| Zemra Shqiptare | ||||
|
Kledi Kadiu dhe jeta e tij midis sfidave dhe kërcimit E merkure, 07-09-2005, 12:39am (GMT1)
Ai banonte vetëm pak hapa larg Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Sa herë ndalonte atje për të vështruar posterat dhe manifestet që reklamonin evenimentet e mëdha, lexonte emrat e protagonistëve dhe çdo ditë e më shumë shpresonte të bëhej njëri prej tyre. Ai jo vetëm që arriti të bëhej njëri prej tyre, por tejkaloi skenat shqiptare dhe mbërriti deri në ato italiane. Kledi Kadiu, i përballur që i vogël me vështirësitë ekonomike, arriti që të regjistrohej në shkollën e dansit në moshën 10-vjeçare, ku studioi dhe punoi për tetë vjet radhazi dhe hodhi bazat e kërcimit, gjë që arriti të dilte në pah edhe kur u shfaq në Itali. Një eveniment që na e sjell në kujtesë balerinin Kadiu, është pikërisht kërcimi i tij në spektaklin “12 vallëzime për një të shtunë”. Por me siguri askujt nuk ja kishte marrë mendja se ai djalë do të bëhej një seks simbol në Itali, duke u adhuruar nga mijëra vajza.
Për një kohë shumë të shkurtër ai u bë një nga imazhet më të dashura në Itali dhe një ikonë e stacionit Mediaset, ku mban stafetën e balerinit të parë prej shumë vitesh tashmë, në disa nga emisionet më prestigjioze televizive. Ishte pikërisht ai që i mësoi prezantueses Maria de Filipi kërcimin, duke ngritur kështu emrin e shqiptarëve në një dimension tjetër. Ai ka deklaruar shpesh se është krenar që jep dhe kontribuon për një imazh pozitiv të vendit të tij. Për këtë arsye, presidenti Alfred Moisiu i ka dhënë titullin “Ambasador i Kombit” balerinëve shqiptarë më në zë, Kledi Kadiut dhe Ilir Shaqirit. TO
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||