Sandër Prosi, stomatologu që magjepsi skenën
 |
| Sandër Prosi |
Fati nuk mund të kishte qenë i pabesë me Sandër Prosin. Edhe pse me një diplomë stomatologu në xhep, ai nuk mund ta tradhtone pasionin që kishte për skenën. I sapokthyer nga studimet në Austri, kishte dëgjuar për një konkurs që Teatri Kombëtar organizonte për aktorë dhe ai nuk u mendua gjatë. Qysh kur ishte adoleshent, i kishte ngelur si gozhdë një merak. Kishte tentuar të luante në dramën e Shilerit “Vilhelm Tel”, por pas disa provave të lodhshme gjithçka ishte anuluar nga fashistët. Brenda pak kohësh u kthye në aktor, pedagog, një kult i teatrit dhe i kinemasë shqiptare. Pati mësues dhe kolegë të njohur, si: Naim Frashëri, Andon Pano, Marie Logoreci e shumë të tjerë, një plejadë aktorësh të vjetër që vendosën themelet e aktrimit në vend.
Sandër Prosi lindi janarin e 1920 në qytetin ku u këndua për vite të tëra “Luleborë”. Qysh kur ishte ende në gjimnaz provoi të vishte petkun e njërit prej personazheve të dramës "Vilhelm Tel", e cila nuk mundi të shfaqej. Pasionin për teatrin e kishte që i vogël kur shkonte në kinema. Aty jepeshin shfaqje nga grupi amator i drejtuar nga Mihal Popi dhe ai përpiqej sadopak që të përshtatej me personazhet që kishin filluar t’i ceknin ëndrrën e tij të madhe, atë të aktorit. Por me sa duket planet që kishte për të familja ishin ndryshe. Niset për studime në Austri në degën stomatologji, të cilat i la përgjysmë. Pasi kishte lënë kujtimet e ëmbla të Austrisë, merr pjesë në konkursin e Teatrit Popullor, ku edhe iu besua roli i parë. Roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë "Prefekti" të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Popullariteti i tij si aktor lidhet me karakterin e thellë popullor të artit të tij. Vetitë fizike, trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një aktori të madh që i vjen rrallë skenës shqiptare. Krijimet e Sandër Prosit në film shënojnë kulme në mjeshtërinë e aktorit. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film. Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik". Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm që u bë artist i madh. Në filmin "Vitet e para" ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t'i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë "Artist i Popullit". U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit "Pranverë e hidhur" më 24 mars 1985.
Portreti i harruar
Në një nga vilat e vjetra në zonën e Bllokut, në galerinë e një piktori ruhet që nga 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite dhe ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto tani pakkush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekuilibri ka humbur shtratin e përhershëm dhe ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në ato momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty e mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri te hotel “Vollga” asnjëri nuk e ndjeu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.
Trofe
Sandër Prosi, edhe pse është konsideruar shpesh si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, sërish nuk ka marrë aq sa duhet nga shteti. Gjatë karrierës së tij aktoriale ai është nderuar me disa çmime, kupa, medalje, si dhe me çmime të Republikës. Në ‘75 u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë për rolin e Jaho Labit në filmin "Në fillim të verës". Sot numëron në mbi 100 role të interpretuara me mjeshtëri në teatër dhe kinematografi, por asnjëra prej tyre nuk mund të përsërisë realizimin e figurës së Ismail Qemalit, e cila u nderua me Medaljen e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë. E kush e ka harruar Dhaskal Todrin, i cili është ngjizur aq mjeshtërisht nga Sandri, edhe ky po kaq i vlerësuar nga publiku? Kolegët dhe të afërmit tregojnë se ai krijonte një lidhje të çuditshme me personazhin, duke përftuar në këtë mënyrë ndjesi të tilla që shkriheshin direkt me rolin. Sandër Prosi njihte mirë letërsinë, që shërbente për të zbërthyer mjeshtërisht personazhet, para se ai të vishte petkun e tyre.
Sekreti i lotëve tek “Udha e shkronjave”
Dhaskalin plak askush nuk mund ta shlyejë lehtë nga kujtesa. Stafi që ka punuar gjatë për realizimin e këtij filmi gërxheve të Himarës tregon se u është dashur shumë mund për të realizuar këtë film, që mbart një emocion të madh. Mes zagushisë së tejskajshme ato ditë edhe aktorit të madh nuk mund t’i mbusheshin sytë më lot (ashtu siç e kërkonte skenari) në momentin kur ai kthehej i mallëngjyer në vendlindjen e tij të dashur. Pas disa dublave të njëpasnjëshëm regjisori Pali Kuke kishte vendosur t’i ndërpriste xhirimet. Stafi realizues u shtri të pushonte nën hije. Zhurma e autobusit të linjës as që i kishte bërë përshtypje stafit, aq më shumë të ktheheshin në sheshxhirim. Boria kishte prishur qetësinë, ndërkohë që në atë të përpjetë u dëgjua frenimi i përtuar i autobusit Vlorë-Himarë. Mes tymit dhe afshit përvëlues zbret nga autobusi një burrë dhe i jep Sandër Prosit një qese me qershi. “E ke nga të gjithë ne", - i tha ai. Kaq u desh që aktori të thërriste: "Fillojmë xhirimin". Emocioni kishte marrë udhë dhe ai nuk donte ta humbiste këtë moment.
Galeria e roleve
Për më se tri dekada Sandër Prosi krijoi mbi 80 role në teatër dhe kinematografi, të shkëputura këto nga 75 vepra të autorëve të huaj dhe vendas. Klasi i tij aktorial bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit. Ata ishin aq të ndryshëm dhe për këtë qëllim u bënë mjaft popullorë dhe të pëlqyer nga publiku. Trupi i drejtë, pamja fisnike, një nur i pakrahasuar skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, zëri i veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës, që u gdhend natyrshëm te publiku. Ai luajti në mjaft filma, të cilët padiskutim u cilësuan të suksesshëm. Nëse bëjmë një shëtitje të shkujdesur në galerinë e roleve të tij, do të veçojmë filmat: "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Mëngjese lufte", "Yjet e netëve të gjata", "Në fillim të verës", "Fijet që priten", "Përballimi", "Gjeneral Gramafoni", "Udha e shkronjave", "Plaku dhe hasmi", "Kush vdes në këmbë", "Detyrë e posaçme", "Oshëtimë në bregdet", "Guximtarët", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Njeriu me top", "Vajzat me kordele të kuqe", "Plumba perandorit", si dhe shumë të tjerë, po kaq të njohur nga shikuesit dhe gjithashtu të pëlqyer.
Disa nga filmat ku ka luajtur
"Vitet e para"
"Horizonte të hapura"
"I teti në bronz"
"Mëngjese lufte"
"Yjet e netëve të gjata"
"Në fillim të verës"
"Fijet që priten"
"Përballimi"
"Gjeneral Gramafoni"
"Udha e shkronjave"
"Plaku dhe hasmi"
"Kush vdes në këmbë"
"Detyrë e posaçme"
"Oshëtimë në bregdet"
"Guximtarët"
"Shtigje lufte"
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
"Njeriu me top"
"Vajzat me kordele të kuqe"
"Plumba perandorit"
Spekter 18-04-2004
"Prilli i thyer” i “Sandër Prosit
Admirina Peçi
Çfarë ka ndodhur në ato ditë të ngrysura prilli në hotel “Vollga” teksa xhirohej filmi “Pranverë e hidhur”. Intimitetet e një aktori të madh, përmes një gruaje.
Sandër Prosi, mjeku me shikim magjepsës, u bë artisti që, me origjinalitetin e vet, i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve
Në një nga vilat e pakta të mbetura në zonën e bllokut, në galerinë e një piktori, ruhet ende me fanatizëm që prej prillit të vitit 1985 një portret i çuditshëm. Me shallin e hedhur shkujdesur në qafë, flokët e shpupurisur e vështrimin e thellë fshehur pas syzeve aktori Sandër Prosi ende thotë diçka. Ndoshta fjalë të pathëna në ato ditë prilli, që u thyen në mes dhe e ndanë shpirtin nga trupi në hotel “ Vollga”. Koha e rënduar duket ende përtej kokës së menduar të aktorit, atje ku peneli ka hedhur ndoshta veç reve të errëta edhe trishtimin e asaj humbjeje. Tashmë kanë kaluar vite e ai portret sikur është harruar. Të vetmit që e kujtojnë ende janë njerëzit e paktë të grupit të xhirimit, që punuan me Sandrin. Ata e dinë se si Vangjel Gjikondi kishte mundur të shkëpuste nga ai portret edhe copëza dhimbjesh e shqetësimesh që i kishin trazuar mendjen. E në ato pak ditë xhirimesh kanë ndodhur plot ngjarje të zakonta e të pazakonta, mbyllur me një ngjarje tragjike. Të gjitha këto, tani pak kush i di. Ngjarja tragjike e mori me vete të vërtetën e asaj dite të ngrysur prilli…
Ishte mesditë. Përballë kishte vetëm muret e dhomës së hotelit, ku po kalonte ato ditë të ngarkuara me plot ndiesi e shqetësime prej artisti. Filmi ende nuk kishte marrë rrugë. Personazhi i tij ende nuk ishte afruar tek porta për të trokitur në vëmendjen e shikuesve. Ndoshta ishte gati për ta nxjerrë nga vetja edhe këtë rol. Por ndoshta edhe jo. Kur pa që të gjithë ishin larguar…
Se çfarë ka ndodhur në ato pak minuta askush nuk e di. Panë trupin e tij të shtrirë përtokë, me një pamje të shqetësuar që i kishte ngrirë në fytyrë. Dëshmitarët e parë thonë se ai ka rrëshqitur në një moment marramendjeje. Ekulibri ka humbur shtratin e përhershëm e ai ka shkelur kufirin ku jeta dhe vdekja bëjnë duel. Në këto momente kamerat ishin vendosur në një shtëpi të vjetër, në një lagje të qytetit. Grupi i xhirimit aty mori vesh lajmin e kobshëm. Të gjithë ngrinë në vend. Vrapin nga ajo lagje e vjetër deri tek hotel Vollga asnjëri nuk e ndieu. Qe një vrap i çmendur, që nuk mundi të arrijë dot vdekjen që ishte larguar duke lënë pas gjurmë të kuqe gjaku.
Ç’farë u fiksua në kamera ato ditë?
Dy operatorët e filmit, Gavrosh Haxhihyseni dhe Mihal Rama ende i sjellin ndërmend ato ditë xhirimesh. Ai kishte kohë që nuk luante në një film dhe dëshirohej për një rol. Kur i ofruan rolin e një fotografi ai nuk nguroi. Vetëm se shqetësimin nuk e largonte dot nga vetja. Do mund të arrinte të krijonte një personazh që do të mbetej në mendjen e njerëzve? “Konsultohej çdo ditë për rolin e tij, megjithëse personazhi ende nuk kishte nisur të fokusohej si duhet në kamera. Ishin xhiruar vetëm planet e para të filmit. Madje në atë pjesëz filmi që ruhet ende në arkivin e Kinostudios, janë ato pamjet e pakta ku ai ecën buzë detit e monologon. Më tej kamera nuk fiksoi asgjë tjetër nga Sandër Prosi”- kujton operatori Gavrosh Haxhihyseni.
Sandër Prosi, në kujtimet e një gruaje
Pak kush e di, se në shtëpinë e tij, ku shkruhet me shkronja të mëdha “Këtu ka banuar aktori Sandër Prosi”, në katin e dytë, brenda një dollapi paksa të vjetëruar, gjendet ende një violinë. Bashkë me të jeton një grua. Ato shpesh herë kuvendojnë me njëra-tjetrën për njeriun e zemrës, atë që prej kaq kohësh u mungon shumë, Sandrin. Tani ajo rri e heshtur dhe nuk preket nga askush.
Me të kanë jetuar shumë vite, ndoshta vitet më të bukura të jetës. Për 20 vite kanë jetuar në një dhomë të vetme. Aty Sandër Prosi, bashkë me gruan e tij Fila ( kështu e thërriste), dhe dy djemtë Aristidhin dhe Adrianin, kanë ndarë lumturinë dhe dhimbjen. Por Fila ndiehej e lumtur me Sandër Prosin. “Edhe pse mungesat nuk reshtnin kurrë ne gjithmonë do të gjenim kohë për të qetësuar njëri-tjetrin. Për t’u falur dashuri prindërore dhe sigurisht, për të dalë bashkë mbrëmjeve”,- kujton Filomena, gruaja 72- vjeçare që jeton me hijen dhe kujtimet e bashkëshortit. Vërtitja tij nëpër kokën e lodhur të gruas, shpërthen dhe zbrazet në trajtë lotësh faqeve të rrudhura nga mosha. “Ai po punonte me “Otellon” dhe monologjet e shumtë, recituar gjithë ton nga Sandri, kishin zënë të nguliteshin edhe në kokën e Aristidhit që ishte gjashtë vjeç. Një dhomëz dhe katër njerëz brenda saj.... E si mund të punohej ashtu! Por Sandri nuk donte të kërkonte asgjë, as edhe një strehë ku të punonte i qetë ”-tregon Filomena.
“Dilnim shpesh jashtë,- kujton ajo- përballë shtëpisë, aty pranë një shtylle elektrike, ku poshtë llambushkës, dukeshin qartë shkronjat e tekstit. Unë mbaja tekstin dhe ai recitonte... përsëriste e përsëriste shumë herë ato çka ishin shkruar në atë grumbull fletushkash, derisa ai të mendonte se puna kishte mbaruar”.
Kështu nxinte rolet e tij, gjersa morën një hyrje për të qenë. Harresa e shtetarëve la mjaft vraga të pahijshme në jetën e tij. Madje edhe tani, pas vdekjes, e shoqja jeton vetëm me pensionin e saj shumë të ulët ... dhe me ato... kujtimet e bukura.
Njohja me Sandër Prosin
Ai atëherë ishte një aktor mjaft i njohur. Ajo 26 vjeçe, koriste në pallatin e Kulturës, Elbasan. Vajza kryeneçe dhe plot naze, nuk e dinte se kishte zënë vend në ëndrrat dhe jetën e tij. Në atë kohë Sandri do të jepte një shfaqje në Elbasan, e cila nuk i la ndonjë mbresë të madhe vajzës që ai kishte “piketuar”.
Pas vëzhgimit nëpërmjet të çarës së një gazete, pas shumë e shumë troke hapash nga pas, shumë rrahje zemrash, në familjen e Filomenës, së bashku me një propozim martese, kishin mbërritur edhe ca ftesa për në teatër. Nuk dinte ç’të bënte. Por fati kishte dashur që këto naze të kurorëzoheshin me martesë dhe Filomena pak nga pak do të ndihej e dashuruar. “Kemi kaluar një jetë me shumë, shumë dashuri....”- kujton gruaja që jeton e vetmuar në shtëpinë madhe.
Viktor Gjika: “E nxora Sandrin nga spitali dhe e nisa për në xhirime”
Ai e dinte se Sandër Prosin e shëronte vetëm puna. E dinte se nuk duhej lënë asnjëherë brenda mureve të spitalit, në ato korridore ku shpesh të zihej fryma vetëm duke parë përreth. Aktori kishte nevojë të jetonte ndryshe, të merrte e të jepte me personazhet e tij. Regjisori Viktor Gjika e dinte këtë. I kishte ndodhur edhe dy herë të tjerë ta merrte Sandrin nga shtrati i spitalit dhe drejt.. e në punë. “Ai e ndiente veten mirë vetëm në sheshin e xhirimit”,- thotë regjisori teksa rrëfen tentativën e fundit për ta kthyer Sandrin në botën e filmit.- Herën e parë mjekët ishin pataksur. “Nuk mund ta merrni, ai është sëmurë, nuk është në gjendje të dalë e të bredhë nëpër sheshet e xhirimit”-i kishin thënë ata. Regjisori nuk i dëgjoi. Sandrit i shkrepëtiu një dritëz gëzimi në sy. “Atëherë po xhironim filmin “Përballimi” dhe ai e përballoi jo vetëm filmin, por edhe sëmundjen. Pastaj e njëjta gjë ndodhi edhe me filmin “Nëntori i dytë”, e këtu ai ishte shumë më lart”,- thotë Gjika. Regjisori kujton se kështu e mori Sandrin edhe për flmin “Pranverë e hidhur”. Sërish ishte në spital, e kishte kohë që nuk angazhohej në një film. Mendova se një rol do t’i bënte mirë- tregon regjisori.
Muharrem Fejzo. I rekomandoi pikërisht Sandër Prosin. “Atij filmi i duhej vërtet pasioni dhe puna e Sandrit”- thotë Gjika teksa mundohet të kujtojë edhe momentin kur ka marrë lajmin e hidhur. “Njoftimin për vdekjen e tij e kam marrë teksa ndiqja premierën e një filmi. Nga ajo ditë mbaj mend vetëm tronditjen e thellë që kam përjetuar. Sandrin pastaj e kam parë vetëm në morg. Ishte një humbje fatale”,- thotë regjisori.
Kush ishte Sandër Prosi
Sandër Prosi mbaroi studimet për stomatologji, duke qenë profesionalisht larg artit dramatik, por brenda dhimbjes artistike të njeriut. Kjo do ta shtynte drejt skenës për të depërtuar në karaktere dhe figura historike dhe artistike, të cilat do të nxirrnin në pah aftësinë e tij për t'i tejkaluar ata dhe për t'i bërë pjesë të karakterit të vet. Burri me pamje fisnike, do të thirrej herë pas here me emra të ndryshëm dhe do të linte mbresa të veçanta për spektatorët, duke sjellë para syve të tyre Abdyl Sharren, kapitenin e Bigës, dr. Kristo Borovën, peshkatarin Vranen, Jaho Labin, profesorin, Miti Vozarin, Sefedinin, Dhaskal Todrin, Ismail Qemalin, prof. Mirushin, kolonelin Xhon, Brunon, Markun, gjeneralin, Pilo Mullixhiun etj.
Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film . Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin "Debatik". Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël, ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm, që u bë artist i madh. Në filmin "Vitet e para" ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Më vonë, ai luajti në mjaft filma të suksesshëm, si: "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Mëngjese lufte" , "Yjet e netëve të gjata", "Në fillim të verës", "Fijet që priten" , "Përballimi", "Gjeneral Gramafoni" , "Udha e shkronjave", "Plaku dhe hasmi", "Kush vdes në këmbë", "Detyrë e posaçme", "Oshëtimë në bregdet", "Guximtarët", "Shtigje lufte", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Njeriu me top", "Vajzat me kordele të kuqe", "Plumba perandorit" etj.
Sander Prosi , si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, është nderuar me disa çmime, kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës. Kështu, në vitin 1975, ai u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë, për rolin e Jaho Labit në filmin "Në fillim të verës".
Realizimi i figurës së Ismail Qemalit, ishte imponuese, kështu që ai u nderua me Medalien e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës të Klasit të Parë.
Për mëse tre dekada krijoi mbi 80 role në 75 vepra të autorëve të huaj dhe tanët. Por klasi i lartë i tij bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit: trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës.
Thonë për të…
Vangjel Gjikondi: Mbetet i pavdekshem
Ishte artist i gjithanshëm. Me origjinalitetin e vet, ai i dha artit shqiptar, natyrshmërinë, burrërinë, urtësinë, butësinë e heronjve të historisë sonë duke vendosur tek ata kohën e pakohë, pra duke i bërë të pavdekshëm në mendjen e njerëzve.
Me të mund të flisje për gjithçka, për të gjithë artet, e për të gjithë gjërat që shqetësojnë një njeri. Ai njihte autorët e ndaluar dhe veprat e ndaluara me përsosmëri. Diskutonte me pasion për filozofët e mëdhenj dhe e donte shumë Niçen. Ndërsa nga muzika klasike pëlqente më shumë Vagnerin. E të mendosh se në atë kohë të dëgjojë muzikën e tij, ishte si të dënoje vetveten.
Ilia Terpini: Sandri, një artist i madh që vdiq i varfër
Është një nga figurat më të talentuara të artit teatral dhe kinematografik shqiptar. Karakteristikë kryesore e Sandrit ishte se ai punonte me shumë pasion. Përveç se ai ishte një kollos i artit, dinte të ishte jashtëzakonisht i thjeshtë. Kam patur fatin të punoj me të në disa filma. Mbresat i kam ende të gjalla. Mjaft të kujtoj “I teti në bronx” ku Sandri kishte rolin e doktorit, një rol shumë i vështirë e kompleks. I duhej të kuronte ushtarë gjermanë, kur në familje strehonte një partizan. Kishte një dhëndër që i përkiste forcave regresiste. Imagjino se në ç’rreth duhej të vërtitej ai për të nxjerrë figurën e tij komplekse. Do të doja ta krahasoja me aktorin francez Zhan Gaben tek “Të mjerët”. Ai dallohej në interpretimet e tij por edhe jetën e jetonte si t’i vinte. Ndaj edhe ishte shumë i vërtetë në rolet e tij. Më vjen keq vetëm për një gjë, që një artist kaq i madh sa ai vdiq, dhe vdiq i varfër”
Disa nga filmat ku ka luajtur
"Vitet e para"
"Horizonte të hapura"
"I teti në bronz"
"Mëngjese lufte"
"Yjet e netëve të gjata"
"Në fillim të verës"
"Fijet që priten"
"Përballimi"
"Gjeneral Gramafoni"
"Udha e shkronjave"
"Plaku dhe hasmi"
"Kush vdes në këmbë"
"Detyrë e posaçme"
"Oshëtimë në bregdet"
"Guximtarët"
"Shtigje lufte"
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur"
"Njeriu me top"
"Vajzat me kordele të kuqe"
"Plumba perandorit" etj.
Revista Spektër
ARTISTI I POPULLIT SANDËR PROSI - ATDHETAR I FLAKTË NË JETË DHE NË ART
Baxhul Merkaj
Aty ne mjediset e Teatrit Kombetar artistet e skenes dhe ekranit; Tinka Kurti, Roland Trebicka, Kico Londo, Agim Qirjaqi, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Yllka Mujo, shkembejne mendime e kujtojne majat e artit skenik e filmik shqiptar si Kujtim Spahivogli, Mihal Popi, Loro Kovaci, Prokop Mima, Pjeter Gjoka, Naim Frasheri, Bexhet Nelku por nje nder ta mbetet i pashlyer ne kujtesen e tyre, mjeshtri i skenes dhe kinematografise shqiptare Artisti i Popullit Sander Prosi qe tashme sapo mbushi te 84 vitet.
Lindi ne Shkoder, ne janar te vitit 1920. Pasi mbaroi shkollen fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranes. Merr pjese ne dramen "Vilhelm Teli". Shkon per studime ne Austri per dentist, te cilat nuk i mbaroi. Me 1947 merr pjese ne konkursin prane Teatrit Popullor dhe e fiton ate. Mbi 100 role te ndryshme te interpretuara me mjaft mjeshteri ne Teatrin Kombetar dhe ne kinematografi. Ky eshte thjesht ne shifra artisti yne i mrekullueshem Sander Prosi, por pas shifrave...
Kujtojme figurat e paperseritshme "Fytyra e dyte" rolin e Vuksanit, Horatin tek "Hamleti", Otellon tek "Otello", dhe Mileri tek "Intrigë e dashuri", ku figurat nuk kapen ne menyre te pergjithshme, statike por ne zhvillim e siper si rezultat i kontradiktave qe zhvillohen ne nje veper dramatike. Artisti nepermjet monologut te brendshem zberthente gjithe shqetesimet, preokupacionet e mendimet e personazhit. Nje artist me nje profil krijues teper fin, teper te vecante. Tek Sander Prosi vihet re individualiteti qe e karakterizon, jo vetem ne ate cka ai ben, por edhe ne unitet mendimi dhe ndjenja. Si aktor i zgjuar deperton ne thellesi te roleve deri ne skutat me te erreta te tyre duke zberthyer deri ne detaj psikologjine e personazhit. Ka luajtur role nga me te ndryshmet dhe asnjehere nuk ka qene i njejte. Njeh mjaft bukur boten emocionale te personazhit. Rolet e interpretuara prej tij jane sa jetesore dhe te natyrshme, ku ne gamen e interpretimeve spikat thjeshtesia. Sander Prosi mban mend qe nena e tij, Anastasia, kur mblidhej me shoqe e kendonte, ndersa gjyshi ishte instrumentist i mire popullor.
Artisti i Popullit Sander Prosi ne vitet 1962-1975 e deri sa vdiq dha mesim si pedagog ne degen dramatike ne Akademine e Arteve.
Ne rolin e Otellos
Artisti zhvilloi nje pune teper te madhe ne rolin e Otellos, pune kjo qe zgjati kater vjet deri ne pergatitjen e mbrapme te rolit. Punonte me vetveten per te arritur ndjesite komplekse te figures. Vemendje i kushtoi punes me plastiken, zerin duke synuar thelbin analitik e logjiko-emocionale te tij. Otello i Sander Prosit u shfaq si njeri i paster me gjeresine dhe thellesine vitale te njeriut qe beson deri ne naivitet dhe kur zhgenjehet rebelohet ne menyr` tragjike. Otellon shume teatro e tajtojne si tragjedi te xhelozise por Sander Prosi nga perberja e konstrukti psikik nga tiparet morale, personazhi i rezultoi ndryshe. Besa dhe nderi jane nder vecantite e ketij fisniku qe e kane udhehequr tere jeten e vet, besen e nderon dhe e cmon kurse pabesine e denon. Artisti dashurine per Dezdemonen e interpreton si dashuri te kulluar te natyrshme te paster qe buron nga shpirti bujar. Otello i Prosit eshte shprehje e nje natyre te ndjeshme.
Ne rolin e gjeneralit tek "Gjenerali i Ushtrise se Vdekur"
Artisti gjithnje studionte personazhin nga vinte, kujt i perkiste e c'motive e shtynin. Vezhgonte imtesite e botes se brendshme te personazhit. Me nje pune titanike njesohej me figuren. Gjenerali eshte i sjellshem, delikat, i dashur ne dukje por ne brendesi te tij eshte nje vullkan qe rreh te gjeje rastin per te shperthyer.
Publiku pa me sy nje gjeneral qe erdhi per te prishur nje dasme te bukur shqiptare, por forca vitale e vendit e shtang e pastaj e zvogelon. Artisti si mjeshter i skenes perdor ngjitjet e zbritjet ne menyre virtuoze. Ai luan ne teater dhe se imiton jeten por e ngre ate ne nivelin e te pamundures ku shkelqen estetika e larte. Ne monologjet e dramave te interpretuara prej tij nderthuret bukur tragjikja, komikja, aktori kalon nga nje situate tek tjetra duke ruajtur ndjenjen e mases. Ai ben si i cmendur, por thelle brenda tij eshte vetedija e artistit per te kuptuar thelbin e rolit, mesazhin e publikut. Artisti i Popullit regjisori Piro Mani eshte shprehur "Sandi sikur ka lindur per te luajtur Horatin tek "Hamleti". Sandri eshte nder figurat me te realizuara". Vete aktori Sander Prosi eshte shprehur: "Talenti zhvillohet nga ndjenja e dashurise per punen". Arti i Sander Prosit spikati qysh nder figurat e interpretuara nga vitet 1953 ku interpreton Von Shubes, Vata, kamarieri Mitka, vazhdon me Zabelinin, shkelqen tek Prefekti ku artisti shpalos nje game te gjere situatash komike me mjeshteri te pazakonte. Ne rolin e Isa Boletinit u shqua si interpret i atdhetarit te flakte, luftetarit te madh te lirise me te cilin u identifikua ky talent brilant.
Arti kinematografik i Sander Prosit
Aktori ka interpretuar me talent te rralle figurat e mesuesit, doktor Boroves, inxhinjer Sharres, Jaho Labit, etj. Figura e Dhaskal Todrit e interpretuar nga Prosi ka mbetur ne kujtesen e publikut shqiptar. Me mjeshteri te rralle artistike interpretoi figuren e Ismail Qemalit. Ai dha nje Ismail Qemal te urte, te mencur, njeriun qe rrezaton autoritet, besim e respekt plot ndjenja njerezore ne cdo hap e veprim. Arti i vertete eshte i veshtire dhe kerkon pune, talent dhe dije. Figura e Ismail Qemalit ne te cilen gjallon force, gjalleri mendore e fizike sjellje te mira takti e vetepermbajtjeje diplomati gjeti realizimin me te arrire nga ky artist i madh. Po miqte, shoket, koleget ne kete 84-vjetor te lindjes se Artistit te Popullit Sander Prosi flasin sikur ta kene prane e sikur bisedojne me te. Sander Prosi ishte i sakte, i vertete, i mencur e i matur, shqiptar deri ne palce ne jete dhe ne art. Veprimtaria e tij skenike para nesh mbetet e gjalle.
Koha Jone, 18 Janar 2004
Flet Aristidh Prosi
“Ju rrëfej Sandër Prosin në jetë dhe në film”
Blerina Goce - TO 8 prill 2005
Sandër Prosi ka jetuar vetëm përmes aktrimit. Edhe kur ka qenë i gjallë. Edhe me gruan e fëmijët...
Aristidh Prosi, djali i aktorit të njohur shqiptar, nuk mund ta kujtojë ndryshe të atin, veçse të lidhur me rolin. Duke përshkruar për herë të parë jetën e të atit, Aristidhi nuk nguron ta shohë edhe veten "brenda fatit të shkruar për të qenë me violonçelin". I ati i binte violinës përpara se të mbetej në mbretërinë e roleve. Në një intervistë për "Tirana Observer", në 20-vjetorin e vdekjes së të atit, Aristidhi, ka pranuar të rrëfejë për herë të parë kujtimet e tij për babanë. Jeta nga violina tek aktrimi. Diskutimet për rolet dhe stresi që e çoi drejt depresionit. "Por nuk dua ta kujtoj kurrë momentin që ka vdekur", thotë Aristidhi.
Çfarë do të thoshit për Sandrin, artist dhe si lindi pasioni i tij për aktrimin?
Sandër Prosi ka qenë violinist. Ka studiuar për violinë dhe ishte shumë i apasionuar pas muzikës. Që i vogël mblidhte negativët e filmave, me aktorët më në zë të kohës dhe ishte koleksionist i tyre. Ka kënduar në korin e Filarmonisë së Shtetit të krijuar në atë kohë, më 1946. Ai i binte mirë violinës, fizarmonikës, kitarës, por violinën e kishte pasion, ashtu si e kishte edhe filmin.
Pse braktisi më pas violinën dhe si ndodhi që u bë aktor?
Babai ka hyrë në teatër në vitin 1948. Violina në atë kohë nuk ishte profesion, madje nuk kishte as një shkollë të lartë për violinë. Por edhe pasionin për aktrimin dhe filmin e kishte të rrënjosur që kur ishte fëmijë i vogël.
Ruani ndonjë gjë të veçantë në shtëpi nga Sandri, violinist?
Ai studioi në shkollën e mesme për violinë, në vitet '35, në kohën e Zogut me profesor Ludovik Narraçi, që kishte ardhur nga Vjena dhe kishte studiuar me violinistin e famshëm, Shevçikun. Në atë kohë, Sandër Prosi fitoi dy konkurse për violinë të organizuara nga shkolla dhe si trofe mori dy violina, njërën prej të cilave ne e ruajmë akoma edhe sot.
Por më pas si vazhdoi "udha" e djaloshit Sandër?
Ka studiuar dy vjet për Mjekësi në Vjenë, Austri, por u detyrua t'i lerë përgjysmë studimet, sepse iu ndërpre bursa. Në 11 janar 1946, ditën kur Shqipëria u shpall Republikë, babai ka ardhur në Shqipëri. Më pas u fut në teatër.
Cilat kanë qenë rolet e para në të cilat ka interpretuar babai juaj?
Kur linda unë, në 1957-ën, ai ishte aktor dhe unë u rrita duke e parë të luante. Por nga ato që më ka treguar babai, gjatë kohës që ka qenë në gjimnazin shtetëror (sot "Qemal Stafa"), babai ka marrë pjesë në shumë shfaqje teatrore që organizonin në shkollë. Kështu, ka luajtur Vilhelm Telin të Shilerin.
Si e kujtoni babanë tuaj në paraqitje dhe në komunikim me të tjerët?
Ishte korrekt, por duke qenë se kishte një pamje fisnike nuk ishte e domosdoshme veshja e zgjedhur e tij. Ishte person që njihej shumë dhe kishte natyrë karizmatike. Më kujtohet kur isha 18 vjeç dhe i thosha: "O bab, pse nuk i kushton më shumë rëndësi të veshurës?". Duke qeshur ai më tregonte anekdotën e Ajnshtajnit. Ishte vazhdimisht në punë e s'kishte kohë të mendonte, se i kishte sukseset e njëpasnjëshme. Por nuk ka qenë njeri i tavolinave, i kafeneve. Pinte 5-6 kafe në ditë, por gjithmonë kafja ishte pjesë e punës, jo kafe për kafe. Gjithmonë ka ushqyer respekt për kolegët e tij. Mendoj se ai është një person publik, i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në ekrane të ndryshme. Kjo tregon se vlerat ekzistojnë.
Po marrëdhënia që ju si djalë kishit vendosur me babanë tuaj, i ngjanin më shumë një marrëdhënieje prind-fëmijë apo prind-shok?
Mbaj mend se ai ishte shumë i ngrohtë, në komunikim me fëmijët, të themi për kohën e vështirë që ishte atëherë. Ishte një model për mua si fëmijë, si i ri adoleshent, gjë paksa e vështirë për të rinjtë sot, që kanë një mentalitet shumë të ndryshëm. Megjithëse ishte i ngrohtë me mua, por nuk mund të them se marrëdhëniet tona ishin si midis dy shokësh. Sepse ai kishte një jetë shumë intensive dhe vetëm pak qëndronte në shtëpi. Shumicën e kohës e harxhonte duke punuar dhe në sheshe xhirimi. Vetëm gjatë viteve të fundit, (1976-1977) kur e shoqëroja në sheshet e xhirimit, filluam të rrinim më shumë bashkë. Por kujtoj se kishte një dashuri shumë të madhe për të ëmën, Aspasian.
Sa e vështirë ishte të jetoje në familjen e një artisti të madh dhe si ka influencuar kjo gjë në marrëdhënien midis prindërve tuaj?
Më kujtohet se gjithmonë pas shfaqjeve në teatër (ishin vitet '60-'64) ne e prisnim me mamanë dhe bënim xhiron e zakonshme midis hotel "Dajtit" dhe Ministrisë së Brendshme. Kuptohet, babai shumicën e kohës punonte. Mamaja ka influencuar shumë në krijimin e një atmosfere shumë të ngrohtë në familje, më tepër nga ç'mund të mendohet sot. Ishte e vetmja femër në familje që plotësonte gjitha nevojat që kishte shtëpia. Ka qenë njeri i jashtëzakonshëm që ka bërë sakrifica vërtet të mëdha.
Sa i vlerësuar është ndier Sandër Prosi si artist deri në fund të jetës së tij?
Ishte nga të paktët njerëz që e jetoi lavdinë e tij sa ishte gjallë. E jetonte çdo ditë suksesin e tij, që nuk ishte i lehtë të arrihej. Brenda vitit interpretonte 2-3 role në film, njëkohësisht edhe në teatër, plus që ishte pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, në Fakultetin e Dramës (sot Akademia e Arteve). Shpeshherë harroj se ka vdekur, sepse e shoh në ekran. Kujtim më të bukur dhe më konkret se ky s'besoj se mund të ketë.
Po shteti shqiptar mendon se i ka dhënë vendin që i takon dhe e ka nderuar si duhet këtë figurë?
S'më takon mua ta komentoj, por fakti është që këtë vit kishte dy përvjetorë: atë të lindjes dhe të vdekjes (6 janar, 85-vjetori i lindjes, 24 mars, 20-vjetori i vdekjes) dhe shtetit shqiptar s'bëri asgjë, madje as Teatri Kombëtar dhe as Presidenca nuk u kujtuan të bëjnë gjë. Mua s'më vjen keq, se për mua ai që është, është dhe do të ngelet gjithmonë, por do të ishte në nder të shtetit shqiptar të bënte diçka. Sandër Prosi ka vlerësuar veten me punën që ka bërë dhe trashëgiminë që ka lënë.
Cili është filmi i parë që keni parë të interpretojë babai juaj?
Nuk më kujtohet filmi i parë që kam parë, por mbaj mend se për një kohë të gjatë ai punoi me Otellon e Shekspirit. Atëherë isha tre vjeç dhe padyshim që rrija në shtëpi gati gjithë kohën. Duke dëgjuar babanë tim që punonte me zë dhe në mënyrë inkoshiente interpretonte fjalët edhe unë mësova përmendësh monologë të tërë të Otellos. Sot s'mbaj mend asgjë nga këto monologë, por siç më ka treguar baba, atëherë sapo vinte ndonjë njeri në shtëpi më vinin të recitoja dhe të interpretoja me gjeste ato që kisha vendosur në tru.
Cilat ishin ato role që babai juaj i vlerësonte më shumë se të tjerët?
Ai vetë i krahasonte rolet e tij me fëmijët, paçka se brenda vetes ruante gjykimin e tij. U takonte atyre njerëzve që dashurojnë rolin dhe që pa e dashur nuk mund të japin maksimumin. Ai vetë nuk shprehej për ndonjë rol të veçantë.
Po për ju cili është roli më i arritur i babait tuaj?
Për mua të gjithë rolet janë padyshim të veçanta. Mua më kanë pëlqyer disa role, si "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur", varianti i Televizionit Shqiptar me regji të Vladimir Priftit, pavarësisht se ky film është xhiruar në një kohë rekord prej 20 ditësh dhe është një nga filmat e parë të TVSH-së. Është një personazh shumë i arritur prej tij. Ta shoh këtë film për mua është kënaqësi e vazhdueshme.
Cilët ishin ata persona, me të cilët aktori Prosi dëshironte të punonte më shumë?
Regjisorët me të cilët ka punuar më shumë janë Vladimir Prifti, me të cilin ka bërë "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" dhe "Udha e Shkronjave", regjisorin e Kinostudios, Viktor Gjika, me të cilin kishte raporte jashtëzakonisht të mira.
Enver Hoxha është shprehur për Sandër Prosin se ai është aktor i kalibrit botëror. Mbani mend se si e ka pritur këtë vlerësim babai juaj?
S'besoj se ka njeri që të mos ndihet mirë kur dëgjon për konsiderata të tilla. Ai ishte "Artist i Popullit", që edhe sot është titulli më i lartë në fushën e artit, pavarësisht se nuk jepet më.
Cilat janë momentet më të veçanta që kujtoni nga koha kur qëndronit bashkë?
Më vinte mirë gjithmonë kur ndodhesha me të, se merrja pjesë edhe unë në suksesin e tij. Ishte person publik që e respektonin dhe nderonin. Ka shumë momente pikante nga ato që kam kaluar me të, por tani nuk di kë të veçoj.
Çfarë sillni ndërmend nga shtëpia ku keni lindur dhe ku ka jetuar për një kohë të gjatë babai juaj?
Baba ka lindur në një familje me shumë fëmijë. Ishin tri motra dhe katër vëllezër, në mos gaboj, sepse nuk i kam njohur të gjithë, pasi kanë vdekur herët. Kanë jetuar në një shtëpi të vjetër tek "Rruga Barrikada", madje unë atje kam lindur. Më kujtohet që ishte një shtëpi e vjetër dykatëshe, por që tani është prishur. Më pas kemi shkuar të jetojmë te "Hoxha Tasim" (gjithmonë në shtëpi me qira) dhe atje madje edhe sot është e vendosur një pllakë ku shkruhet: këtu ka jetuar Sandër Prosi.
Është folur shumë se gjatë jetës së tij, aktori Prosi ka kaluar disa momente të rënda depresioni. Ju ç'mund të na thoni për këtë periudhë?
Profesioni i aktorit duke qenë se instrumentin e tij e ka edhe shpirt njëkohësisht. Një kohë e gjatë me intensitet emocional ka efektet e veta, ashtu siç ka pasur edhe te shumë artistë të tjerë. Lodhja e me radhë, ndikojnë të gjitha. Por unë mendoj se do të mbahet mend si njeri i skenës dhe ekranit. Të tjerat pak rëndësi kanë.
Ka disa variante për mënyrën se si vdiq babai juaj. Meqenëse ajo që dini ju besojmë se është më afër së vërtetës, ç'mund të na thoni për këtë moment të dhimbshëm?
Nuk më pëlqen të flas për këtë. Për mua nuk përbën material problematik, ndaj më mirë le të ngelë mister. Për një njeri të tillë, vdekja është e fundit që mund t'u shkojë ndërmend njerëzve.