Regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj
Artisti i Merituar, regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj, ka lindur ne Ngracan te Mallakastres me 7 shkurt 1945.
 |
| Mevlan Shanaj |
Pasi ka mbaruar Politeknikumin Mjekesor, gjate viteve '63-'65 ai ka punuar si ndihmesmjek, per te fituar me pas te drejten e studimit per ne Fakultetin e Mjekesise. Por pikerisht gjate kesaj periudhe, Mevlani arriti te kuptoje se rruga qe deshironte te pershkonte nuk ishte mjekesia, por arti.
I udhehequr nga pasioni per artin, ai vendos te heqe dore perfundimisht nga mjekesia dhe ne vitin 1965, i drejtohet shkolles "Aleksander Moisiu".
Kater vjet me vone ai ka luajtur per here te pare nje rol ne filmin "I teti ne bronx", film te cilin edhe sot e kesaj dite, Mevlani e kujton me nostalgji. Por ky film ishte vetem trampolinoja per te vazhduar me tej, me nje karriere artistike qe pasurohej nga dita ne dite.
Momente te vecanta ne jeten e tij ka shenuar puna si regjisor ne RTSH. Sic thote edhe vete, aty ai arriti te eksploronte cdo lloj zhanri te ekranit, pa perjashtim, duke filluar qe nga filmat, spektaklet, drama, koncerte, festivale, dokumentare, etj.
Janar 2005/Koha Jone
Flet kineasti Mevlan Shanaj për filmin e tij të fundit
“Stacionet e pikëllimit’, eksperimenti im”
Ilda Lumani
Këto ditë të ftohta dimri, aktori dhe regjisori i njohur, Mevlan Shanaj, po i kalon duke udhëtuar nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin. Janë xhirimet e filmit të tij të ri “Stacionet e pikëllimit”, që po e detyrojnë atë të kryejë një udhëtim të lodhshëm nga Pogradeci në Shkodër. Por s’është vetëm koha e ftohtë e kësaj stine, që e vështirësojnë këtë udhëtim të gjatë, është dhe treni, automjeti të cilin ai e ka zgjedhur për të bashkuar këto dy qytete. Gjithçka në këtë film, çdo mendim, ndjenjë apo emocion, do të vijë përmes zërit të dy personazheve, të cilët nuk do të shfaqen asnjëherë në ekranin e televizorit. “Ata do të bisedojnë me njëri–tjetrin. Filmi, një meditim dramatik, është një eksperiment për mua”, u shpreh regjisori Shanaj, në një intervistë të dhënë për gazetën “Tirana Observer”. Ndërkohë, Shanaj nuk heziton të zbulojë dhe projektet e ardhshme të karrierës së tij. Bëhet fjalë për një film që i dedikohet kolegut dhe mikut të tij, aktorit Vangjush Furxhi.
Si ka lindur ideja e filmit, me të cilin po punoni aktualisht?
Ky është një film eksperimental për mua si regjisor dhe unë po eksperimentoj veten time në këtë lloj filmi meditimi, ku lidhen dy liqene, ai i Shkodrës dhe i Pogradecit. Personazhet e mi janë përkatësisht nga këto dy qytete. Atë që nuk e kanë ndarë dot liqenet, e bëjnë dy njerëz që bashkohen dhe dashurohen. Eshtë një lidhje gati si një përrallë, një legjendë dhe në këtë film eksperimental unë udhëtoj në tren, ashtu siç kam disa ditë në të vërtetë që po udhëtoj dhe shoh më nga afër këto vende. Shkoj në Shkodër, në Pogradec, nëpër stacione, prandaj dhe filmi im quhet “Stacionet e pikëllimit”, ose trishtimit, pasi më kanë trishtuar shumë këto udhëtime që kam bërë.
Përse kini zgjedhur të udhëtoni me tren z. Mevlani?
Pasi filmi im është një udhëtim, ku gjithçka do të shfaqet si një punë eksperimentale. Xhirimet i kam bërë nëpër tren dhe personazhet e mi janë pasagjerë në këtë tren. Ata nuk do duken aty vetëm, do të dëgjohen, do të diagolojnë me njëri-tjetrin.
Si takohen këta personazhe në filmin tuaj?
Personazhet kanë një njohje rastësore. Djali është nga Pogradeci, ndërsa vajza është nga Shkodra. Ata kërkojnë të bëjnë një copë rrugë së bashku, por stacioni i tyre fatkeqësisht nuk është më stacioni “shpresa”, por është “Stacioni i dëshpërimit”. Ata gjoja
Përse i ke zgjedhur personazhet nga këto dy qytete?
Pasi unë kam bindjen se mes liqeneve të këtyre dy qyteteve ekziston një dashuri
udhëtojnë, por nuk kanë stacion ku të ndalojnë.
Cila është e veçanta e këtij filmi eksperimental?
Ajo që është interesante është se kam pasur trishtim në këto xhirime, siç është “koha” prekëse, goditëse. Të tilla kanë qenë dhe stacionet therëse, të braktisura në dukje, por që në të vërtetë aty banojnë njerëz, ka trena pafund të shkatërruar që mbeten në këto stacione. Si linjë është tepër e dhimbshme, është një marrëdhënie dramatike, një film meditim. Fundi i filmit do të thosha është disi “elitar”, në kuptimin e dramaticitetit, por ndoshta dhe mund ta ndryshoj.
Pas përfundimit të këtij filmi, a keni menduar ndonjë projekt tjetër?
Në fakt, paralelisht me filmin “Stacionet e pikëllimit” kam përgatitur skenarin e një filmi për aktorin e madh, Vangjush Furxhi, të cilit dua t’i bëj një portret. Eshtë një angazhim i imi serioz dhe për faktin se ai është një figurë nga më të plotësuarat të ekranit shqiptar, por edhe më tragjiku. Jeta e tij dramatike, me një fund tragjik, më ka provokuar që t’i bëj një portret një njeriu të rrallë, të veçantë, padyshim më i miri i skenës. Eshtë prototipi i një profesionisti. Unë nuk jam fans i tij që flas kështu, unë jam miku i tij, kam bashkëpunuar me të. Ata që e njohin profesionin tonë nuk mund të dorëzohen para tij. Unë e njoh si koleg, si aktor, si regjisor dhe nuk është se e vlerësoj për faktin se nuk është më mes nesh. Kam bërë një skenar shumë të bukur për të, por që deri më tani nuk është pranuar për t’u mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike.
Aktori dhe regjisori Shanaj
Mevlan Shanaj ka lindur në qytetin e Fierit në vitin 1945
Ai është i njohur si aktor dhe regjisor në mjaft filma të suksesshëm. Në mjaft prej tyre Shanaj është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Disa nga filmat e tij janë:
“Guximtarët” (1970), “I teti në bronz” (1970), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Korrierët” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Një telegram, një këngë” (1982), “Fletë të bardha” (1990), “Unë e dua Erën (1991) , “Rrethimi i vogël” (1996), “Lule të Kuqe, lule të zeza” (2003)
Filmi
Filmi “Stacionet e pikëllimit”, projekti i fundit i regjisorit Mevlan Shanaj
Filmi është i llojit meditim dramatik
Xhirimet zhvillohen gjatë rrugës nacionale Pogradec - Shkodër
Interpretojnë dy personazhe, të cilët nuk shfaqen por dëgjohet vetëm zëri i tyre
Mes personazheve ekziston një linjë dashurie
Filmi është i gjatë 30 minuta
TO - Janar 2006
Regjisura është arti i torturës dhe unë vazhdoj të torturohem
Ëndrra e tij ka qenë të bëhej aktor. Edhe pse shumë i pasionuar dhe i dashuruar me këtë ëndërr, Mevlan Shanaj nuk arriti ta realizonte tërësisht. E përjetoi dhe e ushtroi vetëm për pak kohë këtë profesion dhe arriti të ndjente emocionet e një aktori. Thuhet se rastësia është e çuditshme. Pikërisht një rastësi e tillë i ndodhi Mevlan Shanajt duke e çuar në drejtim të një rruge të përafërt më aktrimin, por jo dëshirën e tij. E kemi parë si aktor, por në vijim të karrierës së tij është kthehet në regjisor dhe sot pas shumë vitesh si shfaqet edhe producent, një komponent i ri ky, i hyrë në artin dhe kulturën shqiptare. Ai ende vazhdon të tentoj drejt artit.
Kush ishte rrjedha që ndoqi karriera Juaj?
Në shfaqjen time, me të cilën mbrojta diplomën isha me fat, sepse pata një vepër të mirë të Brehtit, një rol të spikatur. Mesa duket kjo më hapi dhe perspektivën e jetës, sepse edhe regjisori Viktor Gjika nga kjo mendoj se është ngacmuar, që më ftoi në filmin “I teti në bronz”, në rolin e komisarit Memo. Gjithmonë thuhet se në art mbretëron rastësia. Aty ishin të ftuar edhe aktorë të mëdhenj, por unë arrita ta merrja këtë rol. Këtu u bind regjisori. Çdo gjë shkoi mirë dhe ai film pati shumë sukses në atë kohë. Nga kjo pritje e mirë e publikut u shtuan edhe përgjegjësitë e mia. Edhe pse dëshira ime ishte, që unë të vazhdoja rrugën e aktorit, pasi ai ishte edhe drejtimi im, por rrjedhimet e ngjarjeve bënë që unë të punoja si regjisor në Televizionin Shqiptar. Kur kam filluar punën këtu ishim një staf prej 31 personash dhe kemi ecur gjatë në ndërtimin dhe konceptimin e një televizioni në atë kohë, kur Shqipëria po fillonte të hidhte hapat e para në këtë gjigant të ekranit të vogël. Është gjigant për nga shtrirja dhe përmasat që merr. Kam punuar gjatë në Televizionin Shqiptar. Kam provuar të gjitha mundësitë që mund të ketë një njeri i ekranit. Duke filluar si spiker, regjisor, producent, aktor dhe realizime filmash ku kam përballuar mjaft punë edhe së fundmi. Me ekranin qoftë ky i madh apo i vogël kam vite që bashkëjetoj, madje them se jam i martuar me të. Nga kjo martesë kanë lindur disa role e krijime, të cilat edhe pse kanë kaluar vite për një realizëm dhe jo për nostalgji i respektoj. Gjatë kësaj udhe të gjatë krijuese me vështirësitë e kohës para viteve ’90 nuk do të thotë se pas këtyre viteve nuk përjetohen shqetësime, kriza e dimensione të tjera. Rruga që ka përshkruar një artist i ekranit në Shqipëri ka qenë me vështirësi, me probleme, me kënaqësi, me emocione dhe endet në të papriturat. Unë nuk kam mbërritur në stacionin tim të fundit dhe vazhdoj të udhëtoj.
Jeni aktor, regjisor dhe producent. Mund të shkëpusni pjesët më të pëlqyera nga puna juaj?
Në këtë rrugë të gjitha punët e mia do i respektoj, pavarësisht se ato nuk janë të gjitha të një vlere, sepse asnjë krijues në botë qoftë nga fusha të ndryshme të artit është e pamundur, që ti ketë të gjitha veprat e tij të barasvlershme. Edhe nga ana gjenetike njeriu kur krijon dhe prodhon nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm. Kjo varet edhe nga koha edhe nga bashkëpunëtorët. Roli im i parë duhet respektuar si puna e dashurisë së parë dhe ky është “I teti në Bronx”, por nuk do të thotë se Nebi Surreli tek “Rrugicat që kërkonin diell” ka pasur një jetëgjatësi dhe një maturë timen si aktor edhe pse ishte akoma shpejt dhe këtë jetëgjatësi unë e shikoj edhe sot tek personazhi. Njeriu deri në fund është në kërkim. Edhe tek filmi im i fundit “Lule të kuqe lule të zeza” provova, që të bëja gati një karakter edhe pse unë nuk jam aktor i karakterit, përgjithësisht kam qenë aktor i të përcaktuarës, por aty provova dhe them se kam dhënë diçka timen. Si regjisor filmash është një jetë e gjatë me shumë punë përveç filmave artistik ka shumë drama, dokumentar, spektakle, por ndër më të spikaturat nga opinioni dhe kritika mund të them se është filmi që përmenda më sipër. Ai është shfaqur përveçse në Shqipëri edhe në Nju Jork ku është vlerësuar në një festival prestigjioz në vitin 2004, është shfaqur edhe në festivale të tjera ku ka shkuar. Mund të përmend këtu edhe filmin “Plumba perandorit” që pas 26 vjetësh është ende i freskët dhe kjo është një kënaqësi. Midis numrit të madh të dokumentarëve mund të shkëpus “Rrugët” edhe ky ka udhëtuar nëpër festivale ndërkombëtare, duke u shfaqur dy herë në Silver Profesional përveçse në Shqipëri dhe me fat kam quajtur një material autentik që kam dialoguar dhe fiksuar një imperator të artit shqiptar siç është Lasgush Poradeci. Ai ka qenë një gjetje e veçantë, por mbi të gjitha madhështia e tij qëndron tek fjala e gjallë dhe tek karakteri i papërsëritshëm i këtij gjeniu të letrave, të këtij personaliteti të patjetërsueshëm. Në biografitë unë kam trajtuar edhe figura të tjera madhore të artit dhe kulturës shqiptare. Të jesh producent është moda e fundit e imponuar. Këtu nuk kam pasur shumë punë. Përfshij këtu filmin “Lule të kuqe lule të zeza” dhe një dokumentar modest, por që ngacmoi publikun emocionalisht. Ky dokumentar i është kushtuar një djali handikap koleg, regjisor, krejtësisht i parealizuar, por që është mbajtur në raportet e brendshme emocionale për këtë figurë qendrore.
Si e cilësoni rolin tuaj si regjisor?
Roli i regjisorit është një profesion fatkeq. Kjo sepse në Shqipëri sot nuk numërohen më shumë se 20 regjisor dhe ky është një numër shumë i pakët në rang kombëtar. Pikërisht për këtë ata janë fatkeq. Kjo sasi e pakët vjen sepse prodhimi është i ngadaltë, i perceptueshëm dhe gjërat nuk bëhen me porosi dhe ndaj ky është profesion mjaft i vështirë. Puna e tij bëhet duke ju bashkangjitur punës në ansambël. Ky profesion jo vetëm, që kërkon përgatitje, kulturë dhe organizim të nivelit të lartë, por kërkon edhe mbështetjen ekonomike. Kjo e fundit bëhet dominuese duke penguar atë kryesoren.
Mendoni se një pjesë e regjisorëve nuk kanë njohuritë e duhura për tu bërë të tillë?
Ky gjykim nuk më takon mua sepse ata janë kolegët e mi. Unë gjykoj fenomenet sociale, jo ato krijuese. Secili ka të drejtën e tij të shprehet dhe publiku është ai që e përcakton.
Si mund ta quani regjisurën si pjesë të artit?
Regjisura është arti i torturës.
Kur është kështu pse vazhdoni ta ushtroni këtë profesion?
Vazhdoj të torturohem.
E ndieni afër vetes publikun?
Publikun unë e falënderoj, se vazhdon të më dojë, ndoshta edhe se kam merituar këtë respekt që ka treguar ai ndaj meje. Dashuria ime me publikun ka qenë e mirë dhe kjo dashuri më shoqëron ende. Unë e dua, por edhe ai më do.
Ka ndryshim të publikut ndër vite?
Sigurisht, që ka ndryshim madje ai është kolosal. Sot është një publik me krizë morale, sepse këtë krizë jeton shoqëria jonë. Kjo vjen si rezultat i një periudhe të lodhshme tranzicioni dhe administrate në vend që ta lehtësonte, ti vinte një balsam, përkundrazi e ka lënë në këtë stërmundim të gjatë. Në vitet e mëparshme publiku kishte një përgatitje tjetër pasi dhe koha dhe sistemi ishin të tjerë dhe kanë ligje të ndryshme nga sistemet alternative. Ne tashmë kemi hyrë në një sistem alternativ të mendimit dhe konkurrencë të prodhimit. Duke qenë të papërgatitur për këtë sistem shpalosen vlera që kanë qenë të panjohura për ne.
Keni marrë çmime ndërkombëtare?
Natyrisht që unë këtu jam vlerësuar me çmime, por në evenimentet ndërkombëtare pjesëmarrja jonë nuk ishte shumë e zgjeruar. Arsyeja është se Shqipëria ka qenë një vend krejtësisht i izoluar.
Kemi zhvillim të kinematografisë?
Kinematografia tani është krejtësisht më e emancipuar, shumë më qytetare edhe pse ka prodhimin më të pakët dhe mbështetja është nga më të dhimbshmet. Vendet tona fqinje kanë një mbështetje financiare shumë herë më të madhe se ne. Me këto kushte kineastët shqiptar kanë treguar se e njohin mirë profesionin dhe që sot janë në modë dhe më vlerësime ndërkombëtare, janë disa regjisor që po marrin çmime.
Ka një ligj për të mbështetur kinematografinë?
Ne kemi një ligj shumë të mirë për kinematografinë. Ky ligj i jep mundësinë kineastëve që të shfaqin personalitetin e tyre. Ligji është kompetitiv, por problemi qëndron tek buxheti i shtetit.
Ju jeni anëtar bordi dhe pedagog në shkollën “Marubi”. Ka ndikuar ajo në zhvillimin e kinematografisë?
S’ka shkollë që nuk është pozitive. Kur flitet për shkolla arti unë jo vetëm që i duartrokas, por them edhe se po të hapej një shkollë për të edukuar kafshët unë do të shkoja ta vizitoja. Shoqëria jonë ka shumë nevojë për shkollë dhe kulturë. Duke qenë në traditë të distancuar nga kultura kemi ende shfaqje atavizëm të feudalizmit ose reminishenca të komunizmit. Shoqëria jonë ende nuk ka fituar dimensionet e saj qytetare.
Mendoni se kjo arsye është një nga faktorët kryesorë që ka penguar integrimin e shoqërisë tonë?
Arsyeja jemi ne dhe politika që kemi ndjekur. Ne jemi të varfër dhe shumë herë varfëria lind edhe plagë sociale. Ne kemi një varfëri gati-gati të skajshme kemi edhe plagë të mëdha sociale.
Me liberalizimin e ardhur mendoni se kemi bërë përpara?
Kjo ecje ka qenë e pakët. Po të krahasohemi me nivelet botërore sikurse jemi në të gjithë parametrat e tjera prapa, jemi edhe në ato të shkëmbimeve kulturore. Ne jemi në një kryeqytet, ku ka vetëm kinema dhe nuk ka alternative të shprehjes së formave të ndryshme të kulturës. Përderisa s’ka alternativa nuk mund të jesh kompetitiv. Sot bota virtuale e ka zbuluar atë botë që nuk njohim. Nuk ekzistojnë distanca, por ka njerëz që nuk dinë të përjetojnë kohën. Në botë nuk ka më tabu, por ka njerëz që s’dinë të komunikojnë, të integrojnë. Shqiptarët jetojnë në një parazitizëm.
Karriera Juaj ka pasur kundërshtarë?
Në të gjithë jetën dhe karrierën kam patur një kundërshtar dhe një mik të njohur, veten. Ego dhe uni janë njerëzit më të afërt të mitë.
Keni projekte?
Ne regjisorët jemi si ata beqarët që vazhdojnë të kërkojnë fatin. Momentalisht kam një dokumentar skenari i, të cilit është shfaqur në një konkurs. Është mjaft interesant dhe mendoj se duhet të fitoj. Ky dokumentar bën fjalë për jetën e artistit në shoqëritë totalitare. Në qendër të tij është një personazh nga më të mirët e ekranit tonë, por që u nda nga jeta në moshë shumë të re. Nëpërmjet tij unë dua të bëj një përgjegjësim artistësh dhe vendos paralelisht artistin dhe realitetin. Projekti i dytë është një film eksperimental, derisa është i tillë as unë vetë nuk e di. Shpresoj që vitin e ardhshëm të kem një film artistik. Këto janë projektet që kam drejtpërsëdrejti, kurse në sirtarë mund të kem shumë, jo ëndrra, por skenarë të filmave që flenë në letër.