| Zemra Shqiptare | ||||
|
Zhdukja e kryeveprave të artit shqiptar E merkure, 02-04-2008, 06:15pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Kjo nuk ishte hera e parë. Për hir të së vërtetës, veprat e GKA-së kanë dalë shpesh nga institucioni për t’i stolisur paretet e varfra të dikastereve shqiptare. Ndërsa vetë ministrat, që kanë bërë tenderë gjithfarëlloj, e kanë pasur të vështirë të pasurojnë fondet e zyrave të tyre. Kur ka ardhur dekiku... një telefon tek vartësit e shumëbindur të GKA... dhe gjërat kanë marrë fund me shkopin magjik. Veprat e humbura Ajo që të bën të shqetësohesh është se asnjëherë institucionet nuk e panë artistin si njeriun e krijimit. Por, thjesht si robotin krijues. Institucionet e ndryshme, që patën veprat e tyre, jo vetëm nuk u kujdesën në periudhën e tranzicionit, por e lanë në dorë të njerëzve të papërgjegjshëm fatin e tyre. “Vepra të humbura mendohet se janë dhjetëra dhe mos më shumë, por do të ishte shumë mirë që të shfletonit në arkivat dhe librat e listave të institucioneve kulturore, ministrive, institucioneve të larta shtetërore, universitetin shqiptar, shkolla të larta dhe të mesme, shkolla tetëvjeçare, bashki dhe institucione të shtypit shqiptar, ku shpërndaheshin veprat e artistëve shqiptarë dhe që kanë qenë pronë kombëtare, dhe nëse do të gjeni titujt e veprave nuk do të gjeni veprën vetë, mbase kopjen po. Arsyeja e thjeshtë që mund të dëgjoni është ndryshimi i sistemeve, njerëzit që i kanë pas në ngarkim nuk janë më dhe tranzicioni i gjatë institucional i pakontrolluar dhe i pandërgjegjshëm”, thotë Zana Kuka Varvarica, përgjegjëse e sektorit të kritikës në GKA. “Shumë mirë që kryeministri Berisha e kishte vendosur pas vetes ‘Vallëzon Shqipëria’ të Babës ditën e Pavarësisë. Por, nuk e di a është kthyer më në Galeri?!”. Piktori Kujtim Buza pyet pa përgjigje dhe nuk e zgjat më shumë. Pavarësia e Kosovës, gjithsesi, i duket më shumë sesa fati i punës së të atit, Abdurrahim Buzës. Në vite, veprat e humbura më të njohura janë “I urituri” i Paskalit, një punë që ai vetë e kishte falur për Presidentin Zog në vitet ‘20, si nderim për ndihmën që ai i kishte dhënë për shkollimin. Veprat e Qamil Grezdës (disa prej punimeve të tij më të mira të realizuara në mesin e viteve ’50), të cilat janë shkatërruar apo zhdukur nga pinakoteka e artit figurativ, që në ato vite kur edhe u bënë pronë e saj. Versioni i dytë i veprës “Barinjtë me fyej” të Danish Juknikut, ekspozuar në mjediset e ish-ndërtesës së revistës “Hosteni”, nuk gjendet më. Vepra të Fatmir Haxhiut janë shënuar të humbura, të gjetura nga familjarët, por tashmë të riblera. Një vepër e ekspozuar si e piktorit Hiqmet Agollit mban firmën e piktorit Guri Madhi, kur dihet që studioja e Agollit është vjedhur. Piktori Sali Shijaku deklaron shpesh herë se një vepër e tij nuk gjendet më në Galerinë Kombëtare të Arteve etj. Më të njohurat Janë disa syresh. Kurse specialistët rreshtojnë dhjetëra të tilla. “I urituri” i Paskalit ka një histori, që e kalon këtë sistem. Ajo është marrë nga ushtarakët italianë në vitin 1939, ndërsa ishte në Pallatin, që më vonë do të quhej i Brigadave. Një histori tragjike është me piktorin e njohur Abdurrahim Buza. Ishte në bienalen e Aleksandrisë dhe kishte të ekspozuar një punë, ndërsa vjen Suharto. “I forti” i Indonezisë nuk ka mëdyshuar dhe e ka treguar me gisht “Vajtimin” e Buzës. Kaq duhej. Për shkak të marrëdhënieve të mira të kohës, iu dha Suhartos. Por për Buzën, kjo do të ishte më e vogla. Vite më vonë do të ndodhte edhe më keq. Kishte lënë shumë punë të tij ndër miq dhe të afërm në Gjakovë, që u grabitën nga serbët në kohë të zakonshme bastisjesh. Askush nuk është në dijeni tash për to. Serbët bashkë me ikjen i zhdukën veprat duke mbjellë pas dhe harresën. Tutje në kohë, por njësoj në vuajtje është historia e Agim Çavdrbashës. Ai i ndau punët në Shqipëri dhe në Kosovë, që të mos humbnin prej Luftës. Por nga Shqipëria nuk do merrte më “Nënën”, e cila humbi pas një historie të gjatë papërgjegjshmërie të Misionit të Kosovës në Tiranë dhe autoriteteve shqiptare. Ndërsa “Sofrën” do ia digjnin kokënxehtit në Kosovë me rastin e trazirave të marsit 2004. R. Mapo
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||