| Zemra Shqiptare | ||||
|
Gladiatort Zbulohen skulpturat gjigande të Janaq Paços E diel, 20-01-2008, 01:32pm (GMT1) Nga Admirina Peçi Këta dy burra me vështrim të përjetshëm, kërcënues, sy më sy, kanë qenë në një skutë të harresës prej dhjetëra vitesh. Janë të lartë 3.5 metra. Skulptori i mirënjohur, Janaq Paço derdhi mbi ta frymëzimin e tij. Ishte ende koha e kufizimeve, koha e përndjekjeve, e kufijve të çdo lloji, kufijve fizikë, kufijve psikologjikë e shpirtërorë. I mbyllur në studion e tij në Rrugën e Elbasanit, në këndin e tij më intim, aty ku përmes një perdeje të trashë kishte ndarë një hapësirë të vogël larg syve kureshtarë, larg njerëzve që nuk mund t’ju besonte. Në atë hapësirë ruante 9 nudo të mrekullueshme. Ishin kaq të rrallë miqtë e tij të cilët i kishte pranuar në atë kënd për të shijuar frymëzimet e tij artistike, sa mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Bashkë me ato nudo në këndin përtej perdes së trashë ruante dhe punonte edhe “Gladiatorët”, këta dy burra gjigandë që sjellin mesazhe nga lashtësia. Historia e tyre është e pazakontë. Ajo lidhet ngushtësisht me momentin kritik, me atë periudhë kur frymëzimet e mjeshtrit Paço u ndeshën me normat e kohës. Arti i tij, të paktën ato vepra që ruheshin me fanatizëm në këndin përtej perdes, ishin art i ndaluar. E megjithëse atje në fshehtësi, sërish dikush mori vesh për to dhe një ditë, Janaq Paço shkoi në studio dhe i detyruar, i theu të nëntë nudot. Prej tyre mbetën vetëm copëza statujash dhe kokat të pacenuara, të cilat ruhen ende në familjen Paço. Por edhe monumenti i dyfishtë “Gladiatorët”, nuk mund t’i shpëtonte syve kritikë. Skulptori i sharroi me kujdes të dyja statujat gjigande, në disa pjesë dhe i mbështolli e i shpërndau në vende të ndryshme. Të atillë, të copëtuar, nuk mund të hetoheshin se ç’ishin. I ruajti me fanatizëm për vite me radhë, bashkë me pengun që nuk arriti të çonte në fund projektin e tij. Sepse mjeshtri Janaq Paço kishte pasur një projekt të madh që nga koha kur sapo kishte nisur ta skiconte në mendje imazhet e tyre. Dhe në momentet e fundit, kur dergjej në shtrat, një prej ditëve të korrikut 1991, Janaq Paço la një amanet. Të ngjiteshin copat e sharruara prej tij me kujdes, të ndërtohen statujat e plota si në kohën kur u gdhendën, të restaurohen e më pas të derdhen në bronz e të dërgohen në Durrës, në hyrje të amfiteatrit, atje ku imazhi i tyre lidhej me historinë. Tani, pas thuajse 30 vitesh, ato copëza statuje dolën në dritë. Statujat janë ngritur në këmbë dhe ruhen në një studio në pritje për t’u çuar në fund amaneti i Paços. Cilat janë kujtimet që ju lidhin me kohën kur daja juaj, skulptori Janaq Paço gdhendte këto dy statuja? Atë kohë, ndodhte që unë shkoja në studion e tij, e cila ndodhej në Rrugën e Elbasanit, përballë bustit të Qemal Stafës. Ajo ishte pronë e Toptanasve dhe pas viteve ’90, ju kthye pronarëve. Çfarë mbante aty? Mbante nudot, bocete me imazhe femërore, gjëra të një stili jashtë kornizës së realizmit socialist. Aty ishte pjesa e tij. Flasim pak për “Gladiatorët”. Si e nisi këtë punë? Se si është nisur kjo punë, e kam marrë vesh shumë vonë, pas hyrjes së demokracisë. Unë kisha parë që kishte pjesë të veçanta nëpër studio. Diku një përkrenare, diku një këmbë, diku tjetër një muskul apo një shpatë. Mbaj mend që kur e pyesja për to, më shmangej. Më thoshte, “ja po punoj ndonjë gjë…”. Më vonë kur kam folur për këtë gjë me Dorinën, vajzën e Janaqit, të cilën ai e mbante shumë afër, dhe së cilës i besonte shumë gjëra, më tha se ai po punonte “Gladiatorët”. Në atë kohë në Durrës ishte drejtor i Muzeut Arkeologjik, arkeologu i njohur Vangjel Toçi, i cili ishte edhe mik i Janaqit. Të dy kishin menduar të realizonin një statujë të veçantë, një simbol për të gjithë pjesën arkeologjike të Durrësit. Pasi rrahën mendimet, vendosën të realizonin “Gladiatorët”, e më pas ta vendosnin në hyrje të Amfiteatrit të Durrësit. Kështu mendohet se ishte fillimi i këtij projekti. Pas kësaj Janaqi nisi punën me realizimin e dy statujave, ndërsa Vangjel Toçi duhet ta ketë ndihmuar me konsulta mbi detaje të këtyre skulpturave si ndonjë medalion, përkrenaret, tipin e shpatës, apo veshjet e tyre. Sidoqoftë, këtë mister ata e kanë marrë me vete. Kështu që mbeten vetëm supozime. Pse mendoni se i sharroi të dy statujat? Kjo përkon me kohën kur ai i theu me dorën e tij të gjithë nudot e mrekullueshme që mbante atje në studio, në pjesën më private të tij. Ato skulptura binin ndesh me propagandën e kohës. Në atë kohë, sipas kujtimeve të miqve të tij, ai kishte punuar edhe Gladiatorët, skulptura të cilat nuk u miratuan dhe ai u detyrua t’i zhdukte. I sharroi në disa copa, i mbështolli si mundi dhe i mbante ashtu të copëtuara dhe të shpërndara nëpër studio. Në atë formë nuk mund të diktoheshin se ç’paraqisnin ato skulptura. Më pas, si vijoi fati i këtyre pjesëve të statujave? Janaqi vdiq në vitin 1991. Familjarët e tij kërkuan një studio, sepse studios ku ai kishte punuar prej vitesh i dolën pronarët, Toptanasit, të cilët kërkuan të largoheshin veprat e artit që aty. Në fakt ata toleruan për rreth 2 vjet që familjarët të gjenin një vend për të zhvendosur veprat e artit. Në të vërtetë, njerëzit e familjes së Janaqit, me gjithë interesimin e tyre nuk arritën të gjenin një studio, dhe u detyruan t’i marrin nga studio e dikurshme. Sot veprat e Paços janë të shpërndara kudo. Një pjesë i ka marrë e bija në Amerikë, një pjesë i mban e shoqja në shtëpi, dhe një pjesë e mirë u vendosën në magazinën e një firme inertesh. Më vonë, në kohën kur Neritan Ceka ishte drejtor i Muzeut Arkeologjik të Tiranës, pranoi të vendoseshin në magazinat e muzeut e gjithë kjo pjesë e veprave. Prej asaj kohe filluan të ekspozohen e të dalin në dritë shumë prej tyre. Para se të vdiste ai la një amanet lidhur “Gladiatorët”. Cili ishte ky amanet? Në vitin 1991 ai u sëmur rëndë nga parkinsoni. Tre muajt e fundit zuri shtratin dhe nuk u ngrit më, deri kur vdiq në korrik të 1991. Duke lënë amanetin për “Gladiatorët”, ka vdekur. I kishte mbetur peng që gjithë ajo punë dhe mund nuk arriti të dilte në dritë. Kërkoi që projekti i tij i dikurshëm për t’i çuar “Gladiatorët” në Durrës të shkonte në fund. Besojmë se tani do të mund ta çojmë në fund këtë amanet. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||