| Zemra Shqiptare | ||||
|
Semiotika e dasmës shqiptare E marte, 21-03-2006, 09:45pm (GMT1)
I. Demi Tradicionalisht dasma shqiptare (në këtë punim do t’i referohemi traditës verilindore - regjionit të Dibrës) nis me gosti. Shenjë e nisjes së dasmës shërben ceremonia e flisë së demit, të cilin, si rregull, duhet ta sjellë daja i dhëndrit. Demin e stolisin me lule të ndryshme, ndërsa vetë procesi i flijimit shoqërohet me këngë ritualore. Një ceremoni e tillë përmban kuptim të dyfishtë. Nga njëra anë demi mund të kundrohet si simbol mitologjik i tokës, amësisë, lagështisë, po nga ana tjetër, e përkundërta – simbol i qiellit, mashkullsisë, zjarrit. Kësisoj flijimi i demit mund të nënkuptojë depërtimin e ndërsjelltë simbolik dhe shkrirjen përfundimtare të këtyre dy elementeve, çka dhe është në fakt kuptimi i ritualit të dasmës. Sikurse shkruan dhe Shnajder-i, "derisa demi i korrespondon zonës tranzitore ndërmjet stihive të Zjarrit dhe Ujit, ai, ka gjasë, simbolizon hallkat që lidhin tokën me qiellin ". (I, 103). *Në ritualet e tjera shqiptare demi i flijuar simbolizon vetpërjashtimin, askezën, dlirësinë, kastitetin dhe është i lidhur me kultin e bujqësisë. Thënë ndryshe, në kontekstin e ritit të dasmës, ai përfaqëson simbolin e forcës pllenuese. Kështu, provojmë të hulumtojmë simbolikën e flisë së dasmës shqiptare nga pikëpamja semiotike, atëherë, duke u mbështetur në terminologjinë e Çarls Senders Pirsit (III), rituali i dasmës na del referenti, demi i flijuar reprezentant-i, ndërsa gjithçka tjetër e mbushur me simbolika të shumta (të gjitha këto kuptime shtrihen në boshtin e pragmatikës) janë interpretantë. Gjithë në akord me Pirsin, interpretanti është njëfarë imazhi mental, me të cilin korelon një shenjë apo një tjetër gjatë leximit të tërësishëm të tekstit. Kësisoj mbërrihet mobiliteti i pafundmë i semiozisit dhe vetëriprodhueshmëria e tij – kur secili reprezentant tjetër (demi i flijuar) thuajse sërish e sërish përlind interpretantë të rinj (kuptimin simbolik të receptuar në një mënyrë a në një tjetër nga pjesëmarrësit e ritualit), dhe, në të kundërt, interpretantët e shfaqur sërish janë të aftë të japin impulsin për një gjallërim të ri të stadit interpretant të ritualit (d.m.th., zgjedhjen e një demi të ri për flijim dhe flijimin e tij si të tillë). II. “Oda” Procese të ngjashme shenjore ngjasin përgjatë gjithë ceremonisë së dasmës, të cilën, për demonstrim, mund ta ndajmë në disa fragmente të rëndësishme. Kuvendimi tradicional alegorik shqiptar i ka rrënjët thellë në mesjetë, çka për së pari ka qenë fisksuar në traditën e Kanuneve vetqeverisëse, të cilët kanë funksionuar deri në mes të shekullit XX. Sot, për ndikimin e madh të Kanuneve në jetën e përditshme të shqiptarëve dëshmojnë veçse reminishenca, kryesisht në zonat tepër malore të Shqipërisë së Veriut. Si regull, fillestarët e kuvendimeve alegorike janë pleqtë dhe, të ftuarit më të rëndësishëm me shkallë të madhe influence. Dy-tre prej tyre, japin, si të thuash, tonin e kuvendimit për gjithë shtrirjen e temës apo problematikës, duke vendosur me parashtrimin e kuvendimit një farë “kodi” që përcakton shtjellimin, derisa në kuvendim të jenë përfshirë dhe pjesëmarrësit e tjerë, prej të cilëve, disa marrin anën e inicuesve, ndërsa të tjerët formësojnë palën opozicionuese. Që nga momenti i parë, me skicën e parë alegorike deri tek e fundit – kuvendimi shtjellohet dhe rrjedh, siç thonë shqiptarët, “nën qilim” (d.m.th., padukshëm, hermetik, i fshehur pas maskës alegorike), dhe pak nga pak në kuvendim gjenden të përfshirë të gjithë pjesëmarrësit e odës që “ia qëllojnë” ta deshifrojnë imazhin e kuvendimit jo menjëherë, duke u familjarizuar me shkallën e abstraksionit dhe semantikën e ngjeshur. Larmia e tipave dhe karaktereve të pesonazheve në parabolat alegorike stimulon interpretimin e një radhe të tërë konfliktesh të ndryshme: politike, ekonomike, shoqërore, morale, religjioze e filozofike. Këto konflikte cekin, si të thuash, temat më të mprehta, kështu dhe përplasjet janë nga më të egrat, por puna kurrë nuk shkon deri tek rrahja apo shkrepja e armëve, ndërsa “fitorja” u përket atyre që ditën ta argumentojnë mendjehollësinë e tyre me parabolat alegorike më bindëse, duke shfaqur një origjinalitet krijues në artin e kuvendimit. Zakonisht dyluftime të tilla alegorike ngjasin ndërmjet dy pjesëmarrësve themelorë të diskursit, të cilët ndajnë pikëpamjet e dy palëve në odë. Mirëpo shpesh këto duele ndërfuten artificialisht për t’i dhënë shije të mprehtë kuvendimit dhe bukuri virtuoze odës së dasmës. Në raste të tilla përballja konfliktuale ndërmjet paravolive alegorike duket, si të thuash, “jo e vërtetë”, “e sajuar”, sikundërse të gjitha personazhet e këtyre historive, dhe atëherë oda të ndërmend më saktë, një seancë grupore psikoterapie, sesa një ceremonial të fiksuar. Nganjëherë ndikim të madh gjatë kuvendimit në odë kanë jo vetëm personazhet e palëve diskursive, por edhe masa tjetër që i ndjek, e cila luan njëkohësisht, edhe rolin e spektatorit, edhe të statistëve në këtë spektakël të çuditshëm. Nga njëra anë pjesëmarrësit e dyluftimit alegorik kanë nevojë për spektatorë, nga ana tjetër, vetë kuvendimi për shtjellimin e vet kërkon herë përkrahje, herë kundërshtime, dhe atëherë spektatorët shndërrohen në pjesëmarrës (statistë). Kësodore, statistët përfaqësonin në vetvete një pjesë të mekanizmit të riprodhimit dhe shtjellimit të paravolisë alegorike, se sa të lehtësonin mobilitetin e semiozisit të odës. Nganjëherë pjesëmarrësit e dyluftimit në alegori, të frymëzuar nga roli i tyre, gjakojnë të shpotisin jo vetëm kundërshtarët e drejtëpërdrejtë, por edhe ndonjë tjetër prej spektatorëve. Atëherë njëri nga spektatorët (ose një grup i tërë) merr rolin e viktimës në spektaklin e luajtur. Rëndom dyluftimet zhvillohen në një frymë mjaft paqësore, kështuqë roli i spektatorëve mbetet jo fort i theksuar. Në këto raste pjesëmarrësit e duelit i zhvillojnë argumentat e tyre në frymë filozofike, duke u përpjekur që me ndihmën e skicave alegorike të shpjegojnë dukuri të ndryshme universale të jetës. *Më ka qëlluar të marr pjesë në një odë të Shqipërisë së Veriut, në të cilën, në cilësinë e temës diskursive, u shtrua çështja: “A ka vallë të drejtë njeriu të betohet për diçka që është edhe e vërtetë, edhe e pavërtetë?”. Njëri prej ligjëruesve të kuvendimit në odë, tha përafërsisht kështu: “Në kohëra të vjetra, kur njerëzit besonin se bëja e rrejshme jo vetëm atë që e bën, por shumë breza të tjerë pasardhësish, të cilët, herëdokur, do t’i zërë beja rrejshëm. Njëherë dy katundarë që u grindën për një copë tokë, u detyruan të bëjnë be para pleqve. Njëri prej tyre, të cilit nuk i takonte toka, mbushi çizmet me dhe që më parë në kopshtin e vet, dhe mandej i veshi e shkoi të betohet. Ai i ra rrotull tokës që nuk i takonte dhe shpalli me zemër të lehtë para të gjithëve: - Betohem në Allahun e Madh dhe Muhamdin se dheu që kam poshtë këmbëve, është toka ime”. Dylyftimet me alegori gjithnjë përmbajnë vështirësi të brendshme që lindin jo aq sa nga natyra e zhanrit, se sa nga auditori i odës. Në odë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve mund të jenë qysh më parë të ndera, për arsye të ndryshme, por mund të përkeqësohen dhe acarohen gjatë ligjërimit alegorik në odë. Me qëllim që të shmangen konfliktet e hapura në dasëm, rëndom përllogaritet paraprakisht përbërja e odës, personaliteti i të pranishëmve dhe natyra e konflikteve ndërmjet pjesëmarrësve. Interesin më të madh estetik e përfaqëson oda të cilën ne e shenjojmë si konvencionale apo sinjifikative. Është pikërisht ai lloj kuvendimi gjatë të cilit konflikti i shtjelluar merr karakter masimalisht abstrakt, ndërsa vetë alegoria përfaqëson në vetvete më fort një zbukurim retorik, se sa konfrontim të hapur ndërmjet dy palëve në truallin e moralit. Biseda kovencionale rrjedh e qetë, pa ndofarë sforcimi të veçantë dhe që në zanafillë merr njëfarë kodi bisedimor, të kuptueshëm për të gjithë. Si regull, me qëllim që oda të hyjë në shtratin e ligjërimit alegorik, kërkohet njëfarë shkaku special. Ky shkak ndihmon për ta shpërngulur kuvendimin në një nivel të ri ligjërimor dhe të mos përlyhet me llomotitje për hallet e përditshme rutinore. Kësisoj, ky shkak motivon të lindë një zinxhir i tërë kompozicional fragmentesh alegorike. Ja njëri shembull. Njëherë në një odë dasme rastisën dy dasmorë të paftuar, të cilët, përveç kësaj, kishin zënë dhe nuk i lëshonin dy prej vendeve më të respektuara në hierarkinë e odës (shqiptarët kanë jë marrëdhënie të veçantë me miqtë e paftuar: atyre u kushtohet më shumë vëmendje dhe respekt, se sa të ftuarve. Por kjo nuk do të thotë që gostari i paftuar të mos përqeshet në njërën prej paravolive alegorike.) Atëherë njëri prej pleqve e filloi kuvendimin alegorik kështu: “Njëherë, or burra, në kohë të Ramazanit, një katundar grishi për darkë hoxhën. Erdhi hoxha, por kishtë mbledhë pas vetes dhe pesëmbëdhjetë burra të fshatit. Zonja e shpisë kur pa t’i drejtoheshin në derë, njëshkolonë, 16 të ftuar, u kap në siklet të madh. Ajo e pyeti të shoqin: - Burrë, mor burrë, a ke grishë sall hoxhën për darkë, apo gjithë katundin? – I përgjigjet burri: - E moj grua, moj grua, po a hala s’e ke ditë se hoxha pjell mu në muaj të Ramazanit?” III. Rrëmbimi i nuses Për hulumtimin tonë paraqet interes edhe një moment tjetër i rëndësishëm në dasmën shqiptare. Në ditën e dytë të gostisë së dasmës, farefisi i zgjedhur i dhëndrit sipas linjës së gjakut dhe qumështit, nisen për të marrë nusen. Në ato zona të Dibrës veriore ku i jemi përmbajtur studimit tonë, nusen është traditë ta marrin me forcë. Ngjet kjo përafërsisht kështu: në njëfarë distance nga dyert e shtëpisë së nuses qëndrojnë krushqit e dhëndrit, ndërsa në dyert e oborrit qëndrojnë përcjellësit e nuses. Ndërmjet dy palëve zhvillohen dialogje në këngë. Në këto dialogje korale luhet drama e rrëmbimit të nuses. Në kohën e interpretimit të këtyre këngëve, korri i burrave dhe grave nuk përzihen me palën e nuses. Kështu pra, përse nusja duhet të rrëmbehet patjetër? Burimet e këtij rituali duhet t’i kërkojmë në Eposin shqiptar të Veriut. Puna është se, në akord me legjendat dhe epet e vjetra shqiptare, një ndër frikërat dhe tabutë më të forta konsideroheshin gjithëfarë llojesh të incestit. Marrëdhënia ndaj incestit te shqiptarët ishte aq e padurueshme, saqë shpesh ndalohej martesa jo vetëm me ndonjë që mund të binte lidhje e largëtr gjaku, por ndalohej nganjëherë martesa me vajzat e të njëjëtit fshat. Në një këngë të eposit shqiptar “Dasma e Halilit”, heroi refuzon të martohet me vashat e asaj krahine, duke i konsideruar të gjitha “motra”. Tradita kërkonte që dhëndrri dhe nusja të ishin madje prej krahinash të ndryshme, kësisoj, nga kohët e vjetra nusen e rrëmbenin nga dyert e saj prindërore njerëzit e ”largët”. Nga një pikëpamje tjetër, një sjellje e tillë ndaj nuses është krejt e shpjegueshme në sfondin mbareuropian, përderisa na del i njëjtë me marrëdhënien ndaj etikës kalorsiake të mesjetës. Për sjelljen kalorsiake në epin Bizantin, shkruan Jurij Llotmani në librin “Kultura dhe Bumi”. Digenis Akritasi (“Bëmat e Digenisit”), ndryshe nga rivalët e tij në rrëmbimin e zemrës së nuses, i ecën mbarë, pa asnjë pengesë, çka e bën atë të pikëllohet, ngase nuk kishte bërë asnjë heroizëm, nuk kishte lënë asnjë nam. “Të gjitha arsyet logjike të betejës janë shmangur, por nga pikëpamja e etikës kalorsiake beteja nuk ka nevojë për arsye logjike. Ajo është një bëmë individuale vetvlerësuese dhe dëshmon se heroi është i denjë për fatin e vet.” (II, 78). Interesante është se krushqit e dhëndrit shfaqen para shtëpisë së nuses, duke mbajtur ngritur flamurin nacional. Për vendet e Ballkanit ky është një rast mjaft i rrallë – përdorimi i simbolikës nacionale në kohën e ritualit të dasmës. Në përgjithësi, shqiptarët e ngrenë flamurin vetëm në tre raste: 1) në kohën e pikut të betejës luftarake; 2) në kohën e ndërtimit të ndonjë ngrehine, shtëpie të re; 3) në kohën e ceremonisë së dasmës, në variantin verilindor të saj. Nisur nga kjo mund të supozojmë se flamuri është simbol i ngadhënjimit, zotërimit (të teritoreve, gjakut, femrës), dhe në rastin e shqiptarëve interpretant i shfaqjes së flamurit është pikërisht beteja e kurorëzuar me fitore. Përveç kësaj, një model mental mjaft i përhapur në rastin tonë mund të jetë ideja - pikërisht e posedimit suksesiv, çka është po aq e lexueshme edhe për jo-shqiptarët. IV. Macja Moment i mbramë me rëndësi në dasmën tradicionale shqiptare është veçimi i çiftit, ose i njohur ndryshe, “mbyllja e dhëndrit” në dhomën e dhëndërisë, të përllogaritur kasten për të sapomartruarit. Që nga koha e hyrjes së dhëndrit në dhomë, nusja gjithë ditën e kaluar ka nusëruar nën vello dhe vetëm në mesnatë atë e shpjenë në shtratin martesor në pritje të shfaqjes së dhëndrit, të cilin – në të shumtën e rasteve – ajo nuk ka mundur ta pikasë, jo vetëm përgjatë dasmës, por edhe para saj. Nga pikëpamja psikologjike, çatis momenti më i tendosur e më dramatik për gjithë ceremoninë e dasmës. Nusja mbetet vetme në dhomë, dhe vetëm një maceje i lejohet të jetë e pranishme në minutat e shumëpritura të njohjes me burrin. Në dhomë hyn burri dhe ulet heshtur në shtratin martesor. Ai rëndom dredh një cigare, ndërsa nusja duhet të ketë një shkrepsë dhe t’ia ndezë. Ky është një shkak i sajuar, gjest që i jep shtysë kuvendimit të tyre, pas të cilit ata gatiten të shtrihen. Kur nusja tashmë është shtrirë, dhëndri, para se me u shtri me nusen, mer macen dhe me dorë të fortë e vendosmërisht e ther atë në sy të nuses. Mandej ai lan duart dhe shtrihet në shtratin martesor, afër nuses së tij. *(Ligjëratë e mbajtur në kongresin e IX të semiotikës në Jarosllav të Rusisë, mars 2001) Bibliografia Agron Tufa
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||