| Zemra Shqiptare | ||||
|
Gjovalin Paçi: Imazhi i Nënë Terezës, frymëzues i ekspozitës sime E shtune, 15-09-2007, 10:59pm (GMT) Ekspozita “Imazhe për Nënë Terezën”, e piktorit Gjovalin Paçi, e cila është një ndër aktivitetet e shumta që u bënë për nder të shenjtores me origjinë shqiptare, qëndron e hapur deri ditën e shtunë. Kjo ekspozitë me rreth 90 piktura, me një stil krejt të veçantë, sepse të gjitha pikturat janë pa tituj, me numra dhe shkronja anash tyre, që simbolizojnë diçka të caktuar. Piktori Gjovalin Paçi ka filluar që herët me pikturën. Ai ka bërë dhe ekspozita të tjera, përveç kësaj që ka hapur në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Ekspozita “Imazhe për Nënë Terezën” është një përkujtim shumë i veçantë që i bëhet figurës së shenjtores.Lutjet, frazat e marra nga Bibla dhe nga libra të tjerë teologjikë, të cilat iu bashkëngjitën pikturave të piktorit Gjovalin Paçi, e bënë të veçantë këtë ekspozitë. Piktori Paçi nuk ka mbaruar asnjë shkollë arti, por talenti i tij është i padiskutuar dhe premton ta shpjerë larg. Gjovalin Paçi, "piktori i panjohur", peneli i dimensioneve universale, materializim i një shpirti që gjallon nga tradita, eposi dhe larmia e ngjyrimeve që formëzojnë kombin shqiptar. Galeria e punëve të tij tejkalon çdo parashikim të mundshëm. Deri më sot ai zotëron 30 vite jetë me penelin, afro 4 mijë punë, në të gjitha gjinitë e artit, të kompozimit, të portretit, por edhe disa lloje teknikash, si: akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike bardh e zi. Ka qenë galeria e improvizuar në ambientet e Komisionit Evropian në Tiranë që i ka dhënë mundësinë të prezantohet për herë të parë me një ekspozitë vetjake në kryeqytetin shqiptar, ndërsa nuk kishte mundur “të çante” në galeritë e tjera të rëndësishme. Të ndërtuara në bazë të një teme biblike, punimet e tij të realizuara në tekstil, me ngjyra ku bie në sy jeshilja e errët, ngjyra e tokës apo bluja e thellë, e në disa prej tyre ndihet një rreze jete e rrëfyer nëpërmjet të verdhës së zbehtë dhe bezhës, kanë tërhequr dhe befasuar shumë njerëz, qofshin këta personalitete të kulturës dhe arteve figurative në Shqipëri, të huaj të pasionuar pas artit etj. Lidhja familjare me baletmaestron e përmasave ndërkombëtare, Angjelin Preloçaj, atij i dha mundësinë vetëm të vihej përballë shumë piktorëve që vërshonin në galeritë parisienë. Por fati nuk do të vazhdonte të ishte i pamëshirshëm. Pas një galerie në Shkodër, ai do të prezantonte dhe shiste punët e tij në disa ekspozita vetjake, përfshi dhe prezantimin më 2002-in në ambientet e prezencës së Komisionit Evropian në Tiranë dhe më pas në Malin e Zi. Vit pas viti punët e tij kanë marrë përmasa dhe guxojnë të jenë shumëdimensionale, si për ta provuar hapur sfidën në një realitet të ashpër konkurrence artistike. Gjovalin Paçi ka prezantuar punimet e tij në një galeri private në Frankfurt. Arti i tij është i panjohur për shikuesin gjerman, ashtu siç është e panjohur Shqipëria. Simbolet dhe mitet e saj zënë vend në artin e Gjovalin Paçit. Në një galeri private në Frankfurt të Gjermanisë ai ekspozoi mbi 30 punë. Në këtë ekspozitë janë prezantuar tri cikle punimesh. Njëri prej tyre titullohet “Shpërthimet biblike”, me rreth 10 punime që i afrohen abstraksionit dhe me punime në reliev. Një tjetër cikël luan me mitet, kohën e shkuar e të ardhme. Ndërsa cikli i tretë është një trajtesë e besimit në kohët moderne. Megjithatë, nuk mungojnë edhe motivet tipike shqiptare. Disa prej punimeve që udhëtuan drejt Gjermanisë janë prezantuar edhe në Shqipëri në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në një tjetër ekspozitë. Në ekspozitën që piktori Paçi hapi përpara disa ditësh në nderim të shenjtores Nënë Tereza, “Imazhe për Nënë Terezën”, ai gjeti një frymëzim të madh te kjo shenjtore. Ai mendoi ta hapte ekspozitën e tij për përvjetorin e dhjetë të vdekjes së saj, dhe kjo ishte një ndër aktivitetet e shumta që u bënë për nder të saj. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot”, piktori i talentuar Paçi na tregon për punën e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe për ekspozitat e hapura në vende të tjera të botës. Sa piktura gjenden në ekspozitën tuaj? Cili është mesazhi që doni të përcillni nëpërmjet pikturave tuaja? Cili është stili që keni përdorur në punimet tuaja? Keni marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera? Kush ju sponsorizon për aktivitetet tuaja? Sa kohë keni që merreni me pikturë? Mesazhi është sa universal, aq edhe human. Është mesazhi që njeriu ka gjithmonë çfarë të thotë kur dëshiron të thotë diçka. Unë nuk shoh atë pjesë të egër të njeriut tokësor, por shoh më shumë te pjesa e shpirtit që është e pandriçuar, jo te pjesa që njeriun e njeh në sipërfaqe. Është ajo pjesë që njeriu e ka përfunduar të jetuarën në tokë. Është një dimension i dytë, një dimension me sjellje të tokës. Është ajo mistike që na mban mua, ty dhe të gjithë njerëzit që jetojnë në Tokë, ajo pjesë e errët që ekziston mes njerëzve dhe që ne nuk e njohim. Kjo është piktura ime: gjithçka që na ndodh dhe që nuk e njohim. Të gjithëve na ngacmon e panjohura. E pakapshmja më pëlqen, më intrigon, më bën të mendoj dhe pastaj ky mendim apo ngacmim pasqyrohet në pikturën time. Sot
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||