| Zemra Shqiptare | ||||||||||
|
Jeton Kelmendi: Bukureshti i gjurmëve të shenjta të rilindësve tanë E diel, 27-04-2008, 05:03pm (GMT)
Nga Jeton Kelmendi, Bruksel Koha dhe fati janë Alfa dhe Omega e një populli. Duke kaluar neper shekuj e mileniume, fati shqiptar ishte fare pak human me popullin e vjetër që dikur përfshinte terë Gadishullin Ilirik. Kohë pas kohe dhe brez pas brezi, njeriu shqiptar u detyrua të largohet nga shtëpia dhe atdheu i vet, rrethana dhe motive të ndryshme. Madje në disa raste u bënë edhe shkuarje masive; siç janë Arbëreshet, pastaj shkuarja në Egjypt, Turqi, Bullgari e shumë tjera. Historia përsëritej, ndërsa vendi po rrallohej me njerëzit e vet. Kështu ishin kohët e shqiptarëve, këto ishin edhe fatet e tyre deri në ditët e sotme.
Që para se të shkoj atje, na kishte premtuar se do të na takonte me mërgatën e vjetër shqiptare në Bukuresht. Gjithçka ishte e veçantë. Edhe takimi me të, si dy miq që vetëm kishim lexuar për njëri/tjetrin, na mbetet në kujtesë, sidomos dita kur më shpiente gjurmëve shqiptare në Bukuresht, duke më njohur me pallatin ku ka jetuar Elena Gjika, godinën ku kishte ndenjur me qera Asdreni, kishën shqiptare të Bukureshtit, buleveradin qendror ku ishte zhvilluar një marsh solidariteti me Kosovën, NATO-n dhe Amerikën (31 mars 1999), me shqiptarë, rumunë e arumunë, me kosovarët që studjonin në Krajovë, me bij e bija rilindësish, me flamujt e Rumanisë e të Shqipërisë. Qyteti kësaj radhe dukej pak me ndryshe se qytet tjera, së paku mund te themi se ishte qyteti më i sigurt në botë, ngase po aty po merrnin pjesë në Samitin e NATO-s, burrështetas botërorë. Edhe nga kjo ne kishim arsye të gëzoheshim, Shqipëria po thirrej në NATO. Merre me mend se çfarë gëzimi ishte për pjesëmarrësit shqiptarë, jo vetëm nga Kosova e Shqipëria, madje edhe për të huajtë që e admirojnë Kosovën, kur kishin parë në hollin e hotelit dy numra të gazetës Interesul Public me artikuj përmes të cilave zhvillohet fushatë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Rumani. Dhe kush ishte autor i tyre? Miku ynë, Bakiu që e nderon kombin shqiptar në trojet rumune. Vetëm në numrin e 3 prillit, ia kishin botuar dy faqe të plota për lashtësinë trako/ilire, për fjalët e përbashkëta dhe historinë e lidhjeve farefisnore ndërmjet kombit shqiptar dhe popullit rumun.
Është hoteli ku është mbajtur mbledhja historike e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit (5 Nëntor 1912), me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin në ballë, ku u morën vendimet e para që Shqipëria të shpallej e “e lirë dhe e mosvarme”. Falë angazhimeve të ish/ambasadorit shqiptar, Leonidha Mërtiri, para disa vitesh u inaugurua një pllakë përkujtimore në hollin e këtij hoteli historik, ku përmendet, në të dy gjuhët, rëndësia e tij për historinë e Shqipërisë. Ishte një rrugëtim fantastik nëpër udhët e kësaj kryeqendre që ka lënë gjurmë në kujtesën time, dhe sa herë më kujtohet Bukureshti dhe rilindësit tanë, e ndjej veten të përlidur me energji të reja të atdhetarizmit shqiptar. Pse? Ngase rrugëve të Bukureshtit i dëgjoja hapat e rilindësve tanë. Ngase Bukureshti, sipas Lasgush Poradecit, është “qyteti që mban emrin më të bukur të të folurit shqip”. Pastaj, Zjarri i Shipkovicës, apo Asdreni i ditëve tona, siç e quajnë disa Bakiun atje, merr në telefon profesorin shtatëdhjeteshtatë vjeçar, Dr. Xhelku Maksuti, dhe e njofton për ardhjen e një shqiptari nga Kosova në Bukuresht. Profesori ka prejardhje të motshme kërçovare. Ka lindur, është rritur dhe plakur në Bukuresht ku ka botuar pesë libra dhe pesëqind artikuj shkencor mbi komunitetin shqiptar të Rumanisë dhe lidhjet rumuno/shqiptare. “Ejani edhe te unë, po ju pres në shtëpi!", tha në gjuhën shqipe. Shtëpia e tij është në qendër të qytetit, tejmatanë godinës së Parlamentit, përballë hotelit të destinuar për presidentin amerikan gjatë ditëve të Samitit. Apartamenti i profesor Maksutit shëmbëllente me një shtëpi tipike qytetare rumune, për nga arkitektura. Brenda saj dolën të gëzuar, profesori, gruaja e tij, zonja Dojna, rumune për nga prejardhja dhe shqiptare për nga shpirti, dhe vajza e tyre, Kristia. Brenda, gjithçka shqiptare ta tërhiqte syrin. Së pari ta tërheq vëmendjen Flamuri Kombëtar, pastaj busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, fotografi të rilindësve tanë dhe libra të shumtë, shumica me tematikë historike, vlera të vjetra e të reja për çështjen shqiptare. Nuk mund ti ikësh emocionit, kur sheh profesor Xjelkun, një burrë i qetë dhe i kulturuar, që të pret si një shqiptar i vërtetë. Nuk do ta harroj kurrë. Mbante kravatën e kuqe me shqiponja në të. Sa me përzemërsi fliste për shqiptarët dhe Shqipërinë, për Kosovën dhe Dardaninë, për Kërçovën e gjyshit të tij që ia kishin vrarë serbët më 1913, për historinë e komunitetit shqiptar të Rumanisë, për historinë tonë si njohës personalitetesh dhe faktesh të shumta historike. E ka njohur Kadarenë, Papën e Romës, Antonio Bellushin, Sali Berishën, Alfred Mojsiun, Ymer Jakën, Mirije Rushanin, Shefki Sejdiun, Avni Spahiun etj.
|
||||||||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||||||||