| Zemra Shqiptare | ||||
|
Kujtime nga Lufta e Drenicës në Vitin 1945 E diel, 30-09-2007, 10:32pm (GMT) Nga Hajriz Demaku Me prishjen e marrëveshjes (1943) në mes partisë Komuniste Shqipëtare dhe partive Dernokratike, në Mukje, delegatët 12 me 12 patën pru vendim që Kosova t'i bashkohet nënës Shqipëri, këtë marrëveshje e prishën komunistët, ngase këtë parti e drejtonte Milladin Popoviçi e Dushan Mugosha. Në fillim të nëntorit 1944, Beogradi dhe Tirana nuhatën mirë se ç'po përgaditet në Kosovë, dhe pa humbë kohë filluan kurthet e tradhtisë. Së pari Enver Hoxha, një muaj para se ta çlironte vendin e vet nga gjermanët, u detyrua t'i dërgoj dy Divizione sulmuase komuniste, të V dhe të VI, për ta nënshtruar Kosovën dhe lënë Jugosllavisë. Ata e çarmatosën Kosovën dhe i burgosën e i likuiduan Nacionalisët më me autoritet, të mos ishin këto divizione me ja pastruar Kosovën si mollë të çirueme, kurrë Serbia s'pati mundësi për t'i futë turinjët në Kosovë. Shabani deri tash i zgjidhte në formacionin e tij persona të mirë, kurse tash edhe asish që kërkonte pushteti komunist, por për ne të pafajshëm. Shabani e konsolidoj Brigadën si ushtri të rregullt me Batalione e Kompani. Formoi Shtabin e Përgjithshëm, me sekretar Salih Azemin, referent Rifat Kotorrin, anëtar të shtabit Miftar Bajraktarin, Mulla Ilaz Brojën (Spahiun) Azem Aruçin, Jetullah Muharremin (Zabeli), Rexhep Gjelin, Mulla Ibrahim Hotin, Sadik Lutanin dhe Zukë Xanin. Komandant të Batalonit I-rë emëroi Ramë Babajn nga LLausha, të II-të Ymer Fazlin nga Radisheva, të III-të Isë Zymerin nga Prekazi- nipi i Ahmet Delisë, të IV-të Istref Temën nga Dabrashefci. Komandant të komp. Hazir Xhaka, Rifat Galica, Sate Boshnjaku, Istref Hoti, Xhemë Luta, Muharrem Smakiçi, Murat Kameri, Hysen Bajraktari, Bajram Bajraktari, Hetem Bajrami, Vesel Shala, Feriz Boja, Ahmet Rreci, Bajram Haziri, Isuf Hajdari dhe Selman Demiqi. Kur e panë komunistët se nga të gjitha anët e Kosovës po i bashkohen Shaban Palluzhës, filluan ta boshatisin nga shqiptarët e armatosur. Së pari e nisën brigadën e Abit Dedisë e Dervish Koprivës, jo më pak se 6000 ushtarë, për në Srem. Ani, jo prej Shalës e kah Ibri, por, kah Gjilani e në Preshevë, në tren të bagëtive e në Srem. Tani e kishim radhën neve, na urdhëruan të shkojmë në Mitrovicë, vonë në mbramje, u vendosëm në shkollë të muzikës. Të nesërmen më 7 janar 1945, ishte festa sllave e Krishtlindjes. Erdhën oficirat serbë,kërkuan regjistrin, filluan të na thërrasin me emër e mbiemër nga 300 deri në 400 veta për secilin grup nja 10 sishë me nga një ushtar serb në ballë, kur mendum se u kry kolona e I në Pejë, e II në Prizren, e III në Gjakovë e kështu me radhë deri në fund. Kur ka dalë, nja 5 minuta para katastrofës, në ballkon Skender Begu i Dytë- Shaban Palluzha, ka lëshuar një zë të thekshëm, vëllezër, apo doni me u nda a me ndej bashkë- Me 8 janar 1945, u këthyem në Drenicë. U sistemuam nëpër fshatra për rreth Skënderajt - kur dulëm te fabrika e vjetër e tjegullave, qe nja 10-15 oznistë, e kishin lidhë një njeri dhe po e qonin për në Skënderaj, dikush e njofti të arrestuarin, kishte qenë djali i Rexhep Gjelit, Asllani. Në atë moment ne u dulëm para Oznës, as nuk e lirojshin, as na ata. Përgjegjësi i Oznës ishte Hetem Dauti i Kryshefcit. Dikush e lajmëroi Shabanin, e jo Rexhepin, se Rexhepi po ta kishte pa djalin të lidhur, i kishte vra të gjithë. Erdhi Shabani, iu afrua Hetemit dhe i tha: lëshoje bre qen, djalin, Hetemi tha: jo, se urdhërin e kam me e arrestua, pa një pa dy, Shabani ja futi flakaresh Hetemit, i cili e mbante automatin vjerrë në qafë, e gërmusi kokën dhe hecke ngadalë, Shabani shkonte paralel me Hetemin, vazhdimisht duke i ra me shuplak në qafë deri sa Hetemi e dha urdhërin për ta liruar Asllanin. Më 9 janar u ftuam për një miting të madh në Skënderaj. Erdhën Fadil Hoxha, Ali Shukria dhe Kërstë Filipoviçi. I pari Ali Shukria, pas tij Kërsta e i fundit foli Fadili. Ai tha: Lufta në Kosovë ka përfunduar, shok Shabani merri ushtarët e nisu për Podujevë e në Srem. Shabani tha: jo, derisa të ndalet mbytja e shqipetarëve natën, pa gjyqe nuk shkoj askund, qe dje i kemi nxjerrë 6, Halil Bajraktarin me 5 të tjerë në një varr dhe Trush Selmanin në një varr tjetër, bile këtij, e kam parë vetë, sytë e nxjerrur dhe buzët e preme. Fadil Hoxha: askush më, pa gjyq s'ka me u prek, unë garantoj. Shabani tha: Do të rrimë këtej pari edhe nja ni javë, pale ta shohim, apo del ashtu si po thoni ju Fadil. Ndër kohë, për ta zbrazur sa më parë Kosovën, e formuan brigadën e VII-të më të madhen, sa 5 tjerat, që Kosova me numër të ushtarëve ish 13000, duke e Vënë në krye të saj si Komandant major Shaban Haxhin (Pacin) nga luma e Komesar Qamil Brovina. Më 18 janar 1945 Kasneci i Fadil Hoxhës, Sadik Tafashiku, na tha se Fadili ka thënë më 20 janar me dalë me Brigadën tuaj në Podujevë, me ju mvesh Brigadës VII se do të vijë dhe unë aty. Mirëpo, serbët i prishnin planet edhe të Fadilit, tërë natën e 19-20 janarit kishin punuar për t'i kaluar 13000 ushtarët shqiptarë për në Serbi, duke u frikësuar se Shabani "Nacionalist" po ia merr ushtarët Shabanit "Komunist". Kur vajtëm në Podujevë e gjetëm vetëm një kompani të Brig. VII me Ramadan Banushin kom. komp. dhe Shaban Haxhiun me Ismet Shaqirin. Kurse Fadili s'kishte ardhur fare. Bina ishte kurdisë në tregun e bagëtisë, sepse ne ishim 8000 veta, Shaban Palluzha tha: Ju, Shaban Haxhia më keni pre në besë, pse e ke nisur brigadën tanë pa ardhë unë Fadilin e ka pre në besë, pse s'ka ardhë këtu ku e kemi lanë pjeken, ju komunistët nuk e mbani fjalën, Fadili më ka premtuar se asnjë shqiptar më s'ka me u pre pa gjyqe, u bë ni javë mbas premtimit e presa nuk ndalet fare. Foli Shaban Haxhia, foli Ismet Shaqiri, Shaban Palluzha tha pa ardhë Fadili unë këmbën se luaj. Ndërkohë u thirrë në qytet me folë në telefon me Fadilin, Shabani shkoi me shumë roje foli me Fadilin, kur u kthye ishte mllefosur tej mase sepse Fadili i kishte thanë unë nuk mundë të vijë por merri ushtarët e nisu për Srem. Shaban Palluzha hypi në binë, i hidhëruar tepër, mbas shpine i kishte nja 10 Oficirë serbë, bile, edhe nëpër kulme të ndërtesave të qytetit plotë serbë, vetëm pritnin urdhën për zjarr, por nuk iu erdhi. Shaban Palluzha iu drejtua ushtarve: ". . . Vllezër unë jam komandant i juaj, këta gjeneralë që janë këtu s'jan kurgjë për mua, mos e thoni na muar në qafë Shabani, në dashi shkojmë në Srem në dashi kthehemi në Drenicë. Midis mase e lypi fjalën Feriz Boja nga Kërrnica: " . . . Jo, tha, komandant se në Drenicë partizanë e çetnikë janë përzier e po vrasin gjithë natën, me ba e me shkue në Srem edhe fëmijët në djep kanë me na i pre, edhe, na asnjë s'kemi me u kthye prej andej. Atëherë Shabani tha: . . . Kthenu për Drenicë, veç mos i harroni do vllazën këtu në burg, se sabahi nuk i qelë. Feriz Bojës, Muharrem Smakiçit ia ndërroi pak, ia hoqi kapelën dhe ia vuri plisin dhe u nisëm për në burg, gardianët e hapën derën pa rezstencë, dualën të gjithë sa ishin afro 100 veta dhe erdhen me neve në Drenicë, bile edhe gardianët shqiptarë. Bujtëm atë natë nëpër katunde të Llapit. Kur u zgjuam në mëngjes, brigadat serbe na kishin rrethuar. Mehmet Gradica i kapi dy oficirë serbë në punkte të telefonit dhe i ka mbajtë peng! Deri në Barilevë. Në mëngjesin e 21 janarit 1945-it u nisëm për Drenicë, rrugës Podujevë-Prishtinë, nga Abria ishim të fundit në kolonë. Pas nesh vinin kah 20 ushtarë serbë. Përveç armatimit personal kishin dhe një mitrolez kundërajror, të cilin e tërhiqnin dy kuajë. E dërguan një ushtar, në krye të kolonës të Shabanit, me na lejuar t'ua merrnim atë mitrolez, por tha jo, se na të parët nuk do ta fillojmë luftën. Kur erdhëm në Barilevë e lëshuam rrugën Podujevë-Prishtinë, filluam të grupizohemi nëpër Batalone e Kompania, mu ai mitroloz na qëlloi me rafal neve, u vra Ymer Shasivari nga Dubovci dhe u plaguan Xhemë Lutani dhe një tjetër. Pra, më 21 janar 1945 në ora 10, ra viktimia e parë e luftës së Drenicës. U kthyem në Drenicë,- Lufta e Drenicës përfundoi atë ditë kur kullat e Hasan Sylës në Tërstenik e rrënuan me 28 predha të topit, më 21 shkurt 1945. Katër herë brenda 75 viteve, me topa lufte Serbia sulmoj Drenicën, por mbeti e pathyer. Më 15 korrik 1924 Kulla e Azem Bejtës, më 1981 Kulla e Nebih e Tahir Mehës, më 21 shkurt 1945 kullat e Hasan Sylës, më 5 mars 1998 kullat e Adem Jasharit. Në Luftën e Drenicës, 1945, përveç luftëtarëve të Drenicës pati edhe nga viset tjera shqipëtare luftëtarë, si , nga Llapi : Ejup Hoxha, Adem e Smail Zakuti, Mulla Ramë Govori, Nuhi Gashi (babai i Ministrit të Arsimit), e shumë të burgut të Podujevës, pastaj nga Shala, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Bislim Bajgora, Sherif Tërstena, Adem Voca e të tjerë. Nga Gjilani, Jusuf Ibrahimi, Raif Halimi i pari Komandat e i dyti komesar. Me 200 ushtarë të Batalioni të rinisë të Brigadës më gjakatare të Zufer Musiçit, të cilët u bashkuan me neve dhe e bombarduan shtabin Partizan në Prekaz. Mandej nga Gjakova, Qamil Hoxha e Asim Luzha, nga Shqipëria Bernard Llupi e Marije Shllaku, Kolë Parubi e Vasil Andoni si dhe Reshat Xhebrea nga Tirana. Në luftën e Drenicës, s'kemi patur veshmbathje, bile, sa për këpucë apo çizme vetëm ndonjë ushtar i dezertuar nga ushtritë tjera mund t'i kishte, të gjithë të tjerët me opinga nga lëkura e lopës, edhe vetë komandanti Shaban Polluzha. Shumë nga ushtarët u mërdhinë këmbësh, mbetën pa gishtërinjë. Edhe furnizimi me armë ka qenë kurrfare, vetëm ato që i patëm në fillim nga trofetë që i kapshim nga armiku. Furnizimi me bukë nja tri javë ka qenë i mirë, në javën e fundit, të gjithë mullinjtë e Açarevës ranë në duar të armikut. Tani ushqeheshim me mish dhe me tramakë misri të zier. Neglizhenca ende po na përcjell: Ymer Berishes akoma nuk ju kan gjetë eshtrat Shaban Palluzhës akoma nuk i është rindërtuar Kulla, tri katëshe, e shumë tjerëve më të vegjël po. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||