| Zemra Shqiptare | ||||
|
Ema Andrea E merkure, 12-04-2006, 06:08pm (GMT) Rrëfimi i një shpirti të lirë Kur gjërat nuk shkojnë sipas planeve të mirëpërcaktuara. Dhe kur të tjerët nuk të hapin dyert. E megjithatë mund t’i dilet mbanë. Duke qenë e pavarur. Jo vetëm në jetën profesionale. Por edhe në atë private Klaudeta SKENDERASI - Jeta
Nëse do të përpiqesh vetëm për pak sekonda të zhbirosh se çfarë fshihet pas fytyrës tërheqëse të Ema Andreas, duhet të hidhesh njëherë në të shkuarën e saj dhe vetëm pastaj mund të zbulosh se në gjithë qenien e saj ajo ngelet thjesht një shpirt i lirë. Aq i lirë, saqë kur ishte ende fëmijë nuk kishe nevojë të thurte ëndrra të paarritshme. Në ato vite kur ia dha truri të hynte në shkollën e baletit, Ema e vogël nuk ngrysej e gdhihej me ëndrrën “kur të rritem do të bëhem balerinë”. Sepse baleti ndodhi të ishte rastësisht, si shumë të tjera, thjesht kapriço e një vajze të vogël që kishte dëshirë të provonte shumë gjëra dhe ishte e lirë ta bënte. Ashtu siç kishte qejf ta provonte njëherë edhe me kinematografinë dhe u shfaq si adoleshentja liceiste me emrin Anila, në filmin “Një djalë dhe një vajzë”. Por në fakt lidhja me kinemanë ka mbetur po aty, ashtu siç mbeti edhe lidhja me baletin, ndonëse prej tij ka mësuar shumë, dashurinë për muzikën, për "fluturimin", vetëdisiplinën dhe thellë - thellë vazhdon të mbetet e dashuruar me baletin. Eshtë pjesë e çdo lëvizjeje që bën, pjesë e çdo përfytyrimi që ka, por thjesht në atë kohë kishte filluar të ndiente se ky nuk mund të ishte mjeti i saj i komunikimit me botën. Ishte një tjetër mënyrë se si ajo kishte filluar t’i kuptonte gjërat. Pas filmit “Një djalë dhe një vajzë” Ema kishte krijuar një realitet tjetër brenda vetes. Ishte ngërthyer nga një pasion i fuqishëm për aktrimin dhe tashmë ajo vajza e vogël e liceut ishte e rritur për të marrë vendimin. Do të bëhej aktore! Udha mori fill në Akademinë e Arteve, ku Ema tashmë ishte studente në degën e aktrimit. Dhe e kishte mbyllur një herë e përgjithmonë kapitullin e eksperimenteve. Këtë e dëshmon më së miri rrugëtimi i saj i nisur pikërisht në auditoret e akademisë, një rrugëtim që vazhdon ende. Ndoshta sepse është i nisur nga yjet. Shfaqja “Natë pa hënë”, ku ajo ishte në rolin kryesor, atë të Marianës, e mëkoi Emën studente që në vitin e parë të fakultetit me dashurinë për skenën. Por natyrisht asnjë karrierë e sigurtë nuk mund të nisë kështu. Ndaj edhe rruga e saj për të mbërritur këtu ku është sot, rinisi përsëri, menjëherë pas suksesit të parë. Nisi nga shkalla e parë dhe kështu me ngadalë ka ngjitur shkallë të sigurta. E në çdo shkallë të gjitur kupton se sa me fat ka qenë që i ka hyrë një profesioni që nuk mbaron kurrë. “Çdo ditë kuptoj se sa shumë kam për të mësuar, dhe shoh se si frika më shtohet më shumë, frika nëse do të rrezistoj dot deri në fund të kësaj maratone të pafund”. Gjasat janë që Ema Andrea jo vetëm të rezistojë por të marrë në udhëtimin e saj edhe sigurinë që i japin sukseset, që në fakt nuk janë pak, pavarësisht se kinemaja mbeti një fill i këputur përgjysmë. “Me kinemanë do të kem me sa duket një raport të mbetur pezull. Nuk hyj në shijet e atyre regjisorëve që më njohin dhe për këtë nuk më vjen keq”. Ndoshta sepse Ema nuk e ndjen veten aspak të varur nga fenomeni protagonizëm, gjë që ndoshta mund t’ia kishte dhënë në një farë mënyre kinemaja. “Duke qenë nënë dhe aktore, kam dy shtylla të forta për të gjetur prioritete të tjera në jetë, përmbi egoizmin banal. Pastaj në skenë mund të shkarkosh shumë nga këto fenomene, duke qenë se për dy orë je më shumë se në qendër të vëmendjes të shumë personave, audiencës, spektatorit”. Dhe nëse shumë shpesh ajo është prezente në media të ndryshme, kjo ndodh sepse i pëlqen të flasë për fenomene shoqërore apo artistike, apo sepse duke qenë person publik, të qenit mes të mediave është pjesë e profesionit. “Gjëja e fundit për të cilën luftoj dhe mendoj të paktën deri në këto momente, është lavdia. Teatri më ka dhuruar më shumë se kaq. Të qenit nënë më jep shumë më tepër sesa një moment lavdie. Kam raport të mirë me veten dhe me jetën”. E duket se ajo shtylla e parë, të qenit nënë, e ka mësuar të shkojë shumë pranë vlerave të vërteta në jetë, shumë pranë idealeve të larta. Sara, vajza e saj, ka ardhur në jetën e saj kur ishte në vit të fundit në fakultet. “E falënderoj çdo ditë Perëndinë për këtë dhuratë që solli në jetën time, sepse prania e saj më ka mësuar të dua”. Dhe Ema tani di të dojë, madje mëson edhe të tjerët të duan. Mëson çdo ditë me kënaqësi studentët e saj që ta duan teatrin, përpiqet t’ua shtojë besimin në rrugën që kanë nisur, mundohet t’i orientojë në rrugën drejt së ardhmes së tyre si aktorë. Dhe kjo e vendos para një përgjegjësie shumë të madhe, sepse e ardhmja në Shqipëri nuk është shumë premtuese për artin apo teatrin në veçanti, dhe studentët Akademisë së Arteve nuk dalin nga auditoret më atë dashuri që hyjnë. Këtë Ema e di më mirë se kushdo. E di se këtu nuk mund të bëhet fjalë për rrethe apo klane artistike. “Hapësira është shumë e vogël dhe është thuajse e pamundur të mendosh që mund të jetë dikush që të lejon të hysh në disa pseudorrethe apo klane artistike. Askush nuk është i sigurt për hapësirën që zotëron, sepse nuk është terren i qëndrueshëm për teatrin. Mendësia e të gjithë atyre që janë në pushtet është thuajse alergjike ndaj artit në përgjithësi”. Prandaj edhe ajo ka preferuar t’u qëndrojë larg mendësive të tilla. Mendësi që e kanë mbajtur përjetësisht jashtë emërimit si aktore në Teatrin Kombëtar, ndonëse ajo vetë nuk është përpjekur asnjëherë që t’i qëndrojë larg këtij institucioni, por në fakt ka trokitur vetëm një herë, e nuk ka qenë kurrë e mirëpritur. E megjithatë të ardhmes nuk i dihet. “Teatri Kombëtar do të ketë gjithmonë respektin dhe nderimet e mia, por si në të gjitha fushat e jetës, institucionet përbëhen nga individë me të cilët me sa duket nuk ndajmë të njëjtat koncepte mbi profesionin, lavdinë, artistin dhe qytetarinë”. Ema ka preferuar t’i bindet vetes, të jetë e lirë, sepse vetëm ashtu di të jetë. Nuk i ka dalë aspak keq. Ka përvijuar një gjurmë të dukshme të vetes dhe kështu e varur nga askush, pak nga pak ka arritur të jetë ajo Ema Andrea, që nuk mund të kalojë ashtu pa u vënë re. Shumë e vlerësuar dhe jo vetëm si aktore, sepse duket se tani po i pëlqen të shkelë edhe toka të reja. Në shfaqjen e fundit “I am from Albania”, një monodramë ku Ema ishte bashkëregjisore me Stefan Çapalikun, ajo u vlerësua si aktorja më e mirë. E çmimi i përkiste jo vetëm aktores, por sigurisht edhe regjisë. Ndjehet mirë që më në fund mori në vlerësim edhe në Shqipëri, duke qenë se deri në atë moment kanë qenë rrethe teatrore në shtete të tjera që i kanë dhënë vlerësimet. “Me Çapalikun nuk është hera e parë që bashkëpunoj. Kemi mbështetur shpesh njëri-tjetrin nëpër projekte teatrore, në të cilat kemi besuar, kemi luftuar gjithmonë që të mos tradhtonim profesionin dhe dashurinë për teatrin. Shfaqja e fundit dëshmoi se kemi ndjekur rrugën e duhur, edhe pse atë më të vështirën”. Dhe të qenit e pavarur ia ka bërë rrugëtimin më të lehtë. Ema Andreas i pëlqen të punojë me moton “unë jam veprat e mia". Pastaj vetëm kështu mund të krijojë hapësirën e saj si aktore, duke mos tradhtuar besimin dhe dashurinë për profesionin. Sepse për Emën të jesh i varur shpesh do të thotë ta kthesh profesionin në një rutinë të përditshme dhe kështu ta bjerrësh nga vlerat e vërteta dhe të harrosh arsyen përse e ke filluar. E duket se është një rrugë shumë e vështirë, e për më tepër të qenit femër e bën akoma më të vështirë të qenit e pranuar, por ajo është edhe më e fortë kështu, përderisa i pëlqejnë sfidat. Nuk do të donte kurrë që një ditë të përfundonte si një tufë togfjalëshash pa kuptim, apo si një thes thashethemnaje. “Të mundja vërtet të heshtja dhe të jenë veprat e mia që të flasin për mua. Do të vazhdoj të jem e pavarur derisa të mund të rezistoj, me shpresën se një ditë do të kem krijuar hapësirë edhe për të rinjtë që duan të vazhdojnë këtë profesion, duke u dhënë atë për të cilën të gjithë të rinjtë kanë nevojë”. Sa u përket planeve të saj, nuk ka plane të afërta, por është e sigurt që sivjet do të ketë regjinë e një shfaqjeje për gratë dhe ka dy oferta bashkëpunimi me dy regjisorë të huaj. Asgjë nuk është konkrete dhe e sigurt, por më mirë kështu... Natyrisht që nuk mund të jetë ndryshe, jeta i ngjan Emës.
Nata e shpalljes së 12 Artistëve më të mirë të Vitit u zhvillua mbrëmjen e të dielës në Pallatin e Kongreseve. Nuk ishte aspak një shoë i rradhës, por një mbrëmje e madhe, ku e gjithë vëmendja ishte e përqëndruar tek të gjithë artistët dhe krijuesit shqiptarë. Ishte tek ata, të cilët me punën e tyre na emocionojnë, shplodhin dhe na bëjnë të shijojmë një tjetër dimension të jetës. Ishte një natë që u ka takuar tërësisht artistëve shqiptarë dhe krijimtarisë së tyre. Ishte një natë-spektakël, një natë magjike, ku publiku duartrokiti artistët e tij të preferuar dhe pati kënaqësinë të shijojë një spektakël të mrekullueshëm.Konkurenca ishte tepër e fortë, pasi vetëm 12 artistë u nderuan me çmime duke i shoqëruar dhe me kupa, nga 48 konkurentët. Emocionet e tyre janë të papërshkruara nga publiku dhe ne duke dashur për t’i ndjerë deri diku këto emocione kemi intervistuar një prej artisteve që u kurorëzua në këtë mbrëmje të veçantë , Ema Andrea. Ajo u shpall “Aktorja e vitit” duke u gjendur përballë një konkurence tepër të fortë. E quajmë të tillë pasi për të njëjtin çmim pretendonin edhe aktore mjaft të njohura si: Drita Pelingu, Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku. Ema Andrea tregon për çmimin, rëndësinë dhe sesi e përjetoi ajo një moment kaq të rëndësishëm të jetës së saj. Sot |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||