E shtune, 22-11-2008, 05:56pm (GMT) Zemra STAFI RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Kerkoni:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Editorial
Intervista
Komente Analiza
Personazh
Revista Zemra
Elita Kombëtare
Historia
Reportazh
Letërsi
Shqipëria Etnike
Debat
Letrat e lexuesve
Shqipëria
Forum
Kinema
Njohje
Muzikë
Art Kulturë
Shoqëria
Argëtim
Sporti
Galeria
Lojra
Chat
Direktoria
Bota
English
Njoftime
Speciale
::| Sondazh
Pavarsia e Kosoves, realizoi endrren shekullore. Megjithate lind pyetja: Do te kishit deshire, per shkrirje shqiptaresh ne nje Shtet, apo per ekzistencen e dy Shteteve? Ju lutemi Votoni...
Shtet i vetem Shqiptaresh
Dy Shtete Shqiperi - Kosove
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Historia
 
Shqiperia ne kohen e Gjergj Kastriotit
E shtune, 26-05-2007, 04:27pm (GMT)

K R E U VI

SHQIPËRIA NË KOHËN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
(1443 - 1468)

1. RIMËKËMBJA E SHTETIT TË KASTRIOTËVE DHE
FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË LEZHËS

Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri më 1443
Gjergj Kastrioti lindi rreth vitit 1405. Ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Këtu duhet të ketë lindur edhe Gjergji.
Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve osmane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte detyruar t'u dorëzonte peng osmanëve një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur osmanët pushtuan Krujën (në fillim të vitit 1415) që ishte në kufi me zotërimet e Kastriotëve.
Dërgimin e Gjergjit të vogël në oborrin osman rreth moshës nëntëvjeçare, e dëshmojnë, pavarësisht nga njëri-tjetri, burime historike bashkëkohore ose pak më të vona, vendase e të huaja. Këtë e pohojnë autorët e vjetër shqiptarë, veprat e të cilëve shërbejnë si burime më të rëndësishme për njohjen e historisë së Shqipërisë të shek. XV, si Marin Barleci, Marin Beçikemi, Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu. Edhe në jetëshkrimin më të hershëm për Gjergj Kastriotin, të hartuar rreth viteve 1481-1482 prej Martin Segonit, tregohet se ai u dërgua i vogël peng, u rrit dhe u edukua pranë oborrit të sulltanit. Të njëjtën gjë njoftojnë edhe kronistë e historianë të huaj, bashkëkohës me Skënderbeun, si italianët F. Filelfo, I. Potani, R. Volaterani, bizantini L. Halkokondili, shumica e autorëve osmanë të shek. XV e XVI: Ashik pasha Zade, Tursuni, I. Bitlisi etj.
Gjergji, pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare, u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Edrene. Ai u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët. Në këtë shkollë futeshin zakonisht djemtë e zotërve të nënshtruar për t'u përgatitur e edukuar në frymën osmane si komandantë të zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi osman ndeshte në qëndresën e popullsisë, si dhe në vendet nga ata kishin ardhur.
Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Sipas dokumenteve të kohës dhe njoftimeve të Marin Barlecit, Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi të veçantë dhe arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.
Gjergji u shqua gjatë viteve të shkollës, kur iu vu emri mysliman Skënder, dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake, në Ballkan dhe në Azi të Vogël, gjatë të cilave fitoi një përvojë të madhe ushtarake. Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, Skënderbeu hyri në kuadrot ushtarake të sistemit feudal osman dhe përparoi shpejt në karrierën shtetërore, nga pozita e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.
Funksionet si kuadër osman për vite të tëra Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur me mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet në Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve të tij në dokumente të vitit 1426 për çështje pronësie. Në këtë kohë Skënderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte në Shqipëri si spahi, më pas u bë subash i Krujës dhe qëndroi në këtë post zyrtarisht deri në fund të vitit 1438, kur në zeametin përkatës është shënuar se i rijepej Zaganoz Beut. Qysh në fillim, kur u hartua regjistri kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432), zeameti i subashit të Krujës është regjistruar me emrin e Zaganoz Beut. Pas riemërimit zyrtar në fund të vitit 1438 në postin e subashit të Krujës, Zaganoz Beu duhet të jetë rikthyer me vonesë në Krujë, sepse Skënderbeu përmendet në Shqipëri edhe më 7 dhe 10 korrik të vitit 1439. Nuk dihet se cilët fshatra formonin timarin e tij në Shqipëri, kur ai ishte në postin e një spahiu. Ndoshta kanë qenë disa fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku midis Lezhës e Rubikut, ku në mes të viteve 30 Skënderbeu pati në zotërim një timar të madh, me të paktën nëntë fshatra.
Skënderbeu konsiderohej si bashkësundimtar me të drejta të plota me anëtarët e tjerë të familjes në veprimtarinë politike të Kastriotëve. Prandaj emri i tij është shënuar gjatë viteve 20 e 30 në aktet zyrtare që rregullonin marrëdhëniet e Kastriotëve me vendet e tjera, si p.sh. në vitin 1426 në një aktblerje nga Kastriotët të një pirgu pranë manastirit Hilandar në malin Athos dhe në një aktdhurimi të dy fshatrave të Kastriotëve për manastirin e Hilandarit, si dhe në mars të vitit 1438 kur Stanisha dhe Gjergji kërkuan qytetarinë e Venedikut dhe më vonë (korrik 1439) edhe atë të Raguzës. Qytetaria veneciane e raguzane kërkohej që, në rast shkatërrimi e dëbimi nga zotërimet e veta prej osmanëve, familjarët e Gjonit të strehoheshin në këto vende.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si kuadër osman Skënderbeu punoi aktivisht për mbrojtjen e interesave të familjes së tij. Kështu, sipas një dokumenti osman pa datë, kur Gjon Kastrioti ra në konflikt me osmanët dhe humbi krahinën e Ishmit (Mysjen), Skënderbeu u kërkoi autoriteteve osmane që ta merrte si zeamet këtë krahinë. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të madh në trevën Lezhë-Rubik, që përshkohej nga udha e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. Kjo rrugë ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike e tregtare të shtetit të Kastriotëve. Më 1437-1438 Skënderbeu u bë qeveritar (subash) i vilajetit të Krujës dhe siguroi për këtë një feud të madh prej dhjetëra fshatrash. Ky gradim ndikonte shumë në forcimin e pozitave ekonomike e politike të zotërimeve të Kastriotëve që shtriheshin në lindje e në veri të vilajetit të Krujës.
Pas vdekjes së Reposhit (1431), që i qe kushtuar jetës fetare, dhe të Konstandinit, dy vëllezërit e tjerë drejtuan shtetin e Kastriotëve, sepse ati i tyre, Gjon Kastrioti, ishte i sëmurë dhe vdiq në maj të vitit 1437. Të dy vëllezërit i kushtuan vëmendje ruajtjes e forcimit të marrëdhënieve me Venedikun e Raguzën, prej të cilave arritën më 1438 e 1439 të siguronin të drejtat e privilegjet që kishte patur ati i tyre me ato dy vende. Ata vepruan bashkërisht deri kur vdiq Stanisha më 1446.
Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më në tokat shqiptare. Në këtë kohë në Ballkan po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë e aksioneve ushtarake antiosmane të Janosh Huniadit. Prandaj sulltan Murati II e largoi Skënderbeun nga posti i subashit të Krujës, duke e emëruar sanxhakbej me sa duket larg tokave shqiptare, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si funksionar osman, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu del me emrin mysliman (Iskënder) në dokumentet osmane, kurse në ato perëndimore ka përdorur vetëm emrin e krishterë Gjergj, gjë që shpreh lidhjet e tij me parinë drejtuese shqiptare.
Sigurimi i privilegjeve dhe i qytetarisë së Venedikut e të Raguzës në fund të viteve 30, në një kohë kur Skënderbeu po përparonte në karrierën politike si kuadër i Perandorisë Osmane, tregojnë se ai e shikonte të ardhmen jo në kuadrin e karrierës së një funksionari osman. Përkundrazi, praninë e tij në radhët e kuadrove osmane, ai e gjykonte si diçka të përkohshme. Në kushtet kur së bashku me të vëllanë, Stanishën, kishin marrë drejtimin e zotërimeve të Kastriotëve, largimin e tij nga posti i subashit të Krujës dhe emërimin si sanxhakbej larg Shqipërisë, Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një "gradim", por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij.
Ndonëse kaloi një kohë të gjatë në shkollën e iç-ogllanëve e në vende të huaja si kuadër e komandant i shquar i ushtrisë osmane, Skënderbeu mbajti lidhje të ngushta me familjen e tij, me interesat e zotërimeve të tyre. Ai jetoi për vite të tëra në atdheun e vet, ku u brumos dhe u formua në mjedisin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj osman dhe të disfatave të para që osmanët pësuan në Shqipëri gjatë kryengritjeve të viteve 30. Kthesa rrënjësore e Skënderbeut në nëntor të vitit 1443, duke ardhur në Shqipëri për të ngritur lart flamurin e luftës kundër pushtuesve osmanë, ishte rrjedhojë e përvojës jetësore shumë të pasur të tij dhe e luftës së shqiptarëve.

Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor 1443)
Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve osmanë në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV. Nëpër dokumente të gjysmës së dytë të viteve 30 dhe fillimit të viteve 40 përmenden në viset shqiptare spahinj të vrarë, spahinj që, për të shpëtuar kokën, kishin braktisur timaret etj. Qëndresa e përhershme kundër pushtuesve osmanë dhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare që u krijuan në fund të viteve 30 e në fillim të viteve 40 të shek. XV nxitën disa nga fisnikët shqiptarë të ngriheshin në luftë kundër pushtuesve të huaj.
Ndërkaq në jetën kishtare e politike të Shqipërisë ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit të Ferrarës, që u mbajt gjatë viteve 1438-1439. Krahas papë Eugjenit IV, në të morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të universit ortodoks, si perandori i Bizantit, Johan Paleologu, patriarku i Konstandinopojës, Jozefi, dhe peshkopët bizantinë e sllavë më në zë. Në korrik të vitit 1439 përfaqësuesit e të dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror të të dy kishave nën supremacinë e Papatit. Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe të këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet e Koncilit të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane, që politikisht ishin shumë të copëtuara e të përçara, në luftën kundër armikut të përbashkët, pushtuesve osmanë, luftë që filloi të propagandohej si një kryqëzatë e të krishterëve kundër pushtuesve aziatikë e besimit të tyre islam.
Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizonin shpërthimin e kryengritjeve antiosmane në Shqipëri. Me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze, të komanduara nga vojvoda i Transilvanisë, Janosh Huniadi, kaluan nga veprimet mbrojtëse në mësymje dhe përkohësisht arritën të ndalnin përparimin e osmanëve drejt Evropës Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme, të përbërë prej hungarezësh, polakësh, rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në thellësi të Ballkanit dhe në shtator të vitit 1442 u shkaktoi një disfatë të rëndë trupave osmane. Fitorja e ushtrisë së J. Huniadit ngjalli shpresa te popujt e shtypur të Ballkanit, nxiti lidhjet e sundimtarëve ballkanas me Hungarinë e me forca të tjera politike të kohës për zgjerimin e frontit të luftës antiosmane. Aktivisht veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili nëpërmjet peshkopëve të vet nxiste elitën drejtuese shqiptare e ballkanike të rrëmbente armët kundër osmanëve sapo trupat e J. Huniadit të marshonin sërish në drejtim të Ballkanit Qendror.
Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan të përshtatshme për fillimin e luftës. Në kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi lidhjet me vendet e tjera, duke dërguar përfaqësuesit e vet në Romë e në Bosnjë. Në gusht të vitit 1443 ai siguroi qytetarinë e Raguzës, që të strehohej familjarisht në atë qytet po qe se do thyhej prej trupave osmane.
Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi forcat osmane në lindje të zotërimeve të tij dhe i dëboi pushtuesit nga shumë krahina të Shqipërisë Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në jetën politike të Shqipërisë dhe patën jehonë edhe në vendet e tjera. Vetë ai vazhdonte përgatitjet për vijimin e luftës kundër osmanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit e tij, sipas porosisë që kishin bërë në Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve, që t'u printe luftëtarëve të tij në betejat e ardhshme. Në fund të muajit nëntor Gjergj Arianiti i kërkoi Raguzës t'i shiste bombarda, armë këto që i duheshin për çlirimin e kështjellave.
Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Shqipërisë së Poshtme. Gjin Zenebishi, i biri i Depës, u kthye nga mërgimi duke zbarkuar në bregdetin shqiptar pranë Butrintit. Me ushtrinë që organizohej këtu marshoi nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e shqiptarëve mori hov të mëtejshëm nga zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan “Fushatën e Gjatë" që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit arimik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër, serbë, boshnjakë".
Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në thellësi të zotërimeve osmane gjatë një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një muaj, më 5 janar 1444 ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot (në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në fillim të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit arriti në Budapest me një efektiv disa herë më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve, kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë, ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb Despotati i Rashës.
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen e shtetit të Kastriotëve, që, siç është shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë të mëdha "nga Dibra dhe Mati", që i ndante lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupice), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga osmanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë, Stanishën, si "zotër të Dibrës dhe të Matit".
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe shtrihej përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë ato, deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debrishë), që është edhe sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit në dokumentet mesjetare del e emërtuar “Rruga Kërçovë-Dibër” dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër) ka kuptimin luginë, grykë. Ky duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të cilin pushtuesit osmanë e zëvendësuan me fjalën përkatëse të tyre derven (derbend). Kjo shërben si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit. Prandaj osmanët në shek. XV, kur bënë ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë përdorën një emërtim osman (vilajeti ose nahija e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia administrative në perëndim të saj (nahija e Dibrës). Në këtë të fundit, edhe pse mbante emrin e Dibrës, gjatë shek. XV nuk kishte asnjë qendërbanimi ose mikrotoponimi tjetër me këtë emër.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë, ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën kontroll Dibrën e Poshtme, e cila vetëm në lindje ruhej nga dy garnizone të vogla, të vendosura në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovës) dhe, në lindje të saj, në kështjellën e Sobrit, që ngrihej në krahinën e Dervenit për të kontrolluar ngushticat e rrugës Tetovë-Shkup. Sobri ka qenë në fshatin e sotëm Orashko Gradishte, ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle. Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe e Sobrit, duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut. Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një rrugë tregtare shumë të rëndësishme, që kalonte në rajonin më të pasur të zotërimeve të tij dhe që lidhte viset perëndimore me Shkupin, ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë. Në këtë mënyrë ai ndërpreu lidhjet e kryeqendrës së Rumelisë me garnizonet osmane, që gjendeshin të shpërndara në viset e tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në perëndim të Shkupit.
Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave osmane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më pas Skënderbeu, i shoqëruar nga një numër i vogël luftëtarësh, u nis vetë për në Krujë. Duke e ditur se me forcën e armëve ishte i pamundur pushtimi i kështjellës së saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të viteve 30 të shek. XV.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të lirë ushtarët osmanë që të largoheshin nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihej në krye të trupave osmane për të rimarrë Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehet Barleci, "të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë". Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve. Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas M. Barlecit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: "Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja".
Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht forcat osmane, duke i vënë ato në gjendje frike e paniku.
Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë në bisedime me banorët e zotërimevë të Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë.
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet për çlirimin e një vargu kështjellash të tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) nuk qëndroi duarkryq. Më parë me ndihmën e vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen e Skënderbeut, Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të tyre bëri Zhabiakun.
Në jug të vendit viset e çliruara arritën deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e përgjithshme antiosmane u shtri edhe në Shqipërinë e Poshtme. “Turqit, - shkruante në dhjetor të vitit 1443 bajli venecian i Korfuzit, - i ka pushtuar një tmerr i madh dhe me nxitim ata të Vlorës, të Janinës dhe të Gjirokastrës po përpiqen të fortifikohen". Por, me gjithë situatën shumë të favorshme, për mungesë organizimi të qëndresës antiosmane nga fisnikët vendas, kështjellat kryesore të Shqipërisë së Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën në duart e osmanëve.
Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët u hoqën osmanëve qendrat kryesore ushtarake në viset e çliruara, të cilat i shndërruan në baza të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj. Në veri të kësaj hapësire, disa muaj më pas, do të rikrijohej Despotati i Rashës me kryeqytet Smederevën.
Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve, që ishin kufitare me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte edhe pesha kryesore e luftës kundër pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te lumenjtë Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.
Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte ngjarjen më të rëndësishme në luftën e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë Osmane. Çlirimi u krijoi mundësinë një pjese të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin të lirë, kurse vitet që vijuan, të luftës kundër pushtuesve të huaj, forcuan përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë, si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.

Kuvendi i Lezhës dhe krijimi i Besëlidhjes Shqiptare (2 mars 1444)
Çlirimi i vendit me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443, ishte një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Përvoja e deriatëhershme shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në Shqipëri, kishin treguar se fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane, nuk mund t`i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Prandaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politikë të brendshme e të jashtme shumë aktive. Më mirë se kushdo tjetër ai e kuptoi se për shqiptarët nuk do të kishte perspektiva për mbrojtjen e viseve të lira, duke qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh të pavarura dhe pa një bazë organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit, si dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh të brendshëm me atë të ndërmarrë në rrafsh ndërkombëtar.
Për zgjidhjen e këtyre detyrave, si hap të parë e të domosdoshëm Skënderbeu gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin drejtuesit e zotërimeve të pavarura dhe fisnikë të tjerë të vendit. Për këtë ai zhvilloi paraprakisht me ta takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i fisnikëve shqiptarë.
Kuvendet krahinore e ndërkrahinore të fisnikëve, të klerikëve apo të pleqve, ishin një traditë e njohur kombëtare e shqiptarëve e trashëguar ndër shekuj, nëpërmjet të cilave realizohej bashkëpunimi dhe bashkimi i shqiptarëve. Një kuvend me një përfaqësi kaq të gjerë kombëtare, që u vendos të mbahej në Lezhë nga shqiptarët, është i pari që njihet deri tani në historinë e tyre.
Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Për më tej, duke qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi, si dhe në drejtim të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve, që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë rast Republikës së Shën Markut.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend dhe u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të besës. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshmet që mobilizoheshin vetëm në rast lufte. Ushtria e përhershme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas një kuote të caktuar për secilin, si dhe nga ushtarët që mobilizonte vetë Skënderbeu. Këta formonin bërthamën kryesore të ushtrisë së përhershme, e cila vazhdimisht ishte në gatishmëri luftarake dhe në mbrojtje të kështjellave, veçanërisht atyre të brezit kufitar lindor nga vinin zakonisht ushtritë osmane. Detyra kryesore e ushtrisë së përhershme ishte mënjanimi i sulmeve të befasishme të trupave osmane mbi viset e lira shqiptare dhe pengimi i depërtimit të tyre në thellësi të vendit, derisa të mobilizohej ushtria e përkohshme. Kjo formonte pjesën më të madhe të ushtrisë së Besëlidhjes dhe përbëhej nga luftëtarët që mobilizoheshin përkohësisht, kur parashikohej fillimi i sulmeve të ushtrive armike. Në ushtrinë e përkohshme përfshiheshin të gjithë banorët e viseve të lira që ishin në gjendje të përdornin armët. Në rast nevoje ushtria e përbashkët mbronte vendin nga pushtuesit osmanë e veprimet armiqësore të vendeve të tjera, si dhe interesat e zotërimet e secilit anëtar të Besëlidhjes.
Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, të armatimit të saj, etj., Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet monetare të saj do të formoheshin nga ndihmat në të holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që kishin Kastriotët pranë grykëderdhjes së lumit Mat, nga taksat doganore, si dhe nga tregtia e drithit, e metaleve etj.
Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare synonin që, në kuadrin e saj, të ruanin autonominë e tyre dhe Skënderbeu, si kryetar i saj, të mos ndërhynte në zotërimet e të tjerëve, por të ishte si "i parë ndërmjet të barabartëve". Secili prej anëtarëve të Besëlidhjes kishte trupa të veçanta për të mbrojtur zotërimet e interesat e veta dhe ruante të drejtën të kishte marrëdhënie vetjake me vende e forca të tjera politike jashtë Besëlidhjes. Realisht vendimet e Kuvendit i dhanë Skënderbeut një pozitë të veçantë ndaj fisnikëve të tjerë shqiptarë, dhe këta, siç shprehej Gjon Muzaka, në kushtet e rrezikut të pushtimit osman, ishin të detyruar "t`i bindeshin" atij.
Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare në luftën kundër pushtimit të huaj osman dhe hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu doli në krye të jetës politike e ushtarake të vendit jo rastësisht. Për këtë ndikuan: roli i veçantë i tij në organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1443, pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve (që ishte në qendër të viseve të lira dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhnin krahinat veriore me jugoret dhe lindoret me perëndimoret), zotërimi prej tij i Krujës, kështjellës me pozicionin gjeografik më të përshtatshëm për administrimin e të gjitha viseve të çliruara, dhe për të hyrë në kontakte të shpejta me shtetet e huaja antiosmane, si dhe lidhjet e shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë familje fisnike të tjera, si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët), Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i vetë Skënderbeut që bëri të mundur daljen e tij në krye të jetës politike e ushtarake të Shqipërisë. Më tepër se cilido anëtar tjetër i Besëlidhjes Shqiptare, Skënderbeu kishte të gjitha cilësitë për drejtimin me sukses të luftës. Ai i njihte shumë mirë mundësitë ekonomike, financiare e ushtarake të vendit të vet. Ndërsa karriera e tij në radhët e kuadrove ushtarakë osmanë e kishte bërë Skënderbeun njohës po aq të mirë të fuqisë, organizimit dhe të artit ushtarak të osmanëve.
2. FITORET E BESËLIDHJES SHQIPTARE NËN UDHËHEQJEN
E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Fitoret e para ushtarake (1444-1447)
Vendimet e Kuvendit të Lezhës i dhanë një bazë të gjerë e të fuqishme organizative, juridike e morale forcimit të aftësisë mbrojtëse dhe të gatishmërisë luftarake të vendit. Barrën kryesore për realizimin e saj Kuvendi ia ngarkoi Skënderbeut.
Pas mbylljes së Kuvendit Skënderbeu iu përkushtua organizimit të ushtrisë dhe sistemit mbrojtës të vendit. Ai udhëtoi nëpër të gjitha fshatrat e zotërimeve të Kastriotëve për të regjistruar ushtarë, vëzhgoi shtigjet, grykat e luginat nga mund të sulmonte ushtria osmane, caktoi informatorë që të vëzhgonin e të njoftonin menjëherë lëvizjet e armikut, ndërmori meremetimin e kështjellave dhe pajisjen e tyre me luftëtarë e armatime. Vëmendje të veçantë i kushtoi mbrojtjes së ballit lindor të viseve të çliruara, prej nga mund të futeshin për në thellësi të tyre ushtritë osmane. Në fund të pranverës së vitit 1444 mbaruan përgatitjet ushtarake dhe Skënderbeu kishte mobilizuar me mijëra luftëtarë që ishin të gatshëm për të mbrojtur vendin.
Çlirimi i rajoneve të gjera të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që formonin një nga zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë, përbënin një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila i kalonte kufijtë e botës shqiptare. Zhvillimet politike në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen e qarqeve drejtuese të vendeve evropiane dhe shkaktuan shqetësim në oborrin osman.
Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në tokat shqiptare, tregon Marin Barleci, që është burimi kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve, sulltani ngarkoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të shquar. Ky duhet të ketë qenë subashi i Shkupit, Ali Beu. Në krye të disa mijëra vetave, në qershor të vitit 1444, ai iu drejtua rajonit më të pasur të çliruar nga Skënderbeu dhe që ishte më afër Shkupit, Dibrës së Poshtme.
I informuar me kohë për lëvizjen e trupave osmane, Skënderbeu, sipas M. Barlecit, përgatiti një ushtri prej afro 8 mijë kalorësish e 7 mijë këmbësorësh dhe e drejtoi për në Dibrën e Poshtme. Në afërsi të tyre erdhën dhe u vendosën trupat e Ali Beut. Ishte beteja e parë, guri i provës për forcat e bashkuara shqiptare dhe për komandantin e tyre.
Beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi në një fushë të palokalizuar të Dibrës së Poshtme. Qysh nga shek. XVIII nëpërmjet veprës së Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi me emrin simbolik beteja e Torviollit dhe po kështu si datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit 1444.
Skënderbeu e vendosi ushtrinë në fushë të hapur dhe e rreshtoi në formë harku të ndarë në tri pjesë. Në rreshtat e parë të çdo grupimi vendosi kalorësinë dhe pas tyre këmbësorinë. Për të drejtuar zhvillimin e betejës, ai qëndroi me luftëtarët e grupimit të qendrës. Forcat e grupimit të djathtë i komandonte Moisi Arianiti (Golemi), kurse ato të grupimit të majtë Tanush Topia. Mbrapa trupave të qendrës ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Kont Uranit. Në pyjet aty pranë qëndronin të fshehura forcat e rezervës të komanduara nga Gjin Muzaka e Hamza Kastrioti.
Beteja filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë të dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën ta çanin ushtrinë osmane në dy pjesë, në kohën kur forcat e grupimit të qendrës me Skënderbeun në krye sulmuan trupat e Ali Beut. Kur armiku ende nuk kishte hedhur në betejë të gjitha forcat, trupat e tij u sulmuan befasishëm nga pas prej luftëtarëve të Gjin Muzakës e të Hamza Kastriotit. E goditur nga të gjitha anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta të komanduara nga Kont Urani, ushtria osmane u copëtua, pësoi humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht. Ajo la në fushën e betejës shumë të vrarë e robër. Shqiptarët luftuan heroikisht dhe arritën një fitore të shkëlqyer. Në atë betejë, shkruante M. Barleci, "luanët komanduan luanët".
Fitorja e Torviollit pati jehonë të thellë në Shqipëri si dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi besimin e shqiptarëve te Skënderbeu e ushtria e Besëlidhjes dhe te lufta e drejtë e tyre për mbrojtjen e lirisë. Ajo i dha shtysë luftës antiosmane të popujve të Ballkanit, që filloi të fuqizohej, dhe shkaktoi shqetësim të madh në oborrin e sulltanit.
Në këto rrethana Murati II u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me mbretin e Hungarisë e të Polonisë, Vladislavin IV, të cilit i kërkoi paqe, dhe më 12 korrik 1444 u nënshkrua në Seged traktati i saj me një afat dhjetëvjeçar. Por paqja vazhdoi vetëm gjashtë javë, sepse, i nxitur nga papa dhe forca të tjera antiosmane, Vladislavi IV e shkeli traktatin e paqes. Ky përgatiti një ushtri prej 14 000 vetash dhe në krye të tyre marshoi në thellësi të Ballkanit deri në Varna. Vladislavi IV e filloi betejën në kundërshtim me mendimin e Janosh Huniadit dhe më 10 nëntor 1444 ushtria e tij u shpartallua prej trupave osmane. Vladislavi mbeti i vrarë në këtë betejë, kurse J. Huniadi mundi të shpëtonte me mbeturinat e ushtrisë hungareze. Fitorja pranë Varnës i dha mundësi sulltanit t`i përdorte ushtritë e veta për të shtypur lëvizjet antiosmane të Ballkanit.
Në vjeshtë të vitit 1445, sipas M. Barlecit, kundër Shqipërisë u sulën njëra pas tjetrës dy ushtri osmane, të cilat u pritën prej shqiptarëve në një luginë të ngushtë në rajonin e Mokrës, me sa duket në luginën e lumit Treskë, përgjatë të cilit kalonte traseja e një prej rrugëve më të shkurtra për lëvizjen e ushtrive osmane nga Shkupi në thellësi të tokave të lira shqiptare. Skënderbeu lejoi ushtrinë e parë osmane, që sipas M. Barlecit e komandonte Ferizi, të hynte në luginë dhe pastaj e sulmoi befasisht dhe e shpartalloi. Pa kaluar shumë kohë erdhi po në atë luginë një ushtri e dytë e komanduar nga Mustafai. Pasi ngritën fushimin, trupat osmane filluan plaçkitjen dhe shkretimin e vendit. Në kohën kur një pjesë e tyre ishte larguar për të plaçkitur, Skënderbeu goditi kampin armik, ku ndodhej shumica e ushtarëve osmanë dhe arriti një fitore të re të shkëlqyer. Po këtë fat pësoi në vitin 1447 një ushtri tjetër osmane, e komanduar po nga Mustafai, të cilën forcat e Skënderbeut, të radhitura përballë saj, e thyen në Oronik të Dibrës së Sipërme, në lindje të Strugës, dhe zunë rob komandantin osman.
Fitoret e para ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut patën rëndësi të madhe për jetën politike të vendit. Ato forcuan besimin e shqiptarëve se të bashkuar mund të përballonin me sukses fuqinë ushtarake të Perandorisë Osmane, rritën autoritetin e Skënderbeut si komandant i talentuar, si dhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Në rrafsh ndërkombëtar ato i dhanë Skënderbeut dhe qëndresës së tij një rol të veçantë në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe e vunë atë në lidhje me forcat e tjera antiosmane të kohës, si me Hungarinë, me shtetet italiane dhe me vende të tjera. Jehona e luftës fitimtare të shqiptarëve filloi të ndihej kudo, duke zënë vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve politike të larta të kohës, si papa Nikolla V, mbreti Alfonsi V i Napolit etj.

Konflikti me Venedikun (1447-1448)
Republika e Venedikut ishte një nga shtetet më të fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun e Mesdheut dhe zotëronte një numër qytetesh e qendrash të rëndësishme ekonomike të Ballkanit e më gjerë. Në këtë kuadër një vend të veçantë e rol parësor kishin zotërimet e Republikës së Venedikut në Shqipëri.
Rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike e zotërimeve që kishte në tokat shqiptare, bënte që Republika e Venedikut t`i kushtonte në çdo kohë vëmendje të veçantë ruajtjes së këtyre zotërimeve dhe forcimit të pozitave të veta në to. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi gjendjen politike të krijuar në Shqipëri pas vitit 1443. Nga fundi i këtij viti e më pas, Senati i Venedikut shqyrtoi mundësinë e kalimit në duart e Republikës të Gjirokastrës, të Janinës e të Kaninës, që ende mbaheshin nga osmanët. Duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara nga vdekja e sundimtarit të kështjellës së Dejës, Lekë Zaharisë, nëpërmjet nënës së këtij, Boksës, që ishte motër e Tanush Dukagjinit, në shtator të vitit 1444 Venediku mori Dejën, Shasin si dhe ndonjë kështjellë tjetër të paidentifikuar të tij. Zotërimi i Dejës kishte për Venedikun rëndësi të shumanshme. Nga ana ekonomike jepte të ardhura jo të pakta si qendër doganore në kryqëzim të rrugëve të rëndësishme tregtare. Në plan strategjik e ushtarak, si kështjellë ajo mbronte zotërimet veneciane në rajonin e Shkodrës dhe ishte për Republikën, siç shprehej vetë Senati, "hapi i parë" për të hyrë në viset e çliruara shqiptare.
Për të mënjanuar kërkesat e herëpashershme të zotërve vendas për dëbimin e Venedikut nga viset shqiptare, Republika lejoi mbajtjen e Kuvendit Shqiptar në qytetin e Lezhës, që e kishte nën zotërim, dhe në vitin 1445 Skënderbeut dhe të vëllait, Stanishës, i dha të drejtat e privilegjet e qytetarisë veneciane. Interesat ekonomikë, politikë, ushtarakë e strategjikë të Republikës së Venedikut në Shqipëri ishin pjesë e interesave jetikë të saj në tërë pellgun e Mesdheut Lindor, ku kishte një numër të madh zotërimesh dhe që vazhdimisht ishin nën kërcënimin e pushtimit osman. Prandaj marrëdhëniet me sulltanët osmanë kishin për Republikën e Venedikut rëndësi të dorës së parë dhe herë pas here ajo nënshkruante traktate paqeje me ta, si më 1446 etj. Një politikë e tillë inkurajonte veprimtarinë pushtuese të sulltanëve dhe dëmtonte luftën e ballkanasve kundër pushtuesve osmanë. Prandaj ishin të pashmangshme kundërshtitë midis Besëlidhjes së Lezhës dhe Venedikut.
Pasi çliroi Krujën dhe viset e tjera shqiptare, Skënderbeu qysh në fund të vitit 1443, deklaroi se "ishte trashëgimtar i Balshës dhe donte vendet që kishin qenë të tij", një pjesë e të cilave tashmë ishin nën zotërim venecian. Që në fillim të shek. XV interesat e Kastriotëve ishin shtrirë edhe në rajonin verior të bregdetit shqiptar. Krahas qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi në bregdet Shëngjinin, si dhe shtëpi në Ulqin. Prandaj ai e martoi një vajzë të tij me sundimtarin e rajoneve të Kotorrit e të Gentës, Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin). Gjoni tregtonte drithë në Kotorr. Në kuadrin e këtyre interesave, Skënderbeu do t’i kërkonte më pas Venedikut Shëngjinin e Velipojën dhe, bashkë me to, rajonin bregdetar përkatës, që të ishte sa më afër zotërimeve të kunatit të tij. Në këtë kohë zotërimet e Stefan Gjurashit njohën një zgjerim të madh dhe shtriheshin nga rrethinat e Kotorrit deri në Medun. Dëbimin e Venedikut prej këtyre viseve nuk e kërkonte vetëm Skënderbeu, por përgjithësisht e gjithë lëvizja politike shqiptare e kohës. Nevojat e luftës antiosmane për mjete ekonomike, për forca njerëzore e për zotërimin e kështjellave, që kishin rol parësor në mbrojten e vendit, kërkonin që edhe qytetet e kështjellat shqiptare, të cilat ishin nën Venedikun, të integroheshin me viset e lira shqiptare.
Skënderbeu u përpoq të shfrytëzonte kundër Venedikut edhe rrethanat ndërkombëtare. Për fillimin e konfliktit me të ai zgjodhi kohën kur forcat ushtarake të Venedikut luftonin në Lombardi kundër trupave të dukës së Milanos, që ishte aleat i mbretit të Napolit, Alfonsit V. Në kuadrin e përgatitjeve ushtarake, Skënderbeu i kërkoi Alfonsit V, në vitin 1447, anije lufte që t'i përdorte për rrethimin e qyteteve bregdetare që ishin nën zotërimin e Venedikut, si të Durrësit etj., por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Si shkas për fillimin e luftës kundër Venedikut duhet të ketë shërbyer kështjella e Dejës. Ajo kishte qenë nën zotërimin e Lekë Zaharisë dhe me vdekjen e këtij në fund të vitit 1444, Deja kaloi në duart e Venedikut. Çështja e zotërimit të Dejës kishte futur në mosmarrëveshje Nikollë Dukagjin, që përkohësisht e mori atë gjatë kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV, me Lekë Zaharinë, që e mori atë më pas, dhe me nënën e këtij, Boksën e dy nipërit e saj, Pal e Lekë Dukagjinin, që ia dorëzuan kështjellën Venedikut.
Qysh në verë të vitit 1446 Nikollë Dukagjini ndërmori sulme të ashpra për pushtimin e Dejës, gjë që çoi në acarimin e marrëdhënieve me Venedikun. Ai mori Shasin. Në këto rrethana, në vjeshtë të vitit 1447, Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare dhe u kërkoi anëtarëve të saj që t'i shpallej luftë Republikës së Venedikut në rast se nuk dorëzonte Dejën. Anëtarët e Besëlidhjes e miratuan kërkesën e Skënderbeut. Në nëntor të vitit 1447 "ushtria e fuqishme e Skënderbeut", siç shpreheshin qeveritarët venecianë, filloi luftën dhe sulmoi Durrësin, Dejën dhe kështjella të tjera në rajonin e Shkodrës. Aksioni i tyre qe i fuqishëm dhe e detyroi Senatin e Venedikut që, për të përballuar gjendjen, të vinte në përdorim mjete të shumta. Ai dërgoi përforcime ushtarake në zotërimet e veta në Shqipëri dhe shpalli se, personit që mund të vriste Skënderbeun, do t'i jepte një shpërblim të lartë e të përjetshëm. Gjithashtu udhëzoi qeveritarët e vet të përçanin forcat vendase, sidomos të shkëpusnin Pal e Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu dhe të nxitnin ushtrinë osmane të sulmonte shqiptarët për t'i futur këta në një luftë në dy fronte njëkohësisht.
Gjatë verës së vitit 1448, duke mbajtur të rrethuar Durrësin e Dejën, forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare iu drejtuan zonës së Shkodrës, që ishte zotërimi më i rëndësishëm i Venedikut në tokat shqiptare. Në sulmin mbi rajonin e Shkodrës mori pjesë edhe Gjergj Arianiti me forcat e tij. Pasi kaluan lumin Drin, në brigjet e tij shqiptarët u ndeshën me ushtrinë mercenare veneciane të komanduar nga Daniel Juriç Sebençini dhe korrën një fitore të shkëlqyer. Pas kësaj ata iu drejtuan Shkodrës dhe Drishtit. Për të mbështetur vazhdimin e veprimeve luftarake shqiptarët ndërtuan një kështjellë mbi gërmadhat e Ballecit, që gjendej në rrëzë të malit Maranaj.
Kalimi i ushtrisë shqiptare në thellësi të zotërimeve veneciane, u përkrah fuqishëm nga banorët e këtyre viseve, të cilët shpërthyen në kryengritje dhe u bashkuan me ushtrinë e Lidhjes. Zotërimet veneciane në Shqipëri, siç shprehej Senati i Venedikut për situatën e krijuar, ishin në "flakën më të madhe". Kjo i dha mundësi ushtrisë shqiptare t'i shtrinte veprimet luftarake dhe të futej në thellësi të këtyre zotërimeve.
Në kohën që vazhdonin veprimet luftarake në zonën e Shkodrës, rreth 10 mijë luftëtarë shqiptarë kaluan lumin e Bunës dhe sulmuan në drejtim të qytetit të Tivarit, duke bashkërenduar veprimet me disa mijëra ushtarë të Stefan Gjurashit (Cërnojeviçi), si dhe të mbretit të Bosnjës, Stefan Tomasheviqit, të komanduara nga Stefan Maramonti.
Skënderbeu me pjesën kryesore të ushtrisë nuk qëndroi gjatë në zonën e Tivarit. Ai kaloi në krahinat lindore të vendit për të përballuar ushtrinë osmane që, edhe nën nxitjen e Venedikut, erdhi në këto çaste në Shqipëri për t'i vënë forcat shqiptare midis dy zjarreve. Në zonën e Shkodrës Skënderbeu la Hamza Kastriotin me një pjesë të forcave për të vazhduar rrethimin mbi Dejën e Drishtin. Pas largimit të tij Venediku nxiti mosmarrëveshjet ndërmjet Stefan Maramontit dhe Stefan Gjurashit dhe arriti të ruante pushtetin e vet mbi qytetet që shtriheshin në bregun e djathtë të lumit të Bunës.
Kalimi i forcave ushtarake kryesore të Skënderbeut në lindje të vendit e lehtësoi Venedikun nga trysnia ushtarake e shqiptarëve dhe i dha mundësinë të përforconte mbrojten në zotërimet e veta.

Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës (Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448
Disfatat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane në Shqipëri gjatë viteve 1444-1447 shkaktuan shqetësim të madh në oborrin osman. Për këtë arsye sulltan Murati II vendosi të vihej vetë në krye të ushtrisë osmane për shkatërrimin e forcave shqiptare. Me nxitjen e Venedikut, ai e filloi fushatën në një çast shumë të përshtatshëm për të, kur shqiptarët ishin të zënë në luftën me Republikën e Shën Markut.
Me pjesën kryesore të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu bashkë me Gjergj Arianitin kaluan nga zona e Shkodrës në krahinat lindore dhe përforcuan me të shpejtë kështjellat e vendit, si dhe grykat nga mund të vinte armiku.
Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga vetë sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 21-vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti II, iu afruan brezit kufitar të viseve lindore me qëllim që të hynin në thellësi të viseve të lira shqiptare, të rivendosnin në to pushtetin osman dhe t'i jepnin fund njëherë e mirë qëndresës shqiptare.
Ushtria e sulltan Muratit II i përqendroi operacionet e saj mbi kështjellën e Sopotnicës (Stefigradit), që ishte baza kufitare më e rëndësishme në pjesën jugore të ballit lindor të viseve shqiptare të çliruara, e cila do hapte rrugën për ripushtimin e Ohrit. Osmanët qysh në fillim, kur në fund të shek. XIV e pushtuan për herë të parë Sopotnicën, e riemërtuan Demir Hisar.
Nëpërmjet zotërimit të kështjellës së Sopotnicës shqiptarët kishin futur nën kontrollin e tyre rrugë ndërkrahinore shumë të rëndësishme (që lidhnin luginën e Vardarit dhe rajonet e Përlepit e të Manastirit, të cilat ishin nën pushtimin osman, me viset e lira shqiptare në perëndim të tyre) si rruga Velesh - Kërçovë - Rahovnik (Dibër) - Deti Adriatik, rruga Përlep - Kërçovë - Rahovnik - Deti Adriatik, rruga Përlep - Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit, si dhe rruga Manastir - Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit. Gjithashtu Sopotnica gjendej jo larg rrugës Shkup -Kërçovë.
Pozicion gjeografik kyç i Sopotnicës për zotërimin e rrugëve ndërkrahinore bëri që sulltan Murati II të përdorte gjithë fuqinë e vet ushtarake për rimarrjen e saj. Prandaj lufta për Sopotnicën është pasqyruar gjerësisht në veprën e M. Barlecit për Skënderbeun, si dhe nga kronistë e historianë bizantinë e osmanë, madje edhe në këngët popullore shqiptare e sllave. Kronisti bizantin Laonik Halkokondili, si burimi më i hershëm që flet për këtë ngjarje, e përmend kështjellën me emrin Sfeti, qendërbanim mesjetar (Sveta) pranë kështjellës së Sopotnicës. Kurse M. Barleci e emërton Sfetigrad (sllavisht: Qytet i Shenjtë), emër që lidhej me manastiret e kishat e shumta që ishin në rajonin e Sopotnicës. Kurse tek Oruçi, e nën ndikimin e tij edhe te kronistët e historianët e tjerë osmanë, emri i kështjellës është ngatërruar me atë të Koxhaxhikut. Kështjella e Koxhaxhikut gjendej në rrugën përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Drini i Zi dhe ruante një rrugë dytësore krahinore, atë Strugë - Rahovnik (Dibër) dhe për marrjen e një kështjelle të tillë, pa rëndësi strategjike, nuk mund të angazhoheshin të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Ngatërrimi i emrit të Demir Hisarit me atë të Koxhaxhikut nga Oruçi e autorë të tjerë osmanë nuk është thjesht vetëm një rastësi, por ky ngatërrim është bërë sepse emrin e Demir Hisari e mbante edhe një vilajet e kështjellë tjetër që ishin në afërsi të kryeqytetit të Perandorisë Osmane, Edrenesë. Nuk duhet përjashtuar mundësia që në fillim me emrin e Koxhaxhikut osmanët të kenë emërtuar përkohësisht edhe vetë kështjellën e Sopotnicës.
Pasi trupat osmane rrethuan kështjellën e Sopotnicës, sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e saj. Por garnizoni i kështjellës, i drejtuar nga prifti matjan Pjetër Perlati, hodhi poshtë kërkesën për dorëzimin e saj dhe e mbrojti atë me heroizëm, duke i thyer sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila nën komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit vepronte në rrethinat e saj. Skënderbeu organizoi sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës dhe luftëtarët shqiptarë depërtuan edhe në kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme.
Qëndresa e garnizonit të Sopotnicës vazhdoi për aq kohë, sa osmanët arritën të zbulonin dhe të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm, gjë që e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve. Etja e detyroi garnizonin e kështjellës të hynte në bisedime me sulltanin dhe të pranonte ofertën e tij për t'u larguar i lirë bashkë me armët, me kusht që të dorëzonte kështjellën. Pas gati tre muaj rrethimi, në gusht të vitit 1448 Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Sipas kronistit bizantin L. Halkokondili, banorët e Sopotnicës u masakruan, prandaj, rrëfen ai, Getia iu dorëzua vetë osmanëve, pa bërë qëndresë. Emri i Getias nuk gjendet në burimet e tjera historike, prandaj duhet të jetë Ohri. Ky qytet disa herë ka kaluar në duart e shqiptarëve dhe të osmanëve gjatë shek. XV dhe vetëm në fund të viteve 60 do të pushtohej përfundimisht nga sulltan Mehmeti II, i cili do t'u njihte banorëve të tij disa privilegje.
Rënia në duart e osmanëve e Sopotnicës, e bashkë me të e Ohrit, ishte një humbje e rëndë për shqiptarët dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të lira. Megjithatë, bllokimi për një kohë relativisht të gjatë i trupave osmane në Sopotnicë dhe lajmet për përgatitjen ushtarake kundër osmanëve, që kishte filluar J. Huniadi, e detyruan Muratin II të ndërpriste luftën kundër shqiptarëve. Ai u largua pa realizuar synimin e fushatës së vet ushtarake, marshimin në drejtim të Shqipërisë Perëndimore dhe mposhtjen e qëndresës shqiptare.
Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi” (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës. Mishërimi i saj në krijimtarinë popullore është një përmendore për luftën heroike të shqiptarëve gjatë shek. XV.

Paqja me Venedikun (tetor 1448)
Pas largimit të trupave osmane, Skënderbeu u kthye në frontin e luftës kundër Venedikut.
Për të shqyrtuar qëndrimin që duhej të mbanin ndaj përgatitjeve ushtarake antiosmane të J. Huniadi, anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare mblodhën Kuvendin dhe vendosën që një ushtri e fuqishme e tyre të bashkohej me forcat e Huniadit për të organizuar një fushatë ushtarake të përbashkët kundër pushtuesve osmanë. Për realizimin e këtij projekti të përbashkët, ushtria e J. Huniadit do të marshonte drejt viseve verilindore shqiptare, ku të bashkohej me rreth 20 mijë luftëtarë shqiptarë që do t`i komandonte vetë Skënderbeu.
Përballë perspektivës që hapte zhvillimi me sukses i një fushate ushtarake të përbashkët shqiptaro-hungareze, Skënderbeu hyri në bisedime me Republikën e Venedikut për t'i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe për të normalizuar marrëdhëniet me të.
Bisedimet me përfaqësuesit e Venedikut u zhvilluan në kampin ushtarak të Skënderbeut, të vendosur pranë Lezhës. Besëlidhjen Shqiptare e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, ndërsa Republikën e Venedikut e përfaqësonte qeveritari i Shkodrës, Paulo Loredani, dhe i dërguari i posaçëm i saj, Andrea Venerio.
Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua më 4 tetor 1448 traktati i paqes. Sipas tij Republika e Venedikut do të mbante zotërimet e saj në tokat shqiptare, duke përfshirë edhe Dejën, me disa kushte: Skënderbeut do t'i paguante çdo vit 1 400 dukate, disa anëtarë të Besëlidhjes Shqiptare do të kishin prej Republikës privilegje e favore të ndryshme, si p.sh. përjashtimin e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit nga taksat doganore për kripën e stofrat që mund të blinin në Durrës etj.
Por disa pika të këtij traktati nuk u respektuan nga Venediku. Kështu, Skënderbeut nuk iu dhanë 1 400 dukatet e vitit të parë, që sipas traktatit do t'i merrte brenda 15 ditëve që të përgatitej për fushatën ushtarake të përbashkët me J. Huniadin. Ai iu drejtua edhe Raguzës për një hua në të holla që të përgatitej ushtarakisht, por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Me gjithë përgatitjet intensive për luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare nuk arritën të merrnin pjesë në betejë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk lejoi ushtrinë shqiptare që të kalonte nëpër rrugët e zotërimeve të tij. Rrjedhimisht trupat e J. Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në betejën që u zhvillua më 18 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes të 4 tetorit 1448 konflikti ndërmjet shqiptarëve e Venedikut nuk u shua. Ai u rindez nga Lekë Dukagjini në mesin e viteve 50. Forcat e L. Dukagjinit, duke pasur mbështetjen e pashpallur të Skënderbeut (i cili ndërkohë, sipas qeveritarëve venecianë në Shqipëri, synonte për vete Drishtin dhe Tivarin), arritën të merrnin kështjellën e Dejës dhe atë të Shasit dhe i mbajtën ato për disa vjet, deri kur L. Dukagjini dhe Venediku nënshkruan traktatin e paqes të 19 shkurtit 1459.

Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit I (korrik-tetor 1450)
Fushata ushtarake e sulltan Muratit II kundër Shqipërisë gjatë vitit 1448 nuk dha përfundimet e dëshiruara prej tij. Ishte e natyrshme që, pas fitores së vitit 1448 kundër ushtrisë së Huniadit, sulltani do të kërkonte shkatërrimin e forcave shqiptare. Në mars të vitit 1449 ai pushtoi qytetin e Artës dhe zotërimet e despotit të Artës, Leonardit I (IV) Toko (1448 - 1479), që kishte lidhje me Skënderbeun, u reduktuan në Shqipërinë e Poshtme në Angjelokastër, Vonicë e Varnacë, si dhe në ishujt Leukadë, Qefaloni e Xantë. Prandaj Skënderbeu i përshpejtoi masat për forcimin e mbrojtjes së vendit. U riparuan kështjellat, të cilat u përforcuan edhe me luftëtarë e armatime.
Për fuqizimin e mbrojtjes së viseve lindore, ushtria shqiptare e komanduar nga Skënderbeu u përpoq të çlironte kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradin). Në këtë aksion morën pjesë me repartet ushtarake të tyre edhe Gjergj Arianiti, Moisi Arianiti (Golemi) e Zahari Gropa. Sopotnica u sulmua nga forcat shqiptare gjatë vitit 1449, por nuk e morën dot. Përpjekjet e sundimtarëve shqiptarë për të rivendosur pushtetin e tyre në rajonet e Sopotnicës e të Ohrit nuk reshtën.
Për forcimin e aftësisë mbrojtëse të vendit, rëndësi kishin edhe marrëdhëniet me Venedikun. Në prill të vitit 1449 Skënderbeu dërgoi në Venedik përfaqësuesit e vet për t`i kërkuar Senatit të Republikës ratifikimin e traktatit të paqes të tetorit 1448, si dhe autorizimin që ai të mobilizonte luftëtarë nga banorët e zotërimeve veneciane në Shqipëri. Gjithashtu Skënderbeu i kërkoi Republikës së Shën Markut të përforconte Shkodrën e zotërimet e tjera për të penguar kalimin nëpër to të ushtrive osmane që të mos sulmonin prapa krahëve forcat shqiptare. Këto kërkesa Senati i Venedikut i pranoi, kurse nuk pranoi bashkëpunimin ushtarak me Skënderbeun, që do të çonte në prishjen e traktatit të paqes së nënshkruar me sulltan Muratin II.
Sulmi i trupave osmane kundër Shqipërisë nuk vonoi. Në vitin 1450 sulltan Murati II ndërmori një fushatë ushtarake shumë të fuqishme, duke angazhuar në të gjithë ushtrinë e Perandorisë. Sipas burimeve të kohës, që përmendin Rrethimin I të Krujës, numri i trupave osmane arrinte në l00 mijë veta. Por, sipas rrëfimeve të bashkëkohësve që kanë njohur nga afër organizimin e ushtrisë osmane, numri maksimal i trupave të rregullta që mund të merrte pjesë nëpër beteja larg viseve të tyre ishte rreth 30 mijë veta.
I njoftuar me kohë për lëvizjen e ushtrisë armike, Skënderbeu përfundoi masat mbrojtëse. Në vende të sigurta malore dhe në qytetet e fortifikuara bregdetare ai strehoi popullsinë e paaftë për luftë, grumbulloi bagëtinë dhe prodhimet bujqësore në vende të sigurta. Në vjeljen, grumbullimin dhe transportimin e prodhimeve bujqësore në ndihmë të popullsisë vuri ushtrinë. Prodhimet bujqësore të paarrira u asgjësuan, që armiku të mos kishte mundësi furnizimi me to.
Skënderbeu mobilizoi popullsinë e aftë për luftë dhe organizoi një ushtri të fuqishme. Forcat ushtarake ai i ndau në tri pjesë. Nën komandën e Kont Uranit vendosi në kështjellën e Krujës 1 500 luftëtarë vullnetarë të sprovuar. Mijëra të tjerë i organizoi në formë çetash që të vepronin në të gjithë vendin, sidomos pranë rrugëve për të penguar furnizimin e trupave armike me ushqime e mallra të tjera, duke sulmuar sidomos karvanet e furnizimit të tyre. Nga këto më të rëndësishmet ishin forcat e Gjergj Arianitit, që do të vepronin kryesisht përgjatë Rrugës Mbretërore (Egnacia). Detyra më e rëndësishme iu caktua 8 mijë luftëtarëve që u vunë nën komandën e drejtpërdrejtë të Skënderbeut. Këta do të qëndronin kryesisht në rrethinat e Krujës dhe do të sulmonin pa ndërprerë ushtrinë osmane që të mos e lejonin atë të përqendrohej me të gjitha forcat kundër mbrojtësve të kështjellës së saj.
Gjatë verës së vitit 1450 u grumbulluan në Manastir rreth 30 mijë veta, që ishte numri maksimal i të gjitha forcave ushtarake të Rumelisë e të Anadollit, të cilat mund të grumbulloheshin dhe të merrnin pjesë në luftime larg vendbanimeve të tyre. Ata u vunë nën komandën e sulltan Muratit II, i cili, ashtu si para dy vjetësh në Sopotnicë, kishte me vete edhe të birin 23-vjeçar, sulltanin e ardhshëm, Mehmetin II. Në fund të muajit korrik 1450, sulltan Murati II iu drejtua viseve të lira shqiptare. Trupat osmane ishin të pajisura me mjete ushtarake të shumta e nga më modernet për kohën, duke përfshirë edhe metal për derdhjen e topave.
Ushtria osmane ndoqi Rrugën Mbretërore (Egnacia). Gjatë marshimit në drejtim të viseve perendimore trupat osmane u gjendën nën sulmet e pandërprera të luftëtarëve të Gjergj Arianitit që vepronin në formën e çetave. Ushtria osmane kudo ku kaloi, vinte në dukje kronisti bashkëkohor bizantin L. Halkokondili, "dogji, duke i vënë zjarrin çdo gjëje që takonte". Ajo depërtoi në thellësi të vendit, iu drejtua Krujës dhe i ngriti çadrat në fushën që shtrihej në perëndim të saj. Nënkuptohet se një pjesë e viseve lindore të zotërimeve të Kastriotëve e të Arianitëve, nëpër të cilat lëviznin ushtritë pushtuese, përkohësisht kaloi nën kontrollin osman.
Përballë ushtrisë së fuqishme osmane, sulltan Murati II mendoi se shqiptarët ishin ligështuar, prandaj u kërkoi mbrojtësve të kështjellës së Krujës dorëzimin e saj pa luftë. Ai i propozoi Kont Uranit një shumë të madhe të hollash dhe mbrojtësve paprekshmëri gjatë largimit nga kështjella. Por këto oferta u refuzuan prej shqiptarëve. Atëherë Murati II urdhëroi pushtimin me luftë të kështjellës së Krujës. Pranë mureve të saj osmanët derdhën topa të fuqishëm. Me to u rrahën muret kështjellës, një pjesë e të cilave së bashku me portën e hyrjes u dëmtua. Pas bombardimit osmanët u vërsulën drejt mureve të dëmtuara, por ndeshën në "murin" e pamposhtur të mbrojtësve të saj, të cilët me luftën dhe qëndresën e tyre, nuk i lanë të hynin në kështjellë.
Nga jashtë Skënderbeu me luftëtarët e vet godisnin pareshtur dhe befasishëm ushtrinë armike, nga drejtime të ndryshme, ditën e natën, dhe shpesh e sulmonin atë njëkohësisht në disa drejtime. Me ta bashkëvepronin edhe mbrojtësit e Krujës. Shpesh këta dilnin nga kështjella dhe sulmonin befasishëm ose u kundërpërgjigjeshin goditjeve të trupave osmane.
Duke parë humbjet e mëdha të ushtrisë së tij prej luftëtarëve të Skënderbeut, sulltan Murati II urdhëroi asgjësimin e tyre, duke i ndjekur kudo edhe nëpër male. Por ekspeditat malore u shkaktuan trupave osmane humbje të rënda. Gjendja e tyre filloi të përkeqësohej gjithnjë e më shumë edhe nga mungesa e ushqimeve dhe e mallrave të tjera, sepse karvanet e furnizimit që vinin nga Lindja nuk mund të qarkullonin për shkak të sulmeve shfarosëse të çetave të shumta shqiptare. Nevojat e ushtrisë për ushqime e mallra të tjera, sulltan Murati II u përpoq t'i plotësonte duke u furnizuar prej tregtarëve venecianë nëpërmjet Durrësit e Shkodrës. Skënderbeu protestoi pranë qeveritarëve të Republikës së Venedikut dhe, pasi tregtarët e saj vazhduan të furnizonin me mallra trupat osmane, atëherë ushtria shqiptare nisi sulmet kundër karvaneve të tyre.
Lufta nën muret e Krujës vazhdoi gjatë katër muajve. Osmanët e mbajtën vazhdimisht të rrethuar kështjellën e Krujës dhe e sulmuan shumë herë atë për ta pushtuar, por mbrojtësit e saj qëndruan deri në fund. Ushtria osmane, sipas burimeve historike, pati me mijëra të vrarë. Pasi humbi shpresat për mposhtjen e shqiptarëve, Murati II kërkoi të arrinte një marrëveshje paqeje me Skënderbeun, por ajo u refuzua. Duke pasur një ushtri të demoralizuar dhe të lodhur, në mesin e muajit tetor 1450, me fillimin e stinës së shirave dhe afrimit të dimrit, sulltan Murati II e ndërpreu fushatën ushtarake. Gjatë rrugës së kthimit, derisa kaluan tokat shqiptare, ushtritë osmane u shoqëruan nga goditjet e pandërprera të luftëtarëve shqiptarë. Me disfatën e rëndë ushtarake që pësoi nën muret e Krujës, mbylli jetën në vitin 1451 Murati II, një nga sulltanët më të shquar, që me luftëra të vazhdueshme zgjeroi mjaft kufijtë e Perandorisë Osmane.
Lufta për mbrojtjen e Krujës më 1450 ishte një nga fitoret më të shkëlqyera të shqiptarëve kundër fuqisë ushtarake më të madhe e më agresive të kohës. Fitorja pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të Evropës. Brenda vendit ajo forcoi më tej besimin e shqiptarëve për vazhdimin me sukses të luftës çlirimtare dhe ndikoi në rritjen autoritetit të Skënderbeut si udhëheqës ushtarak e politik i vendit që po mbronte lirinë e tyre. Nga ana tjetër, ajo tregoi domosdoshmërinë e zgjerimit të frontit të luftës antiosmane, duke përfshirë edhe shtetet e tjera evropiane. Në rrafsh ndërkombëtar ngjarjet e vitit 1450 ndikuan në rritjen e vlerësimit për rolin e shqiptarëve si faktor parësor në kuadrin e përgjithshëm të luftës antiosmane që zhvillohej nga vende të ndryshme. Në opinionin e përgjithshëm evropian Skënderbeu vlerësohej si një nga personalitetet më të shquara të kohës. Ky opinion gjendet i shprehur edhe në një letër që, me rastin e fitores së vitit 1450, Senati i Raguzës i dërgoi heroit shqiptar: "nuk gjejmë fjalë të mjaftueshme për të lavdëruar e admiruar madhështinë e pabesueshme të shpirtit tuaj, mençurinë e burrërinë tuaj të pashoqe ... Ju qëndruat me forca të pakta kundër një armiku të panumërt turqish ... Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat, për të gjithë kombet e emri juaj le të konsakrojë një famë të përjetshme!"

Përpjekjet për çlirimin e viseve jugperëndimore në bashkëpunim me Mbretërinë e Napolit.
Beteja e Beratit (26 korrik 1455)
Luftimet e vitit 1450 për mbrojtjen e Krujës sollën dëme e vështirësi të ndryshme, të cilat duheshin kapërcyer. Pas largimit të ushtrive osmane, Skënderbeu ndërmori masa për rivendosjen e pushtetit të tij në viset lindore të vendit, ku kishte potencialin kryesor ekonomik e njerëzor. Realizimi i një detyre të tillë kërkonte mbështetjen e gjithanshme të Gjergj Arianitit dhe bashkërendimin e veprimeve ushtarake me të. Prandaj Skënderbeu forcoi lidhjet me Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij në vitin 1451.
Skënderbeu i kushtoi vëmendje forcimit të mëtejshëm të sistemit mbrojtës të vendit. U ndërmorën punime për riparimin e përforcimin e kështjellave. Përpara hyrjes kryesore të kështjellës së Krujës u bënë ndërtime të veçanta parapritëse për të mbrojtur muret e saj prej goditjeve të artilerisë. Në vijim të punimeve në sistemin mbrojtës dhe rreth 20 km (30 mijë hapa sipas M. Barlecit) larg Sfetigradit, diku në rajonin e Mokrës, ndoshta në rrjedhjen e mesme të lumit Treska dhe në jug të krahinës së Poreçes, shqiptarët ndërtuan kështjellën e Modrishës (Modrishta) për të penguar kalimin e trupave osmane në thellësi të vendit nëpërmjet rrugës Shkup-Kërçovë. Ndërkaq shqiptarët kishin arritur të rimarrin qytetin e Ohrit dhe rajonin e tij. Gjatë periudhës së Skënderbeut, më të shumtën e viteve Ohri ka qenë nën zotërimin e shqiptarëve, prandaj një lagje e tij për shekuj ka mbajtur emrin e Skënderbeut.
Ekspeditat ushtarake osmane kundër Shqipërisë nuk vonuan të rifillonin. Sulltan Mehmeti II që hipi në fronin osman në vitin 1451, pas vdekjes së babait të tij, dërgoi kundër Shqipërisë dy ushtri gjatë vitit 1452.
Ushtria e parë e përbërë prej disa mijë luftëtarësh nën komandën e Hamza Beut, pasi kaloi Mokrën u fut në luginën e Modrishës dhe filloi të ngjitej e lodhur në drejtim të kështjellës, lartësitë rreth së cilës ishin zënë natën në fshehtësi prej ushtrisë shqiptare. Kur pjesa kryesore e ushtrisë osmane ishte në ngjitje, Skënderbeu urdhëroi këmbësorinë e vet që ta sulmonte. Pozicioni i favorshëm i luftimit për shqiptarët, që sulmonin nga lart poshtë, i dëmtoi rëndë forcat armike. Ndërkohë kalorësia shqiptare me Skënderbeun në krye dhe Hamza Kastriotin kaloi me të shpejtë në luginë dhe u ndërpreu rrugën e tërheqjes forcave armike, të cilat pësuan një katastrofë të vërtetë. Shumica e tyre u vranë dhe shumë të tjerë ranë robër bashkë me komandantin e tyre Hamza Beun.
Disa muaj më vonë kundër Shqipërisë u dërguan mijëra ushtarë të