E shtune, 17-05-2008, 01:54pm (GMT+1) Zemra FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Intervista
Komente
Personazh
Revista Zemra
Speciale
Letërsi
Bashkëpunëtorë
Shqipëria Etnike
Debat
Letrat e lexuesve
Shqipëria
Forum
Kinema
Njohje
Muzikë
Art Kulturë
Shoqëria
Argëtim
Sporti Shqiptar
Sporti Botëror
Galeria
Lojra
Chat
Direktoria
Bota
English
Njoftime
::| Sondazh
Pavarsia e Kosoves, realizoi endrren shekullore. Megjithate lind pyetja: Do te kishit deshire, per shkrirje shqiptaresh ne nje Shtet, apo per ekzistencen e dy Shteteve? Ju lutemi Votoni...
Shtet i vetem Shqiptaresh
Dy Shtete Shqiperi - Kosove
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Bashkëpunëtorë
 
Ilir Çumani: Xhuliana Luli, Jetimja e harruar…
E merkure, 30-04-2008, 06:43pm (GMT+1)

Historia që më nxiti të  ideoj  dhe të shpall 20 Majin, si “Dita Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve”.

Nga Ilir Çumani*

Xhuliana Luli,  Jetimja e harruar…..

-Meditim-

“Padashur pashë emrin tënd të shkruar/, Në gurin e një  varri të vithisur/, Nga mendja ime ishe krejt i shuar/, Si një qiri i vjetër i braktisur…/”.

Nuk  e di përse këto vargje të të madhit Dritëro Agolli më erdhën ndërmend, tek po meditoja i përhumbur me dhimbje pranë atij varri të ndodhur në periferi te Sarandës, qyteti më jugor i Shqipërisë.

Në pjesën veriperëndimore të këtij qyteti të vogël bregdetar, ndodhen varrezat. Aty është edhe varri i nje vajze jetime, historia e të cilës është shumë e dhimbshme. Quhej Xhuliana Luli. Ajo kurrë s’e pati fatin që të rritej si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Papritmas, jeta e saj u këput aty ku sapo kishte nisur te çelë. Mes ëndrrash dhe një bote të trazuar keq, mes brengash dhe dëshirash të paplotësuara ndonjëherë…. I vetmi “mëkat” i saj ishte se  erdhi në këtë jetë e braktisur nga dy njerëz që e lindën, që më pas do t’a “pagëzonin” me një emër: “Jetime”. Dy njerëz që edhe sot e kësaj dite nuk dinë gjë për fatin e kësaj krijese të harruar, aty ku  dhe ajo prehet. E harruar së pari prej atyre që e lindën dhe e sollën në jetë, për t’a braktisur dhe lënë në mëshirën e fatit. E harruar edhe nga ata që e rritën me “Atribute Prindërore” atje,  në Institucionin e Fëmijëve Jetimë. Por gjithsesi, historia e kësaj jetime fatkeqe flet shumë... Dikush mund t’a quaj këtë histori një harresë të kohës... Një tjetër,  indiferencë ose hipokrizi...  Ç’rëndësi ka kjo!? Tani Xhuliana Luli nuk jeton më. Ajo është e fshirë në memorien e të gjithëve. Edhe në memorien e atyre që e lindën atë. Për këtë, flet varri i saj i braktisur që ndoshta poeti mund të ketë shkruar enkas për të, a për dikë tjetër që ka patur fatin e Xhulianës. Por,  sido që të jetë, historia e Xhuliana Lulit është historia e një jetimeje të harruar. Ndoshta sot ajo mund të jetonte.  Mund të kishte si të gjithë të tjerët jetën e saj normale, megjithë kushtet jonormale që ju ofruan. Ajo sot do të ishte 40 vjeç. Do të kishte familjen e saj që i mungoi aq shumë në fëmijërinë plot andralla.  Ndryshe nga prindërit që e lindën, ajo sot do të ishte një bashkëshorte dhe nënë e denjë për fëmijët e saj. Ç’them kështu!?  Më duket se nuk jam në vete... Si mundet të rikthej  atë kohë me Xhulianën mes nesh...?! Të gjitha këto janë vetëm dëshira dhe iluzione të kota. E gjitha kjo,  është vetëm një mënyrë ngushëllimi... Xhuliana Luli nuk jeton më. Emri i saj figuron vetëm mbi pllakën e atij varri të përhumbur... Edhe në librin themeltar të institucionit të  Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Në një kolonë të këtij rregjistri, janë shënuar të dhënat autobiografike dhe gjeneralitetet e saj.  Aty  ndodhet edhe një fotografi e Xhulianës së vogël.  Biografia e saj është e përfshirë në një fjali të vetme: “...e braktisur…”.

Që  kur prindërit e saj anonimë e braktisën, ajo u  dërgua  në institucionin parashkollor të fëmijëve  jetimë në Vlorë. Aty qëndroi derisa mbushi 6 vjeçe. Më pas u vendos  në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Atje fillon edhe klasën e parë në  ciklin e ulët të shkollës 8-vjeçare “9 – Tetori”.

Matilda,  një ish - shoqe  e Xhulianës,  për katër vite  të shkollës fillore, (edhe kjo jetime)  tregon me lot në sy:

“Xhuliana  ishte një shoqe e dashur dhe e sjellshme me të gjithë. Ishte shumë e dhimbsur... Tregonte  dashuri për të gjithë shokët dhe shoqet e saj. Nuk më besohet edhe sot  e kësaj dite  që ajo nuk jeton më. Xhuliana mund të jetonte... Po, po, ajo mund të  jetonte….”.

Por,  cila është historia e vërtetë e Xhulianës që sot nuk jeton më !?

30 vjet më parë, në sallën e reanimacionit të qytetit të Sarandës shuhej jeta e një vajze 12 vjeçare.

Ishte një ditë e bukur Maji, dhe pemët sapo kishin filluar të  çelnin sythet e para. Zogjtë kishin paralajmëruar ardhjen e pranveres.  Atë pasdite, vajza me emrin Xhuliana, pasi mbaroi orët e mësimit, u shkëput nga shokët e saj me të cilët jetonte në jetimore. Atë ditë e kishte marrë shumë uria, ndaj ngjitet  majë një pishe për të shijuar kokrrat e pjekura të boçeve të kësaj peme. Në ngjitje e sipër, në lartësinë e 9 metrave, dega në të cilën kishte mbështetur njërën këmbë thyhet, dhe ajo rrëzohet me kokë në asfaltin e rrugës automobilistike...  Aksidenti ishte fatal duke e çuar në gjendje koma... Megjithë ndihmën e shpejtë që i’u dha, megjithë  ndërhyrjen kirurgjikale qe i’u bë, Xhuliana e vogël nuk kishte më shpresa të jetonte. Ishte dëmtuar rëndë në tru dhe pati hemoragji e cila i shkaktoi vdekjen klinike.  Por,  gjithësesi zemra vazhdonte t'i  rrihte...

Atë ditë Xhulianën e kishin ndëshkuar në Shtëpinë e Fëmijës. Ishte nisur në shkollë  pa ngrënë. Lajmi se një vajzë e jetimores rrezikonte jetën tronditi jo vetëm personelin e jetimores, por edhe ish - zyrat e  aparatit të Komitetit të Partisë së Punës të rrethit. Madje,  ky shqetësim ishte ndjerë edhe në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit....

- “Dreqi ta marrë këtë punë, edhe kjo na duhej... “,  - dëgjohej të shfrynte ndonjë zyrtar partiak nga  zyrat e Komitetit të Partisë të asaj kohe....  - Kushedi, ç'do të thonë njerëzit kur ta marrin vesh. Do të thonë : “.... vdiq një jetime...” Nuk munguan edhe presionet ndaj mjekëve që kjo vajzë të shpëtonte me çdo kusht, përndryshe do të krijohej një imazh jo mirë për njerëzit e pushtetit dhe partinë në radhë të parë që  këta  fëmijë i kishte quajtur “bijtë e saj”.

Në ankthin e atyre ditëve, brenda mureve të frikshme të sallës  së reanimacionit ku ndodhej vogëlushja Xhulianë e cila merrte oksigjen pothuajse e vdekur, hynin dhe dilnin të shqetësuar  shumë njerëz civil... Ata shihnin të frikësuar gjëndjen e rënduar të saj. Në shtratin e Xhulianës,  veç mjekëve dhe  ndihmësmjekëve, nuk shikoje askënd nga njerëzit e afërt që ajo mund të ketë patur. Për ironi të fatit, jashtë mureve të spitalit, në bulevardin e qytetit, njerëzit ecnin të shkujdesur, qeshnin dhe gëzoheshin të lumturuar, bënin shaka, ndërsa fëmijët ishin rrëmbyer pas lodrave... Megjithatë, askujt nuk i shkonte ndërmend se ato ditë, brenda mureve të atij spitali, në atë sallë ku vdekja kërcënonte jetën, po vdiste një fëmijë e pafajshme. Për pesë ditë e  netë me radhë,  tepër të shqetësuar,  mjekët jepnin dhe merrnin duke i qëndruar në kokë Xhuliana Lulit, vajzës jetime që ndoshta edhe vetë ajo nuk e mësoi se në ç'rrethana kishte ardhur në jetë, aq më keq, në ç'rrethana po largohej kaq shpejt prej saj... Ndoshta më tepër se  presionet që vinin nga lart, ishte kjo një nga arsyet që mjekët luftuan deri në fund për të rikthyer në jetë vajzën jetime që bëri të lëndonte zemrat e të gjithëve ditën kur ajo vdiq.

Në ceremoninë mortore të   Xhulianës  mori pjesë i gjithë qyteti. Gjatë përcjelljes për në banesën e fundit, i madh e i vogël e qau Xhuliana Lulin, jetimen 12 vjeçare, këtë viktimë të fatit të saj...

Tashmë,  ajo prehet  në një nga varrezat e qytetit më jugor të Shqipërisë, atje ku dikur quhej lagja “Limjon”. Përmes varreve të shumtë ndodhet edhe varri i vogëlushes Xhuliana. Mbi atë varr,  kurrkush nuk ka vënë dorë. I vetmi kujtim përmes indiferencës së heshtur  ka mbetur ajo pllakë mbishkrimi ku lexohet me shumë vështirësi emri, mbiemri, data e lindjes dhe dita e vdekjes. Por ndryshe nga mbishkrimet e tjera, aty është shkruar me të madhe edhe fjala “JETIME"’. Mbi atë pllakë ka zënë vend një masë e madhe shkurresh e ferrash. Ato sikur duan t'ia përpijnë edhe atë pak vend ku  vogëlushja gjen prehjen e saj...

Kjo ishte historia e jetimes 12-vjeçare që nuk jeton më. Sot, pas 30 vjetësh,  ajo është mbuluar nga  pluhuri i harresës...    
Dhe mua, shkruesin e këtyre radhëve, bashkëkohësin dhe bashkëvuajtësin e Xhulianës, duke medituar me dhimbje mbi varrin e saj, sërish më vijnë ndërmend vargjet e poetit Dritëro:

“…Padashur pashë emrin tënd  të shkruar/, Në gurin e një varri të vithisur…/, Me kockat je harruar nëpër pluhur/, Se rrugën nëpër pluhur pate nisur…./

Ndoshta, jeta e Xhulianës ishte vërtetë e tillë. Ashtu siç nisi edhe u shua. Ishte një ikje pa kthim. Me dhimbje, sigurisht... Gjithsesi, ajo është aty për të dëshmuar se nuk i përket  kësaj jete, por një kohë tjetër…. Ajo nuk ka forcën të bërtasë si Cukalina e kohëve të shkuara, shumë herrët se sa kaq, duke na apeluar dhe kujtuar për të qenë më të njerëzishëm, sepse në fund të fundit nuk jemi të përjetshëm në këtë botë...

Duke ju rrëfyer këtë histori të  dhimbshme njerëzore, mendoj e them me vete: Histori si kjo e Xhulianës sot ka shumë. Ato i ndeshim  shpesh në realitetin shqiptar.  Të tjetërsuara, në forma të paimagjinueshme, të paperceptueshme për një pjesë tjetër të njerëzve, siç është edhe shfrytëzimi i fëmijëvë të mitur, trafikimi, dhuna fizike e psikologjike që ushtrohet  ndaj tyre...

Ky është një realitet i dhimbshëm  në kohën e sotme.  E gjithë kjo ndodh në emër të një morali,  atij të  fitimit,  grykësisë dhe  pangopjes mbi fatkeqësinë  e më të dobëtit, duke shfrytëzuar fëmijët, shpatullat dhe trupin e tyre të brishtë, pa marrë parasysh se ata kanë ardhur në jetë të jetojnë në paq,   me botën e tyre të pastër dhe të çiltër...

Ndodh shpesh që ne, më të rriturit, me dashje dhe pa dashje, me sjelljen tonë dhe sedrën e sëmurë, i lëndojmë këta fëmijë, u’a vrasim ëndërrat, shpresat, gëzimin... Sa shumë po humbasim nga vetja jonë. Çdo ditë, çdo orë, çdo  minutë... Po thahemi pak e nga pak si lulja në shkretëtirë që nuk ujitet më, por  që pret të çel sërish gonxhe të reja.  Kjo shpirtharrje, produkt i botës së shterpëzuar komerciale në degradim e sipër, duket se na ka prekur  shumë shpejt edhe ne shqiptarët. Por kjo do të jetë fatale për të gjithë ne. Do të jetë e parikuperueshme.

Shpresojmë  të mos ndodh kështu... (!)

*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Botuar ne revisten Integrim. Dergoi z. Albert Zholi

Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top




 
::| Artikujt e Fundit
::| Speciale
Skender Korça: Një parti e re politike në Kosovë?
Mexhid Yvejsi: Feja ne fjalorin e gjuhës së sotme shqipe
Gafurr Adili: Shqiptarë, mos u vrisni për pushtet!
PIK: Deklarate
Skender Korça: Konferenca e donatorëve për Kosovën
Kushtrim Janina: Si u bën sekretareshat e Thaqit dhe Limës ''Deputete të Popullit'', derisa luftëtarët mbetën rrugëve
Philadelfia, në lamtumirën e prof. Anastas Dodi
“Lironi vëllezërit tanë”
Kristina Rasi: Po Kosova lindore pse të dalë ne zgjedhje?!!!
Lek Pervizi: Kampet komuniste ne Shqipni - Tepelena

Ndryshoni Pamjen
[Krye]