| Zemra Shqiptare | ||||
|
Tre pengjet e Luigj Gurakuqit E enjte, 06-03-2008, 07:10pm (GMT) Flori Slatina - G 55
Pengu i parë. Regjisori Luigj Gurakuqi kishte punuar në TOB që nga viti 1963, menjëherë pas studimeve në Moskë dhe Tiranë. Kishte realizuar me qindra koncerte, opera, shfaqje, por që në vitet e komunizmit kur katolikët nuk shikoheshin me sy të mirë, edhe Luigji do të vuante pasojat e kësaj paranoje të diktaturës. Ai nuk u vlerësua kurrë për artin e tij, pa tituj, pa çmime. Por, për fatitë keq, edhe pas vitit 1990, atij nuk iu dha e drejta. Asnjë titull, edhe pse emri i tij figuronte në listat e drejtorëve të TOB-it apo të ministrave të kulturës që vinin e iknin njëri pas tjetrit. Shpresoi se dikush do ta vlerësonte kontributin e tij të çmuar në Opera. Nuk iu dha ky titull as në 40 vjetorin, as për 45 vjetorin, kur sapo kishte botuar edhe historikun e TOB-it, as në 50 vjetorin e Operës. Ai iku i dëshpëruar se nuk mori kurrë atë që meritonte, kur nxënësit e tij kishin marrë tituj e grada nga më të lartat!? Gjithsesi ky titull që i jepet sot, më mirë vonë se kurrë, është një vlerësim për një artist të shquar, rrugën e të cilit e vijon me shumë sukses i biri, për të cilin sakrifikoi punën, kur diktatura i vuri përballë alternativën qesharake “O ti, o yt bir në Opera”, nuk ka vend për të dy!”. Pengu i dytë. Z. Luigj Gurakuqi jetonte me pensionin qesharak prej më pak se 10 mijë lekësh në muaj. Një pension që i siguronte atij vetëm një jetesë minimale. Së bashku me bashkëshorten e tij, Zinën, një artiste e dikurshme e Ansamblit Popullor, ata jetonin me pensionin që, për fat të keq, në kohën e diktaturës kishte qenë shumë më i madh dhe dinjitoz. Ai shpresoi se qeveritë e njëpasnjëshme do ta kishin parasysh kontributin e tij. Listat për pension të posaçëm që hartoheshin sa nga ministria, sa nga bashkia apo nga qeveria flinin nëpër sirtarë dhe askush nuk merrte mundimin të vlerësonte realisht këtë artist. Është qesharake dhe e turpshme, kur vetëm para pak muajsh në një gazetë doli një tjetër listë me emrat e atyre që përfitonin pension të posaçëm dhe aty figuronte ende emri i Luigj Gurakuqit, kur ai kishte të paktën 1 vit që prehej në jetën e përtejshme. Pengu i tretë. Prej vitesh, madje që prej vitit 1946, Luigj Gurakuqi jetonte në një banesë të shtetëzuar që ia kishte dhënë shteti në atë kohë. Ai jetoi aty deri në çastet e fundit të jetës. Shpresonte se një ditë ai do të merrte një banesë tjetër, pasi ai i kishte dalë pronari dhe ai të kompensohej nga shteti. Në banesën e tij dykatëshe, të rrethuar me ndërtesa të larta që të merrnin frymën ai kishte krijuar oazin e tij. Para dhjetë vjetësh më kërkoi t’i çoja një kumbull dhe një ftua për t’i mbjellë në oborrin e tij. Ato u rritën e para disa vitesh bënë kokrra. Këtë vit ato kanë çelur përsëri me lule të bukura, por ai nuk jeton më. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||