Kohët e fundit, administrata civile e Shqipnís (Prefektura e Gjinokastrës), me urdhnesat e reja ka fitue nji karakter kombtar. Ky ndryshim, megjithëse i bazuem në qëllime të mira e shumë të sinqerta, për zbatimin e tij të shtrêmbët, nëse lajmet qi kemi deri tash nuk na mashtrojnë, âsht i prirun me sjellë pasoja qi nuk i përgjigjen qëllimit.
Simbas nesh, dy janë kushtet thelbësore e të domosdoshme për nji administrim civil të mirë të Shqipnís:
Para së gjithash âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja. Mund të lêhet mangut, në raste skajore, ajo e fundit.
Arsimimi âsht i domosdoshëm për prefektët dhe zavêndsit e tyne. Të parët duhet të kenë krye studimet e nalta e të dytët, së paku, ato të mesmet. Skaji mâ i ngushtë i atdhetarís, simbas nesh, âsht ai qi kurrë e n'asnji mënyrë mos të kenë veprue kundër atdheut.
Nuk mund të kihet besim në njerëz, deri dje vegla qorre ase vullnetarë të propagandës anmike, edhe se sot do të vijshin e t'na thojshin thjesht se janë pêndue. Duhet me i kthye në udhë të drejtë e me i bâ për vete; por nuk i u duhet besue, për mos me i dhânë atyne mundësí me damtue atdheun.
Nuk mund të thuhet se njerëz të ndershëm, atdhetarë, të mësuem e me përvojë na mungojnë, sidomos tash qi do të kemi në dorë gjithë Shqipnín, e pra të gjithë shqiptarët e mirë. Këtyne do t'u shtoheshin dhe atdhetarë të tjerë jashtë shtetit, porsa t'u paraqiteshin kërkesat e atdheut.
Njerëz të korruptuem, të ngjajshëm me Esadin, nuk meritojnë trajtim të ndryshëm a mâ të mirë se ai i Pashës. Si ai edhe ata duhen mbajtë larg shërbimit t'atdheut. Nuk mund të pritet tjetër veç tradhtisë nga njerëz pa karakter e ndërgjegje.
Së dyti, atdhetarët e mirë qi do të kenë në duert e tyne administratën e vêndit, për t'a krye detyrën, duhet të pajisen me autoritet e me mjetet qi bâjnë t'aftë me veprue. Përndryshe, ata do t'u shëmbëllejnë makinave të mira qi nuk mund të punojnë për mungesë të forcës lëvizëse.
Nëse administrata civile, në fushën e saj, nuk do të kishte nji farë lirije veprimi të paracaktueme, nëse prefektët duhet të këshillohen me autoritetet ushtarake e qendrore në çdo hap e për gjânë mâ të vogël, nuk mund të pritet prej tyne nji shërbim i përsosun.
Sepse n'ato rasa ata nuk do t'ishin tjetër veçse makina elektrike, sustat e të cilave do t'ishin në dorë të tjetërkuj e veprimi i tyne do të përmblidhej thjesht në kallzime e këshilla. Pra, nji administratori të mirë duhet me i dhânë autoritetin mâ të gjânë të mundshëm, të shoqnuem nga përgjegjësia mâ e qartë e mâ e përpiktë.
Nuk mjafton vetëm autoriteti: duhen edhe e, mbi të gjitha, mjetet e veprimit. Mjeti veprues i administratës civile âsht xhandarmëria.
Të vetmit përgjegjës të rêndit publik të vêndit duhet të jenë prefektët e nanprefektët. Për pasojë, xhandarmëria duhet të jetë krejtësisht e absolutisht në dorë të tyne.
Në çdo rreth duhet të jetë nji repart xhandarmërie shqiptare, në sasinë e nevojshme simbas rândësisë së vêndit, me në krye nji oficer italjan të ndihmuem nga ndonji oficer e nga nënoficera shqiptarë.
Në prefekturat këto reparte duhet të jenë mâ të mëdha në përputhje me nevojën e ndihmës së rretheve.
Përsërisim se oficerët e xhandarmërisë, vetëm për sa i përket disiplinës, duhet të jenë të varun nga eprorët ushtarakë, ndërsa në funksjonin e tyne administrativ duhet me u vue nën urdhnat e drejtuesve t'administratës civile.
Shkolla
Duhet thânë haptas se në këtê fushë politika austrijake në Shqipní ka qenë shumë mâ e aftë se ajo italjane, jo vetëm gjatë pushtimit ushtarak, por qysh nga kohët e fundit të zotnimit turk. Ndërsa shkollat italjane, në pjesë të ndryshme të vêndit tonë, mezi kishin futë ndonji orë mësimi të shqipes në programet e tyne, n'ato austrijake gjuha kryesore ishte e jona.
Mbretnija tinzare, në këtê mënyrë, i bânte me besue shumë atdhetarve shqiptarë se ajo ishte e vetmja fuqí qi ishte e interesueme me ndihmue idealin e kombit tonë, nga çasti qi fëmijët tonë, në shkollat e saj, mund të arsimoheshin në gjuhën e tyne tmerrësisht të luftueme nga pushtuesi, e mund të mësojshin historín'e tyne, bâmat heroike të Skanderbeut. Ishin shumë të paktë ata qi mundeshin me zbulue në thellësín'e saj politikën dinake të Vjenës kundër aspiratave tona kombtare dhe synimet e saj pushtuese.
Librat mâ të mirë të këndimit në gjuhën shqipe e të tjerë të aritmetikës e të besimit katolik shtypeshin atëherë në Vjenë. Nga ana tjetër, pushtimi i parë italjan i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t'administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte arsimi publik: shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.
Dihet se çfarë ka ndodhë me shkollat tona në rrethet e Vlonës e të Gjirokastrës: e njâjta mënyrë e ndjekun në kohë të mâparshme; shkolla italjane e jo shqiptare! Sigurisht nuk mund të mos kenë të drejtë ata qi kanë dashtë me dallue nji politikë koloniale në veprën e kryeme deri tash nga italjanët në Shqipní.
Për të davaritë çdo dyshim të tillë e për me dhânë provën mâ siguruese të ndershmënisë në synimet e saj rreth t'ardhmes s'atdheut tonë, Qeverija M. Italjane duhej të vendoste nji administratë shkollore thjesht kombtare.
N'anë tjetër, nji vepër e dobishme e Italís për Shqipnín, do të kishte qenë shtimi në përmasa të mjaftueshme i bursave shkollore për studentët shqiptarë, të paracaktueme kryesisht për shkollat normale.
Përfundim
Të gjitha përsijatjet e paraqituna deri këtu, janë për t'i kujtue Qeverís M. Italjane atë qi ndien zemra jonë për të mirën e atdheut tonë, atê qi arsyeja na këshillon në interes të çâshtjes së përbashkët.
Mâ parë se me mbyllë këtë përkujtesë modeste duem me vue në dukje se, tash qi e gjithë Shqipníja ose pjesa mâ e madhe e saj do të jetë në dorë t'Italís, mprojtëses së pavarësís sonë, a do t'ishte e përshtatshme krijimi i nji qeveríje kombtare. Simbas mendimit tonë, kjo do t'ishte nji gjâ e aftë me shkaktue efektin mâ të madh, në dobí të çâshtjes së përbashkët, si në popullin shqiptar ashtu edhe jashtë.
Pjestarët e kësaj qeveríje, sigurisht, nuk duhen emnue prej Qeverís Italjane, mbasi atëherë do t'ishin vetëm funksjonarë të thjeshtë të nji force pushtuese e jo përfaqësues të nji kombi të shpallun i pavarun.
Duhet të vazhdohet me votime popullore, në përputhje me kushtet shoqnore të vêndit dhe rrethanat e çastit. Vetëm kështu edhe kombi shqiptar, në çastin e volitshëm, do të paraqitej para botës si nji njisí shtetnore e formueme në sajë të përkrahjes s'Italís çlirimtare.
Në zgjedhjet e naltpërmênduna, sigurisht do të merrshin pjesë, nëpërmjet delegatvet të tyne, edhe shoqnít shqiptare t'Amerikës, në mënyrë qi qeverija e dalun mund të quhet përfaqësuesja e vërtetë e gjithë popullit të vet.
Romë, 19 tetor 1918
E përktheu nga italishtja, Eugjen Merlika, duke u munduar të respektojë gjuhën e autorit.
Shpirti shqiptar âsht shumë i lodhun nga turbullinat e nga intrigat. Ai ka nevojë për qetësí e për lirí kombtare. Pra, nji forcë qi i siguron të parën e premton t'i garantojë të dytën, mund të jetë e sigurt se e pushton plotësisht.
Para së gjithash, âsht absolutisht e nevojshme qi prefektët e nanprefektët të zgjidhen prej njerzish, të cilëve nuk u mungojnë cilsít e nevojshme për me krye detyrën e tyne. Këto cilsí janë ndershmënia, atdhetarija, arsimi dhe përvoja
Nga ana tjetër, pushtimi i parë italjan i Beratit na bâni me kuptue qartë se, nëse kishte një degë t'administratës me të vërtetë shqiptare nën austrijakët, ajo ishte arsimi publik: shkolla fillore në të gjitha katundet e dy shkolla normale safí shqiptare.