| Zemra Shqiptare | ||||
|
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka E shtune, 06-10-2007, 09:27pm (GMT) Shkruan Ramadan S. Latifaj Kapitulli I Parë ( nga XH.Shatri)
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre. Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas 23 vjetesh, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt? 1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje. 2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë 1. Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate. 2. Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu. 3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë. 4. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër. 5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës". 3. Uniteti i veprimit Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës "Liria", në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë. Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e "fotografëve" kishte qenë dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve. Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf. Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel. 1. Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës; 2. Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje; 3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë; 4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet; 5. T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi; 6.Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë; 7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje; 8. Lirinë e fjalës dhe shtypit; 9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore; 10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë; 11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar. Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë. 4. Pse u krye atentati? Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim. Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe. Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet. Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t'i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës. Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm në aspiratën e përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë. 28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrtejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët. Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla. Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh. Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353. 5. Neve na vrau UDB-ja jugosllave! Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazha në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit. Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së tij. Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t'i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave! 6. Praktikat e ekzekutimit Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi. Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshmitë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer. Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani. Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole… Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t'u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach. Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna: Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22-15 min i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht: I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë. Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur. Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205. 7. Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën? Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet "Bereta" të kalibrit 7.65mm. Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe. Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac. Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe. As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave. KAPITULLI I II-të (Gazeta Gjermane) Der Spiegel, 25 janar 1982 E tëra dukej si pas një ekzekutimi Kur ndalet vetura del një njeri nga një vend ndërtimi në anën e djathtë të veturës dhe gjuan nga një distancë 3m. në veturë. Një njeri i dytë gjuan gjithashtu dhe shikon pastaj në veturë për t`u bindur se a ia kanë arritur qëllimit. Fqinj të frikësuar nga krismat i shohin dy burra duke ikur. -Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeq, jugosllav, i goditur nga 6 plumba, qëndronte i vdekur pas timonit, Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt u dit edhe drejtimi i tyre politik: jugoslavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat të - kalibri 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: "E tëra dukej si pas një ekzekutimi". Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i Siegfried Hübner - duhet qëlluar me katër plumba "tre për ta mbërthyer vitimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjepruese". Edhe kjo flet për UDB-në." Ndërsa përgjegjësit janë dal në shesh. Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional - dhe i lufton ato. Sidomos kroatëve që janë jashtë ua kanë drejtuar pistoletat vrasësit e shërbimit sekret. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit. Në procesin e këtij akti gjyqtari dërgoi një apel deri më tash të kotë drejt Bon-it. "Nuk mund të lejohet që në vendin tonë të kryhen vrasje të shteteve të huaja për t`i zgjidhur problemet e tyre të brendshme". Në fakt vetëm në Baden-Württemberg jetojnë diku 2000 shqiptarë, shumica prej tyre me strehim politik. Lidhur me aktivitetet e tyre shpeshherë u ankua konsullata e përgjithshme në Stuttgart. Kjo mund ta ketë lidhur një zingjir vdekjeprues, se njëri prej të cilëve kishte hyrë në atë shkollë dhe të cilin me siguri e kanë fotografuar, ishte Bardhosh Gërvalla, ngarësi i veturës, i vrarë te Heolbronn-i. Bardhosh Gërvalla kshte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëmarrësit jugosllavë, në Solitudestraße 44, në Ludwigsburg. Bardhoshi i martuar, dy fëmijë ka qenë aktiv sidomos në legjislacionin e punës për bashkëkombësit e tij. Çfarë rëndësie kanë aktivitetet e shqiptarëve në ekzil për Beogradin nuk e dëshmon vetëm masakra në Heilbronn. I ngjashëm ishte edhe një aksion i madh i shërbimit sekret serb në fillim të vitit, kur bashkëkombësi, Rasim Zenelaj u muar në shënjestër. Zenelaj ka qenë një antar udhëheqës i "Besëlidhjes Kombëtare Shqipëtare". Për ta mënjanuar Zenelajn Beogradi kishte kurdisur plane të kushtueshme. Kishte nisur disa agjentë, madje kanë rrezikuar edhe dikë nga zyrtarë të konsullatës dhe kanë eksponur ndihmësit e heshtur. Megjithatë plani dështoi dhe pjesëmarrësit u zbuluan: Në procesin e nisur atë kohë kundër përgjegjësve të atentatit qartësohet edhe më shumë implikimi i zyrtarëve jugosllavë në ndjekjen e emigrantëve me metoda drastike. Agjenti i parë të cilin e caktuan për Zenelajn ishte një kroat në ekzil, por ai demaskoj urdhërdhënësit nëpërmes deklaratave të tij në procesin gjygjësor. As agjenti i dytë nuk e mbajti fshehtësinë. Ante Kujundzic ishte rekrutuar nga Tozo si vrasës, kur iu hap shokëve të tij kroatë në ekzil. Së shpejti policia gjermane i dinte hollësitë e përgaditjeve për atentat. Zenelaj ra në rrezik me mendjelehtësinë e vet: Ai kishte treguar në rrethin shoqëror se ishte i mbrojtur dyfish, d.m.th. edhe me një jelek antiplumb. Njëri që e kishte dëgjuar këtë ishte nën shërbimin e Surla-s. Kështu jugosllavët e planifikuan një plan, që kundërshtarin e tyre ta manovronin në një situatë, që ai të detyrohet ta zdesh jelekun e tij antiplumb. Një grua duhej ta kryente këtë punë dhe pastaj ta godiste me pistoletë. Si ndihmëse u gjet shpejt bjondina serbe Zorica Aleksic. Ajo jetonte pa të ardhura dhe pa punë në afërsi të Darmstadt-it. Nëpërmjet kërcënimeve si dhe nëpërmjet premtimit se do t`ia japin 2000 DM e bindën atë. Ishte aranzhuar një takim me gruan dhe viktimën e saj. Rasim Zenelaj e kishte marrë agjenten në apartamentin e tij. Kur doli gruaja me pistoletë nga banja, Zenelaj e kishte zdeshur jelekun antiplumb. Prej pesë goditjeve në afërsi të zemrës, Zenelaj falimentoi. Autorja kishte ikur dhe në hyrjen e shtëpisë e kishin pritur Surla me shoferin e tij. Zorica Aleksic ua kishte kthyer armën dhe i kishte marrë paratë bashkë me një tiketë për Beograd. Me një Volvo ishin nisur menjëherë për në aeroportin e Frankfurt-it. Mirëpo serbja nuk mundi ta lëshonte vendin. Fqinjtë, e alarmuar nga krismat, i kishin lajmëruar policinë menjëherë. Rastësisht e kishin dëgjuar këtë lajm në radiolidhje edhe policët të cilët ishin të ngarkuar me mbrojtjen e Zenelajt. Një gjurmim i shpejtë në rrethin shoqëror të viktimës i çoi policët te Zorica, e cila pak më vonë u arrestua në aeroport. Zyrtarët e konsullatës Tozo dhe Salihi janë urdhëruar të kthehen në Jugosllavi. Surla mundi të ikte që në ditën e atentatit. Surla u paralajmërua me anë të telefonit dhe ishte përgjigjur: "në rregull". Pastaj shoferi, i cili ishte dëshmitar i kësaj telefonate, e kishte dërguar me ngut përtej kufirit, në Strasburg në hotelin Holiday Inn. Aty humbën gjurmët e tij. Dështimi, si duket, nuk e ka dëshpëruar UDB-në. Një vërtetim është 10. tetori 1981në Bruksel: Atje ishte vrarë një shqiptar me emrin Vehbi Ibrahimi në rrugë para banesës së tij, me një pistoletë të kalibrit 7.65. Policët nuk gjejnë gati fare përkrahje politike në luftën kundër kësaj lufte ilegale. Në të vërtetë ekziston një marrëveshje në mes të Bonn-it dhe Beograd-it për të përkrahur njëri-tjetrin në rast atentati. Herëpasherë ndërrohen informata për ardhjen e lëndëve shpërthyese ose të ndonjë arme. Mirëpo sa pak rëndësi ka kooperimi në mes dy shteteve për palën serbe e vërtetojnë atentatet. Zyra federale kundër krimit ka regjistruar se kur janë bërë atentate në kroatët në ekzil, në shumicën e rasteve UDB-ja ka përdorur pistoleta të cilat gjuajnë me rrotullim djathtor rreth boshtit, edhe pse shumica e pistoletave të këtij lloji gjuajnë me rrotullim majtor rreth boshtit. Organizatorët e atentateve as që e kanë pa të arsyeshme ta maskojnë këtë dallim. Politikanët jugosllavë e mohojnë katgorikisht implikimin e policisë sekrete jugosllave në këto raste. Lidhje me këtë ka bisedime të rregullta në mes të ministrisë së brendshme gjermane dhe kolegëve beogradas. Ministri i punëve të brendshme Franjo Herljevic, një gjeneral i vjetër partizan dhe bshkudhëtar i Titos, i demanton gjithmonë dhe deklaron se policia sekrete jugosllave nuk është duke vepruar në Republikën Federale Gjermane. Kur kishte pyetur deputeti i CSU-së Fritz Wittmann në vjeshtë të vitit 1981, se cilat janë reagimet e Bonn-it lidhur me sjelljet e Beogradit, e mori një përgjigje të shmangshme. Bonn-i shprehet lidhur me këtë, thoshte ministrja Hildegard Hamm-Brücher, vetëm atje ku është e arsyeshme dhe e dobishme. Arsyen për këtë stil të mbajtun gjermanët e nuhatën, kur ra në duar të tyre një letër që Renac e kishte dërguar në Beograd. Hetuesit gjermanë nuk prisnin shpërblim nga shërbimet jugosllave. Kur para pak kohe një prokuror i Frankfurtit paralojmëroi se në rastin e shqiptarit Zenelaj së shpejti do të fillojë me marrë "hetime në Jugosllavi", nuk deshi askush t`i jepte zemër. Një mbrojtës i shtetit në Bonn tha: "Në këtë ne vetëm kemi qeshur". KAPITULLI I III-të Anatomia e një atentati Shqiptar OSEKU Sikur populli shqiptar ta kish një histori të mirëfilltë shkencore, e që mjerisht ende s'e ka, disa kapituj të trashë do t'i kushtoheshin patjetër lëvizjes nëntokësore të rezistencës matanë kufinjve të Shqipërisë administrative. Do t'ishte fjala, pa dyshim, për një rrëfim jashtëzakonisht interesant, për shqiptarë e për të huaj. Ajo do të nxirrte në shesh përvojat komplekse të një populli "të ndaluar" në rrafshin e mosbindjes qytetare dhe rezistencës së armatosur ndaj okupimit, përvoja këto që janë edhe sot aktuale në shumë anë. Cilat ishin motivet e atyre që u angazhuan në ilegale? Ç'i shtynte ata që kryeneçësisht, pa asnjë shans ushtarak e pa asnjë shembull të mbarë lokal (madje përkundrazi), ta sfidojnë pareshtur një okupim ushtarak, administrativ, socioekonomik e kulturor ndër më të jetëgjatët e më brutalët në kontinentin e Evropës? E ç'i shtynte të tjerë, nga ambient i njëjtë e me prapavijë të ngjashme, të zgjedhin tjetër rrugë, të bëhen neutralë a administrues të zellshëm të okupimit? Këto dhe shumë pyetje tjera interesante mbeten ende, mjerisht, pa një përgjegje të përmbledhur. Megjithatë, copëra fragmentare por domethënëse të përgjegjes ofron jetëshkrimi i personave që janë bërë të njohur, shumica post mortem, si ikona të rezistencës. Jusuf Gërvalla, albanolog, poet e publicist, vëllai i tij Bardhosh Gërvalla, punonjës social me diplomë universitare të anglishtes, dhe shoku i tyre i armëve Kadri Zeka, gazetar, bëjnë pjesë në heronjtë e ilegales nga fundi i Luftës së Ftohtë, që mbaruan tragjikisht vetëm 10 vjet para ndërrimeve dramatike në kontinentin Evropës. Ata lindën e vepruan në një epokë të errët, duke i ndjekur pa kompromis idetë e veta për çlirimin e një populli që shtypej në rrethin e nëntë të ferrit evrolindor, mes çekanit komunist e kudhrës nacionaliste. Fundi i tyre, të mbytur gjak në terrin e një nate të ftohtë e të varrosur në dhe të huaj, ish komponuar enkas për t'ua kujtuar shqiptarëve në mënyrë diskrete kumtin makabër të zotërve të tyre serbë, atë kumt të stërlashtë të pushtuesve për të pushtuarit që do të shfaqej sërish sheshazi në Ballkan në hyrje të shek. XXI: "Mos ngritni krye, se jua këpusim kështu të gjithëve!" Sivjet, kur bie përvjetori i vrasjes së tyre, historiografia zyrtare shqiptare do të bënte mirë ta rrëfejë deri në fund tregimin e prerë të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe të shokëve të tyre. E kur ta ketë rrëfyer atë, t'i tregojë edhe rrëfimet e atyre që ishin para tyre, e të atyre që vijuan pas tyre. Jo pse e ka obligim para tyre. Po pse e ka obligim para vetit. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||