| Zemra Shqiptare | ||||||
|
Ismet Toto, personazhi që nuk pajtohej me asnjë grimë të të kaluarës orientale E diel, 20-07-2008, 05:30pm (GMT)
Në 100 vjetorin e lindjes së Ismet Totos, personazhit që nuk u pajtohej me asnjë grimë të të kaluarës orientale. Njeri me karakter të fortë e të paepur, antikomformist dhe i vendosur e në të njëjtën kohë intelektual i një stature të re, në kërkim të vazhdueshëm të burimeve të dijes dhe të ideve… Iu bashkua lëvizjes për rrëzimin e monarkisë, por fati i tij ishte tragjik. Dha shpirt në trekëmbëshin e burgut të kalasë së Gjirokastrës në nëntor 1937 Nga Prof. Nasho Jorgaqi I projektuar në historinë e kulturës sonë kombëtare midis dy luftërave, emri i Ismet Totos i ngjan një meteori që vezulloi nëpër qiellin e murtyer shqiptar të viteve '30 vetëm për pak kohë. Bile për shumë pak kohë, po të mendojmë që jeta e tij nuk i kapërceu tre deakada dhe vepra që krijoi u shtri në kufijt' e shtatë viteve. Iku tepër i ri dhe mbeti përgjithnjë i ri. Kështu vjen dhe imazhi i tij këtë vit, kur ai mbush 100 vjetorin e lindjes. Bir i Labërisë trime, Ismet Toto lindi në Progonat të Kurveleshit, në një familje të njohur patriotike. I mëkuar dhe i brumosur nga ky mjedis, ai do të hynte me guxim në rrugën e jetës e të diturisë. Do të kryente shkollën teknike amerikane në Tiranë dhe do të ndiqte studimet ekonomike në Universitetin e Romës. Por më shumë se sa nga studimet shkollore, ai do të formohej si intelektual, brenda një kohe shumë të shkurtër, falë punës vetjake, mençurisë dhe vullnetit, etjes së pashuar për dije dhe guximit për të çarë drejt shtigjeve të pashkelura. Edhe detyrat administrative që kreu, apo misionet që iu ngarkuan kur shkoi në Gjermani e Itali, i shërbyen për të njohur jetën e për të zgjeruar horizontin intelektual. Frutet e kësaj pune këmbëngulëse dhe e synimeve serioze të talentit dhe aftësive të tij do të duken në mozaikun e shkrimeve që boton në shtypin e kohës si "Arbënia", "Illyria", "Minerva", "Ora", etj. Krah mendimtarëve të rinj… Emri i tij do të lidhet me lëvizjen e re mendore të kohës, që u shfaq në botën intelektuale shqiptare. Ai do të bëhet pjesë e plejadës së atyre mendimtarëve të rinj si B. Merxhani, V. Koça, etj. që do të frymëzonin dhe hidhnin themelet e neoshqiptarizmës. Kjo lëvizje me thekse iluministe, më shumë se me probleme të drejtpërdrejta politike të ditës u mor me çështje filozofike e sociologjike, etike dhe estetike, parë këto të lidhura ngushtë me synimin për të krijuar një mendim dhe kulturë të mirëfilltë shqiptare. Në këtë frymë, u ndërmorën studime serioze dhe u zhvilluan polemika, u krijuan vepra letrare, u bënë përkthime nga leteratura filosofike dhe sociologjike, u hodhën ura të reja me metropolet e qytetërimit evropian. Nga gjiri i kësaj lëvizjeje dolën publicistë e analistë të thukët, kritikë letrarë e shkrimtarë, që brenda një kohe të shkurtër u shquan, jo vetëm për talent e përgatitje profesionale, por dhe për interesa të gjera dhe erudicion, për guxim qytetar dhe prirje drejt dukurive të reja. Ismet Toto do të ishte më i riu në mes kësaj plejade, madje nga më të guximshmit dhe më prodhimtarët. Nuk është e rastit, që ai do të bëhet zëdhënës i brezit të ri, që do të flasë në emër të djalërisë e të inteligjencës së re, që duke i kthyer shpinën së kaluarës, guxon të shikojë përpara. Shqipëria do të shpëtojë, mendon ai, vetëm në qoftë se e merr në dorë djalëria dhe se vetëm ajo është në gjendje të investojë realisht "për të ndërtuar shtëpi me dritare të mëdha". Edhe sot tingëllojnë aktuale fjalët e tij se "…punët e Shqipërisë t'i marrin në dorë krejt të rinjtë e pastër, të pakorruptuarit, ata që janë intansigjentë në parimet morale të shtetit dhe të individit". Idetë perëndimore
Krijimtaria Letrari Pasqyrë e këtyre mendimeve, e dallgëzimeve shpirtërore, e baticave dhe zbaticave nëpër të cilat kalon Ismeti janë skicat dhe vizatimet letrare, poezitë e prozat meditative, të cilat i botoi në pjesën më të madhe nën peudonimin Borealis, por dhe Arbërori, Spero, Tomorri, etj. Vështruar në tërësinë e veprimtarisë së tij intelektuale ato na duken më tepër intermexo poetik, që zbulojnë shpirtin artistik të autorit të ri. Sepse më shumë se sa me sentimente dhe mbresa nga jeta, ai do ta gatuante veprën e vet me ide dhe do të operonte me mendime që lypnin kurajo dhe angazhim qytetar. Të tilla do të jenë esetë filozofike e akoma më shumë publicistika. Kjo e dyta do të rrokë një gamë të gjerë problemesh, politike dhe sociale, kulturore dhe etike, gjë që ia ofronte realiteti i rëndë shqiptar. Mjafton përmendja e titujve që të krijohet një ide për shqetësimet e autorit: "Agonia e ideologjisë së vjetër", "Shigjeta në erë", "Melodia e kukuvajkave", "Shteti dhe shtypi", "Të heshtim?", "Organizma qeveritare dhe buka", "Plagët e bujkut", etj. Polemisti Ismet Totoja do të bënte emër si një nga polemistët më të zëshëm të kohës për guximin dhe mprehtësinë, inteligjencën dhe alternativën e mendimeve. Ai do të ndeshej në të gjitha krahët me kundërshtarët, bile dhe me kundërshtarë të kualifikuar dhe me autoritet siç qenë ata të klerit katolik. Mjaftoi artikulli i tij "Mistika e re" që shtypi klerikal i kohës t'i përgjigjej këtij djaloshi, që guxonte të prekte disa tabu. Në polemikën që u ndez u angazhuan deri Anton Harapi dhe Gjergj Fishta, por kjo nuk e pengoi Ismetin ta zgjerojë e thellojë mendimin dhe qëndrimin e tij kritik ndaj klerit. Ai nuk ishte ateist dhe as i mohonte vlerat e fesë, por mbante një qëndrim shkencor ndaj saj. Duke u mbështetur në filozofinë iluministe dhe në arritjet e shkencës, po dhe në përvojën e vendeve demokratike, ai s'kish si të mos kritikonte shfaqje të hipokrizisë dhe të dogmave fetare. Në jetën shpirtërore shqiptare, ai çmonte harmoninë midis feve, një shembull që populli shqiptar i jepte botës, por në këtë rast nuk mund të mos bënte thirrje për rreziqet që i kanoseshin vendit të prapambetur, i varfër e plot paragjykime siç ishte Shqipëria. Nga ana tjetër, në polemikën e tij ai kritikonte klerin për qëndrimet paternaliste që mbante në kulturën shqiptare apo arogancën që manifestonte. Libri i tij me këtë temë "Grindje me klerin" mbetet dhe sot një faqe reference e mendimit emancipues shqiptar midis dy luftërave. Shqipëria... Zvicër apo Afganistan? Ismeti i ri shtronte alternativën historike në se Shqipëria do të bëhej Zvicër apo Afganistan. Zgjidhja për të dalë populli nga prapambetja shekullore, sipas tij do të ishte "diktatura e ndritur" dhe shembull për këtë sillte Turqinë e Ataturkut, me të cilën hiqte paralele historike e sociale në mes saj dhe atdheut të tij. Pra, ishte fjala për oksidentalizimin e Shqipërisë ndaj ai dhe plejada e tij, të frymëzuar e të mbrujtur me idealet e perëndimit, kërkonin që shqiptarët të ndaheshin pa humbur kohë nga e kaluara orientale dhe të ndërtonin jetën dhe shtetin e tyre mbi themele evropiane. Ditari Shumë interesant paraqitet Ditari i Ismetit. Më shumë se me ngjarje të ditës, ai merret me mendimet, jeton në botën e tyre, shtegton nëpër lëmej dhe doktrina filozofike. Vihet në kërkim të idealit të vërtetë, përpiqet të njohë vetveten. Dhe nga ky proces, që shpesh kthehet në një polemikë me veten, lindin ide dhe mendime që të habisin për thellësinë dhe mprehtësinë e tyre, aq sa tingëllojnë si sentenca ("Jeta nuk është luftë, lufta është jetë", "Adhurimi i së kaluarës na bashkon me harmoninë qiellore", "Jeta e natyrshme është të rrojturit në pajtim dhe në harmoni të plotë me natyrën", "Tradita është sundimi i të vdekurve mbi të gjallët", "Tërmetet … një çast i bukur për njeriun që të kuptojë se sa i vogël dhe i kot është", "Të fitosh një zemër të madhe, domethënë se rron me vlerë në jetë", "Pendimi na përcjell gjer në varr", "Fytyra e njeriut është gjithçka. Shikoje dhe do të njohësh shpirtin"). Në ditar janë plot interes portretet që u bën N. Frashërit e Gj. Fishtës, por dhe B. Merxhanit, N. Çikës, etj. Aty zenë vend mendime për probleme si martesa, raportet me fenë e moralin, për çështje të mprehta sociale. Ndjehet gjithkund shpirti kritik dhe natyra e tij e trazuar. Ataturkut...
Por kjo ndërmarrje e madhe, si dhe gjithë ai përkushtim aq i devotshëm, do të ndërpritej tragjikisht. Do të qenë mendimet liridashëse dhe revolta ndaj tiranisë, ato që do ta çojnë të bashkohet me lëvizjen kryengritëse, e cila synonte rrëzimin e monarkisë. Por fati i tij do të ishte tragjik. Gjithë ato aspirata humane dhe hove shpirtërore do të shuheshin në plutonin e trekëmbëshit në burgun e kalasë së Gjirokastrës një mëngjez nëntori të vitit të largët 1937! Para se të shkonte kryelartë drejt vdekjes, ai do të shkruante letrën e fundit, "De Profundis", ku në mes të tjerash, do të shënonte fjalët: "Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen". Kjo do të mbetej kredoja e këtij intelektuali kryengritës, që u përcillte brezave të rinj dhe që në 100 vjetorin e lindjes së tij na vjen e fuqishme dhe me një vërtetësi tronditëse. Ismet Toto Shënimet, në orën e ekzekutimit 30 janar, 1931 31 janar, 1931 1 shkurt, 1931 1 shkurt, 1931 2 E hënë, shkurt 1931 7 E shtunë, shkurt, 1931 Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja Me kthetrat e saj të ndyra ajo më shqeu përsëgjalli. Kënga ime papritmas u kthye në një ulurimë shurdhonjëse. Dhe unë besnik i trupit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ato ligje të psikologjisë nëpër të cilat ecën jeta dhe zhvillimi i njerëzve, janë të vërteta dhe sundojnë. Vetëm njerëzit që meritojnë dhe duhet të jetojnë, janë në lartësinë e vdekjes, e shikojnë këtë drejt për së drejti; pa frikë dhe pa tmerr. Sa më i pazhvilluar të jetë njeriu, aq më tepër i trembet vdekjes. Jeta, që s'ka një qëllim, është një jetë kafshe. Jeta, që nuk ka një dëshirë supreme, një shtytje të ngutur për të kuptuar dhe për të rritur një shkallë më të lartë e më të kulturuar, jeta, që nuk është një përpjekje e vazhduar për botëkuptimin e rregulla më të plotësuara e më të përsosura, ajo nuk është jetë. Edhe sot vazhdoj të rroj duke menduar. Ajo udhë, që më solli në këtë "abis", udha e mendimit të sinqertë dhe e pasjes së një qëllimi në jetë, nuk është e gabuar. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm sesa të gjallët. Më tepër na udhëheqin të vdekurit, sesa të gjallët. Madhëria dhe forca e një njeriu plotësohen mbasi vdes. Miq dhe shokë pata pak në jetën time, gjithsej nja pesë a gjashtë. Vetëm me ata u kuptova plotësisht dhe, kur ndënja me ta, "qava hallet", ndjeva një lartësim në brendësirën time, ndjeva vlerën e të qënurit gjallë. Nga hiçi erdha, në hiçin shkojmë. Ai çast i shkurtër, që quhet "jetë", duhet ta mbushim me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri, dhe sidomos me mendim. Sa je gjallë digju, dhe nëpër ato djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen. Po të mos qe dielli prej zjarri dhe duke u djegur, s'do kish as jetë, as botë … Mendja dhe shpirti e tundin dhe e mbrujnë lëndën. Këndonte Jetë! Ah, jeta ime e zezë je Gënjej? Kur s'jam ai që dukem në të Një mikut Kur un' të zhdukem në Sentenca... "Bota nuk është e atyre që Vetëvetes Ngrehe një kështjellë Milosao
|
||||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||||