| Zemra Shqiptare | ||||
|
Profili kriminal i Karaxhiçit, njeriut që urdheroi vrasjen e 8 mijë boshnjakëve E enjte, 24-07-2008, 04:27pm (GMT)
Vetëm pak minuta pasi Thaçi dhe Sejdiu shtrënguan duart me Presidentin Bush, një lajm nga Beogradi sikur e "zbehu" atë takim që deri në ato momente ishte lajmi numër një. Në fakt nuk e zbehu, por e ndriçoi edhe më shumë, pasi ishte një devizë historike. Serbia po shkon drejt BE-së, Kosova është një shtet i pavarur dhe Ballkani është integruar duke rënë në "qetësi". Njeriu, për kokën e të cilit ishin dhënë 5 milionë dollarë, tashmë ishte arrestuar. Pas 12 vitesh në ilegalitet, më në fund ish-udhëheqësi serb, Radovan Karaxhiç, kishte përfunduar në pranga. Kush ishte Karaxhiç Bashkë me Ratko Mlladiç, ai është paditur për gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte, për masakrën më të rëndë të kryer në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore në korrik 1995. Ai ndiqej gjithashtu për rolin e tij në rrethimin e Sarajevës, që zgjati 43 muaj dhe gjatë të cilit u vranë më shumë se 10 mijë civilë. Trupmadh e me flokët e thinjur, Karaxhiç nuk ishte parë më në publik që pas arratisë së tij në vitin 1996. I konsideruar si një monstër nga kroatët dhe myslimanët e Bosnjës, ai mbetet për një numër të madh serbësh si heroi i luftës që shkatërroi Bosnjën nga 1992-1995, pas shpalljes së pavarësisë së saj. I lindur më 19 qershor 1945 në fshatin Petnjica në Mal të Zi, Karaxhiç e kaloi fëmijërinë në Nikshiç, pranë kufirit me Bosnjën. Që në moshë të re ai shkruante poema, një hobi që do ta ruante së bashku me shkrimin e pjesëve teatrale apo muzikës popullore. Psikiatër në Sarajevë në vitet '60, Radovan Karaxhiç e filloi karrierën politike vetëm në vitet 1990, duke pasur si idhull Sllobodan Millosheviçin, burrin e fortë të Jugosllavisë, që vdiq në mars 2006 në burgun e TPI-së në Hagë përpara përfundimit të procesit ndaj tij. Festë në Sarajevë, protesta në Beograd Asambleja e Enklavës Serbe të Bosnjës ndërpreu sesionin e saj të radhës në shenjë proteste ndaj politikanëve të Sarajevës, të cilët festonin arrestimin e Radovan Karaxhiç. Protesta të vogla në Beograd kanë shoqëruar arrestimin e Karaxhiç. Mbrëmjen e dy ditëve më parë, policia pa përdorur dhunën, ka mundur të largojë grupin e aktivistëve të Lëvizjes Ultranacionaliste "Obraz" para ndërtesës së Gjykatës Speciale në Beograd, ku ndodhej i shumëkërkuari i arrestuar. Grupi i përbërë kryesisht nga të rinj është mbledhur para gjykatës menjëherë pasi është dhënë lajmi për prangosjen e akuzuarit të Hagës, Radovan Karaxhiç. Ata nuk kanë bërë incidente, por vetëm sa kanë brohoritur emrin "Radovan Karaxhiç" dhe kanë kënduar himnin e Serbisë "Bozhe pravde". Veprimtaria e Karaxhiç • Nga 29 shkurti deri më 1 mars 1992 myslimanët dhe kroatët e Bosnjës votojnë për pavarësi në referendumin e bojkotuar nga serbët. • Në prill të këtij viti BE njeh pavarësinë e Bosnjës. Fillon lufta dhe serbët nën drejtimin e Radovan Karaxhiçit rrethojnë kryeqytetin Sarajevë. Ata pushtojnë 70 për qind të vendit, duke vrarë dhe përndjekur myslimanët dhe kroatët për të krijuar një Republikë Serbe. • Dy muaj më pas, OKB-ja vendos sanksione kundër Serbisë, pasi kjo e fundit mbështet rebelët serbë në Kroaci dhe Bosnjë. • Në fillim të vitit 1993 dështojnë përpjekjet për paqe në Bosnjë, shpërthen lufta midis myslimanëve dhe kroatëve, të cilët më parë ishin aleatë kundër serbëve. • Në mars 1994, SHBA-ja ndërmjetëson një marrëveshje që i jep fund luftës myslimano-kroate dhe krijon një federatë myslimano-kroate. • Një vit më pas, presidenti i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, urdhëron që Srebrenica dhe Zepa të izolohen plotësisht dhe që autokolonat të mos lejohen të arrijnë në qytete. • Më 9 korrik 1995, Karaxhiç nxjerr një urdhër për të pushtuar Srebrenicën. • Dy ditë më pas trupat serbe të Bosnjës, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç, pushtojnë enklavën lindore dhe "zonën e sigurt" të OKB-së, Srebrenicën, duke vrarë 8 mijë myslimanë. Gjykata e OKB-së për Krime Lufte me seli në Hagë akuzon Karaxhiçin dhe Mlladiçin për gjenocid, për rrethimin e Sarajevës. • Në gusht NATO-ja fillon sulmet ajrore kundër trupave serbe të Bosnjës. • Pas sulmeve të NATO-s kundër serbëve të Bosnjës, presidenti mysliman i Bosnjës, Alija Izetbegovic, presidenti kroat, Franjo Tugjman dhe presidenti serb, Sllobodan Millosheviç, bien dakord lidhur me një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Dayton, Ohajo. • Në dhjetor të po këtij viti, tre liderët nënshkruajnë Marrëveshjen e Paqes së Dajetonit në Paris, duke i hapur rrugën mbërritjes së 66 mijë paqeruajtësve të NATO-s (IFOR) në Bosnje. Komuniteti Ndërkombëtar krijon një prani të përhershme në vend nëpërmjet zyrës së një vëzhguesi ndërkombëtar të paqes. • Në korrik të vitit 1996, Perëndimi detyron Karaxhiçin të japë dorëheqjen si president i serbëve të Bosnjës dhe në shtator partitë nacionaliste fitojnë zgjedhjet pas luftës, duke konfirmuar ndarjen etnike të Bosnjës. • Në vitin 1997, pasi humbet pushtetin, Radovan Karaxhiç fshihet. • Më 11 qershor 2004, pas një mohimi të vazhdueshëm dhe nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve, qeveria serbe e Bosnjës bën një pranim historik, se serbët kanë masakruar mijëra myslimanë në Srebrenicë me urdhrin e Karaxhiçit. • Mbrëmjen e 21 korrikut 2008, një operacion i forcave serbe arrestojnë presidentin e kohës së luftës të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, një nga personat më të kërkuar në botë për planifikimin dhe dhënien e urdhrit për gjenocid. Si u arrestua në Beograd ish-udhëheqësi serb i Bosnjës Mëngjesin e djeshëm zyra e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, njoftoi arrestimin e ish-udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, një ndër personat më të kërkuar në botë. Karaxhiç, i cili ka qenë në arrati prej më shumë se 12 vjetësh, kërkohej nga Gjykata e Hagës me akuzat për gjenocid. Ish-udhëheqës i serbëve të Bosnjës gjatë luftës së viteve '90 akuzohej për vrasjen e mijëra civilëve. Këtu përfshihen edhe mbi 8 mijë viktimat e masakrës së Srebrenicës, të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës. Radovan Karaxhiç ishte një ndër 4 udhëheqësit e periudhës së luftërave ballkanike që kërkoheshin nga Gjykata e Hagës. Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç, ende nuk janë kapur. Policia serbe arrestoi ish-komandantin e policisë serbe të Bosnjës, Stojan Zhupljanin, muajin e kaluar. 1997-1999 1999-2003 2003-2007 2007-2008 GRUEVSKI THAÇI BAN KI-MUN CVETKOVIÇ TO
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||