ndonjëherë qaj. Më shpëtojnë lotët, sidomos kur marr vesh për vrasje apo viktima. Sepse, mosha ime edhe një herë në dy ditë të hajë bukë, prapë duron, por nuk durojmë dot kur dëgjojmë se si u vranë djemtë e rinj nëpër rrugë, apo se si u plagosën fëmijët. Prandaj qaj.

A dëgjuat për vrasjen e emigrantit shqiptar në Greqi?
U mërzita shumë. Këto gjëra më prekin pa masë. Ah, ta dini sa mërzitem kur dëgjoj për vrasje dhe dhunë. Këto ditë kam dëgjuar edhe për ngjarje të rënda që ndodhin në botë. Kudo ka njerëz që vuajnë. Luftuam dhe punuam gjithë jetën tonë që të mos kishte më vuajtje. Mirëpo, njerëzit kanë gjithmonë halle dhe jeta ka vështirësi.

Kush kujdeset tani pranë jush në shtëpi?
Është bashkëshortja. Ajo më rri në kokë nga mëngjesi deri vonë. Më shërben dhe më bën hyzmet. Në këto ditë të vështira, ajo nuk më është ndarë për asnjë minutë. Kjo më ka lehtësuar, por pres çdo ditë miqtë e mi, që të më vijnë e të më takojnë.

A i mbani mend tani rolet tuaja të kinemasë?
Ah, rolet e mia. Ato s’janë më të miat, por janë pasuri e kulturës dhe e kombit. I mbaj mend, mirëpo më duket pak kohë e largët.

Cili është roli më i mirë që të kujtohet në këto momente?
Të gjitha mund të më kujtohen menjëherë. Mirëpo e thashë edhe më parë: Unë rolet nuk i bëra për veten time, po për spektatorët dhe për kulturën shqiptare. Prandaj, më vjen çudi që më kanë lënë kështu të braktisur. Kam nevojë për ta se, duke qenë i paralizuar, po të ngrihem, mund të rrëzohem.

A jeni i lumtur për ato që keni arritur në moshën 81-vjeçare?
Unë jam i lumtur, po të jenë lumturuar edhe të tjerët, kur kanë parë filmat e mi. Ajo që kam bërë, është për të kënaqur njerëzit e thjeshtë.

Çfarë do të bëni kur të shëroheni plotësisht?
Ah, të shërohem njëherë e të ngrihem në këmbë. Prandaj i dua edhe njerëzit, edhe ngrohtësinë e tyre. Që të më japin forcë. Pa, kur të ngrihem, e di vetë çdo të bëj. Do të bashkohem prapë me ata që punojnë e nuk lodhen kurrë në xhirime filmash apo në teatër. Paçka se jam shumë i vjetër. Të paktën, të jem pranë tyre, se diçka do të bëj.

Keni dëshirë të xhironi përsëri filma?
Më qan xhani, po nuk mundem se nuk lëviz dot nga krevati.

A është i pasur Kadri Roshi?
Ah, mor bir, mos më pyet në këtë moshë për atë që s’kam nevojë. Unë dua pasuri shpirtërore. Se ajo më ngre në këmbë. Mirëpo, artisti në kushtet e këtushme nuk bëhet dot i pasur. Kurse unë s’kam asnjë nevojë financiare.

A mendoni se kontributi juaj është vlerësuar sa duhet?
Nuk është puna aty. Se puna ime është vlerësuar dhe unë jam mirënjohës. Puna ime ka mbetur dhe ajo është pasuria ime më e madhe që do të lë trashëgim. Mirëpo, unë kam hallin pse më lanë kështu. Vetëm fare. Tani që kam nevojë për njerëzit.

Ballkan
11-Shtator-2004

 

Dje, e ka parë jetën e tij si në pëllëmbë të dorës. Pas krahëve, në skenën e madhe shfaqej një dokumentar. Aktori i madh ngatërrohej keq nëpër rrjeta peshkimi, gëzonte e thithte aromën e detit. Përpara tij gjithë aktorët, artistët dhe miqtë e tij që i rrëfenin kujtimet...

Një festë emocionuese për ditëlindjen e aktorit të madh

Roshi, Ezopi shqiptar në stacionin e 80-të të jetës

Admirina Peçi

I dobët, por i gjallë. Me lot që i rrëzëllinin ndër qerpikë, me duart që i dridhëshin dhe portretin fisnik, Kadri Roshi ka shënuar dje vijën e jetës së tij tek mosha 80 vjeç.

Në Teatrin Kombëtar, ai dje ndihej mbret. Një mbret në kështjellën e tij, ku trofetë e "luftërave" hidhnin hijen e rëndë.

Dje, e ka parë jetën e tij si në pëllëmbë të dorës. Pas krahëve, në skenën e madhe shfaqej një dokumentar. Aktori i madh ngatërrohej keq nëpër rrjeta peshkimi, gëzonte e thithte aromën e detit. Përpara tij gjithë aktorët, artistët dhe miqtë e tij që i rrëfenin kujtimet. Diku shfaqej pedagogu i rreptë, që i linte nxënësit pas dere kur vonoheshin, diku tjetër artisti i madh që krijoi epokë, diku njeriu me zemër të madhe, me zë të magjishëm dhe portret të paharrueshëm. Kësisoj, aktori i njohur i kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Kadri Roshi festoi mbrëmë në Teatrin Kombëtar 80-vjetorin e lindjes. Në krah ka patur gjatë gjithë kohës aktorët e brezit të tij Drita Pelingu, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Marika Kallamata, etj. Një mbrëmje e ngritur mbi rrëfime, ku emocionet janë nderur deri në fund të sallës. Sepse, Kadri Roshi, 20 vjet më i madh se vetë Teatri Kombëtar, "Ezopi" që solli mendimtarin e madh në Shqipëri, ka lënë frymën e tij në atë skenë dhe për spektatorin e asaj salle. Ai, e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare, ndërsa njihet nga publiku si krijues i figurave të spikatura, karaktereve dhe simboleve të ndryshme artistike. Themeluesi i Teatrit Kombëtar dhe protagonist i filmit të parë artistik shqiptar "Tana", pa e ditur se një ditë do të ishte i tillë, Roshi fillimisht ka punuar në punët më të rëndomta si hamall, çirak, pastrues, etj. Arsimi 4-vjeçar i kryer prej tij, nuk e lejonte të bënte punë të tjera. Për një kohë të gjatë endet qyteteve dhe rrugëve të varfëra të Shqipërisë, provon ankthet e pushkatimit dhe jetën e burgut, deri kur një ditë vuajtjet dhe mundi i shpërblehen. Teatri Popullor i hap dyert për të ushtruar profesionin e suflerit, ndërkohë që ai provon talentin e tij në një vepër të Gogolit, vepër e cila i dha suksesin e parë në publik. Pas kësaj, Ai trajtohet nga bashkëpunëtorët e tij si një artist me të ardhme, gjë e cila solli edhe shkollimin e tij në Zagreb dhe më pas diplomimin shkëlqyeshëm në Pragë. Nuk ishte diploma ajo që i dha lavdinë, por ishte dashuria e madhe për punën, gjë të cilën e tregojnë dhe 180 rolet e krijuara prej tij në skenë dhe kinema.

“Humbje për kombin që nuk luajta Ali Pashën”

"Do ta bëjmë atë rol, do ta bëjmë, patjetër…". Kështu, thoshte dje Kadri Roshi, ndërsa miqtë e tij aktorë flisnin për dramën e Pulahës, e cila mbeti pa mbaruar.Pse jo ai mund të ishte roli, që do mbyllte derën e ndritshme të karrierës së tij. Sepse për të, siç e thotë edhe vetë Roshi, historia e teatrit është e gjatë. Ka pasur edhe të tjerë, që kanë ndihmuar në të, të cilët duhet dhe ta vazhdojnë këtë histori. Sepse unë e ndjej, jam i pazoti ta vazhdoj më tej.

Keni dashur dikur të luani Ali Pashë Tepelenën. Pse nuk mundët ta luani?
Kam dashur shumë ta luaj rolin e Ali Pashë Tepelenës.Por nuk arritëm ta luanim dot.E tillë ishte ajo kohë. Kjo është një humbje e madhe. Por një humbje e madhe për kombin, jo për mua.

Ju mjafton fakti që jeni një artist i madh në Shqipëri, apo do të donit të ishit artist i njohur edhe në një vend të huaj?
Jo, jo këtu.Unë jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët në kokë. Dhe për këtë jam krenar.

Do të vazhdoni të dilni në skenë?
Sa të kem fuqi po. Megjithëse këmbët kanë filluar të më dridhen, por edhe duke u dridhur do të tërhiqem zvarrë.

Po një rrugë për në Karavasta për të gjuajtur peshk do ta bënit?
Ohhh.Atje shkoj vazhdimisht. Ky është hobi im. Atje gjej një pjesë të kënaqësisë sime të jetës.

Keni pengje për role të paluajtura në teatër apo film?
Oh, sigurisht që kam edhe pengje.Por kështu e ka jeta e aktorit. Ai gjithë jetën ëndërron dhe bën mirë…

Liri Belishova
"Kadriu ka mbetur jetim që në moshën 2 vjeçare, sepse tezja jonë ka vdekur e re". Kështu është shprehur mbrëmë Liri Belishova, kushërira e Kadri Roshit, që krenohej me artistin e madh. "Ne krenohemi në familjen tonë me një njeri si Kadriu, një artist i madh i mbushur me shumë dashuri. Ndërmjet artistëve shqiptarë, është një njeri që ka fituar me talentin e tij dhe dashurinë ndaj njerëzve. Mendoj, se ai njeri është pikërisht Kadri Roshi. Dashurinë që populli dhe familja ka për të, ai e fitoi me dashurinë e jashtëzakonshme që ju jep njerëzve, me zemrën e madhe dhe talentin e tij.

Avni Mula
Ai ka sjellë më të veçantën në këtë përvjetor. Këngëtari dhe kompozitori i njohur Avni Mula, ka rrëfyer mbrëmë lidhjet me Kadri Roshin.
"Me Kadriun njihemi prej kohësh dhe ajo që ka forcuar më shumë apo ka rinuar më shumë shoqërinë tonë, ka qenë arti dhe peshku. Një sekret. Është një merakli i madh për grepat e peshkimit e për rrjetat. Ajo që na bashkon pos kësaj, është edhe fakti se sot më datë 4 janar ne kemi ditëlindjen. Me gjithë shpirt i uroj Kadriut, jetë të gjatë.
Kadriun e falenderoj pasi së bashku nuk ndamë vetëm skuqjen e peshkut, por edhe artin e kapjes së peshkut si një eksperiencë të paharrueshme për një shok me pasionin e peshkimit siç është Ai.

Ruzhdi Pulaha
Pulaha kishte nisur të shkruante dikur një dramë, ku Kadri Roshi luante vetveten. Por ende nuk e ka mbaruar. Këtë dramë, për të cilën aktori e pyet herë pas herë, Pulaha e ka përmendur ndërsa uronte Roshin për ditëlindje. "Më ka mbetur merak për një pjesë, e cila nuk ka përfunduar ende. Aty Kadriu ishte në rolin e Kadriut në një gjyq që bëhet në skenë. Ai vihet përpara komisionit të pronave, për të mbrojtur të drejtën e pronës së tij, teatrin. Sepse teari është djepi dhe varri i artistit, është pronë e patjetërsueshme e aktorit dhe e publikut. Është një rol në të cilin Kadriu luan vetveten. Para ca kohësh, kur fola në telefon më të, më tha: E ke harruar rolin, që më kishe premtuar?"

Drita Pelingu
"…Janë hijet edhe eshtrat e një pragu të panjohur". Të kujtohet kjo?" Drita Pelingu ka recituar ca vargje të hershme për nder të Kadri Roshit, duke i kujtuar atij se 59 vjet më parë dhe pikërisht në janar në ditët e para të tij, Pelingu ishte futur në shkollën e dramaturgjisë. "Aty për herë të parë kam njohur Kadriun, i cili jepte "Fjalën artistike". Mësimi i parë në këtë lëndë lidhej pikërisht me këto vargje. Prandaj i kujtova. Isha 17-18 vjeçe, nuk mund të mendoja kurrë se ai njeri i bukur, i gjatë, brun, do të ishte një ditë partneri im dhe ajo që më gëzon është se Ai, do të bëhej një nga artistët model të skenës shqiptare.

Reshat Arbana
Reshat Arbana është përlotur, ndërsa flitej në skenë për Kadri Roshin. I vënë rresht në rradhën e artistëve krah Roshit, ai është ngritur dhe e ka falenderuar aktorin për gjithçka ka arritur në art. "Unë dua të vlerësoj Kadriun si pedagogun tim.
Pedagog më të sertë se ai nuk bënte nëna. Nuk të falte, nuk të linte asnjëherë të futeshe në mësim pasi kishte kaluar orari. Ishte e kotë që të shkoje e të trokisje. Megjithatë, unë e falenderoj për këtë kërkesë të madhe që Ai kishte, që më bëri të lidhesha më shumë me artin. Unë nuk mund të them gjë tjetër veçse ta falenderoj, për gjithçka më ka dhënë në jetën time si aktor.

Panorama 05/01/2004

 

Mjeshtri i aktrimit, që kaloi pjesën më të madhe të jetës në skenë

Babai i teatrit shqiptar quhet Kadri Roshi

Baxhul Merkaj

Jetëshkrimi

Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 në Ballsh

Skena e teatrit kombëtar dhe sheshxhirimet ishin e vetmja shkollë e vetja që prej vitit 1945

Për rolin e kujdestarit në filmin “Lulëkuqe mbi mure”, në vitin 1977 ai merr çmimin special të aktorit më të mirë

Interpretimet e viteve ’80 në filmat “Gjeneral gramafoni”, “Këshilltarët”, “Njeriu me top” etj., cilësohen si kulmi i suksesit të tij

Në 1995-ën, ai merr Kupën e Karrierës në Festivalin e Dhjetë të Filmit Shqiptar për interpretimin në një nga rolet e tij të fundit të karrierës tek filmi “Kolonel bunker”

Ai është nderuar me titullin “Artist i popullit” dhe “Nderi i kombit”, që prej viti 1998-të

Ai ka më shumë se gjysmë shekulli që qëndron në skenë. Thotë se nga dashuria dhe pasioni i madh për artin edhe gjumin dëshiron ta bëjë në skenë. Kadri Roshi, i cili i dhuroi publikut kënaqësinë e interpretimit të mbi 100 roleve, sot mbetet një baba i teatrit shqiptar. Prej disa vitesh është i sëmurë po beson ende tek jeta, dashuria për miqtë, shokët, artistët. Ai që interpretonte me dhjetëra role, në drama e komedi, tashmë mezi belbëzon fjalët për dashurinë që ka ndaj artistëve, miqve, shokëve për kombin shqiptar, për popullin që përherë e ka duartrokitur. “Atij ja dedikoj të gjitha, popullit, popullit tim”, thotë ai. Jeta dhe veprimtaria skenike e filmike e Kadri Roshit është ngjitur në zenitin e kohës. Pikërisht në skenën e teatrit ai trokiti 60 vjet më parë dhe shpreh dashurinë ndaj saj. “Dyshemenë e asaj skene e kam larë me leckë, thotë ai, nga pasioni, dashuria për artin, edhe gjumin dua ta bëj në skenë”.

Copëza nga jeta
Biografia e Artistit të Popullit, Kadri Roshi, ka pika takimi me atë të artistëve të mëdhenj të skenës, të cilët në fillesat e tyre edhe janë rrëzuar, por pasioni i gjithëfuqishëm për artin i ka mbajtur gjallë. Nuk është një rastësi pasioni aktorial, pasi gjyshi i tij, Muhim Roshi, ka luajtur dramën “Besa” të Sami Frashërit në qytetin e Janinës në vitin 1908. Roshi mbeti jetim nga nëna qysh në moshën 12-vjeçare, ndërsa në moshën 16 vjeç i vdiq dhe babai. Nisi të sigurojë bukën e gojës si një punëtor i thjeshtë e më pas si një biletashitës në kinema. Në kohën e luftës u burgos. Për tentativat e para drejt skenës ai rrëfen: Ishte viti 1945 kur trokita në dhomën 63 në hotel “Vollga”. Tek hapa derën pashë disa persona. “Dua të bëhem aktor”, u thashë. Ishte e vështirë, pasi unë kisha në atë kohë vetëm katër klasë shkollë. Por Kadri Roshi arriti të miqësohej shpejt me ta, ndoqi më tej një kurs që u hap pranë Teatrit Popullor. Pas mbarimit të tij artisti u zhyt në lexime, duke kaluar nëpër mendje me dhjetëra e dhjetëra monologë, madje disa herë duke interpretuar vetveten. Aktori kujton se punonte edhe para pasqyrës, duke u sjellë sikur të ishte para publikut. Për të arritur deri në skenë për artistin nuk ishte e lehtë. Fillimisht punoi si sufler. Deri sa arriti t’i “vidhte” dhe t’i mësonte përmendësh shumë role. Hyri në konkurrim për të marrë pjesë në trupën e Teatrit Popullor, por dy herë u rrëzua në provim.

Të jesh një Demosten
Kishte një cen të vogël. Aktorit i mbahej pak goja. Vullneti dhe rrëmbimi pas artit e bëri të kapërcente kufijtë e çdo pengese dhe sakaq u bë protagonist i mbi 100 roleve, 80 prej të cilëve në skenën e teatrit dhe 30 në kinematografi. Kishte lexuar për Demostenin e lashtë, oratorin e Greqisë që vuante nga belbëzimi dhe kishte vështirësi të mbante fjalime. Ndaj për të shkëputur fjalët, përditë ushtrohej buzë lumit dhe anës detit duke dëgjuar jehonën e zërit të tij. Kështu veproi artisti Kadri Roshi, duke artikuluar me dhjetëra e dhjetëra herë zanoret e bashkëtingëlloret deri sa u bë mjeshtër i fjalës artistike. Loja e Kadri Roshit është cilësuar si një lojë e fuqishme depërtuese dhe komunikuese. Është aktor i planeve të shumta dramatike, elegjiake, satirike. Ai u dha portretin dhe zërin dhjetëra figurave të dramaturgjisë shqiptare dhe asaj botërore si: Abdyl Frashëri tek “Epoka para gjyqit”, depërtoi me gjuhën e artit në të vërtetat historike. Rolet e tij përherë e më të spikatura tek “Halili dhe Hajria”, “Revizori”, “Familja e peshkatarit”, “Hamleti”, Arturo Ui” e shumë të tjerë, shpalosën tiparet e një aktori gjithmonë në kërkim, me sens të spikatur origjinaliteti dhe tejdukshmërie deri në përsosje.

Filozofi Ezop
Një nga krijimet më të bukura të Kadri Roshit është roli i Ezopit tek “Dhelpra dhe rrushtë”. Partnerja e tij në këtë dramë, Artistja e Popullit, Margarita Xhepa është shprehur: Interpretova bashkë me Artistin e Popullit Kadri Roshi, unë rolin e Kleas dhe ai Ezopin. Roshi ishte dhe është i gjithëpushtetshëm në interpretimin e roleve të tij në teatër dhe në kinematografi. Ndërsa vetë aktori i gjendur nën petkun e filozofit Ezop pohon: Lum ai që di të derdhë djersën në kohën e duhur dhe kështu bukuria e çdo figure qëndron në vështirësinë për ta bërë figurën si veten tënde. Tek Ezopi kam bërë një punë shumë të madhe për sa i përket trajtimit të tregimit të fabulave. Thosha në prova dhe në skenë mbi 100 fabula. Që të arrija këtë më është dashur të mësoja dhe shumë fabula të tjera për të kuptuar se cili qe Ezopi. Por ai shprehet se Ezopin e ka mësuar me një fabul, që nuk gjendej fare në tekst. Aty gjeti thjeshtësinë e të treguarit të fabulës. “Domethënia nuk ka nevojë për shpjegime”, thotë Roshi, “është jeta që e ndihmon kulturën profesionale, sa herë që ajo s’të jep dot rrugëdalje”.

Rebeli “Arturo Ui”
Në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, Roshi dha figurën e nazistit të viteve ‘30. Kjo figurë djallëzore e shoqërisë njerëzore, që mëshironte cilësitë makabre, të cilat sollën kob në shumë vende të botës, interpretohet me aq patos, me aq mjeshtëri me aq shkathtësi e mprehtësi psikologjike nga mjeshtëri i skenës Kadri Roshi. Për këtë rol artistit ju desh të studionte shumë. Kjo gjë bëri që Roshi të krijonte një individualitet tepër të veçantë. Arturo Ui çirret, bërtet, ulëret, duke kujtuar bishën. Aktori luajti me zërin, sepse më pas zëri i tij tingëllon me vibracione të pastra.

Hamleti” i Shekspirit
Roshi te “Hamleti” i Shekspirit shprehej: “Të luash Hamletin do të thotë të fillosh të jetosh me mesjetën, me njeriun e asaj epoke, me mendësinë dhe me dramën e tij”. Hamleti i Kadriut kishte një pikëshikim tjetër nga ai i luajtur nga aktorët Naim Frashëri e Kujtim Spahivogli. Nëse Naimi ishte pasionant në atë gjë që bënte me “Hamletin”, Kadriu ishte tepër i idhët me një nëntekst shumë të pasur brenda. Artisti Roshi e zotëronte jashtëzakonisht planin e dytë në veprimin e aktorit. Ndoshta nënteksti, ironia e Roshit vihet shumë në dukje tek “Hamleti” i tij disa herë.

TO - Korrik 2005

 

Shuhet Kadri Roshi, “Ezopi” i skenes shqiptare

Semundja e gjate dhe e pasherueshme qe e kishte kapluar prej kohesh, i mpaku frymen, ndersa paraditen e djeshme, i paperseritshmi i skenes teatrore shqiptare, aktori Kadri Roshi, pushoi se marri fryme. Percjellesi i fundit do te jete Teatri Kombetar, ku mbahen homazhet mesditen e sotme

Semundja e gjate e kishte kapluar prej kohesh! I mpaku frymen Kadri Roshit e i ngadalesoi ecjen deri ne capitje. Ndersa paraditen e djeshme pushoi se marri fryme ne shtratin e shtepise se tij ne Tirane, ne moshen 83-vjecare. Duke lene kokulur publikun shqiptar, qe me e pa ze e pagezoi “mbretin e vertete” te artit te tij te madh. Ndersa dhembja e familjareve eshte e pamase, trishtimi perul koleget para figures se atij qe qe shkolla e mirefillte e teatrit shqiptar. Ndaj edhe teatri do te jete percjellesi i tij i fundit, pasi prej aty moren udhe 130 rolet e tij ne skene, per t’u shnderruar mandej ne thesarin e rralle te historise se tij. Misherimi i “Ezopit” qe i arrire, po aq sa edhe mjerimi prej nje fisniku te vertete ne shfaqjen “Epoka para gjyqit”. Por ai nuk eshte me! Ai u shua, duke lene pas hijen perndjekese te roleve te tij te mrekullueshme, qe pergjate 50 viteve kane qene shoqeronjesit me te mire te diteve te shqiptareve jo vetem ne Teatrin e atehershem Popullor, por edhe ne ekranin e vogel, nepermjet roleve ku ka skalitur figuren e tij prej nje artisti qe perjetesoi figuren e tij ne derrasat e skenes dhe dublat e filmave shqiptare.

Ndarja e tij nga jeta eshte nje humbje e madhe, e cila varferon artin shqiptar. I pandalur per te qene ne skene sa pati fryme, ai ate cka mundej e dha, ndoshta edhe duke pasur “brenga”, si ajo qe s’mundi te luante dot rolin e Ali Pashe Tepelenes, ndonese ka dashur prej kohesh ta interpretoje ate. E ndonese ai qe aktor shqiptar, sikunder nuk reshtte se theni: “Aktor shqiptar nga koka deri te kembet, e nga kembet deti ne koke”. Dhe per kete s’kishte pse fshihte krenarine ne asnje moment. E ndoshta pakkush e di se cila ka qene endrra qe ka pare per te fundit here?! A e ka lene dhembja valle te kete nje enderr te fundit ne momentet e fundit? Ai kurre nuk eshte fshehur pas enderrimeve te tij, e gjithnje ka thene: “Keshtu e ka jeta e aktorit. Ai gjithe jeten enderron dhe ben mire…”. E teksa mori edhe me te fundit dekorim nga skena e Teatrit Kombetar, pak muaj me pare faqet e tij jane njomur prej loteve. I ndodhte shpesh se fundmi, pasi duket se ndjente qe ato ishin te fundit here qe i shkelte keto derrasa e ulej ne ato karrige per se gjalli. Vete e krijoi teatrin, hodhi themelet e tij dhe u largua per te lene pas vetem gjurme te pashlyeshme. Ndersa “kujdestari” i filmit “Lulekuqe mbi mure” e te tjere si ai, kane perjetesuar figuren e madherishme te aktorit te paarritshem.

Homazhet ne oren 12.00 ne Teatrin Kombetar

Mesdita e sotme do te perule para trupit te tij te pajete kolege, te aferm, miq e artdashes. Teatri Kombetar do jete percjellesi i fundit i trupit te tij, per te mbajtur te pacenuar ate cka Kadri Roshi, emblema me e madhe e kesaj skene percolli nder vite.

Ministria e Kultures ka ngritur nje grup te posacem pune, kryesuar nga vete ministri Bujar Leskaj, i cili eshte perkujdesur per organizimin e gjithe ceremonise mortore dhe percjelljes se Kadri Roshit per ne banesen e fundit.

Homazhet kryhen ne Teatrin Kombetar nga ora 12.00, ndersa nisja e kortezhit per ne varrezat e Sharres eshte ne oren 14.00.


Interpretimet e Kadri Roshit

Artisti i Popullit Kadri Roshi u lind me 4 janar te vitit 1924 ne Mallakaster. Ne karrieren e tij te gjate qe fillon nga viti 1945, numerohen rreth 170 role, prej te cilave 130 jane role kryesore, qe do te benin te ndihej krenar kedo prej aktoreve te skenes dhe ekranit shqiptar. Ne vitin 1961, Kadri Roshi u nderua me titullin “Artist i Merituar” dhe ne vitin 1969, me cmimin e madh “Artist i Popullit”, ndersa ne vitin 1995, ne festivalin e 10-te te Filmit Shqiptar, mori kupen e “Karrieres”. Nga Presidenti i Republikes ne vitin 1998 iu akordua titulli “Nderi i Kombit”. Ai u rrit ne skenen e Teatrit Kombetar, duke qene nje nga themeltaret e tij. Skena e teatrit ku ka luajtur per here te pare ne vitin 1945 dhe sheshxhirimet ishin e vetmja shkolle e tij. Ka interpretuar veprat me te spikatura te dramaturgjise boterore dhe saj shqiptare. Kadri Roshi eshte dalluar ne realizimin me sukses te te gjithe llojeve e karaktereve. Ne historine e Teatrit Kombetar do mbeten te pashlyera interpretimet ne drama dhe komedi si te:

“Halili dhe Hajria”

“Revizori”

“Familja e peshkatarit”

“Arturo Ui”

“Epoka para gjyqit”

“Dhelpra dhe rrushte”

“Hamleti”

“Pas vdekjes”

“Fytyra e dyte”

“Doktori pacient”

“Hijet e nates”

“Ezopi”

“Dritat e skenes” etj


Ne kinematografi emrin e Kadri Roshit e mbajne 30 role:

“Tana”

“I teti ne bronz”

“Kur zbardhi nje dite”

“Malet me blerim mbuluar”

Fijet qe priten”

“Perballimi”

“Toke e pergjakur”

“Lulekuqet mbi mure”

“Njeriu me top”

“Gjeneral gramafoni”

“Balle per balle”

“Partizani i vogel Velo”

“Apasionata”

“Era e ngrohte e thellesive”

“Rrethimi i vogel” etj

08/02/2007, Korrieri



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.