| Zemra Shqiptare | ||||
|
Priftuli, shpirti i lirë që endet në kohë E hene, 15-10-2007, 07:14pm (GMT1) Nga Astrit Kola - 55
Në të ishin ekspozuar punët më të mira të piktorit dhe skulptorit Gavril Priftuli, si dhe të miqve të tij piktorë e skulptorë të shquar si: Naxhi Bakalli; Bujar Zajmi; Skënder Kamberi; Agim Faja; Lec Shkreli; Buron Kaceli; Llazar Myzeqari; Sadri Ahmeti; Nelo Llukaçi; Llambi Blido; Remzi Kuçi; Skënder Kokobobo; Shpresa Beqiri; Fatos Kola; Shaqir Veseli; Fatmir Boshnjaku; Rivelina Temo; Fatmir Carkanji; Dritan Dedej. Kjo ekspozitë përkujtimore ishte një homazh i merituar i familjarëve dhe miqve të artistit, një përshpirtje për shpirtin e artistit të mrekullueshëm, që vazhdon të endet në kohë dhe hapësirë, duke risjellë mbresat e pashlyera për bashkëshortin, prindin dhe mikun e shtrenjtë, në përkujtim të të cilit të gjithë ngarendën për t’u tubuar sëbashku dhe për t’i risjellë Durrësit artistin nëpërmjet veprave të tij të frymëzuara edhe nga qyteti të cilin ai e deshi aq shumë. Dhe kësisoj për nder të artistit që gjithë jetën e jetoi mes familjarësh, miqsh dhe veprash të artit, të krijuara prej tij apo prej miqve të tij që ai si rrallëkush i ekspozoi në sallonin e tij, u tubuan ata që e rrethuan kujtimin e njeriut të shtrenjtë me njerëzit që ai i donte aq shumë, dhe me veprat e artit të cilit ai u përkushtua deri në fund të jetës. Dhe “profesor Vili” u rikthye atë mbrëmje për pak çaste, nëpërmjet veprave të organizuara dhe ekspozuara në mënyrë mjeshtërore. U rikthye nëpërmjet bisedave të ngrohta dhe urimeve të artdashësve të shumtë. U rikthye ai të cilin miqtë e tij dhe kolegët jo durrsakë e simbolizonin me Durrësin…, dhe anasjelltas. Ai që me praninë e tij bashkëshoqëronte idetë dhe mendimet për artin pamor durrsak, qytetin dhe qytetërimin të cilët ai i nderoi me jetën dhe veprën e tij plot përkushtim dhe përjetime të zjarrta prej artisti. Ndaj atë pasdite u mblodhën aq shumë njerëz për të përuruar, rikujtuar dhe shijuar punimet e mrekullueshme të Vilit dhe kolegëve, si dhe vetë artistin fisnik, që ndodhej sërish pranë tyre me veprën dhe kujtimet e pashlyeshme. Ekspozitën e vizituan edhe Prefekti i Qarkut të Durrësit z.Klodian Pajuni, Kryetari i Bashkisë së qytetit të Durrësit z.Vangjush Dako, anëtarë të Këshillit bashkiak të qytetit, personalitete të artit e kulturës, intelektualë, krijues, përfaqësues dhe gazetarë të mediave lokale, të rinj e të reja. Të gjithë shprehën fjalët më të ngrohta në kujtim të artistit që nuk jeton më. Derdhën urimet për ekspozitën e mrekullueshme, të cilën miqtë dhe kolegët e profesor Vilit e nderuan me punët më të mira dhe të një cilësie tejet të lartë, të kuruara me kujdes dhe me shije të hollë nga familjarët artiste, që vijuan traditën e mrekullueshme të kësaj familjeje artistësh, ku profesor Vili, krahas dashurisë së pamatë për familjen, kultivoi edhe dashurinë për artin. Ndaj edhe sot e kësaj dite në të gjithë qytetin e Durrësit është bërë i famshëm salloni i parë i artit pamor, hapur në fillimvitet ’90-të, i ngritur me dashuri dhe mjeshtëri nga profesor Vili. Sallon ky ku ekspozohen veprat e mrekullueshme të Gavril Priftulit dhe miqve të tij, e që është vizituar ndër vite nga mijëra turistë të huaj, bashkatdhetarë nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora, të cilëve u ka rënë rasti të shkojnë për pushime apo për punë në Durrës, krahas edhe artdashësve durrsakë apo atyre nga qytete të tjera. Salloni “Priftuli” është bërë i famshëm ngaqë mjaft çifte të reja, apo artdashës e koleksionistë që duan të zbukurojnë shtëpitë e reja, apo të shtojnë veprat e artit, rendin drejt këtij institucioni arti, ku mund të sigurojnë krijime nga më të arrirat në të gjitha zhanret që kultivoi profesor Vili apo miqtë e tij. Në këtë kuptim ky sallon arti është shndërruar në kryeqendrën kulturore të qytetit. Ai gumëzhin orë e çast nga vizitorët artdashës, blerësit dhe kureshtarët e shumtë, dhe gjithëherët sjell në kujtesë krijuesin e tij, artistin plot pasione, të cilat i derdhi mjeshtërisht në veprat unikale për nga frymëzimi, stili dhe teknikat tejet origjinale. Ndaj atë pasdite, miqtë nuk mundën të mos e mbanin fjalën e rastit për nder të mikut të shtrenjtë dhe kujtimit të tij të paharruar, për nder të familjarëve dhe të të pranishmëve. Ndaj ata përzgjodhën njërin nga miqtë më të vyer të profesor Vilit, piktorin Lec Shkreli, që t’i përfaqësonte dhe të mbante fjalën prekëse që i emocionoi të gjithë. Më pas të pranishmit shijuan koktejlin e përgatitur enkas dhe punët e shumta të ekspozuara, që zbukuruan atmosferën e ngrohtë dhe kulmuan interesimin për krijimet dhe bashkëbisedimet midis kolegësh, miqsh e artdashësish. Në fund, që të gjithë të pranishmit shijuan kënaqësinë e polifotove me familjarët dhe miqtë, dhe pasi u përshëndoshën me njëi-tjetrin u ndanë tejet të kënaqur, pas disa orësh. Kjo ekspozitë e mrekullueshme do të mbetet e hapur deri në fund të këtij muaji, çka do t’u krijojë mundësinë artdashësve dhe kureshtarëve të shijojnë vlera dhe emocione të papërsëritshme, e që burojnë nga magjia e artit të profesor Vilit dhe e punëve tejet cilësore të miqve të tij, që janë gjithashtu ndër krijuesit më të mirë të vendit. Gjithsesi, përveç vlerave të larta estetike e profesionale, kjo ekspozitë ishte dhe mbeti si gjetja me inteligjente për të përkujtuar njeriun dhe artistin e mrekullueshëm durrsak Gavril Priftuli, i cili me jetën dhe veprën e tij do të mbetet i paharruar për të gjithë ata që shijuan artin e tij, që e njohën atë dhe që gjithëherët zbuluan fisnikërinë dhe dashurinë e pashuar të njeriut me shpirt bujar dhe ndjenja prej artisti të njimendtë. Fjala e rastit, mbajtur prej piktorit Lec Shkreli Të nderuar zonja e zotërinj, miq dhe familjarë të Gavrilit! Ju falenderojmë thellësisht nga zemra për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë ekspozitë përkujtimore, në nderim dhe kujtim të Vilit tonë të dashur e të paharruar. Unë jam i bindur se të gjithë ne po përjetojmë në këto çaste emocionet më të thella, ngaqë na duket sikur e kemi sërish në gjirin tonë Vilin, njeriun për të cilin malli dhe kujtimet e bukura do të mbeten të pashuara. Jetëshkrimi i Gavril Priftulit Gavril Priftuli lindi më 1937 në Korçë, në fshatin Hoçisht. Pedagogët, skulptorët dhe piktorët: Ramadan Sokoli; Naxhi Bakalli; Bujar Zajmi; Skënder Kamberi; Agim Faja; Lec Shkreli; Buron Kaceli; Llazar Myzeqari; Sadri Ahmeti; Nelo Llukaçi; Llambi Blido; Remzi Kuçi; Skënder Kokobobo; Shpresa Beqiri; Fatos Kola; Shaqir Veseli; Fatmir Boshnjaku; Rivelina Temo; Fatmir Carkanji; Dritan Dedej. Pikturë krejtësisht e re dhe plot dritë Nga Marianna Accerboni - Gazetare, Kritike Arti Arti në ngjyrë i Gavril Priftulit është një pikturë krejtësisht e re dhe aktuale, e ndjeshme ndaj evolucionit që arti kontemporan ka pësuar gjatë këtij shekulli, nga simbolizimi dhe liria e artit piktorik. Shumë punime karakterizohen nga një burim melankolik, të cilin piktori nuk heziton t’ia atribuojë... kushteve të rënda të jetës që populli i tij pësoi... Por Priftuli me ato ngjyrat e tij të bukura, të gjalla e plot dritë, që i kundërvihen melankolisë... hodhi në telajo me mjeshtëri, shtjellime kromatike apo sinteza të lumtura përshtypjesh dhe gjendjesh shpirtërore të lidhura me fantazinë e një realiteti të ashpër… Paqëtuesi Gavril Priftuli Nga thellësia e një qyteti të lashtë, me artistë të famshëm ilirë, romanë dhe bizantinë, ku Jan Kukuzeli i frymonte me tingujt e tij magjikë, gjejmë oshëtimën, humbjen liriko-dramatike që përshkon gjithë veprën e Gavril Priftulit, të lëvruar në të gjitha teknikat e pikturimit dhe të gdhendjes. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||