| Zemra Shqiptare | ||||
|
Hetimi i një artisti të ri E enjte, 03-08-2006, 10:19pm (GMT) Nikolin Bujari. Është rasti për të folur për këtë të ri, pasi galeritë i kanë pushtuar profesionistë e amatorë, e kur nuk është fort i qartë fati i shumë të rinjve që marrin një diplomë arti, ca mbyllen në provincë si mësues vizatimi, ca të tjerë i ikin përgjithmonë vendlindjes në kërkim të një fati tjetër Me moshë nxiten dhe përfytyrimet për paradokset. Nëse një mesoburrë intelektual me logjikë të ftohtë i pranon si pjesë e një realiteti tranzit në zhvillim, një 22-vjeçar i trajton paradokset si pjesë e kërkimit në art. Ca më shumë i riu Nikolin Bujari i fut në këndin e hetimit, duke i shuar kufijtë e përfytyrimit qytetar e artistik që njeriu mund të ketë për fenomene e zhvillime, sidomos në përditshmërinë urbane. Është rasti për të folur për këtë të ri, pasi galeritë i kanë pushtuar profesionistë e amatorë, e kur nuk është fort i qartë fati i shumë të rinjve që marrin një diplomë arti, ca mbyllen në provincë si mësues vizatimi, ca të tjerë i ikin përgjithmonë vendlindjes në kërkim të një fati tjetër, për t’u bërë artistë. Nikolini mbylli studimet këtë vit në Akademinë e Arteve të Bukura, në atelierin e artit vizual me profesor piktorin Edi Hila. E la Shkodrën, qytetin e lindjes dhe jeton në Tiranë, pa punë. Ka një trup imcak prej liceisti, mban një çantë të vogël rrobe dhe një dosje ku ruan tre-katër punë të vetat, në fotografi dhe DVD. Shkodranishtja e tij është aq e konservuar sa ç’janë ca kërkime të tijat mbresëlënëse që të shtyjnë të mendosh se ndoshta në të ardhmen do të jetë nga ata artistë që i mbajnë fort të lidhura ca fije me qytetin e lindjes. Një nga këto është “Mirësevini në Shkodër”. Në ditët e nxehta të fushatës elektorale, korrikun e shkuar, një anëtar i grupimit në idenë “Koha për ndryshim”, me posterin e tij kishte pushtuar tabelën e madhe ku në hyrje të qytetit shkruhet dygjuhësh “Welcome to Shkodra”. Ajo që ka bërë Nikolini i brishtë e me një nuhatje të hollë, në pamje të parë duket se i ngjan sa një pune rekuizitorësh bashkiakë, sa zemëratës së ndonjë militani politik të krahut tjeër kundër grupit të “Kohës për ndryshim”. Termi që përdor ai është aksion urban. Dhe në fakt është i tillë. Ai ka xhiruar hap pas hapi aksionin e kryer nga ai vetë, se si mbërrin në “vendngjarje” me një palë shkallë portative të kuqe, dhe aktin e zhveshjes së tabelës nga posteri elektoral, shqitjen e portretit të kandidatit për deputet bashkë me slloganin që kishte fshehur fund e krye frazën e mikpritjes së qytetit. Është një akt i kryer në mes të ditës, por krejt ilegal, aq sa ishte i tillë zaptimi që i kishte bërë kandidati hapësirës publike. Para se të rrezikojë, djaloshi kishte bërë një hetim të situatës, ose më saktë fenonemit që i rezultoi se ishte një paradoks pra një formë anormale, absurde, jashtë logjike. Kjo pjesë e xhiruar zgjat jo më shumë se pesë minuta. Përfundimi është ky: Nikolini ndërhyn në një hapësirë duke vendosur apo hequr një situatë. Elsa Demo
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||