| Zemra Shqiptare | ||||
|
“Nderi i Republikës” në Austri E enjte, 07-07-2005, 12:54am (GMT1) Artisti që hapi qindra ekspozita në kryeqytetet evropiane dhe u nderua si “Vlora Mon Amour”, në telajot Velajt Austria atë e ka shpallur “Nderi i Republikës”, ndërsa Sanremo e nderoi me Medaljen e Artë. Piktori shqiptar, Fatmir Velaj, që prej 14 vjetësh jeton në Austri dhe vjen në Shqipëri për t’i dhuruar vendit të tij krijimet që kanë shëtitur të gjithë Evropën e kanë marrë pëlqimin e njerëzve të artit botëror. Sot në mbrëmje, në teatrin “Petro Marko” në Vlorë hapet ekspozita e tij e titulluar “Vlora Mon Amour”. Së fundi ai ka realizuar një ekspozitë me titull “Kujtime nga e Ardhmja”, në Galerinë Rojal Lamington në Bermington, cikël i cili është komplet abstrakt, me piktura në akrilik, në vaj dhe në teknikën mikse. Fatmir Velaj frymëzohet nga temat e jetës së përditshme, ambienti që e rrethon, streset, të gjitha dëshirat, të gjitha ëndrrat. Këto duke u ngatërruar me njëra-tjetrën transmetohen në telajo, në ngjyrat, në forcën, në dinamikën që japin këto ngjyra në telajo. “Kështu, njeriu nuk mund të pikturojë të njëjtën gjë”, thotë ai, të njëjtin moment të jetës së tij, sepse atëherë nuk është realist, sepse njeriu ngacmohet vetë, sidomos artisti ngacmohet nga çdo moment i jetës, nga një lajm i mirë, nga një lajm i keq, ato transmetohen”. Po këto tema janë në qendër të vëmendjes për Fatmir Velajn, i cili sonte në mbrëmje do të shfaqë para qytetarëve vlonjatë Vlorën, dashurinë e tij, ashtu sikurse e ka titulluar edhe ekspozitën. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, ai rrëfen arsyet e hapjes së ekspozitës dhe të largimit nga Vlora. Fatmir Velaj lindi në Vlorë më 1963 Që nga viti 1991 ai jeton dhe vepron në Austri Ka marrë pjesë në shumë ekspozita personale dhe kolektive në Austri, Gjermani, Itali, Belgjikë, Greqi, Egjipt, Rumani, Maqedoni, Shqipëri etj. 13 tetor - 15 nëntor 2004 qëndroi e hapur në Rojal Lamington Art Galeri në Londër ekspozita me titull “Kujtime nga e ardhmja” Veprat e tij janë të pranishme në shumë koleksione, galeri dhe muzeume në vende të ndryshme të botës. Ato janë paraqitur në revista arti e katalogë të ndryshme ekspozitash Fatmir Velaj është edhe kryetar i Organizatës Ndërkombëtare të Artit “Forum Weltoffen Internacional Artist Network”. Nga Shqipëria në ekspozitat vieneze Fatmir Velaj lindi në Vlorë më 1963 dhe përfundoi shkollën teknike. Në vitin 1991 ai emigroi drejt Austrisë, ku sot jeton me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Ashtu sikurse thotë edhe vetë, ai këtë sukses e ka arritur falë punës së palodhshme. Por gjithçka mori hovin drejt famës kur themeloi Forumin “Weltoffen” të rrjetit ndërkombëtar të artistëve, ashtu sikurse thotë edhe vetë Velaj ky është kulmi i arritjes së tij. Por gjithçka duket se nisi fuqishëm kur në shkurt të viti 2001, në prani të presidentit të Parlamentit austriak, dr. Heinz Fischer, ai organizoi një ekspozitë ndërkombëtare në Parlament, e cila pati një sukses të jashtëzakonshëm. Si rrjedhim ekspozita të ngjashme u organizuan me kalimin e kohës në sallone kulturore-politike të Austrisë. Në Festivalin e Pikturës bashkëkohore në Sanremo, organizuar në dhjetor 2003, Velaj u nderua me Medaljen e Artë, një çmim ky krejt i papritur për të. Ndërkohë që më 23 tetor 2003, në emër të qeverisë së Austrisë, ministrja e Punëve të Jashtme, Benita Ferrero Waldner, i dorëzoi atij Medaljen “Nder i Republikës” së Austrisë. Kjo ishte hera e parë që një medalje e tillë i jepej një të huaji dhe aq më tepër një shqiptari. Për t’u rikthyer në Vlorë me ceremoninë që do të hapet nga prefekti i qarkut Artan Nelaj dhe ku do të marrë pjesë dhe sekretari i parë i ambasadës së Austrisë në Tiranë, Rainer Sulzberg. Ermal SIKA
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||